Kur populizmi KTHEHET NË SHTËPI

Kur populizmi KTHEHET NË SHTËPI
  • 19 June 2018 - 08:21

Shkruan: FEDERICO FUBINI

Populistët po korrin fitore anembanë Bashkimit Evropian dhe Italia, një anëtare themeluese, tani qeveriset nga një koalicion euroskeptik i përbërë nga Lëvizja Popullore Pesë Yjet (M5S) dhe partia nacionaliste Liga

Debatet rreth euros zakonisht përmbajnë propozime për marrëveshje komplekse financiare, për ta ndërtuar një "elasticitet" kundër goditjes së ardhshme ekonomike. Megjithatë, tronditja që ekziston aktualisht, është politike. Populistët po korrin fitore anembanë Bashkimit Evropian dhe Italia, një anëtare themeluese, tani qeveriset nga një koalicion euroskeptik i përbërë nga Lëvizja Popullore Pesë Yjet (M5S) dhe partia nacionaliste Liga. Sikur që është gjithmonë e vërtetë, kur forcat antiestablishment marrin pushtetin në një vend të G7-tës ose BE-së, pyetja që tani shtrohet, është çka vjen në të ardhmen dhe, a ekziston ndonjë rrugë prapa për në normalitet. Në rastin e Italisë, është shumë shpejt që të thuhet. Por, në ndërkohë, ne mund të reflektojmë se çfarë mësimesh mund të ketë për evropianët, derisa ata përpiqen ta frenojnë rrjedhën populiste. Mësimi kryesor është se vendet evropiane nuk mund të përballen me rigjallërimin e sotëm të nacionalizmit populist dhe jingoizmit (patriotizmit ekstrem) nëse nuk bashkëpunojnë. Për fat të keq, reagimi ndaj fitoreve populiste deri më tani ka qenë i ngjashëm me reagimin ndaj proteksionizmit në viteve 1930, ku çdo vend përpiqet ta gjuajë problemin tek të tjerët, derisa ai të kthehet duke 'kafshuar' të gjithë. Mbështetja për partinë djathtiste në Gjermani Në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm italian, Matteo Renzi, e bindi Komisionin Evropian se qeveria e tij kishte nevojë për më shumë "fleksibilitet" për shpenzimet e deficitit në mënyrë që të mbante M5S në gjirin e tij. Kjo prirje ndaj rregullave të buxhetit të BE-së parashikonte zemërimin e publikut gjerman dhe nxiti mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë, Alternative für Deutschland (AfD - Alternativa për Gjermaninë), që tani është partia kryesore e opozitës në Bundestag. Por, sigurisht, zemërimi popullor është gjithashtu ai që e detyroi qeverinë gjermane të imponojë kushte shumë të rrepta ndaj Greqisë në vitin 2015, duke ndezur kështu një revoltë populiste në atë vend. Po ashtu, zemërimi populist në Holandë dhe Gjermani rreth shpëtimit të bankave çoi në nxjerrjen e një legjislacioni strikt anti-shpëtues në nivel të BE-së pas krizës financiare të vitit 2008. Por. ky legjislacion pastaj zgjati krizën e kreditit të Italisë, e cila, nga ana tjetër, ushqeu populizmin atje. Pastaj erdhi fillimi i krizës së refugjatëve, kur Italia i përzuri emigrantët përtej Alpeve, në thelb duke e bartur problemin në Francë dhe Austri. Kjo rriti shanset elektorale të Partisë ultra-nacionaliste të Lirisë të Austrisë dhe të Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë në Francë. Përfundimisht, Austria dhe Franca vulosën kufijtë e tyre, duke përgatitur terrenin që Liga të përfitonte nga zemërimi publik mbi imigracionin. Italia, dy dekada pa rritje të GDP-së Natyrisht, rrënjët e kthesës populiste të Italisë janë gjithashtu vendore dhe historike. Për shkak të dështimeve të qeverive të kaluara, Italia nuk ka përjetuar rritje të GDP-së për kokë banori, për dy dekada. Dhe, produktiviteti në sektorin e shërbimeve, i cili është më pak i ekspozuar ndaj konkurrencës globale, ka ngecur që nga vitet 1990. Këto janë probleme të krijimit të Italisë. Pas vitit 1945, Italia reformoi institucionet e saj politike, por nuk arriti të bënte ndryshime të nevojshme në ekonominë e saj. Ndonëse ishte zhvendosur nga diktatura në demokraci, gjurmët e sistemit fashist jetonin me anë të një qasjeje korporatiste ndaj rregullimit të tregut dhe përfshirjes së gjerë të qeverisë në financa dhe industri. Disa karakteristika të sistemit të vjetër u përkeqësuan më tej pas vitit 1992, nën Traktatin e Mastrihtit, por të tjerët vazhduan. Për shembull, si rezultat i bisedimeve të centralizuara të pagave, kompensimi mesatar i sektorit privat është vetëm 6% më i ulët në Jugun e Italisë sesa në Veri, edhe pse prodhimtaria e Veriut është shumë më e madhe sesa ajo në Jug. Nën kushte të tilla, nuk ka asnjë arsye të mirë për të investuar diku në jug të Romës, gjë që shpjegon pse GDP-ja për e rajonit për kokë banori ka rënë 30% nën mesataren e eurozonës që nga viti 2001. Në këtë sfond nuk është çudi që 47% të italianëve të jugut votuan për M5S, propozimi i të cilës për një subvencion universal do t'i përshtatet një ekonomie të mbajtur nga korporatizmi i epokës fashiste.

Reformat e kufizuara

Korporatizmi është thjesht i papajtueshëm me një union monetar. Megjithatë, ai është e vështirë të reformohet për shkak të varësive që krijon. Kjo është arsyeja pse qeveritë e shumta të kaluara nuk arritën ta modernizonin ekonominë. Pasi Silvio Berlusconi u detyrua të largohej nga kryeministria në vitin 2011, teknokrati Mario Monti bëri disa veprime, por në prag të zgjedhjeve, përparimi u ngadalësua. Edhe Renzi ndoqi reforma të kufizuara, por përfundimisht ra pre e egos së tij të jashtëzakonshme. Por, edhe me liderë më efektivë, Italia do të përballej me skuadrat e BE-së. Përgjigjja konservatore fiskale ndaj recesionit pas vitit 2008, e kombinuar me rënien e Bankës Qendrore Evropiane para korrikut të vitit 2012, çoi deri te një shtrëngim të tepruar, i cili shkaktoi kërdi në klasën e mesme italiane, duke e shtyrë atë drejt populizmit. Kur Monti mori detyrën në nëntor të vitit 2011, M5S dhe Liga Veriore (ashtu siç u quajt më pas) kishin marrë më pak se 10% të votave, gjithsej; sot, kjo shifër është shumë mbi 50%.Italia kaloi një pjesë të asaj që shumë ekonomi të tjera të avancuara e kaluan (si pjesë e GDP-së) për të shpëtuar bankat pas krizës së vitit 2008. Por, dorëzania e saj e papritur "me kusht" në vitin 2015 detyroi mbrojtësit e vegjël që të humbnin, dhe nxitën mbështetjen ndaj partisë M5S. Në retrospektivë, humbjet financiare të italianëve të zakonshëm, së bashku me ndjenjën se BE-ja i kishte lënë ata të vetëm që të merreshin me krizën e refugjatëve, bënë që reagimi populist të jetë gjithçka, por i pashmangshëm.Situata politike e Italisë tregon se sa toksike është bërë qasja e Evropës ndaj populizmit. Derisa politikanët e zakonshëm në të gjithë BE-në përpiqen të mbrojnë radhët e tyre kundër kërcënimeve të brendshme populiste, mbrojtjet që përdorën ata, ushqyen populizmin në vendet fqinje. Rezultati është një efekt domino, i cili është bërë kërcënimi kryesor për të ardhmen e euros dhe BE-së. Politikanët e zakonshëm nuk kanë arritur të bashkohen për të luftuar populizmin, sepse janë të përqendruar tërësisht në karrierën e tyre dhe në zgjedhjet e ardhshme. Por, herët a vonë, ata duhet të kuptojnë se një strategji e tillë do të kthehet gjithmonë duke i përndjekur ata deri në fund. Kjo është arsyeja pse Italia, ashtu sikur edhe Greqia në vitin 2015, së shpejti mund të përbëjë një kërcënim për të gjithë Evropën. Federico Fubini është analist financiar dhe autor i librit "Noi siamo la rivoluzione" (Ne jemi revolucioni)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)