Lulëzimi i korrupsionit në një botë të globalizuar

Lulëzimi i korrupsionit në një botë të globalizuar
  • 20 June 2018 - 08:17

Shkruan: GIDEON RACHMAN 

A është bërë korrupsioni më i rëndomtë? Apo, thjesht më lehtë për t'u ekspozuar

Ju kujtohen vendet BRICS? Në kohën kur koncepti u lansua së pari nga "Goldman Sachs" në vitin 2001, ishte një shkurtesë e dobishme për të përshkruar ekonomitë më dinamike në zhvillim në botë. Kishte gjithmonë skeptikë që pyetnin se çka Brazili, Rusia, India dhe Kina kanë të përbashkët. Këto dyshime u rritën edhe më shumë pasi që Afrika e Jugut u bashkua me këtë klub. Por rezulton se vendet BRICS kanë diçka të përbashkët - korrupsionin. Në të pesë vendet, zemërimi i popullit në lidhje me ryshfetin është në qendër të politikës. Dhe për shkak se këto vende janë gjithnjë e më të rëndësishme për ekonominë botërore, problemet e tyre të korrupsionit kanë implikime globale. Si Brazili, po ashtu edhe Afrika e Jugut, kanë pasur presidentë që janë detyruar të largohen nga posti për shkak të skandaleve të korrupsionit - me Jacob Zuman të detyruar të japë dorëheqjen në Afrikën e Jugut këtë vit dhe Dilma Rousseff të gjykuar në Brazil, në vitin 2016. Në Rusi, partia në pushtet "Rusia e Bashkuar" është e njohur gjerësisht si "partia e mashtruesve dhe hajdutëve".

Puna heroike e prokurorëve

Ngritja në pushtet e Narendra Modi u ndihmua nga premtimi i tij për të goditur korrupsionin midis elitave. Kryeministri indian që nga ajo kohë ka ndërmarrë hapin drastik të heqjes së rreth 80 për qind të monedhës së vendit, në një përpjekje për të zvogëluar ekonominë e zezë. Në Kinë, sulmi antikorrupsion i presidentit Xi Jinping ka shkaktuar më shumë se 100,000 zyrtarë të arrestuar. Ndërkohë, të mërguarit kinezë kanë përhapur akuza online se korrupsioni shtrihet në rrethin e brendshëm të presidentit Xi. Skandalet e profilit të lartë të korrupsionit nuk kufizohen vetëm tek BRICS. Këtë muaj Mariano Rajoy u detyrua të japë dorëheqjen si kryeministër i Spanjës pas shtatë vitesh në detyrë, pas një skandali në partinë e tij politike. Dhe muajin e kaluar partia qeverisëse e Malajzisë humbi pushtetin për herë të parë që nga vitet 1950 - pas akuzave se kryeministri Najib Razak kishte përvetësuar shuma të mëdha parash. Korrupsioni ka ekzistuar gjithmonë - dhe nuk ka qenë kurrë popullor. Por frekuenca dhe ndikimi politik i skandaleve të korrupsionit duket se po rritet në të gjithë botën. Pra, a është korrupsioni më i zakonshëm? Apo thjesht është bërë më lehtë për t'u ekspozuar? Përgjigja duket të jetë se të dy gjërat po ndodhin njëkohësisht. Globalizimi i biznesit dhe financave hapi mundësi për të bërë fitime korruptive në ekonomitë në zhvillim. Industritë që shpesh kanë nevojë për përfshirje zyrtare, siç janë pasuritë natyrore dhe infrastruktura, janë veçanërisht objektiva fitimprurëse. Ka kontrata që duhet të jepen dhe projekte zhvillimi që kanë nevojë për miratim zyrtar. Dhe paratë për ryshfet gjithmonë mund të depozitohen në vendet e jashtme. Por, një keqpërdorim i tillë mund të ekspozohet. Prokurorë dhe gjyqtarë të fuqishëm, të pavarur si Sergio Moro i Brazilit dhe Thulisile Madonsela i Afrikës së Jugut kanë bërë punë heroike në nxitjen e hetimeve kundër korrupsionit. Liria e shtypit në Brazil dhe në Afrikën e Jugut ka qenë gjithashtu kritike për mbajtjen e presionit ndaj politikanëve të korruptuar. Edhe kur mediat kombëtare janë të zhurmshme, interneti ofron një medium alternativ për transmetimin e akuzave për korrupsion. "Panama Papers", e cila detajonte çështjet financiare në parajsat tatimore të shumë politikanëve të shquar, ishte rezultat i një projekti ndërkombëtar gazetaresk dhe i bazuar në dokumente të hakuara.

Teoria alternative

Format e reja të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe transparencës kanë bërë gjithashtu që mashtruesit të jenë më të prekshëm ndaj ekspozimit. Ndryshimet në ligjet zvicerane për sekretin bankar - të bëra nën presionin e SHBA-së - ishin vendimtare për të lejuar prokurorët brazilianë të zbulojnë të ardhurat e korrupsionit. Hetimet ndërkombëtare nga ana e zviceranëve dhe amerikanëve gjithashtu vazhduan presionin mbi z. Razak të Malajzisë. Por, nënshtrimi i korrupsionit nuk është diçka që mund të arrihet me një përpjekje të vetme katarzike. Progresi i qëndrueshëm kërkon institucione të forta që mund të mbijetojnë ndryshimet në klimën politike; gjykatat dhe prokurorët e pavarur me trajnime dhe burime; një shtyp që nuk mund të blihet lehtë, burgoset ose vritet; nëpunësit civilë efikas të cilët nuk mund të pushohen nga puna nga teket e një shefi të korruptuar. Hiq ndonjë prej këtyre elementeve dhe korrupsioni del në sistem. Prokurorët në Brazil janë të përndjekur nga shembulli i hetimeve të "duarve të pastra" në Itali në fillim të viteve 1990. Por, brenda pak vitesh, Silvio Berlusconi, i cili përktheu praktikat e huaja të biznesit, ishte zgjedhur kryeministër. Duke kërkuar për shembuj të ndryshimeve të qëndrueshme kulturore në betejën kundër korrupsionit, prokurorët brazilianë janë mbështetur te shembulli i Hong Kongut nën sundimin kolonial britanik dhe krijimin e një Komisioni të Pavarur Kundër Korrupsionit në vitin 1974. Edhe pse kjo arritje tani mund të vihet në dyshim, ka frikë se pavarësia e institucioneve të Hong Kongut po rrezikohet nga presioni nga Kina kontinentale. Shqetësimet rreth Hong Kongut mund të ofrojnë pauzë për ata që interpretojnë shpërthimin e skandaleve në të gjithë botën si dëshmi se po fitohet beteja globale kundër ryshfetit. Një teori alternative është se fuqia në rritje ekonomike e vendeve të tilla si Kina, India dhe Rusia mund të përhapin më gjerësisht praktikat e korruptuara. SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe krenohen me institucionet e tyre të shëndosha. Por bankierët perëndimorë, avokatët, agjentët e pasurive të paluajtshme, firmat e PR - raportet me publikun (dhe ndoshta edhe presidentët) janë shpesh shumë të gatshëm për të ndarë të ardhurat nga korrupsioni.

(Kosova Sot)