Kush ishin sabotuesit dhe komplotistët e luftës së UÇK-së?

Kush ishin sabotuesit dhe komplotistët e luftës së UÇK-së?
  • 20 June 2018 - 08:08

SHKRUAN: IBRAHIM KELMENDI

Për vrasjen në pusi të Zahirit ka pasur dyshime dhe akuza, sepse në fillim të janarit, në Tiranë, ishte takuar Zahiri me Azem Sylën dhe, për shkak se Zahiri ka refuzuar komandimin nga emigracioni, ata duhet të jenë grindur mes tyre. Pastaj duhet të ketë ndodhur edhe një takim i Zahirit me Nait Hasanin në Prishtinë. Ndërsa ditën kur ka ndodhur vrasja e Zahirit me shokë, në stacion të autobusëve në Prishtinë, duhet të jetë takuar Zahiri me Bislim Zogajn (i cili është kooptuar në "shtabin qendror" përmes Xheladin Gashit, me miratimin e Azem Sylës)

Qysh kur është themeluar, por sidomos nga viti 1996, edhe më intensivisht nga marsi 1998, kundër UÇK-së është bërë luftë speciale, pos tjerave, edhe duke i mitizuar kUmandantat e shpifur, që pastaj ata të (sh)përdoren për komprometim e diskreditim të UÇK-së. Në këtë shkrim do të përpiqem të demitizoj UÇK-në nga mitizimet e shpifura për kUmandantat, meqë emërtimi kUmandant tashmë është popullarizuar si zhargon pezhorativ për ata që janë prezantuar rrejshëm si komandantë, por edhe për keqbërësit, të imponuar si komandantë. • Gjatë viteve 1980-a dhe në fillim të viteve 1990-a, janë shquar individë dhe grupe, që përpiqeshin të organizonin luftë çlirimtare. Në fillim të viteve 90-a, pasi Beogradi lejoi dhe sponsorizoi organizimin pluralist edhe të partive shqiptare, shumë anëtarë dhe rrethe të Lëvizjes (klandestine), aty e tutje, u përcaktuan për veprimtari të armatosur çlirimtare, meqë gjykuan se gara politike me parti "legale" (të regjistruara në Beograd) tashmë nuk kishte kuptim, por edhe pse brenda Lëvizjes kishte pasur luhatje për shkrirje në parti "legale". Rrjedhimisht, një mori individësh bënin përpjekje për të krijuar mundësi për organizimin e forcave të armatosura çlirimtare. Grupi i parë që kishte nisur të ndërtojë strukturat e një lëvizjeje çlirimtare është ai i Drenicës, në fillimin e vitit 1992. Ai udhëhiqej nga Adem Jashari, i cili ishte, po ashtu, anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Aksioni i ndodhur në Drenas, i njohur si "aksioni tek hekurudha" është ndër fillestarët e këtij përcaktim politik për veprim çlirimtar edhe me kryengritje të armatosur. Një shembull tjetër karakteristik është edhe grupi i organizuar rreth Zahir Pajazitit, i njohur më pas si Grupi i Llapit/Gollakut, veprimtaria e të cilit do të shtrihej edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera. Ademi dhe Zahiri, në momente përkatëse, duhet të kenë shpresuar se edhe partitë "legale" do t'i përkrahnin në veprimtarinë e tyre të armatosur çlirimtare. Atë dëshirë e përpjekje të tyre po e shpërdorojnë tani edhe disa matrapazë, sidomos të LDK-së dhe Partisë Parlamentare, për t'i prezantuar Ademin dhe Zahirin si "prodhim" të atyre partive. Dhe për këtë po ofrojnë edhe pseudoprova, si atë të simulimit të ushtrimeve ushtarake në Shqipëri, në vitin 1991, ndonjë fotografi rasti, bile edhe bisedë rasti, ta zëmë në ballkon të një banesë në Prishtinë, siç (dez)informoi para ca ditëve Veton Surroi. Unë vazhdoj të dyshoj se ato ushtrime ushtarake duhet të kenë qenë të ideuara dhe të organizuara nga kuadrot e shërbimeve serbe, për t'i identifikuar të interesuarit, që t'i përndiqnin pastaj dhe për të komprometuar nevojën për organizim të veprimtarisë së armatosur çlirimtare. Fakti që shumë prej të stërviturve në Shqipëri do të arrestoheshin më vonë, sapo qenë kthye në Kosovë, të cilëve u dihej hollësisht jo vetëm koha e ushtrimeve, por edhe numri i armës që kishin, ishte një dëshmi tronditëse, ndoshta jo e vetmja. Ata që nuk u dekonspiruan dhe që në përgjithësi ishin në lidhje me Lëvizjen, formuan pastaj edhe grupet e para të rezistencës, siç ishte rasti i Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit.

Dekonspirimi i pjesëmarrësve në Kuvend

Themelimi i herëpashershëm edhe i ndonjë organizimi, gjoja patriotik dhe klandestin, ka qenë taktikë e hershme e shërbimeve sekrete jugosllave, për të identifikuar e përndjekur shqiptarët e interesuar për angazhim çlirimtar. Prandaj qysh kur jam bindur se Sabri Novosella ishte marionetë e SDB-së (Ibush Kllokoçit), kam dyshuar se e ka simuluar LNÇKVSHJ. Ndërsa për PKMLSHJ e Abdullah Prapashticës, oficer madhor i SDB-së, e kam (dis)kualifikuar si krijesë komplotistë. Këta dy u përpoqën të komplotonin edhe Lëvizje, të cilën e patën themeluar më 17 janar 1982 Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka... Fatmirësisht Lëvizja, - pasi sfidoi komplotet e Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës, - ishte e ndërgjegjshme për atë lloj komploteve të shërbimeve sekrete jugosllave, serbe dhe të KSAKsë, prandaj ajo nuk iu bashkua "ushtrimeve ushtarake" në Shqipëri në vitin 1991, edhe pse ca anëtarë të saj morën pjesë! Në ato rrethana të koklavitura Lëvizja vlerësoi se duhej t'u përgjigjej kërkesave dhe angazhimeve guerile-çlirimtare, të individëve dhe grupeve të saj, që ishin përvijuar qysh nga viti 1984, kur Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha iu kundërvuan edhe njësive speciale të KSAK-së (të komanduara nga Tahir Zema). Në mbështetje të këtyre përcaktimeve e përpjekjeve Kuvendi i Lëvizjes, i mbajtur në Prishtinë (në shtëpinë e prindërve të Fatmir Brajshorit), më 27 korrik 1993, mori vendimin për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fatkeqësisht, si pasojë e dekonspirimit të pjesëmarrësve në atë Kuvend dhe ndjekjes së tyre nga strukturat policore serbe, u pamundësua përkohësisht zbatimit i atij vendimi. • Pra, edhe para këtij vendimi të 27 korrikut 1993, në Kosovë u shquan tri "grupime", me epiqendra në zonat Drenicë, Llap-Gollak dhe Dukagjin. Koordinatorë të atyre "grupimeve" ishin afirmuar Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Adrian Krasniqi. Këto "grupime" policia serbe nuk po i zhbënte dot, meqë ishin përcaktuar për jetë a vdekje, siç thuhet për raste të ngjashme, për t'u përball me forcat pushtuese... • Sipas përcaktimit statutar të Lëvizjes, kur ndodhnin sulme me pasoja të rënda ndaj strukturave udhëheqëse të Lëvizjes, deri në përtëritjen e tyre, koordinimi/udhëheqja i kalonte LëvizjesDega jashtë vendi (LPK-D.j.v.). Prandaj, në nëntor 1993, Këshilli i Përgjithshëm (KP) i LPK-D.j.v. vendosi të zbatonte Vendimin e Kuvendit për formimin e ushtrisë. Për shkaqe të rrezikshmërisë dhe ruajtje konspiracionit, KP ngarkoi Kryesinë për ta zbatuar atë vendim. Ajo, në ndërkohë, formoi Sektor të rëndësisë së veçantë (SRV), më përbërje: Ali Ahmeti, Xhavit Haliti dhe Jashar Salihu.

Azem Syla dhe Xhavit Haliti patën formuar "grupin" e tyre

Pas zgjedhjes së Jasharit kryetar i Fondit 'Vendlindja Thërret', është bërë zëvendësimi i tij nga Azem Syla. SRV vepronte si ekip kolegjial. Kryesia e atëhershme e Lëvizjes, deri në maj 1998 përbehej nga: Fazli Veliu (kryetar), Muhamet Kelmendi (nënkryetar), Emrush Xhemajli (sekretar), Gafurr Elshani (arkatar), Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla, Rexhe Iberdemaj dhe Adem Grabovci (anëtarë). Për ndihma e furnizim logjistik lidhjet me Grupin e Drenicës ishin përmes Fehmi Lladrovcit, me Grupin e Dukagjinit Sali Kelmendi dhe me Grupin e Llapit/Gollakut Sabri Kiçmari dhe Ali Rama. Ndërsa koordinues i atyre tre "grupeve" në kuadër të UÇK-së në formim ishte Ali Ahmeti. Azem Syla dhe Xhavit Haliti patën formuar "grupin" e tyre, të përbërë nga Nait Hasani, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Bislim Zogaj, Sokol Bashota. Fatkeqësisht ose fatmirësisht, varësisht nga qasja, "grupit" të Xhaviti dhe Azemit nuk i kanë besuar pjesëtarët e tre "grupeve" të sipërpërmendura. Kjo bëri që, qysh në zanafillë të formimit të UÇK-së të përvijoheshin dy organizime paralele: "grupi" i Xhavitit dhe Azemit, që rezultoi si bano sabotuese e komplotiste, pothuajse pa ushtarë e pa veprimtari guerile, dhe tri "grupet", që koordinoheshin nga Ademi, Zahiri dhe Adriani, të cilat ishin bërthamat zanafillore të UÇKsë në Kosovë. Përveç tyre, ishte edhe një "grupim" në Makedoni... • Më 3 dhjetor 1993, KP i LPK-D.j.v., njëkohësisht, formoi edhe Fondin "Vendlindja thërret" (F.V.Th.), për të mbledhur ndihma financiare në emigracion për UÇK-në, tashmë në formim. Në nëntor 1994, ushtrinë që po formohej, Kryesia e Lëvizjes e pat emëruar: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Koordinatori i parë i Fondit qe zgjedhur Musa Xhaferri. Pas tij dhe deri në përfundimin e aktivitetit (qershor 1999), Fondit V.Th. u koordinua nga Jashar Salihu.

Mjetet e dorëzuara Xhavit Halitit

Përveç ndihmave vullnetare nga emigrantët, ishte vendos edhe për një shumë obligative prej 1.000 DM/Sfr në vit, për çdo anëtar të Lëvizjes, që ishte i punësuar. Gjithashtu u vendos që 60 % e të hyrave nga anëtarësia dhe nga aktivitetet e LPK-D.j.v., të derdheshin në F.V.Th. Pothuajse të gjitha këto mjete, gjatë viteve 1994-1997, i janë dorëzuar Xhavit Halitit, sepse me kalimin e kohës u imponua më autoritar në SRV, pavarësisht se në fillim ishte përcaktimi për angazhim kolegjial. Ai duhej t'ia përcillte ato ndihma UÇK-së në Kosovë... • Qysh në verë të vitit 1996 na ndodhen disa "eksese", që dekonspiruan parregullsi në menaxhimin e mjeteve të Fondit. Nga "grupet" e Ademit, Zahirit e Adrianit na patën ardhur kërkesa në Kryesi të Degës së Lëvizjes në Gjermani, për t'i ndihmuar financiarisht, meqë nuk kishin marrë ndihma nga F.V.Th. Nga mjetet e F.V.Th., që i dorëzoheshin Xhavit Halitit, një pjesë modeste duhet t'u jenë dhënë pothuajse vetëm Nait Hasanit dhe Rexhep Selimit! Tjerat duhet t'i ketë shpërdoruar Xhaviti për rrojtje të tij në Tiranë (ndoshta edhe për ble banesa, siç po i zbulohen kohëve të fundit). Por, sa mjete u janë dhënë Naitit e Rexhepit, gjatë viteve 1994-97, ata nuk kanë raportuar asnjëherë. Ndërkohë, raportimet e Xhaviti në Kryesi të Lëvizjes dyshoj të kenë qenë mashtrime. Kështu, ai e ka shpërdoruar mirëbesimin e tepruar që Kryesia kishte ndaj tij. Në vitin 1996 Kryesia më thirri në mbledhje, për të dhënë llogari, për shkelje të "centralizmit demokratik", nga se Kryesia e Lëvizjes - Nëndega në Gjermani, u kishe dërguar ca ndihma modeste tri "grupeve" në Kosovë. Aty dëgjova dezinformimin diskreditues të Xhavitit: "Ato tri grupe të komitashëve, që nuk pranojnë disiplinën dhe subordinimin ushtarak, nuk i kemi ndihmuat financiarisht, sepse nuk janë pjesë e UÇK-së..." (parafrazim). • Gjatë vitit 1996 u shpeshtuan aksionet guerile të UÇK-së. Bartës kryesorë të atyre aksioneve ishin kryesisht pjesëtarët e të tri "grupeve" që koordinoheshin nga Ademi, Zahiri e Adriane. Për aksione të "grupit" të Xhavitit dhe Azemit kemi vetëm mitizime të legjendarizuara, por jo të dhëna konkrete (përjashto një rrëfim konkret të Rexhep Selimit, se kishte hedhë një granatë xhepi në oborr të refugjatëve serbë, të ardhur nga Bosnja, pasi kishte dalë nga byrektorja, përballë pallatit të Radio Prishtinës, sepse refugjatët ishin të vendosur në "pavilone" prapa Radio Prishtinës...).

Vrasja në pusi e Zahirit

Në janar 1997 policia serbe, fillimisht, arrestoi Nait Hasanin, i cili ishte caktuar nga Xhaviti si koordinator (komandant) i atij grupi (që tashmë po e quanin "shtabi qendror"). Dhjetë ditë më vonë, më 31 janar 1997, policia i vrau në pusi Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Më 16 tetor 1997, në sulmin gueril, nga policia serbe u vra edhe Adrian Krasniqi. Për vrasjen në pusi të Zahirit ka pas dyshime dhe akuza, sepse, në fillim të janarit, në Tiranë, ishte takuar Zahiri me Azem Sylën, dhe, për shkak se Zahiri ka refuzuar komandimin nga emigracioni, ata duhet të jenë grindur mes tyre. Pastaj duhet të ketë ndodhur edhe një takim i Zahirit me Nait Hasanin në Prishtinë. Ndërsa ditën kur ka ndodhur vrasja e Zahirit me shokë, në stacion të autobusëve në Prishtinë, duhet të jetë takuar Zahiri me Bislim Zogaj (i cili është kooptuar në "shtabin qendror" përmes Xheladin Gashit, me miratimin e Azem Sylës). Edhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë, përse duhej Bislim Zogaj, më 31 janar, pas një thirrje telefonike që duhet të jetë përgjuar nga policia, të lente takim me Zahirin në orën 16:00, në Stacion të autobusëve në Prishtinë. Menjëherë pas takimit Bislim Zogaj është arrestuar dhe për një javë askush nuk e ka ditur se ku gjendet ai. Ndërsa Zahiri me shokët e tij janë vrarë në pritë të parapërgatitur. Pra, duket sikur Zahiri është nxjerrë në atë pritë. Ende nuk ekziston një variant përfundimtar. Edhe Rexhep Selimi nuk është deklaruar saktë. Sipas Xhavit Halitit, në këtë kohë Rexhepi ka qenë në Tiranë, ndërsa sipas vetë Rexhepit, ai ka qenë në Drenicë. Pothuajse e besueshme. Edhe kur Rexhep Selimi, disa muaj më vonë, shkon tek Adem Jashari për t'i thënë që të mos e pranonte në Drenicë grupin e Fehmi Lladrovcit, ai merr me vete Xheladin Gashin, sepse nuk ishte i sigurt nëse Ademi do ta takonte. [Të interesuarit mund të informohen më konkretisht për këto ngjarje nga libri i shkodranit Bedri Islami, "Enigma e një vrasje të trefishtë".] Interesant është hezitimi i të gjithëve, për të mos bërë kërkesë për hetime profesionale, institucionale, për vrasjen në pusi të Zahirit, Hakifit, Edmondit! Këto vrasje dhe arrestimi i Naitit, - po ashtu një arrestim i dyshimtë pasi është kapë në afërsi të banesës, pak qaste pasi kishte drekuar me Xheladin Gashin në një restorant në Prishtinë, por që banesa nuk duhet t'i jetë bastisur, - ishin goditje e rëndë për UÇK-në, në formim. Tashmë SRV ankohej për shkëputje të lidhjeve me "shtab qendror" të UÇK-së dhe, siç informova më lartë, nuk po vendoste lidhjet me "grupet e komitashëve". Në fakt, "shtabi qendror" i Xhaviti dhe Azemit nuk ekzistonte. Edhe përforcimi i UÇKsë me Fehmi Lladrovcin dhe shokët e tij, që kishin bërë kërkesë, kundërshtohej nga Xhaviti dhe Azemi, me arsyetimin mashtrues se "shokët në Kosovë nuk kishin nevojë për njerëz..." (vijon)

(Kosova Sot)