Boshatisja e shqiptarëve

Boshatisja e shqiptarëve
  • 21 June 2018 - 08:24

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI 

Si ka mundësi që shqiptarët jo vetëm ata të Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Preshevës, largohen nga trojet e tyre, por si ka mundësi që edhe sot nga Shqipëria dhe nga Kosova, nga dy shtetet shqiptare, ndodh eksodi dhe largimi nga atdheu deri në atë masë saqë kjo hemorragji është bërë edhe sot problem evropian?

A i që më shtyu të shkruaj këtë shkrim është realiteti i sotëm, i cili vjen edhe si trashëgimi e së kaluarës, e cila nuk po u ndahet shqiptarëve dhe që është eksodi apo largimi e boshatisja e trojeve shqiptare. Gjithnjë fajin historikisht, por edhe me të drejtë për këtë ua kemi lënë armiqve, dhunës, gjenocidit, dëbimit dhe pastrimit etnik të bërë prej tyre. Po sot, si ka mundësi që shqiptarët jo vetëm ata të Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Preshevës largohen nga trojet e tyre, por si ka mundësi që edhe sot nga Shqipëria dhe nga Kosova, nga dy shtetet shqiptare, ndodh eksodi dhe largimi nga atdheu deri në atë masë sa që kjo hemorragji është bërë edhe sot problem evropian, në BE, ku dëshirojmë dhe synojmë të integrohemi.

Mungesat e sigurisë, juridike dhe ekonomike

Këtu nuk ka nevojë që për ta analizuar dhe për të nxjerrë shkaqet, dhe as nuk duhet vrarë shumë mëndja për të nxjerrë shkaqet dhe arsyet. Shkaqet dhe arsyet janë të thjeshta aq sa janë edhe të shumta. Ato shprehen nga qytetarët dhe janë: ankesat, kërkesat dhe streset të cilat shqiptarëve u vijnë nga mungesat e sigurisë juridike dhe ekonomike; nga papunësia, varfëria; nga mungesat politike dhe ato demokratike; nga streset që u vijnë nga amoraliteti i politikës dhe pushtetit, i padrejtësive dhe nga korrupsioni; nga krimet gjithfarësh, si ai politik, ekonomik, moral, ordiner, ligjor, demokratik dhe nga pakëndshmëria, stresi dhe paniku që përhap dhe informon media e korruptuar, manipulatore dhe gënjeshtare, të cilat edhe ato shkaktojnë frikë, ankth dhe panik.

Dështimi i meritokracisë

Shqiptarët ikin dhe largohen nga Shqipëria dhe nga Kosova, sepse ata nuk kanë liri për meritën, as për talentin e dhuntinë dhe as për energjinë, e pra nuk ka vend për suksesin dhe as për progresin e tyre, por ka izolim, përjashtim, dështim dhe dëbim të tyre. Këtu dështojnë meritokracia, patriotizmi, intelekti, ndershmëria dhe prandaj shqiptarët i kërkojnë edhe ato duke u larguar nga atdheu drejt perëndimit, si vendi i lirisë. Shqiptarët janë lodhur edhe prej ëndrrave, sepse nuk e prekën pothuajse asnjëherë realitetin e tyre. Dhe kjo do të thotë se shqiptarët largohen nga Shqipëria dhe Kosova sepse e kanë humbur në një masë të madhe edhe shpresën, e kanë humbur edhe solidaritetin dhe besueshmërinë jo vetëm te shteti, te politika e pushteti, por edhe te njëri-tjetri, te sinqeriteti dhe te miqësia e ndershme, pasi këto i ka goditur rëndë dhe ashpër politika, krimi, korrupsioni, padrejtësia dhe tradhtia.

 

(Kosova Sot)