Rreziku i katërfishtë italian për Evropën

Rreziku i katërfishtë italian për Evropën
  • 21 June 2018 - 08:39

Shkruan: MICHAEL J. BOSKIN

Ministri i ri i Italisë për ekonomi dhe financa, Giovanni Tria, ka kërkuar të sigurojë tregjet financiare se qeveria e koalicionit të Lëvizjes 'Pesë Yjet me Ligën', nuk do të braktisë as euron, e as nuk do ta hedhë në erë deficitin buxhetor në kundërshtim me rregullat fiskale të BE-së. Por, Evropa nuk është jashtë rrezikut. Qeveria populiste italiane, euroskeptike, ka rritur më tej rreziqet afatmesme të paraqitura nga sektori bankar i vendit, borxhi publik, politikat e punës dhe migracionit dhe nga modeli i rritjes. Ky nëntor do të shënojë 25 vjetorin e Traktatit të Mastrihtit, i cili transformoi Komunitetin Ekonomik Evropian në Bashkimin Evropian dhe vitin e ardhshëm është 20 vjetori i fillimit të euros. Secili prej këtyre institucioneve jo vetëm që ka mbijetuar, por është zgjeruar, pavarësisht sfidave të tilla sikur kriza e borxhit sovran të Greqisë dhe vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE-ja. Por, ndërkohë që eurozona është përballur me këto vështirësi, një seri çështjesh të pazgjidhura ende e shqetësojnë atë.

Humbja e sovranitetit monetar

Në vitet e fundit, rritja e ndjenjës nacionaliste dhe anti-emigruese ka bërë të mundur ngritjen e partive populiste, të gatshme që të sfidojnë rregullat e BE-së dhe të sfidojnë burokratët në Bruksel. Dhe, që nga kriza financiare e vitit 2008, shumë banka evropiane kanë qenë në një nivel të tmerrshëm, dhe nivelet e borxhit sovran, korporativ dhe të familjes në një numër vendesh evropiane, mbeten të larta. Ndonëse papunësia ka rënë disi, ajo është ende sa dyfishi i asaj në Shtetet e Bashkuara. Dhe, pas një rritjeje të kohëve të fundit, ritmi i përgjithshëm ekonomik i Evropës ka rënë përsëri. Për më tepër, popullsia e Evropës po plaket, por përpjekjet për të rihapur transferimet e tepruara, taksat e larta dhe rregullat jo fleksibile, janë realizuar me sukses të kufizuar. Një shembull i përkryer është propozimi i pensionit nga presidenti francez, Emmanuel Macron, taksat dhe reformat e tregut të punës, të cilat kanë provokuar protesta në çdo hap. Marrë në përgjithësi, Evropa ka vuajtur nga rritja e vogël, borxhet tepër të mëdha sovrane - gjë që do të bëhet më e rëndë kur normat e interesit përfundimisht të rriten - dhe bankat e dobëta dhe joefikase. Dhe, duke shikuar përpara, problemet e mëtejshme në sektorin bankar mund të provojnë një sfidë të veçantë, duke qenë se më shumë se gjysma e kredive të zgjeruara në BE vijnë nga bankat - një përqindje që arrin 70% në Gjermani dhe Itali. Për krahasim, vetëm 35% e kreditit të zgjeruar në SHBA vijnë nga bankat. Për më tepër, një numër shqetësimesh të vazhdueshme ekonomike dhe konkurrencës së dobët të vendeve të eurozonës pasqyrojnë mungesën e një monedhe që do të mund të zhvlerësohej. Humbja e sovranitetit monetar, kombinuar me tensionet demografike dhe kriza e emigrantëve dhe refugjatëve, ndihmon për të shpjeguar pse shumë votues janë dyndur te partitë populiste dhe nacionaliste. Në Itali, Britani të Madhe dhe shtetet e tjera anëtare kryesore, ka një armiqësi në rritje ndaj rregullave të përbashkëta fiskale dhe parimeve bazë të BE-së, sikur që është lëvizja e lirë e njerëzve.

Armiqësia në rritje e elektoratit italian ndaj imigracionit

Problemet e Evropës tentojnë ta përforcojnë njëri-tjetrin. Rritja anemike e bën më të vështirë zgjidhjen e kredive problematike të bankave, gjë që pengon më tej rritjen, duke nxitur pakënaqësinë e publikut. Edhe nëse qeveria e re e Italisë ka përjashtuar një përballje ndaj euros në një afat të afërt, ajo do të duhet të përballet me këto çështje ekonomike. Tria pretendon se rritja e shpenzimeve dhe ulja e taksave nuk vijnë në shprehje; por pikërisht ky është kombinimi politik për të cilin ranë dakord partitë e koalicionit kur formuan qeverinë e tyre. Votuesit në vendet demokratike shpesh mbështesin rritjen e shpenzimeve dhe uljen e taksave, pavarësisht nga ndonjë ndikim në borxhin e vendit. Por borxhi publik i Italisë, prej 130% të GDP-së, tashmë është më i larti në Evropë. Nëse autoritetet përfundojnë në kundërshtim me rregullat e buxhetit të BE-së, qeveritë e shteteve të tjera anëtare mund të inkurajohen që të ndjekin këtë shembull - veçanërisht nëse ka presion politik vendas për ta bërë këtë. Për shkak të normave të ulëta të interesit, Italia ka arritur të mbajë deficitin e saj nën 3% të GDP-së, në përputhje me Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes së BE-së. Por, kur kostot e huamarrjes më në fund fillojnë të rriten, do të marrë fund muaji i mjaltit të borxhit të Italisë. Për t'i bërë gjërat edhe më keq, një pjesë e madhe e borxhit sovran të Italisë mbahet nga bankat e veta jo stabile. Italianët kanë qenë prej kohësh armiqësorë ndaj direktivës së "dorëzanisë" të BE-së, e cila kërkon që kreditorët të marrin një humbje në rastin e dështimeve të bankave, sepse pronësia e bankave të Italisë, që dolën nga qytetet-shtete historike të vendit, është shumë e lokalizuar . Kështu, rënia e një banke italiane do të dëmtonte rëndë ekonominë e rajonit përreth, ndërkohë që efektet e një dështimi të bankës amerikane do të ishin shumë më të shpërndara. Një fushë tjetër që duhet shikuar, është imigrimi. Që nga viti 2011, 750,000 emigrantë kanë mbërritur në Itali nga i gjithë Mesdheu. Dhe tani, Matteo Salvini, lideri i partisë Liga dhe, njëkohësisht, ministër i Brendshëm, kërkon që vendet e tjera të BE-së, veçanërisht Franca, të pranojnë më shumë azilkërkues. Pasi kohët e fundit largoi një varkë shpëtimi që mbante rreth 600 emigrantë, Salvini shkroi në Facebook se "Shpëtimi i jetës është obligim, transformimi i Italisë në një kamp të madh refugjatësh nuk është". Armiqësia në rritje e elektoratit italian ndaj imigracionit, është pjesë e një tendence më të madhe në të gjithë BE-në, nga Hungaria dhe Polonia deri te Mbretëria e Bashkuar. Pak përpara referendumit të Brexit në vitin 2016, kryeministri britanik David Cameron bëri një apel të minutës së fundit ndaj kancelares gjermane Angela Merkel, duke e lutur që të binte dakord për një kufi për lëvizjen e njerëzve në Britani të Madhe. Merkel refuzoi, dhe referendumi i Brexit kaloi me një diferencë të ngushtë. Ironia është se Merkel tani po përballet me të njëjtin reagim kundër emigracionit që bëri Cameron në vitin 2016. Imigracioni ka tendencë të jetë i mirë për një ekonomi afatgjatë, veçanërisht nëse raporti i pensionistëve ndaj punëtorëve rritet. Por, kur niveli i emigracionit tejkalon kapacitetin e një vendi për të absorbuar punëtorë të rinj, mund të ketë kosto të rënda ekonomike dhe sociale, të paktën në afat të shkurtër. Në të gjithë BE-në, ka tensione në rritje mes koncepteve të autonomisë lokale, sovranitetit kombëtar dhe autoritetit mbikombëtar. Nëse ecuria ciklike e Evropës nuk do të përkthehet në një rritje të qëndrueshme afatgjatë, atëherë kërcënimi i katërfishtë i bankave të Italisë, borxhi, reagimi ndaj imigracionit dhe keqtrajtimi ekonomik, do ta testojnë qëndrueshmërinë e monedhës së përbashkët dhe në përgjithësi, atë të integrimit evropian. Shumë do të varet jo vetëm nga qeveria e re e Italisë, por edhe nga fati i agjendës së reformës së presidentit Macron.

(Michael J. Boskin është profesor i ekonomisë në Universitetin "Stanford")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)