Kumandantat e shpifur të 'shtabit të Rognerit'

Kumandantat e shpifur të 'shtabit të Rognerit'
  • 22 June 2018 - 08:07

Demitizimi i UÇK-së nga mitizimet e shpifura për kUmandantat (bazuar në vëzhgime dhe përjetime) (3)

Druaj që 'shtabi i Rognerit' e ka pas emëruar zëdhënës të UÇK-së, për inat të Fehmi Lladrovcit, meqë ai "shtab" donte ta përforconte krahun kundër Fehmiut... Edhe fotografia që paske afishuar ngjaka me atë vlerësimin që ta kam bërë atëherë - tejet snobiste... Ju falënderoj tani për atëherë, që nuk u hidhëruat, Ti as profesori Mujë. Shëndet dhe mbarësi." Dhe komenti tjetër: "Baca Jakup, ka me të pëlqye edhe një ndodhi 'pikante', që e pate shkaktuar Ti, kur i pate dhënë intervistë serbofiles Renate Flottau (gazetare e Revistës gjermane Der Spiegel). Ti, naivisht, ishe prononcuar që UÇK-ja po luftonte për bashkim me Shqipërinë. Redaktori i revistës, rubrika për Evropë Juglindore, Roland Schleicher, ma dërgoi intervistën para publikimit, i skandalizuar nga prononcimi yt. E kisha mik qysh nga koha e studimeve. E luta ta modifikonte paksa, para se ta dorëzonte, si version final, për t'u shtypur. E modifikoi. Pasi është botuar intervista është ankuar Renata, meqë pikërisht ajo deklaratë për bashkim i duhej asaj. U bë sherrnajë ai modifikim. Pas pak kohe, pronari i revistës e pat larguar nga puna redaktorin Schleicher, si ndëshkim për modifikim të intervistës..." • Po më 11 mars 1998, rreth orës 9, duke qenë në tarracë të lokalit Çaplini në Tiranë, shoh një djalosh sportiv, të gjatë, me flokë sipër shpine, të lidhur mbrapa. E vlerësova për kuller emigracioni. Po qëndronte në trotuar, por pa zënë vend. E thirra. U tregua mospërfillës. Iu afrova dhe ia ledhatova shpatullën. E luta të pinte kafe me mua. Me tha ta lë rehat, në hallet e tij. Kur nisa ta tërheq për krahu, tha se po shihte cilin taksi ta marrte, për të shkuar në aeroport, meqë do të shkonte në Zvicër, nga se prej vitesh jetonte në Gjenevë. I thashë, pa pi kafe, nuk shkon dot. E hutoi marrëzia ime këmbëngulëse, sidomos kur i thashë, se po i iku aeroplani, për shkak të kafesë, do ia kompensoja dyfish biletën. "Ok, dy-tre minuta", - qe përgjigjur. Kur u ulëm, u prezantua: "Bekim Shyti i Oshlanit të Vushtrrisë..." Nuk thuhet kot se rasti është mbret i botës! Ai ishte ardhur në Tiranë për të takuar njerëz të UÇK-së, që t'ua jepte negativin e fotografive që e kishte mbush me shkrepje gjatë varrimit të Jasharëve të martirizuar. Njëherësh donte të armatosej dhe të kthehej për të luftuar. Nuk i kishte gjet, prandaj ishte dëshpëruar. Mbeta pa tekst, sepse nuk po më besohej që pikërisht ai kishte marrë pjesë në varrim dhe kishte sjellë negativ me fotografime. Ia kërkova biletën e aeroplanit. E kishte ble atë mëngjes. E futa në xhep. Ia kërkova negativin. "Nuk ta jap, se nuk po të njoh", - më kundërshtoi. E luta ta dërgonim te fotografi, në anën tjetër të Bulevardit, që t'i bënte fotot. Shkuam bashkë. E luta mjeshtrin të na i sillte fotot në "Çaplin". Bekimi këmbënguli të rrinte aty. Kishte merakun mos po i digjej negativi. Sakaq kanë filluar të shtypen fotot e para, pashë ustain t'i rrjedhin lotët... I telefonova redaktorit Asllan Bajrami të RTK-së, të takoheshim. Bekimin e binda se duhej të rrëfente në televizion për llahtarinë që kishte përjetuar gjatë varrimit të Jasharëve. Kundërshtoi, me arsyetim se nuk kishte folur asnjëherë para kamerave dhe nuk kishte kuptim të delte me atë paraqitje. E binda se pikërisht, ai origjinalitet kishte rëndësi. Na pritën Asllani dhe Besa Çeku. Përgatitën prezantimin, që ta emetonin në mbrëmje. Atë natë Shqipëria u shkreh në vaj, sepse ishte herë e parë që po shihnin fotografi të luftimeve në Kosovë. Nga ai emetim, ato fotografi morën botën... Të nesërmen na u hapën rrugët në një Shqipëri tjetërfare.  

Komandanti fisnik

Bekim Shyti u skalit hero në mendësinë time, nga ata që mbijetuan luftën. U stërvit shpejt për komandos, në një ambient të përshtatur në afërsi të Qerretit. I stërviste ushtaraku Kadri Kastrati, për të cilin thuhej se kishte stërvitur edhe komandos të Libisë, në kuadër të JNA-së. E pat arrestuar policia në Tropojë, bashkë me Qerimin (Kelmendi) dhe komandos tjerë, para se të arrinin te kufiri për të hy në Kosovë. Luta kUmandant Xhavit Halitin të intervenonte për lirim të tyre. U ndie i bezdisur, përse e luta, duke me thënë me tonë arrogant, të mos e bezdisja më me të tilla aventura. Aksidentalisht ndodhi intervenimi fatlum, përmes zv-drejtorit të përgjithshëm të Policisë Shqiptare, gjirokastritin Ilir Çano. Shkova në Ministri të brendshme për ta takuar Ministrin. Më thanë që Drejtori i përgjithshëm i policisë mund të intervenojë, ministri nuk është kompetent. U ngjita të zyra e Drejtorit Sokol Bare. Nuk e gjeta në zyrë. Po e prisja të dera. Rastësisht doli nga zyra e tij Iliri Çano, dhe me pyeti, përse po prisja para zyrës se Kolit, siç e thërrisnin Sokol Baren. Sapo zura t'i tregoj, më tha prit, më trego sa të hymë në zyrën time. U zemërua kur ia rrëfeva arrestimin e vëllait me grupin e komandosëve, gjatë rrugëtimit për të hy në Kosovë. Iliri telefonoi menjëherë shefin e policisë në Bajram Curr. Urdhëroi të lirohen. Bile urdhëroi të mos ndodhnin më të tilla arrestime, por të këshilloheshin luftëtarët të mos binin shumë në sy, për shkak se kritikonin ndërkombëtarët. Ditën pasuese Bekimi me bashkëluftëtarë hyri në Kosovë, luftoi, u plagos shumë herë, si komandos dhe si komandant, por nuk iu largua luftës (përjashtim ditët e qëndrimit në Spital Ushtarak në Tiranë, për mjekim urgjent të plagëve!) Ky është komandanti fisnik, karakteristik, i UÇK-së së Vegjëlisë së Kosovës, si qindra të tjerë, e jo si kUmandantat e shpifur të "shtabit të Rognerit"! Shembuj si të Bekim Shytit kishte gjithandej në Kosovë: Iliaz Kodra, Fehmi Ladrovci, Bekim Berisha, Agim Qela, Mujë Krasniqi, Rasim Kiçina, Ismet Asllani, Ismet Jashari, Bislim Zyrapi, Mensur Kosumi, Naim Maloku dhe dhjetëra të tjerë, që nuk po ua konkretizoj dot emrat të gjithë meritorëve, të martirizuar e të mbijetuar. Nuk mund të anashkalohen dot ushtarakët nga Shqipëria londineze: Tahir Sinani, Dilaver Goxhaj, Adem Shehu, dhe të tjerë kolegë të tyre të devotshëm, që ishin pjesë aktive e UÇKsë në Kosovë! Të tillë komandantë, të martirizuar dhe të mbijetuar, e organizuan UÇK-në e Vegjëlisë, ata, bashkë me të gjithë ushtarët, e bënë edhe historinë e saj famëmadhe! • Pasoi një incident rastësor, tepër primitiv. Në lokalin "Piaza", prapa Muzeut Kombëtar, në Tiranë, takova "Dajën e vogël", gjegjësisht Azem Sylën ("Daja i madh" ishte Fazli Velia, kryetari shumëvjeçar i Kryesisë së LPK-D.j.v.). Kërkesën për takim e pata (keq)kuptuar si dëshirë të tij për t'u shfajësuar për një irritim që më kishte shkaktuar, më 22 shkurt 1998, dhe për të më komunikuar diç me rëndësi. 

Sqarimi me "kryeministrin" Bujar Bukoshi

Pasi kishim kryer mbledhjen e KP të Lëvizjes në Zvicër, më 21 shkurt 1998, fola të madhe se po shkonim për Tiranë me Refik Hamitin dhe nëse kishin gjë për të dërguar atje, mund të na jepnin. Azemi tha se do të na jepte ca këpucë alpiniste. Të nesërmen, në aeroportin e Cyrihut takuam Azemin me një thes në dorë. Menduam se ka dalë të na i jepte këpucët, por jo, ai fluturoi vetë për Tiranë. E kritikova pse po shpenzonte, kur mund t'i dërgonim ne. Tani në takim në "Piaza" zuri të rrëfente se si ishte dërmuar duke bajt "hekura", siç e quante ai armatimin. E këshillova, nuk kishte nevojë, meqë ishte i moshuar dhe kishte Sektor të logjistikës. Duke belbëzuar, më thotë: "Po detyrohem, meqë më kanë emëruar kUmandant të përgjithshëm të UÇK-së." (parafrazim) Humba përmbajtjen. I fola me zë kërcënues: "Po të dëgjova edhe njëherë duke mashtruar edhe të tjerë, do të grushtohemi, ndërsa kësaj radhe po të fali..." U largova i mllefosur deri në tepë të kokës. Megjithatë, si marionetë që ishte, në vend që të egërsohej, vazhdoi të mirësillej, si taktikë, deri sa ta realizonin komplotin. o Gjatë javës së dytë të marsit 1998, pas Epopesë së Jasharëve, u ndërgjegjësuan edhe disa ushtarakë patriotë, që ishin arsimuar dhe kishin qenë pjesë e ushtrisë jugosllave. Këta ushtarakë vinin kryesisht nga Bosnja, Kroacia, Sllovenia dhe nga Perëndim. Po i përmendi disa emra që po më kujtohen tani, duke kërkuar ndjesë për ata që nuk do t'i përmend: Naim Maloku, Xhafer Jashari, Bislim Zyrapi, Halil Bicaj, Agim Qela, Agim Haziri, Agim Ramadani, Xhafer Kabashi, Fuad Ramiqi, Miftar Zyba, Ahmet Alishani, Agim Ramadani, Xhafer Gashi, Fadil Demiri, Ramadan e Binak Gashi dhe të tjerë. Disa ushtarakë fillimisht donin të sqaroheshin me "kryeministrin" Bujar Bukoshi. Atyre, si gjithë popullit, për shumë vite u ishin zhurmuar veshët dhe nga ai zhurmim u ishte mbushur edhe mendja, se Kosova kishte institucione shtetërore, edhe pse ishte fjala vetëm për simulime, që i toleronte pushteti i Millosheviqit, në kuadër të taktikës: të harxhohej në mënyrë të kontrolluar revolta e shqiptarëve, pa pasur nevojë për përdorim të dhunës policore e ushtarake, për t'i mbajtur të pushtuar. Shemsi Reçica ishte angazhuar para pak muajve këshilltar i Bujar Bukoshit. Për shkak të miqësisë së hershme, e luta Shemsiun ta bindte Bukoshin për një takim me ushtarakët. Pas ca peripecive ndodhi takimi, më 18 mars 1998, në ambiente të "zyrës së Kosovës" në Tiranë. Merrnin pjesë rreth 20 ushtarakë. Ishim edhe unë e Ali Ahmeti pjesëmarrës, si "palë" e ushtarakëve. Kërkesa ultimative e shumicës së ushtarakëve ishte që Bukoshi ta ndërronte kolonelin Ahmet Krasniqi, meqë ata nuk pranonin t'i subordinoheshin atij, gjegjësisht, të komandoheshin nga ai. Këtë qëndrim e mbështetnin në bindjen se ai kishte qenë marionetë e Beogradit edhe gjatë luftës në Kroaci. Bukoshi këmbëngulte që "pika", - siç e quante ai Ahmet Krasniqin, edhe duke mashtruar se atë, tashmë, e kishte caktuar Prishtina (që duhej të vetëkuptohej "presidenti" Ibrahim Rugova), - ishte ministër i Mbrojtjes dhe komandant i FARK-ut (akronimi famoz për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës). Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Aty e tutje filloi të përvijohej përcaktimi i ushtarakëve, angazhimi në UÇK apo në FARK. Angazhimi në FARK ishte më tundues, për ata që preferonin mercenarizmin, sepse në FARK paguanin paga mujore.

"Grupi koordinues", që iu "imponua" Bujar Bukoshit

Duke e parandie rrezikun nga komplotet diversioniste të FARK-ut, e diskutuam me ca ushtarakë taktikën që 5-6 veta duhej të angazhoheshin në Shtab të FARK-ut, si masë preventive që të pengonin provokimin e ndonjë lufte të armatosur të FARK-ut kundër UÇK-së. Besimin për ta diskutuar këtë taktikë e kisha në ushtarakë që kishin qenë bashkëveprimtarë të Fehmi Lladrovcit, ndaj të cilëve ai vazhdonte të kishte besim të madh: Xhafer Jashari, Fadil Demiri, Ramadan Gashi. Këta u dakorduan dhe u morëm vesh që të gjenin edhe dy-tre kolegë ushtarakë, dhe së bashku të pozicionoheshin sa më afër Ahmet Krasniqit, në shtabin e tij. Dyshimet që FARK-u po formohej si strukturë komplotiste, diversioniste, i bazonim në mënyrën ad hoc të organizimit të tij. FARK-u nuk ishte një organizim i përvijuar gjatë viteve të "shtetësisë paralele" të Kosovës (1991-1998), por krijesë që bazohej në nismë të Ahmet Krasniqi, më 3 mars 1998. Në fakt, ishte simuluar një përpjekje, në vitin 1991, nga ca krerë të LDK-së, për të krijuar "forca të armatosura", por, meqë ishte konsumuar ai simulim komplotist, ishte ndërprerë, me pasojat që i ka lënë pas. Ndërsa edhe "ministri i mbrojtjes", Nikë Gjeloshi, i revoltuar për shkak të mospërfilljes, kishte dhënë dorëheqje qysh në maj 1995. Më 3 mars 1998, Ahmet Krasniqi kishte vizituar ca kolegë të tij në Zvicër, dhe bashkë me ta kishin formuar "grup koordinues", që iu "imponua" Bujar Bukoshit, në takimin që patën dy ditë më vonë, më 5 mars. Ky organizim i rrufeshëm po ndodhte paralelisht me planin ushtarak serb, për të sulmuar Jasharët. Dhe, po ndodhnin vendimmarrje të rrufeshme, që ngjanin se po zbatoheshin urdhra nga të njëjtit eprorë serbë, që të kishin një strukturë rezervë, komplotiste e diversioniste, nëse do të plaste lufta çlirimtare në Kosovë. Sigurisht që FARK-un e vlerësuam si strukturë të rrezikshme, meqë mbrapa kishte potencial të madh financiar dhe kadrovik, kishte edhe mitin e shpifur: "institucionalizmi shtetëror". • Takim i parë me Fatos Klosin ndodhi në javën e tretë të marsit. Rastësisht isha mysafir te Vuthjanja Vera (Sadik) Bekteshi (ish-Komisar i Ushtrisë së Shqipërisë, por i burgosur dhe i dënuar me shumë vite burg në vitet e 70-ta). Aty erdhi Prof. Fatos Klosi, atëherë kryeshef i Shërbimit Informativ Kombëtar të Republikës së Shqipërisë (SHIK). U njoftuam. Shprehi keqardhje, pse po ndihej keq para kolegëve të shërbimeve simotra perëndimore, që nuk po mund t'u ofronte ndonjë informatë konkrete për UÇK-në. Kishte takuar Raif Gashin dhe Shaip Mujen, por nuk kishte mësuar gjë konkrete prej tyre. E kishte lutur Xhavit Halitin të takoheshin, por Xhaviti kishte refuzuar, me arsyetim se po e informonte kryeshefin e tij, kryeministrin Nano. Për të mos dalë krejt pulë e lagur nga ajo bisedë, e gënjeva se Lëvizja e kishte caktuar Xhavitin si përfaqësues të saj në Tiranë dhe i premtova se do ta bindi të bisedonin. Në atë ndejë rasti i rrëfeva ato që dija. Kur u ngritëm për të shkuar, në momentin që po i afrohej xhipit, më tha më zë paksa përgjërues: "Shoferi do të martohet, por ka nevojë për 10 mijë dollarë, për ta bërë dasmën. Po patët, do ju lutesha ta ndihmoni." (parafrazim) Shumë me zhgënjeu, meqë sa kohë biseduam brenda, më nxiti simpati për patriotizëm fisnik dhe për virtyte njerëzore. Ndërsa intelektual ishte për të qenë, meqë ishte ligjërues universitar për fizikë. (vijon) 

 

(Kosova Sot)