Përçarja evropiane

Përçarja evropiane
  • 22 June 2018 - 08:59

PERËNDIMI GJENDET NË KRIZË

Shkruan: Javier Solana  

Pas mbajtjes së samitit të G7-tës në Kebek, më nuk mund të ketë dyshim se Perëndimi gjendet në krizë. Po, vendet 'perëndimore' shpesh kanë ndjekur politika të ndryshme të jashtme (sikur që ishte ilustruar gjatë luftës në Irak) dhe vet shprehja "Perëndim" është koncept koti. Por, ai bazohet te një tërësi e shtyllave të përbashkëta ideologjike, të cilat tani janë duke u rrëzuar nën peshën e agjendës së presidentit amerikan, "Amerika në rend të parë". Trump dhe mbështetësit e tij, me sjelljen e tyre ndëshkuese ndaj aleatëve - "nuk mund t'i lejojmë miqtë tanë që të na shfrytëzojnë" - janë duke lënë gjurmë. Duke lënë anash mbështetjen e tij thuajse të pakusht ndaj Arabisë Saudite, Trump duket i përgatitur që të shkatërrojë mirëkuptimin themelor strategjik, të cilin SHBA-ja e ka mbajtur për një kohë të gjatë përballë aleatëve. Vetëm pak vite më parë, do të ishte e pamendueshme që Shtetet e Bashkuara të refuzonin të nënshkruanin një komunikatë të përbashkët të G7. Asnjëri nuk do të kishte menduar se një administratë amerikane mund të sulmonte një udhëheqës kanadez duke përdorur gjuhën me të cilën Trump dhe këshilltari i tij tregtar Peter Navarro kohët e fundit iu drejtuan kryeministrit kanadez Justin Trudeau.

Sjellja e keqe do të ishte e vetmja çështje problematike

Pas samitit të tij me diktatorin e Koresë së Veriut Kim Jong-un në Singapor, Trump këmbënguli se ai ka një "marrëdhënie të mirë" me Trudeau-n. Megjithatë, ai nxitoi të shtonte se ai gjithashtu ka "një marrëdhënie shumë të mirë me Kryetarin Kim tani". Duke sugjeruar që marrëdhëniet e SHBA-së me këta dy liderë të jenë të krahasueshme, nuk është thjesht veprim i ngathët; kjo është absolutisht marrëzi dhe pasqyron një mungesë drithëruese të perspektivës në pjesën e Trump. Nëse sjellja e keqe do të ishte e vetmja çështje problematike me administratën Trump, të gjithë mund ta kishim më të lehtë. Por, kjo administratë gjithashtu po ndjek politikat konkrete që janë duke nënçmuar aleancat më të rëndësishme të Amerikës. Tarifat e SHBA-së për importin e çelikut dhe aluminit nga Kanadaja dhe Bashkimi Evropian bënë të pamundur arritjen e një konsensusi në samitin e fundit të G7. Tarifat e Trumpit nuk do të dëmtojnë vetëm eksportuesit e huaj, por edhe punëtorët dhe firmat e SHBA-së në sektorët që varen nga të ardhurat nga çeliku dhe alumini. Megjithatë Trump duket se i shpërfillë faktet dhe logjikën ekonomike. Për të justifikuar politikat e tij vetë-mposhtëse, ai zgjedh raste të izoluara siç janë tarifat e larta të Kanadasë për prodhimet e qumështit, duke i paraqitur ato pa ndonjë kontekst, duke parë faktin që norma mesatare e ponderuar e Amerikës është në fakt më e lartë se ajo e BE-së, Japonisë dhe Kanadasë. Derisa samiti i G7 po kalonte në dyshime reciproke, një tjetër takim shumë i rëndësishëm po ndodhte në anën tjetër të botës. Në qytetin kinez të Qingdao, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait - që përbëhet nga Kina, India, Kazakistani, Kirgizia, Pakistani, Rusia, Taxhikistani dhe Uzbekistani - po mbante samitin e vet vjetor. Dhe, sikur që theksonte me kënaqësi gazeta kryesore zyrtare e Partisë Komuniste kineze, takimi midis presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin ishte shumë më i përzemërt se ai midis Trumpit dhe udhëheqësve të tjerë të G7. Kuptohet, Trump shkaktoi zemërim shtesë në samitin e G7 kur sugjeroi që grupi ta ri-pranonte Rusinë, e cila u përjashtua nga grupi pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Megjithatë, ai po prekte diçka që nuk mund të shpërfillet: ndarjen e tepërt të klubeve gjeopolitike. Fragmentimi i qeverisjes globale ka të ngjarë të dëshmohet gjithnjë e më e pafavorshme ndaj interesave perëndimore. Në vend që të shkojnë drejt izolimit dhe ndikimit të zvogëluar në skenën botërore, liderët perëndimorë duhet ta zgjerojnë fushën dhe shkallën e bashkëpunimit në kërkimin e zgjidhjeve për problemet globale. Për këtë qëllim, ata duhet të promovojnë forume për dialog, të tilla si G20, që bashkojnë fuqitë e mëdha të sotme. Por, qasja pajtuese e Trumpit ndaj Rusisë ballafaqohet me pengesa të larta. Politika e jashtme e Putinit është bërë gjithnjë e më armiqësore ndaj marrëveshjeve perëndimore të sigurisë dhe marrëdhëniet e Trumpit me Kremlinin kanë shkaktuar shqetësime serioze në vend dhe në rrafshin ndërkombëtar. Kjo është përkeqësuar nga arroganca e tij ndaj aleatëve evropianë të Amerikës.

Projekti i përbashkët

Për të qenë i sigurt, pas njëfarë hezitimi, Trump pohoi angazhimin e tij ndaj klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s vitin e kaluar. Por kjo nuk do të thotë se tensionet janë zbutur: Trump ka vazhduar të kërkojë që anëtarët e tjerë të NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake. Ajo që Trump nuk duket të kuptojë është se rritja e tillë e shpenzimeve nuk do të shkonte drejt buxhetit të NATO-s ose në drejtim të pagimit të Amerikës për mbrojtjen e saj, por në drejtim të rritjes së aftësive mbrojtëse të secilit vend. Në fakt, BE-ja tashmë ka krijuar të ashtuquajturin Bashkëpunim të Përhershëm Strukturor për të rritur burimet e sigurisë dhe të mbrojtjes dhe t'i përdorë ato në një mënyrë kolektive - dhe kështu, në mënyrë më të efektshme. Administrata e Trumpit duhet të mirëpresë masa të tilla. Por, përkundër kësaj, duket se ai përgjigjet me skepticizëm ndaj çdo iniciative të përbashkët që fillon BE-ja. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, Trump mbështeti kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar për t'u tërhequr nga BE-ja. Që nga marrja e detyrës, administrata e tij nuk ka hezituar ta dobësojë bllokun sa herë që ka qenë e mundur. Vetëm pak ditë më parë, Richard Grenell, ambasadori i SHBA-së në Gjermani, tha se po punon për "fuqizimin e konservatorëve të tjerë në Evropë" - një largim i qartë nga protokolli diplomatik. Sigurisht, evropianët të cilët Trump dhe Grenell do të mbështesin nuk janë konservatorë, por reaksionarë. Qëllimi i tyre është të ndryshojnë progresin që ne, evropianët, kemi bërë në avancimin e projektit tonë të përbashkët. Trump duket se ndihet më mirë kur ai mund të angazhohet me vendet e tjera në mënyrë bilaterale. Nuk është çudi që BE-ja - një bastion i multilateralizmit - nuk i pëlqen atij. Por, Evropa dhe Amerika kanë qenë gjithmonë më të suksesshme kur e kanë përkrahur njëra-tjetrën, derisa veprojnë brenda një kuadri institucioni të bazuar në normat e përbashkëta. Preferenca e Trumpit për një strategji përçaj dhe sundo, prodhon një lojë që do të krijojë vetëm humbës, duke filluar me Perëndimin dhe duke përfunduar me botën në përgjithësi.

(Javier Solana aktualisht është president i Qendrës ESADE për Ekonomi globale dhe gjeopolitikë) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

 

(Kosova Sot)