Edhe në Kosovë dekriminalizimin e politikës, drejtësisë dhe të shtetit e bën VETTING-u

Edhe në Kosovë dekriminalizimin e politikës, drejtësisë dhe të shtetit e bën VETTING-u
  • 23 June 2018 - 08:22

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI, DURRËS

Mafio-oligarkia e krimit, e korrupsionit dhe e hajdutërisë nuk ka ngjyrim politik, nuk njeh jo vetëm ligjin, por nuk njeh as skrupull, as etikë dhe as moral. Krimi dhe korrupsioni i ngritur dhe i instaluar në sistem është njëkohësisht vetë liria dhe avokatia më e sigurt për pandëshkueshmërinë e tyre. Kjo është se çfarë ka realizuar politika e tranzicionit në Shqipëri, prej së cilës vjen pamundësia për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor në Shqipëri, por edhe në Kosovë, si i njëjti realitet edhe atje. Nisur nga fakti shumë i vështirë i arritjes së miratimit të Ligjit të VETTING-ut, miratim i cili u krye falë vetëm vullnetit dhe presionit të SHBA dhe BE-së, pasi: politika, pushteti e drejtësia shqiptare bënë një rezistencë të jashtëzakonshme kundër miratimit të VETTING-ut së pari dhe, nisur edhe nga fakti i pengesave dhe vonesave për ndërtimin e strukturave të VETTING-ut që bëjnë po politika, pushteti dhe drejtësia në Shqipëri. Këto tregojnë se shteti dhe aktorët e instrumentet kryesore funksionale të shtetit, të cilat janë politika, pushteti dhe drejtësia dhe papërjashtuar këtu as median janë korruptuar dhe kriminalizuar shumë thellë dhe për pasojë është kriminalizuar edhe shteti.

Apatia kolektive

Shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni politiko-juridik i mafio-oligarkisë keqfunksionon dhe sillet si një shtet instrumental kriminal dhe antidemokratik në funksion dhe në shërbim të politikës, pushtetit e pushtetarëve dhe të drejtësisë së kriminalizuar. Ky realitet i rëndë dhe mosbesues ka krijuar edhe një apati kolektive, paralizë dhe humbje besimi te qytetarët shqiptarë se Shqipëria mund të bëhet. Këtë e tregon fakti pasi akoma askush prej peshqve të mëdhenj të krimit dhe të korrupsionit mafio-oligarkik nuk është vënë akoma para drejtësisë si dhe eksodi e largimi nga atdheu i shqiptarëve të kërcënuar nga krimi, korrupsioni, varfëria, pasiguria dhe sidomos nga padrejtësitë politike, juridike, ekonomike, intelektuale etj. Pra, VETTING-u po qe se e pastron dhe e ndëshkon politikën dhe drejtësinë e kriminalizuar, kjo do të thotë se do të kemi edhe fillimin e procesit të dekriminalizimit të shtetit shqiptar, pra atë të çmontimit të krimit dhe të korrupsionit nga sistemi politiko-juridik dhe gjithinstitucional. Kjo do të thotë po kështu po ta shprehim me fjalë akademike juridike dhe demokratike modestie se me zbatimin e VETTING-ut fillon edhe ndërtimi dhe funksionimi i shtetit ligjor me standarde moderne. Unë jam i drejtpërdrejtë në atë që shprehem dhe them dhe po pyes se në qoftë se në Shqipëri akoma nuk ka dhe nuk funksionon një shtet ligjor me standarde moderne shtetformuese, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe se ky është shkaku kryesor i mosintegrimit të Shqipërisë në BE dhe ky është edhe shqetësimi më i madh i Perëndimit për Shqipërinë, pasi nga një shtet i tillë nuk luftohet as krimi i organizuar dhe as korrupsioni.

Zbatimi dhe suksesi i VETTING-ut do të përballen me sfida të vështira

Dhe, them përsëri se prej kësaj politike, këtij pushteti dhe kësaj drejtësie të kriminalizuar dhe prej padrejtësive të tyre dhe përderisa shqiptarët, pra, prej tyre marrin arratinë dhe kërkojnë azil në perëndim, atëherë një shtet i cili sillet dhe vepron kështu dhe kur nuk është dhe nuk funksionon si shtet ligjor atëherë ai shtet i përket alternativës tjetër, atij të një shteti mafioz, joligjor dhe kriminal. Pra VETTING-u po përballet dhe do të përballet me një politikë, pushtet e drejtësi të kriminalizuar tejskajshmërisht, pra do të përballet me një shtet të tillë të kriminalizuar prej kësaj drejtësie e politike. Prandaj zbatimi dhe suksesi i VETTING-ut do të përballen me sfida të vështira dhe rezultatet duan kohë që të arrihen që VETTING-u të dekriminalizojë shtetin dhe dekriminalizimi i shtetit i hap rrugën konsolidimit të lirisë, patriotizmit, ligjit dhe demokracisë së vërtetë. Prandaj, një VETTING po i tillë duhet edhe në Kosovë, ku të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni edhe atje politika, demokracia, ligji, shoqëria dhe shteti.

(Kosova Sot)