Dhurata që Trump ia bëri Kinës

Dhurata që Trump ia bëri Kinës
  • 25 June 2018 - 08:16

Strumbullari në Azi do të luajë një rol të ndryshëm në çdo anë të Atlantikut

Shkruan: JOSCHKA FISCHER

Tani është e qartë se shekulli XXI po shënon fillimin e një rendi të ri botëror. Derisa paqartësia dhe paqëndrueshmëria e lidhur me atë proces u përhap në të gjithë globin, Perëndimi është përgjigjur ose me frikë, ose nostalgji, për format më të vjetra të nacionalizmit që dështuan në të kaluarën dhe që sigurisht nuk do të funksionojnë tani. Edhe tek optimisti më i ndershëm, samiti i G7 në Kebek më parë këtë muaj ishte provë se Perëndimi gjeopolitik po thyhet dhe po e humb domethënien e tij globale dhe se shkatërruesi i madh i atij rendi të krijuar nga amerikanët dhe udhëhequr nga amerikanët, nuk është askush tjetër veçse presidenti amerikan. Për të qenë të sigurt, Donald Trump është më shumë një simptomë sesa një shkak i shpërbërjes së Perëndimit. Por, ai po e përshpejton procesin në mënyrë dramatike. MRrënjët e përkeqësimit perëndimor mund të gjenden nga koha e fundit të Luftës së Ftohtë, kur një rend botëror bipolar i lëshoi rrugë globalizimit ekonomik, duke lejuar shfaqjen e fuqive të reja, sikur që është Kina. Në dekadat që pasuan, Amerika me sa duket ka filluar që aleancat e saj të vjetra t'i konsiderojë më shumë si një barrë, sesa përparësi. Kjo nuk vlen vetëm për Evropën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, por edhe për fqinjët më të afërt të Amerikës, Kanadanë dhe Meksikën. Vendimi i Trump-it për të imponuar tarifa për çelikun dhe aluminin e importuar, la SHBA-në dhe Kanadanë të ndara thellë në samitin e Kebekut dhe ndarja e tyre mbi tregtinë është e sigurt se ka implikime shumë më të gjera politike.

Trump ka përforcuar pozitën e Kinës në Azinë Lindore

Evropa dhe Atlantiku i Veriut dominonin ekonominë globale për katër shekuj. Por, jo më. Dhe, gjeografia e re e pushtetit e nënkuptuar nga kalimi në qendër ekonomike të botës nga rajoni transatlantik drejt rajonit të Azisë dhe Paqësorit, nuk përputhet me hartën konceptuale të gjeopolitikës së shekullit të njëzetë, e lëre më me atë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Megjithëse SHBA-ja mbetet superfuqia kryesore në botë, Kina është shfaqur si një forcë gjeopolitike njëkohësisht e re dhe e vjetër. Me një popullsi prej 1.4 miliard banorësh dhe një treg të brendshëm të madh, Kina tashmë po sfidon SHBA-në si udhëheqës ekonomik, politik dhe teknologjik të botës. Çdokush që ka vizituar ndonjëherë korridoret e pushtetit në Pekin e di që udhëheqësit kinezë kanë hartën e tyre të botës. Në të, Kina - "Mbretëria e Mesme" - qëndron në qendër, ndërsa Evropa dhe SHBA-ja gjenden në anën e majtë dhe atë të djathtë, respektivisht. Me fjalë të tjera, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa - kjo shumëllojshmëri e rastësishme e shteteve të vogla dhe të mesme kombëtare - tashmë janë ndarë dhe janë dërguar në margjina. SHBA-ja fillimisht reagoi ndaj ndryshimeve gjeopolitike të shekullit në mënyrë intuitive, me një "strumbullar në Azi". Por, Amerika ka kohë që ka pasur një prani në Atlantik dhe në Paqësor; dhe, si fuqia e fundit globale e mbetur, është në gjendje të parashikojë ndryshimet historike gjeopolitike në një mënyrë të tillë që të ruajë interesat e veta. Evropa, nga ana tjetër, ka qenë e përgjumur përgjatë kësaj periudhe historike. Evropianët janë interesuar kryesisht për një introspektim, duke u marrë me armiqësitë e lashta dhe ëndrrat e ëmbla të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur ata ende sundonin botën. Dhe, kjo pikëpamje e ngushtë është përforcuar nga ngjarje të tilla si zgjedhja e Trumpit dhe referendumi Brexit në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, në vend që të ndalemi te sjellja e çuditshme e Trumpit, do të bënim mirë të kujtonim se zhvillimet e sotme botërore i paraprinin presidencës së tij. Në fund të fundit, "strumbullari drejt Azisë" u përurua nga ish presidenti amerikan Barack Obama. Trump vetëm e ka çuar atë përpara, më së fundi duke u takuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un në Singapor.Për sa kohë që politikat e Trumpit të përbëjnë rreziqe serioze, kjo nuk është për shkak se ato përfaqësojnë një riorientim strategjik për Shtetet e Bashkuara, gjë që po ndodhte gjithsesi, por më tepër për shkak se ato janë kundërthënëse dhe, pa nevojë, shkatërruese. Për shembull, kur Trump bën thirrje për një reduktim të përfshirjes ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ai thjesht i bën jehonë Obamës. Megjithatë, duke refuzuar marrëveshjen bërthamore me Iranin, Trump ka bërë më shumë të ngjarë luftën në rajon. Dhe, duke vepruar për të lehtësuar izolimin ndërkombëtar të Koresë së Veriut, duke mos marrë pothuajse asgjë në këmbim, ai ka forcuar pozitën e Kinës në Azinë Lindore.

Proteksionizmi amerikan

Lufta botërore e tregtisë së Trump është po aq vetëmposhtëse. Duke rritur tarifat për aleatët më të afërt të Amerikës, ai është praktikisht duke i çuar ata në përqafim të Kinës. Nëse eksportuesit evropianë dhe japonezë ballafaqohen me barriera proteksioniste në SHBA, çfarë alternative tjetër kanë ata, përpos që ta studiojnë tregun kinez? Pavarësisht militarizmit të presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainën Lindore dhe përpjekjeve për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve perëndimore, një Evropë pa mbështetjen e saj në Atlantikun e Veriut, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të kthehet drejt Eurazisë. Për më tepër, edhe pa proteksionizmin amerikan, Japonia do të duhej të pranonte, herët ose vonë, fuqinë ekonomike në rritje të Kinës. Shansi i fundit për të mbajtur peshën e rëndë kineze u zhduk kur Trump hoqi Partneritetin Trans-Pacific, i cili do ta krijonte një mburojë të Paqësorit kundër Kinës, të udhëhequr nga SHBA-ja. "Strumbullari në Azi" do të luajë një rol të ndryshëm në çdo anë të Atlantikut. Në mungesë të politikave të përbashkëta SHBA-BE për të ruajtur kohezionin transatlantik, Perëndimi do të bëhet shpejt një gjë e së kaluarës. Me SHBA-në duke shikuar në perëndim përtej Paqësorit dhe Evropës duke kërkuar drejt lindjes dhe Eurazisë, Kina do të jetë fituesi i vetëm. Prandaj, rreziku i vërtetë strategjik i epokës së Trumpit nuk është thjesht se rendi global po ndryshon. Është se politikat e Trump-it janë duke garantuar që "Kina përsëri të bëhet madhështore".

(Joschka Fischer ishte ministër i jashtëm dhe zëvendës kancelar i Gjermanisë midis viteve 1998-2005, një mandat që u karakterizua, midis tjerash edhe me intervenimin e NATO-s në Kosovë, në vitin 1999) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot".

 

 

(Kosova Sot)