Trump ka të drejtë rreth NATO-s

Trump ka të drejtë rreth NATO-s
  • 13 July 2018 - 08:24

Shkruan: Harry J. Kazianis

P residenti Trump vazhdoi të martën me kritikat e tij ndaj NATO-s, para se të shkojë në Evropë për një takim me liderët e 29 vendeve anëtare të kësaj aleance, të mërkurën, duke këmbyer akuza me presidentin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk. Këto akuza gjaknxehta ishin dëshmi shtesë se presidenti ka të drejtë kur thotë se NATO - e formuar në vitin 1949 - është bërë e vjetruar, demode. Presidenti amerikan kupton një nga rregullat e mëdha kardinale të gjeopolitikës që të tjerët duket se e kanë harruar: asnjë aleancë nuk zgjat përgjithmonë. Pas pothuajse 70 vjetësh, Amerika dhe partnerët e saj të NATO-s në Evropë mund të lidhin një marrëdhënie të re, ndërsa vazhdojnë të mbeten miq.

SHBA-ja shpenzon shumë për mbrojtje

Në një postim të hershëm të mëngjesit të së martës, presidenti Trump shkroi: "Duke u bërë gati për të shkuar në Evropë. Takimi i parë - NATO. SHBA-ja shpenzon shumë herë më shumë se çdo vend tjetër për t'i mbrojtur ato. Nuk është e drejtë ndaj taksapaguesve të SHBA-së. Përpos kësaj humbim 151 miliardë dollarë në tregtinë me Bashkimin Evropian. Na ngarkojnë tarifa të mëdha (dhe pengesa)! " Dhe në një tjetër postim presidenti Trump shkroi: "Vendet e NATO-s duhet të paguajnë më shumë, Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë më pak. Shumë e padrejtë! " Tusk u përgjigj me një postim të tij: "I dashur @realDonaldTrump. SHBA-ja nuk ka dhe nuk do të ketë një aleat më të mirë sesa BE-në. Ne shpenzojmë në mbrojtje shumë më tepër se Rusia dhe po aq sa Kina. Shpresoj që nuk keni dyshim se ky është një investim në sigurinë tonë, gjë që nuk mund të thuhet me besim në lidhje me shpenzimet ruse dhe kineze ". Historia na ofron arsye të dukshme për shpërbërjen e aleancave. Rrethanat dhe kërcënimet ndryshojnë. Një ditë armiku i përbetuar i një vendi mund të jetë shoku më i mirë në një kohë tjetër. Vetëm kthehuni prapa te Lufta e Dytë Botërore - armiqtë tanë Gjermania, Japonia dhe Italia janë aleatët tanë sot. Aleati ynë Rusia (pjesë e Bashkimit Sovjetik atëherë) është kundërshtari ynë. Ekziston vetëm një konstante kur bëhet fjalë për një politikë të zgjuar të jashtme. Një komb kërkon aleatë dhe partneritet ku ka interesa të përbashkëta. Ndonjëherë ato aleanca humbasin vlerën ose rëndësinë e tyre me kalimin e kohës dhe shpërbëhen. NATO u formua për t'u mbrojtur kundër Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të Paktit të Varshavës. Por, Bashkimi Sovjetik dhe Pakti i Varshavës vdiqën në vitin 1991 - dhe pastaj vdiq edhe misioni origjinal i NATO-s. Tanket sovjetike nuk ekzistojnë më si rrezik për t'u kthyer në Evropë dhe për të pushtuar partnerët tanë të NATO-s. NATO tani është një aleancë ushtarake e klasit botëror që kërkon një mision. Për të qenë të qartë, Moska është padyshim një kundërshtar i rrezikshëm. Okupimi dhe aneksimi i Krimesë - falë fuqisë së saj ushtarake në rritje - si dhe sulmet brutale me armë kimike në tokën britanike dëshmojnë se një Rusi e tillë duhet të shmanget dhe të ballafaqohet nëse ka nevojë. Por, Rusia e sotme nuk është kërcënim i një superfuqie, sikur që ishte Bashkimi Sovjetik. Në aspektin afatgjatë, çështjet demografike, ato të stagnimit ekonomik dhe pyetjeve se kush do ta pasojë presidentin rus Vladimir Putin, sigurojnë qartazi që Moska nuk është më ai gogoli që dikur ishte.

Forcat e armatosura të evropianëve

Ekonomia e Rusisë është pothuajse sa ajo e Italisë. Por, falë një sasie të madhe burimesh natyrore (veçanërisht naftës dhe gazit natyror) që ajo mund të shesë, së bashku me një trashëgimi ushtarake nga Bashkimi Sovjetik, duke përfshirë një arsenal të madh bërthamor, Rusia qartë paraqet një kërcënim real për Evropën, që nuk mundet thjesht, të largohet. Por, siç tha Presidenti Trump, nëse Evropa me të vërtetë dëshiron të mbronte veten - dhe të gjitha vendet e NATOs shpenzuan 2 për qind të produkteve të tyre të brendshme bruto në mbrojtje, sikur që pritet të bëjnë edhe gjatë viteve të ardhshme - Rusia nuk do të mund të matej vetëm me fuqinë e një Britanie, France apo Gjermanie. Shtojani kësaj edhe aftësitë e të gjithë anëtarëve të tjerë të aleancës - me Amerikën që luan një rol të vogël, po ashtu - dhe Putini, të paktën në teori, do të jetë i detyruar që të sillet mirë për sa kohë që ai të mbetet në pushtet. Në vend të kësaj, ne kemi një situatë ku shumë nga fuqitë më të mëdha të Evropës kanë forca të armatosura që zor se mund të bëjnë diçka. Duke u përqendruar në zhvillimin e programeve të shtrenjta të mirëqenies sociale që kushtojnë miliarda dollarë çdo vit, Evropa, në vend të kësaj, e ka bartur mbrojtjen e saj tek ushtarët e SHBA-së dhe taksapaguesit e SHBA-së. Kjo e detyron Amerikën që të dërgojë burime jetike në Evropë, e që janë shumë të nevojshme në vende të tjera - veçanërisht në Azi. Edhe duke pasur një ushtri me një buxhet vjetor prej 700 miliardë dollarësh që është më e mira në botë, nuk do të thotë se Amerika mund të mbrojë të gjithë aleatët tanë në të gjithë botën. Ata kanë një përgjegjësi për të paguar pjesën e tyre të drejtë për mbrojtjen e tyre dhe për të mbushur radhët e forcave të tyre të armatosura, siç e ka theksuar në mënyrë të përsëritur Presidenti Trump. Fuqia dhe mundësitë e Amerikës duhet të përqendrohen te kërcënimet më të mëdha, me partnerët tanë dhe miqtë që marrin barrën në fusha të tjera të botës që janë më afër pragut të tyre. Me fuqinë ekonomike dhe ushtarake kineze në rritje, SHBA-ja duhet të përqendrojë përpjekjet e saj mbi superfuqinë aziatike në rritje që kërkon të rrëzojë rendin ndërkombëtar në Azi dhe Paqësor dhe të kthejë pjesë të mëdha të detit në territorin e vet sovran. Kina është sfida kombëtare e sigurisë e kohës sonë. Rusia madje as nuk afrohet krahasuar me të.

Përqendrimi te forca ushtarake

Dhe, më pas, aty është Koreja e Veriut. Sikurse që bota dëshmoi fundjavën e kaluar, Peniani nuk do të dorëzojë bombat e tij bërthamore së shpejti. Uashingtoni duhet të përqendrohet sa më shumë te vëmendja e tij diplomatike - dhe nëse është e nevojshme, edhe forca ushtarake - për të siguruar që ne të gjejmë një zgjidhje afatgjatë për Korenë e Veriut. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne jemi të dënuar për tensione në rritje, si ato që gati sollën Azinë Lindore në prag të luftës bërthamore verën e kaluar. E gjithë kjo do të thotë që brezi diplomatik dhe ushtarak i disponueshëm amerikan që mund t'i kushtojë Evropës, duhet të ndryshojë. Ne duhet të përballemi me faktin se NATO-ja, në formën e tanishme, është e vjetruar. Aleanca duhet të evoluojë në një organizatë të udhëhequr dhe më së shumti të financuar nga evropianët. Pra, a do ta lërë Amerika NATO-n dhe të kthehet përtej Atlantikut ose të braktisë aleatët e saj në Evropë? Kurrë. A do të thotë kjo se vala e izolacionizmit ka infektuar Uashingtonin dhe ne nuk do të respektojmë angazhimet tona të traktatit apo të zmbrapsemi kundër Moskës në një tjetër krizë? Aspak. Por kjo do të thotë një ndryshim thelbësor në barrën që një Evropë e bekuar me pasuri mund ta mbajë lehtë. Megjithatë, nëse Evropa nuk është e gatshme ose nuk dëshiron të ketë një forcë të armatosur të besueshme për t'u ballafaquar me sfidat që vijnë nga Rusia apo nga diku tjetër, ne duhet ta vejmë në pyetje dobinë e një aleance që ka mbetur vetëm një hije e asaj që dikur ishte. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Ushtria Amerikane prodhoi një pllakat portreti të rekrutimit që tregonte "Uncle Sam" (xhaxhi Sam) duke treguar me gisht kah shikuesit duke thënë: "Juve ju dua për ushtrinë amerikane ". Ne mund ta përdorim një pllakat të ngjashëm sot për aleatët tanë të NATO-s, duke thënë: "Ju dua juve, për ushtritë tuaja". Ky është mesazhi që pres presidenti Trump do të bartë në Evropë. Dhe, ky është mesazhi të cilin partnerët tanë në kontinent duhet ta dëgjojmë.

(Harry J. Kazianis është drejtor i studimeve të mbrojtjes në Qendrën për interesa nacionale, të themeluar nga ish-presidenti Richard M. Nixon)

(Kosova Sot)