Pse vallë përherë po na mungon uniteti?!

Pse vallë përherë po na mungon uniteti?!
  • 14 July 2018 - 08:17

SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Dihet mirëfilli se pa unitet nuk ka shtet. Dhe, ky unitet pse vallë përherë po na mungon? Ndasitë partiake dhe sidomos ndasitë e liderëve partiakë gjithherë janë prezent, në çdo dialog që po shfaqet në TV-të tona apo në Parlament. Më tepër ata po merren me kritika personale, duke u paraqitur se cili është më patriot se tjetri dhe fare pak, ose aspak, nuk merren se si të bashkohen dhe të flasin më tepër për shtet sesa për pushtet. Zaten, kjo amulli e mosunitetit varg e vijë po na mungon. Vallë, deri kur të presim që të jemi të bashkuar...

Është bërë zakon dhe pse jo një traditë e përhershme, varg e vijë, që në çdo mbledhje të parlamentit tanë të dëgjojmë dialogë dhe biseda ndarëse, në mes liderëve dhe parlamentarëve partiak. Dhe këtë dialog ndarës dhe përçarës, po e hasim kudo; në Parlament, në TV-të tona dhe në shtypin e përhershëm. Zaten, ky dialog përçarës, ndarës, e ndonjëherë, besa edhe fyes, sigurisht nuk na qon askund. Kështu nuk ecët përpara, e që është edhe më keq, me këtë ndasi nuk formohet dhe fare nuk mbrohet shteti. Ndaj në këtë kohë shumë të vlefshme për shtetin e Kosovës, kur gjithsesi duhet të jemi unik dhe të bashkuar, për ta formuar shtetin e fortë dhe të flitet me një zë, ata vazhdojnë fyerjet dhe përçarjet e llojllojta. E, sidomos tani, kur pritet marrëveshja finale me Serbinë, sërish po ndahen, pozitë e opozitë. A thua, çfarë po mendoni me këtë ndasi dhe me këtë hasmëri?! Pa mëdyshje, partitë tona dhe liderët tanë merren më tepër me punët personale dhe partiake, e fare pak ose aspak për shtetin dhe për mbrojtjen e tij. Pra, më tepër janë të interesuar për pushtet se sa për shtet. A thua, deri kur të vazhdojë kjo amulli për pushtet sesa për shtet!...

Duhet që edhe Kosova ta formulojë patjetër platformën shtetërore

Sigurisht, nuk është e mjaftueshme që liderët tanë të përmendin vetëm Pakon e Ahtisarit, për rregullimin e shtetit dhe të bisedave Kosovë-Serbi. S'do mend se Pakon e Ahtisarit e kemi pranuar edhe pse ajo nuk është tërësisht e favorshme për Kosovën. Megjithatë, në disa vende ai i ka lënë hapësirë të padefinuar për rregullimin e shtetit. Dhe për këtë Pakoja ka dhënë edhe mundësinë për të dialoguar dhe për ta përcaktuar mundësinë e rregullimit të gjendjes. Gjithsesi është e domosdoshme që edhe Kosova ta ketë Platformën e vet, në të cilën do t'i përshkruante elementet bazike për të cilat fare nuk do të duhej të dialogohej me Serbinë. Dhe, kjo Platformë duhej të analizohej mirë dhe shtruar në parlament ku do ta merrte mendimin e të gjitha partive. Kjo sigurisht do të dilte si mendim i bashkuar nga të gjitha partitë dhe do të jehonte më tepër për BE-në, e cila pret mendime dhe ide të llojllojta për rregullimin e gjendjes në Kosovë. Derisa Serbia nxjerr Platforma e plane të llojllojta për rregullimin e çështjes së Kosovës dhe në Kushtetutën e saj ende Kosova figuron si pjesë përbërëse e saj, kjo do të thotë shumë për shtetin tonë. Pra, ajo përherë qet ligje e plane të shumëllojta për çështjen e Kosovës, duke u përzier direkt në punët e brendshme të shtetit tonë. Andaj shtrohet pyetja fare e logjikshme, si kemi pranuar bisedimet me Serbinë kur ajo Kosovën e trajton si pjesë përbërëse të saj dhe a thua duhet të pranohen bisedimet me këtë Platformë të saj për Kosovën? Kjo tani, dihet mirëfilli se Serbia me shumë kërkesa për ta rregulluar çështjen e Kosovës, ajo e ka të vetmin qëllim te pjesa veriore, duke kërkuar një autonomi të gjerë për serbët e kësaj ane, njëlloj si të "Republika serbe" e Bosnjës. Ajo pra shumë e shumë kërkon për të ardhur deri te qëllimi finalizues. Këtë e bën vazhdimisht dhe është në kontakt të përhershëm me BEnë. Unë mendoj se ky komunikim do të thotë shumë. E Kosova, si e përgjumur, pa ndonjë Platformë të përgjithshme për Kosovën dhe pa një plan të detajuar për zgjidhjen e pjesës veriore, tregon qartas për mosseriozitetin dhe për mosunitetin e të gjitha partive për t'i zgjidhur problemet e Kosovës. Jemi mësuar dhe vazhdimisht po i tregojmë Evropës se nuk jemi bindës, as të unifikuar dhe as të bashkuar për rregullimin e gjendjes në Kosovë. Atë që duhej ta bënte Kosova, po e bën Serbia me lloj-lloj planesh e kërkesash të shumta, duke u përzier në punët e brendshme të Kosovës. Liderët tanë janë mësuar që vazhdimisht të flasin, shpeshherë edhe me deklarata boshe, duke e përmendur Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, e në praktikë mungon iniciativa për të mbrojtur Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. E, në realitet, varg e vijë, po na vijnë kompromiset dhe po bëjmë lëshime, të cilat po shkojnë në favor të Serbisë. Tani platformën e Serbisë duhet ta marrim shumë seriozisht. Dhe, kjo ka ardhur, sigurisht në mungesë të një Platforme nga ana e institucioneve të Kosovës. Serbia është në ofanzivë të përhershme duke kërkuar me plane të shumëllojta për Kosovën, e në anën tjetër Kosova pasive vazhdimisht i beson Evropës E Evropa është edhe tani mu ajo që gjithherë na ka bërë hile. Dhe, kam një skepticizëm që edhe tani do të na bën hile, bile kur është puna për pjesën veriore të Kosovës. E institucionet tona, pa plane, pa iniciativa dhe pa ndonjë platformë definitive, po i tregojmë qartas Evropës dhe botës se nuk jemi serioz dhe të bashkuar për ta mbrojtur Kosovën dhe rregullimin kushtetues të saj. Pra më tepër jemi duke folur për BE-në dhe po mbështetemi shumë në te, e më pak, po flasim për Kosovën dhe këmbëngulësinë e saj që pjesa veriore e Kosovës është e Kosovës dhe gjithmonë do të jetë e Kosovës. Andaj BE-ja është mësuar që vazhdimisht të kërkon kompromise prej Kosovës dhe trysnia është më e madhe në Kosovën se sa ndaj Serbisë.Dhe, tani kemi ardhur në një pat pozicion a thua vallë mos edhe Evropa e ka në agjendën e saj kompromisin për zgjidhjen e pjesës veriore. Dhe, unë kam një skepticizëm në këtë, se shumë lehtë edhe kjo mund të realizohet duke ua dhënë një Autonomi të lartë serbëve të veriut.

Uniteti dhe vetëm uniteti është garanci e shtetit të mirëfilltë

Pa mëdyshje, që sa vite e vite populli i Kosovës po vuan për këtë mosunitet. Dhe, rëndë po e pranon këtë ndasi. Ai dëshiron bashkimin e të gjitha partive dhe të liderëve tanë që të flasin me një zë. Dhe, a thua, populli deri kur të vuan për këtë bashkim shpirtëror? Dhe deri kur të vuan për këtë mosunitet dhe për mosseriozitet të politikanëve tanë? Aman lini ndasitë personale e bashkohuni për të mbrojtur shtetin e Kosovës dhe Kushtetutën e saj. Tani, në këtë kohë shumë të vështirë për vendin tonë, na duhen gjithsesi, si buka, uniteti dhe bashkimi i njëmendësuar që të flasim dhe të veprojmë bashkërisht. Ja sot dhe ja kurrë duhet të jemi të bashkuar. Dhe gjithsesi ta mbrojmë shtetin që vuajti shumë. 150 vjet Serbia gjenocid mbi Kosovën. E pra, borxh e kemi sot e gjithmonë. Dhe, të flasim me një zë dhe të veprojmë të bashkuar. T'i lëmë inatet dhe bajraktrizmat patriotikë. Ato vetëm sa na përçajnë. Pra të bëhemi kurban këtij vendi. Bile tani, para marrëveshjes finale me Serbinë, po na mungon uniteti. Pa unitet nuk ka shtet. E nëse nuk jemi të unifikuar atëherë pra si do ta mbrojmë shtetësinë e Kosovës. Përçarjet shkojnë në dobi të Serbisë. E ju pushtetarë, a e dini këtë, apo po luani me shtetësinë e Kosovës dhe me gjakun e derdhur qe 150 vjet. Pra bashkohuni e flisni me një zë, se me ndasi po e shkatërroni shtetin!!! S'do mend se patriotizmi tregohet vetëm me punë dhe me unitet maksimal. Pra, me unitet e me angazhim maksimal. Këtë e do vendi dhe këtë e do Kosova jonë e dashur. Ja sot ja kurrë. Ndaj, vetëm uniteti është garanci e fortë për një shtet funksional, demokratik dhe parimor. E, pra, vetëm sinqeriteti dhe uniteti na duhen sot e gjithmonë. E vetëm të bashkuar mund të ecim përpara dhe mund ta zhvillojmë shtetin tonë. Kosova këtë e do sot e gjithmonë. Dhe, vazhdimisht këtë e do. Pra të ecim përpara me punë dhe me dashuri më të madhe për shtetin. Sot e gjithmonë ashtu edhe do të jetë. Me shpresë të madhe se edhe do të jetë kështu…

(Kosova Sot)