Kelmendi reagon ndaj shkrimit të Buxhovit, e quan atë 'Gjitholog të suksesshëm'

Kelmendi reagon ndaj shkrimit të Buxhovit, e quan atë 'Gjitholog të suksesshëm'
  • 19 July 2018 - 14:39

Analisti dhe njëri nga themeluesit e Lëvizjes Popullore, Ibrahim Kelmendi, nëpërmjet një fejtoni ka reaguar sot ndaj autorit Jusuf Buxhovi në shkrimin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe FARK-u”, duke e vlerësuar atë si 'gjitholog të suksesshëm".

Më poshtë mund ta lexoni të plotë pjesën e parë të fejtonit:

JUSUF BUXHOVI – GJITHOLOG I SUKSESSHËM (?!)

(fejton/pjesa e parë)

Nga libri “enciklopedik” i Jusuf Buxhovit (në vazhdim akronimi JB), i quajtur “Kosova” (vëllimi 5), portali “botapress” ka publikuar një fragment të gjatë, për t’i bërë reklamë librit, por edhe për vazhduar me manipulim të atyre që dëshirojnë të manipulohen.

Për ata që nuk kanë informacion kokret, po ofroj në CV telegrafike: JB është një intelektual energjik, që ka shkruar shumë libra, të gjinive të ndryshëm, deri edhe libreto për balet. Është lindur në Pejë, në vitin 1946. Profesionalisht (me pagesë të rregullt), ishte i angazhuar si gazetar në gazetën “Rilindja”, e cila ishte organ, fillimisht i Frontit Popullor të Kosovës (1945), pastaj i Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës. Aty e ka filluar punën në vitin 1967, për t’u atashuar pastaj si korrespodent në Gjermani, deri në vitin 2008 (mbi tre dekada). JB duhet të ketë qenë edhe ekzekutues i urdhrit për themelim të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 23 dhjetor 1989. Ai e përzgjodhi Ibrahim Rugovën (IR) për kryetar të saj, i cili e komandoi LDK-në deri në vdekje (2006). 
Edhe pse ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Prishtinë (1968), ai ka bërë magjistraturë në histori, po në Prishtinë (1979) dhe është marrë intensivisht me studime historike, në dukje si hobi, por ka rezultuar si veprimtari tepër voluminoze.

Në Gjermani kemi pasur njohje fizike me JB, qysh nga viti 1978, kur po ndodhte themelimi i Klubit Shqiptar në Dyseldorf, por marrëdhëniet i kishim të natyrës diplomatike, siç thuhet për raste kur nuk e ke as mik as koleg, por që komunikon dhe përplasesh herë pas here, në kaudër të taktizimeve të ndërsjella...

***
Fragmenti që ka publikuar “botapress” mban titullin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe FARK-u”. Nuk jam informuar nëse është titull i autorit JB, ose e ka vënë portali.

[1] 
JB konstaton: “Meqë rezistencës së armatosur i kishte munguar qasja aktive institucionale në rrethanat kur ajo ishte e pashmangshme, e të tilla ishin rrethanat pas Dejtonit, ndërkohë që faktorët tjerë jashtë saj, grupet e ndryshme guerile (të Dukagjinit, Drenicës dhe Llapit), të cilat edhe deri më atëherë kishin qenë të lidhur me segmentet vendore të shtetit paralel, do të përcaktohen për të, ishte e natyrshme që asaj t’i krijoheshin kornizat e një organizimi të përbashkët, që do të merrte përsipër ndërlidhjen e saj të brendshme dhe drejtimin.”
Rëndom është goxha tekstagji i rrjedhshëm, për në këtë fjali të stërzgjatur, rezulton të jetë paksa i ngatërruar, ndoshta qëllimisht, që të mos shfaqet as mish as peshk, ose edhe mish, edhe peshk.
E para, ai shfaq mendimin së rezistenca e armatosur ishte e pashmangshme, sidomos pas Konferencës së Dejonit (1996), por ajo nuk organizohej institucionalisht, në “shtetin paralel”, siç e quante JB Kosovën e viteve 1990-10 qershor 1999.
E dyta, “grupet e ndryshme guerile” i karakterizon si të ndryshme dhe jo-institucionaliste, por që, megjithatë, paskëshin pas lidhje “me segmentet vendore të shtetit paralel”, që do të thotë se ato “grupe të ndryshme” paskëshin qenë të instruktuara nga ato segmente.
E treta, paskësh qenë e natyrshme që “rezistencës së armatosur”, “t’i krijoheshin kornizat e një organizimi të përbashkët”, duke krijuar ndërlidhje dhe drejtim (udhëheqje).
Mua nuk me rezulton i saktë ky konstatim i ngatërruar, nga se grupet në Dukagjin, Drenicë e Llap, siç i lokalizon edhe JB, nuk ishin aq të ndryshme, por ishin të njësojta, me të njëjtën platformë dhe me ndërlidhje të bashkëveprimtarisë në ato përmasa, sa të mos rrezikoheshin nga survejimi dhe përndjekja e strukturave policore serbe. Ato nuk kishin asnjë lidhje me “segmentet vendore të shtetit paralel”, pavarësisht faktit se Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti ishin të angazhuar edhe në parti “legale” (në fakt ilegale, meqë ato ishin të regjistruara në Baogradin pushtues), dhe ndonjëherë u kishte rastis të ishin pjesëmarrës edhe në fotografimet e rastit, grupore, që bëheshin për të pas “dëshmi historike”, kur ndonjë liderucë kishte ndonjë aktivitet partiak. Përgjithësisht, nga viti 1990 deri në shpërthim të kryengritjes së armatosur çlirimtare (nuk ishte “rezistencë e armatosur”), në lëvizjen klandestine, - e cila gabimisht quhet ilegale, - ka dominuar përcaktimi që një pjesë të veprimtarisë përgatitore çlirimtare ta kamuflonin si veprimtari “pacifiste” e “humanitare”, në kuadër të partive “legale”, të cilat i toleronte dhe i privilegjonte Beogradi pushtues. Kjo taktikë nuk mund të kualifikohet si lidhje e atyre grupeve me “segmentet vendore të shtetit paralel”.

[2] 
JB: “Në këto rrethana, do të jetë ‘Lëvizja Popullore e Kosovës’ e drejtuar nga Zvicra dhe Gjermania, që do të veprojë konkretisht që Guerilja e Kosovës bashkë me forcat e tjera patriotike nga resurset e vetëmbrojtjes vendore si dhe potenciali i madh i ushtarakëve të Kosovës i shkapërderdhur jashtë ose i inkuadruar në luftërat të huaja në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë, të përfshihen nën çatinë e përbashkët, që do të quhet ‘Ushtri Çlirimtare e Kosovës’.”
Se përse JB i fut në thonjëza Lëvizjen Popullore dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk mund ta di saktësisht, por me këtë sikur dëshmohet se ai nuk është historian, por politikan subjektiv, për të mos thënë kuadër i luftës speciale, që rëndom e bëjnë shërbimet armiqësore edhe përmes kuadrove të sofistikuar, si JB.
JB përdor emërtimin “Guerilja e Kosovës”, por kësaj radhe pa thonjëza dhe si të ishte emërtim i një formacioni konkret, duke anashkaluar saktësimet se në kohë e hapësirë të caktuar ajo guerile kishte formë dhe përmbajte të ndryshme. Qysh në vitin 1984, lëvizja klandestine, - e përfshirë kryesisht në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, e themeluar me 17 Janar 1998, - kishte bërë përpjekje për veprimtari guerile çlirimtare, dhe në krye të asaj përpjekjeje ishin martirizuar Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Afrim Zhitija, Fahri Fazlia dhe martirë të tjerë. Disa guerilës të kësaj lëvizjeje klandestine, në vitin 1991 mashtrohen nga truku komplotist që organizuan institucionet e “shtetit paralel” të Kosovës. Ata marrin pjesë në ushtrime ushtarake që i bëri Ushtria e Shqipërisë. Pothuajse pa përfunduar ato ushtrime dy-mujore, institucionet e Serbisë siguruan emrat e shumicës së pjesëmarrësve dhe numrin e armove të tyre, dhe filluan përndjekjen e tyre. Në fakt, “shteti paralel” i Kosovës, i toleruar dhe i sponsorizuar nga Beogradi pushtues, ishte një mjet për të luftuar “pacifikisht” lëvizjen klandestine dhe guerilen e saj çlirimtare.

Me 26-27 korrik 1993 ajo frymë e gueriles u konkretizua me vendimin që mori Kuvendi i Lëvizjes, - e cila aty e tutje ua afirmua me akronimin LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës) – për themelim të forcës së armatosur çlirimtare, që më vonë, gjatë realizimit të atij vendimi, u emërtua Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Meqë institucionet e “shtetit paralel” nuk e kishin përcaktim të tyre organizimin e veprimtarisë çlirimtare, - e si mund të merrej “shteti paralel”, i inskenuar nga Beogradi dhe i realizuar përmes krye-aktorëve si JB e IR, me organizim të gueriles çlirimtare, - Lëvizja, pas pritjeve e përpjekjeve për të bashkë-organizuar lëvizjen e armatosur çlirimtare (jo rezistencën) me subjektet e atij “shteti paralel”, u detyrua të merrej me koordinim të grupeve dhe individëve, të përcaktuar për veprimtari të armatosur çlirimtare. Faza e pritjes ishte si rezultat i shpresave dhe hutisë, se “alternativa kosovare”, respektivisht partitë “legale” dhe “shteti paralel” i tyre, ishin organizime patriotike, dhe jo truke të Beogradit për ta nënshtrur “pacifikisht” (paqësisht) popullin shqiptar të Kosovës.

Fatkeqësisht, edhe në këtë organizimi të Lëvizjes, shërbimet armiqësore duhet të kenë penetruar spiunë dhe marioneta komplotiste, të cilët kishin për synim ta kapnin këtë organizim të ri, UÜK-në, qysh në zanafillë. Megjithatë, Lëvizja ia doli t’i sfidonte, edhe pse pasojat ishin të mëdha!
Sipas JB, Lëvizja paskësh “shfrytëzuar hezitimin e politikës pa luftë dhe të luftës pa politikë, si dhe limitet e saj, së cilës i ishte nënshtruar lëvizja institucionale dhe njëherësh duke pasur parasysh potencialin e gueriljes së Republikës së Kosovës që vepronte nga vitit 1991, por jashtë ndonjë mbikëqyrjeje të përhershme”. 
JB asnjëherë nuk do të lirohet nga ankthi i tij: “’Lëvizja Popullore e Kosovës’, e cila drejtohej jashtë vendit nga grupime të ndryshme militantësh majtistë, të njohur si enveristë”. Ky Gjitholog i suksesshëm asnjëherë nuk provoi të çlirohej nga ky ankth, as nga fakti që “militantët majtistë, të njohur si enveristë”, qysh në mars 1981, të konfrontuar me zhvillimet në terren, ndryshuan përcaktim ideopolitik, duke heq dorë nga përcaktimet e deriatëhershme për “revolucion proletar” dhe për çlirim kombëtar, për t’u mjaftuar me kërkesën Kosova-Republikë, në kuadër të Jugosllavisë federative. Ai e dinte fare mirë të vërtetën, se në Lëvizje mirëpriteshin edhe titistët shqipfolës, nëse ata ishin që Kosova të avanconte në Republikë. Këtë ofertë e mundësi e ka pas edhe vetë JB, sepse sa herë ia kam prezantuar shkoqur përcaktimin programor të Lëvizjes. Por, meqë ai ishte i rreshtuar diku tjetër, dhe nuk ia mbante të dezertonte, ishte i detyruar të angazhohej me survejim të veprimtarisë të Lëvizjes në emigracion dhe t’ua transportonte eprorëve të tij...

JB bënë konkretizimin vijues: “Midis viteve 1993-1996, pasi që shumë nga militantët e saj të jenë larguar nga Lëvizja Kombëtare që drejtonte LDK, LPK do të angazhohet me të madhe që të kthehet në ‘krah lufte’ të Gueriljes së Kosovës dhe pjesës tjetër të shkapërderdhur të rezistencës aktive, të cilës i mungonte mbi-këqyrja e duhur institucionale.”
Fakti se Beogradi neofashist, millosheviqian” e toleronte dhe e privilegjonte “Lëvizjen Kombëtare” që e “drejtonte” LDK, është argument kokëfortë që ajo lëvizje vetëm kombëtare nuk ishte! Përndryshe, nuk mund të diskualifikohet pushteti i Millosheviqit si jo-demokratik, nacional-shovinist, pushtues, neofashist, vrasës! Po Gjithologu JB dhe soji i tij, po vazhdojnë të imponojnë spekulimet e tyre mashtruese, që ta shijojnë sa të jenë gjallë kënaqësinë që po u krijojnë turma injorante, e cilat po vazhdojnë t’i madhërojë si veprimtarë patriotë e çlirimtarë jusuf buxhovët, edhe pse ishin marioneta e kuislingë të Beogradit, që simulonin “shtetin paralel”.
Fatkeqësisht JB ende nuk është ndërgjegjësuar për të reflektuar, se meqë “institucionalistët” e “shtetit paralel” nuk donin të merreshin me organizim të gueriles çlirimtare, - përkundrazi, e survejonin dhe e spiunonin, - përse atëherë shfaq kaq shumë mllef kundër këtij angazhimi të Lëvizjes. Sigurisht, ky qëndrim i tij mund të keqkuptohet, si mungesë e guximit për të dezertuar, meqë si intelektual, me kapacitet të mëdha që posedon, është në gjendje të kupton se ai angazhim i Lëvizjes rezultoi i suksesshëm në kuadër të kombinimit të veprimtarive të shumëllojshme çlirimtare.

Këtë lloj (dis)kualifikimi JB e përmbyll me konstatimin vijues: “Edhe pse rrethanat nuk i kishte të përshtatshme dhe pa marrë parasysh gjuhën e ashpër dhe diskursit ideologjik kundër lëvizjes institucionale të drejtuar nga LDK, LPK ia doli që brenda faktorit luftë, të krijojë një pozicion koheziv e madje edhe drejtues me pretendimin që prej andej të dominohej edhe skena politike e Kosovës, që si parakusht kishte eliminimin prej saj të Lëvizjes Institucionale dhe shtetit paralel të Rugovës dhe ngrehinës së saj që për vite i kishin bërë rezistencë institucionale Serbisë thuajse në të gjitha segmentet e jetës dhe si të tilla kishin gëzuar mbështetjen e pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës.”

Aspak e ndershme, edhe pse nga marioneta JB, konstatimi se Lëvizja kishte synim eliminimin “Lëvizjes Institucionale dhe shtetit paralel të Rugovës”. Kjo “lëvizje institucionale” dhe “shteti paralel”, të komanduara nga “paqësori” IR, e eliminuan veten e tyre, duke u pozicionuar gabimisht kundër kryengritjes së armatosur çlirimtare, e cila pati nismën në Epopenë e Jasharëve në Prekaz. Deri sa po merrte përmasa kryengritja, duke pas shumë martirë, “paqësori” kuisling komandoi mbajtën e “zgjedhjeve të lira”, me 22 mars 1998, që synim kryesor kishin arsyetimin e sulmeve fashistoide të Beogradit pushtues millosheviqian, sikur ato ishin veprime legjitime në kuadër të ruajtjes së rendit publik në “shtetin paralel”.

[vijon]

(Kosova Sot)