Sa herë Kosova ndodhet në krizë, lajme të gëzueshme vijnë nga Tirana për Serbinë - Opinione - Kosova Sot
Sa herë Kosova ndodhet në krizë, lajme të gëzueshme vijnë nga Tirana për Serbinë

Sa herë Kosova ndodhet në krizë, lajme të gëzueshme vijnë nga Tirana për Serbinë

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI 


Nëse Beogradi i bie në gjurmë, e zbulon "dokumentin arkivor" të Sali Berishës, se "Enver Hoxha Kosovën ia paska shitur Serbisë", atëherë Kosovën e paska marrë lumi "prapë nën Serbinë" kolonialiste!? Ky shkrim nuk flet për jetën dhe për veprën historiko-politike dhe diplomatike të Enver Hoxhës, por hedh poshtë vetëm një gënjeshtër, që po bëhet në adresën e tij si ish-lider komunist dhe ish-kryetar i RPSSH-së (1945-1985). E vërteta dhe drejtësia nuk njohin as vëllazëri, as miqësi, as pushtet, as pasuri, as biznes, as parti, as klane, as sisteme e as ideologji të ndryshme qofshin kapitaliste a socialiste. Prandaj, duhet të thuhen, të shkruhen dhe të mbrohen me argumente dhe me prova të qëndrueshme, jo me opinione gazetareske dhe propagandistike, sepse opinionet nuk janë fakte e as argumente shkencore. Duke qenë se sipas Sali Berishës, "Kosovën e paska tradhtuar Enver Hoxha para 70 vitesh", atëherë pse Sali Berisha, Fatos Nano dhe Rexhep Mejdani me "gardën" e tyre politike, ushtarake, demokratike dhe socialiste (kur iu dha shansi historik) nuk e korrigjuan "tradhtinë" e Enver Hoxhës, duke hyrë në luftë me ushtri, me tanke dhe me popull për t'i shpëtuar mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë nga terrori, nga masakrat, nga reprezaliet dhe nga gjenocidi i Serbisë së Sllobodan Milosheviqit (1998-1999), por këtë e bëri Amerika me aleatët e saj europerëndimorë (24 mars - 10 qershor 1999)? - Çfarë ka mbetur këtu të thuhet dhe të shkruhet më shumë se kush e shpëtoi dhe kush e tradhtoi Kosovën?! E shpëtuan UÇK-ja e Adem Jasharit, e ndihmuar nga Amerika dhe nga NATO-ja, jo as Sali Berisha, as Fatos Nano me ushtrinë e tyre kombëtare!? 

Nuk është çudi, as befasi, pse Tito e ka tradhtuar Kosovën Sali Berisha, nuk ishte kjo tradhtia më e madhe në historinë e kombit shqiptar në Ballkan, që ua kthyet shpinën motrave, nënave, vëllezërve tuaj, duke i lënë të digjen në zjarrin dhe në flakën e gjenocidit serb (1998-1999)? -E, sot, Sali Berisha për të humbur gjurmë të kësaj tradhtie me damkë dhe dot të justifikueshme, kinse flet për "tradhtinë" e Enver Hoxhës ndaj Kosovës!? Përralla të kota këto për ta justifikuar vetveten, që nuk shkrepi asnjë plumb Ushtria Kombëtare e Shqipërisë kundër armikut serb, sepse "justifikimi" i Tiranës zyrtare ishte ky:"Nuk ka ndërhyrje ushtarake se do të prishej ekuilibri" i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve me Serbinë dhe me vendet e tjera fqinje në rajon, si dhe me Bashkimin Evropian (BE)!? Ky justifikim absurd, më kujtoi justifikimin e dikurshëm të Edward Grey (ishkryeministër britanik dhe kryesues i Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, 1912-1913), i cili pati deklaruar se: "We have to sacrifice the Albanian people for the sake of peace in Europe…"("Ne duhet ta sakrifikojmë popullin shqiptar për hir të paqes në Evropë…")!? Prandaj, sot, pas aktit të kryer të tradhtisë ndaj Kosovës, Sali Berisha mos na trego "drejtësi" e as "dhimbje" për Kosovën as para 100 vitesh, e as sot, sepse unë vetë jam dëshmitar i gjallë i kësaj tragjedie të Kosovës (1989-1999), që 20 vjet refugjat në dhe të huaj, si rrjedhim i gjenocidit serb në Kosovë (1998- 1999). Po të kisha pasur ndonjë shtet amë të mirëfilltë, sigurisht se tani do të kisha qenë në vendlindjen time të dashur - Kosovë, jo duke "soditur" rrugët e pakthim të mërgimit si shumë viktima milionëshe të tjera të gjenocidit serb në Evropë dhe në botë (1999- 2018). Ndërrimi dhe shtrembërimi i tezave nuk e sqaron të vërtetën mbi tradhtinë ndaj Kosovës (1989- 1999) ! Nuk është çudi, as befasi, pse Tito e ka tradhtuar Kosovën, sepse nuk e kishim as gjak, as farë e as fis, por vetëm tiran dhe shtypës. - Po, pse na tradhtoi "garda" demokratike-socialiste e Shqipërisë (1989-1999)?!

Kjo ishte fatkeqësia dhe tragjedia, jo Enver Hoxha i vdekur dhe i shpifur nga Sali Berisha, se gjoja ai para "70 viteve e paska shitur Kosovën"!? Së pari, Kosova u tradhtua nga Tito, jo nga Enver Hoxha (për këtë nuk ekziston asnjë dokument valid historik, as politik e as diplomatik qoftë në arkivat e Shqipërisë, qoftë në arkivat e ish-RSFJ-së). Ndërkaq, për tradhtinë e Titos ndaj Kosovës ekzistojnë materiale arkivore, shkencore dhe publicistike me dëngje, edhe në Tiranë, edhe në Beograd, edhe në Zagreb, edhe në Sarajevë, edhe në Sofje, edhe në Lubjanë, si dhe në shtetet e ndryshme të Evropës etj. Pra, me një fjalë, qe më se 73 vjet, është e ditur dhe e shkruar se Kosovën e tradhtoi Tito (1945- 1990), kurse gjatë viteve 1989- 1999 e tradhtoi "garda drejtuese" demokratike dhe socialiste e Shqipërisë me Sali Berishën, me Fatos Nanon, me Rexhep Mejdanin në krye etj., jo Enver Hoxha. Për gënjeshtrën dh shpifjen se "Enver Hoxha e ka tradhtuar Kosovën" nuk ekziston kurrfarë dokumenti e as prova valide qoftë historike, juridike, qoftë politike. Kjo, thjesht, është një sajesë e armiqve të Shqipërisë dhe të Kosovës për t'i vënë "kapak" tradhtisë ndaj Kosovës (1989-1999), ashtu sikurse vrasjeve politike terroriste të heronjve të Kosovës në territorin e Shqipërisë, Ilir Konushevci, Dr. Hazir Mala , të vrarë në Tropojë ( 9 maj 1998) dhe kolonel Ahmet Krasniqi është ekzekutua në Tiranë (21 shtator 1998) . Mirëpo, edhe pse kanë kaluar qe 20 vjet (1998- 2018), këto vrasje ende nuk i ka zbardhur drejtësia dhe shteti i së drejtës së Sali Berishës, të cilit në fillim të këtij viti ia drejtova një kërkesë, që të shkruante 1, 2 ose 3 faqe për këtë padrejtësi, por ai refuzoi, duke u justifikuar se PD-ja e tij, pas këtyre ngjarjeve makabër e kishte dhënë vlerësimin e saj politik. Mirëpo, unë nuk kërkova vlerësimin e PD-së, por të kryetarit të saj, Sali Berisha. -E, tash ky na tregon se sa i drejtë është ndaj historisë së Kosovës, dhe se kush e paska tradhtuar atë para "70 vitesh". -Çfarë nonsensi!? - Kësaj i thonë "dushk për gogla" ose "përralla të  bukura" për t'i vënë fëmijët në gjumë.

E vërteta është e hidhur, z. Sali Berisha! Mirëpo, pasi, pa asnjë arsye, ishpresidenti dhe ish-kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, kishte "hyrë lakrave", kinse duke gjurmuar për të "zbuluar të vërtetën" se kush e paska tradhtuar Kosovën, atëherë po i tregojmë me disa fakte dhe me argumente të parrëzueshme se kush janë ata që e kanë tradhtuar dhe shitur Kosovën. -Z. ish-president dhe ishkryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha, tradhtinë më të madhe Kosovës ia keni bërë ju (jo Enver Hoxha), sepse plot 10 vjet (1989- 1999) e keni lënë në zjarrin dhe në flakën e terrorit dhe të gjenocidit të Serbisë çetniko-fashiste të Slobodan Milosheviqit, duke mos e ndihmuar ushtarakisht dhe luftarakisht si shtet, që sipas së drejtës historike dhe sipas Kushtetutës së Shqipërisë e keni pasur për detyrë, të ndërhyni ushtarakisht për mbrojtjen e mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarëve.-Kjo ishte tradhtia më e madhe që iu bë Kosovës nga ana e udhëheqësve demokratë dhe socialistë të Shqipërisë (1989- 1999), Jo Enver Hoxha, as Stalini, as Lenini, as Ho Shi Mini, as Mao Ce Duni, as Zhorzh Marshe, as Santiago Carilo e as Enrico Berlinguer etj., sepse të gjithë këta liderë komunistë botërorë, ishin të vdekur, kur Serbia bëri gjenocidin ndaj 2 milionë e gjysmë shqiptarëve dhe Kosovës (1989-1999). Për këtë gjenocid dëshmon edhe ky bilanc statistikor i luftës në Kosovë(1998- 1999) : "Shtëpi të shkatërruara - dëmtuara të popullatës shqiptare: 100.589 ; Shkolla të shkatërruara - të dëmtuara me dokumentacion: 358; Zyra të vendit: 71; Shtëpi kulture: 30; Biblioteka publike dhe shkollore: 93; Objekte shëndetësore: 123; Objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe): 215; Kisha katolike: 5; Objekte ndihmëse - përcjellëse: 88.101 ; Të vrarë: 11.840 viktima nga Kosova; - 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç; - 296 fëmijë deri në 5 vjeç; - 1.739 femra; - 1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare; - 1.450 banorë ende janë të pagjetur dhe janë dhunuar 20.400 femra shqiptare. Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga Kosova ka pasur afro 1 milion refugjatë të dëbuar prej Kosove, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-së. Vendosja e refugjatëve sipas shteteve ishte: 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë. Pra, një total prej 782.100. Në vendet e tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj. Ja, pra, Sali Berisha, ky gjenocid ndaj shqiptarëve dhe Kosovës ndodhi, edhe për shkak të tradhtisë së juaj më të madhe në historinë e shqiptarëve në Ballkan, që nga epoka e lavdishme e Skënderbeut e deri më sot (XXI). Prandaj, këtë tradhti të juaj nuk mund ta fshihni, duke e fajësuar Enver Hoxhën me përralla propagandistike dhe me procesverbale të falsifikuara dhe të retushuara të kuazihistorianëve të juaj të sotëm, se gjëja ai e "paska shitur Kosovën". "Kjo është përrallë, në mos përrallë, atëherë supë me midhje" siç thoshte avokati i nderuar dhe brilant francez Dë Monzi, duke e mbrojtur Avni Rrustemin në procesin gjyqësor historik në Paris, më 1920 për shkak të vrasjes së kryetradhtarit, Esat Pashë Toptani, i cili, sot, si hero serb prehet në varrezat përkujtimore të heronjve serbë në Paris të Francës. Këto janë të vërtetat se kush e ka tradhtuar dhe shitur Kosovën, z. Sali Berisha, fole të vërtetën dhe drejtësinë, vetëm drejtësinë, duke u bazuar në fakte dhe në argumente të qëndrueshme, jo në përralla dhe në shpifje të sajuara ideologjike "sipas motit, ktheje gëzofin". Sali Berisha mund të thotë se Enver Hoxha ka tradhtuar kapitalizmin, borgjezinë, pronën private dhe demokracinë perëndimore, por jo edhe Kosovën, as Shqipërinë (1945-1985). Mos na ktheni në kohën e shkuar të hidhur, sepse mjaft jemi të lodhur dhe të rraskapitur nga robëria 100-vjeçare nën Serbi (1912-1999)!

Pse Sali Berisha për të dytën e herë e përsëriti një të pavërtetë, duke e akuzuar dhe fajësuar Enver Hoxhën, gjoja se e "ka tradhtuar Kosovën"? Këtë të pavërtetë e përsëriti në një intervistë dhënë TV Dukagjinit të Kosovës, duke pohuar se "direkt dhe indirekt dhe në mënyrë të padiskutueshme Enver Hoxha ka bërë tradhtinë më të madhe ndaj Kosovës. Enver Hoxha Kosovën ua dorëzoi serbëve dhe Titos, duke pranuar kushtet e Titos, i cili që në fillim kishte qëllime ogurzeza për trevat shqiptare. Kjo e pavërtetë, për herë të parë është "lansuar" nga Tirana (të cilën më pas e patën botuar "Rilindja" në Tiranë dhe në Zvicër, si dhe "Bujku" në Kosovë) në vitin 1995(nëse nuk gabohem), pse Saliu të njëjtën e përsërit, edhe sot në vitin 2018, kur Serbia po kërkon rikthimin e Kosovës nën sovranitetin territorial dhe shtetëror të saj?! Ja, tash, kur Beogradi përmes Dialogut të Brukselit po ngulmon në konfirmimin e formimit të "Srpska zajednica" në Veriun e Kosovës, si dhe kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po sugjeron opsione politike si kundërpeshë për kompensimin e humbjes së territorit të Veriut të Kosovës, duke sugjeruar "korrigjimin e kufijve" me Serbinë, në mënyrë që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t'i bashkoheshin Kosovës, nga Tirana erdhi një lajm i zi se gjoja "Enver Hoxha para 70 vitesh ia paska shitur Kosovën shtetit të Serbisë" sipas Sali Berishës. Kjo është hera e dytë që nga Tirana po reprizohet një gënjeshtër e tillë në favorin e Serbisë. Kështu, në vitin 1995 (me gjasë), kur 2 milionë e gjysmë shqiptarë po digjeshin në zjarrin dhe në flakën e tankeve, të topave, të bajonetave dhe të raketave vdekjeprurëse të pushtue sit çetniko-fashist serb, në TV-në satelitore të Shqipërisë një "grup historiakësh" (jo historianësh) të Sali Berishës, doli para opinionit publik, duke u thirrur në disa "procesverbale" të falsifikuara të kohës së regjimit komunist (1945-1985) se gjoja "Enver Hoxha Kosovën ia kishte shitur Serbisë". Ky ishte edhe një argument më shumë, që policia, paramilitarët dhe ushtria serbe t'i intensifikonin masakrat, terrorin, reprezaliet dhe vrasje masive të shqiptarëve në Kosovë, të cilët Serbia i keqtrajtonte dhe i vriste, se gjoja këta "ishin emigrantë të Shqipërisë në Kosovën serbe"!?

Me gjithë "pazaret e majme" të kohës së sotme, Enver Hoxha nuk e ka shitur Kosovën e as territoret e tjera të Shqipërisë etnike nën Jugosllavi Duhet të nënvizojmë faktin se prej vitit 1945 deri në vitin 1985, kur është vdekur Enver Hoxha, e as 33 vite më pas, deri më sot, shkenca e mirëfilltë historike kombëtare shqiptare, as ballkanike, as evropiane e as ndërkombëtare, nuk kanë zbuluar ndonjë "dokument të tillë arkivor", siç ka pohuar Sali Berisha, se "Enver Hoxha Kosovën ia paska shitur Serbisë"!? Prandaj, nuk duhet të jemi aq mendjelehtë, të njëanshëm, subjektivë dhe të padrejtë dhe, tamam si infantilë dhe injorantë të besojmë verbërisht çfarëdo që po thuhet dhe po shkruhet nëpër mediume të ndryshme të një "kazani" dezinformues, pa asnjë kriter profesional, moral dhe ligjor, vetëm për para, për karrierë dhe për pushtet?! Po, edhe sikur kjo gënjeshtër propagandistike të ishte e vërtetë kujt do t'i "hynte në punë", përkatësisht kush do ta kapitalizonte në këtë moment kritik, Kosova apo Serbia? Dihet se Jo as Kosova e as Shqipëria, por vetëm Serbia, e cila, nëse Sali Berisha e dokumenton këtë gënjeshtër historike, politike, juridike dhe diplomatike, sigurisht se Beogradi zyrtar do të kërkonte zbardhjen e këtij dokumenti, të cilin, pikësëpari, do t'ia dërgonte Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (e cila më 22 korrik 2010 dha opinion pozitiv se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare). Më pastaj, këtë "dokument" të Sali Berishës Serbia do t'ua dërgonte edhe: Uashingtonit, Moskës, Pekinit, Parisit, Londrës, Berlinit, Vjenës, Romës, OKB-së, NATO-s, edhe OSBE-së. Dhe, nëse këta faktorë relevantë bashkësisë ndërkombëtare do ta konfirmonin validitetin juridikopolitik të "dokumentit" të Sali Berishës, se "Enver Hoxha ia ka shitur Kosovën Serbisë", atëherë Kosova do t'i kthehej Serbisë kolonialiste, sepse sipas S. Berishës "Serbia e paskësha blerë nga Enver Hoxha"!? Është e vërtetë se gjatë historisë së saj, Kosova është tradhtuar disa herë (1912-1999), por jo nga Enver Hoxha (edhe pse ai ishte komunist me bindje dhe me veprime si burrë shteti), por nga Ahmet Zogu, nga Esat Pashë Toptani dhe, së fundi, edhe nga demokratët dhe socialistët e Shqipërisë: Sali Berisha, Fatos Nano, Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu…etj., të cilët ushtarakisht dhe luftarakisht nuk e morën në mbrojtje popullin dhe Kosovën nga pushtuesi i huaj serb (1989- 1999), por e lanë të vdiste dhe të masakrohej nga Serbia terroriste dhe gjenocidale e Slobodan Milosheviqit. Kjo është pabesia dhe tradhtia më e madhe, që i është bërë Kosovës në historinë e saj, jo Enver Hoxha dhe jo ata "deputetë të Kosovës, që në vitet e 80-ta paskan votuar për ndryshimet kushtetuese, në kohën kur rinia e Kosovës mbushi rrugët, sheshet e Prishtinës u përgjak", siç është shprehur Sali Berisha në intervistën e tij, dhënë TV Dukagjinit. Fundja, edhe pse qe 30 vjet jemi bërë demokratë korrupcionistë, plaçkitës, mafiozë, kanabistë, surrealistë, despotistë, sektaristë dhe shfrytëzues të popullit (duke e lënë në mjerim të skajshëm varfërie dhe papunësie mbi 40%, si dhe duke e zbrazur sistematikisht përmes eksodit të institucionalizuar në vende të huaja mbi 1 milion sish, 1990-2018), duhet ta themi të vërtetën dhe ta mbrojmë drejtësinë pa rënë në "hone" të ideologjive të ndryshme politike dhe religjioze të kohës vurratë për përfitime karrieriste dhe për interesa latifundiste etj.

Konkluzion Sikur Sali Berisha ta kishte kritikuar Enver Hoxhën për tradhti ndaj kapitalizmit, ndaj borgjezisë, ndaj pronës private dhe ndaj shtypjes së egër dhe shfrytëzimit të njeriut prej njeriut, kësaj sigurisht se do t'i kisha besuar. Por që "Enver Hoxha e ka tradhtuar Kosovën" këtë nuk mund ta besoj e as ta argumentoj, duke qenë se ky është vetëm një opinion i zhveshur për qëllime, interesa dhe efekte propagandistike ideologjike dhe partiake, nuk është kurrfarë fakti dhe argumenti, sepse deri më sot (1945-201) diç të tillë nuk ka provuar as shkenca shqiptare, as serbe, as ballkanike, as evropiane e as ajo ndërkombëtare. Sikur të kishte ekzistuar ndonjë dokument i tillë, se gjoja "Enver Hoxha e ka shitur Kosovën", sigurisht se deri tash (1945-2018) ndër të parët do të kishin reaguar, duke e bërë publik për opinionin, liderët politikë dhe shkencëtarët serbë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe të gjitha masmediat e Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë.

(Kosova Sot)

 

2 orë e 46 minuta më parë
21/08/18