Politika e Tiranës nuk ka kryer asnjëherë detyrën ndaj Kosovës

Politika e Tiranës nuk ka kryer asnjëherë detyrën ndaj Kosovës
  • 11 August 2018 - 09:25
SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI

Të gjithë e dimë tashmë aktin e rëndë antikombëtar të qeverisë së ishPresidentit Berisha në vitet 1992-1997, furnizimin e ushtrisë dhe të makinerisë serbe të Milosheviqit me naftë; i dimë pengesat ,arrestimet dhe veprimtarinë antiUÇK të Berishës dhe të ish- pushtetit të tij. Të gjitha dihen ,dihet edhe ajo se PD dhe Berisha kanë qenë për autonomi të Kosovës, ashtu sikurse edhe në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Në Gazetën "KOSOVA SOT", si gazeta gjithëkombëtare jopolitike, e pavarur, e lirë dhe neutrale, kam botuar 4 shkrime me titull të tilla, si:" Politika e Tiranës, mjaft më me politikën anti-Kosovë", ku në ato shkrime kam prekur dhe shkruar mes të tjerash edhe ato se çfarë tha Thaçi kohët e fundit në adresë të Berishës. Unë edhe këto i kam shkruar me kohë . Të gjithë e dimë tashmë aktin e rëndë antikombëtar të qeverisë së ishPresidentit Berisha në vitet 1992-1997, furnizimin e ushtrisë dhe të makinerisë serbe të Milosheviqit me naftë; i dimë pengesat ,arrestimet dhe veprimtarinë anti-UÇK të Berishës dhe të ish- pushtetit të tij. Të gjitha dihen, dihet edhe ajo se PD dhe Berisha kanë qenë për autonomi të Kosovës, ashtu sikurse edhe në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Berisha nëpërmjet ishministrit të tij të Jashtëm deklaruan për Pavarësi të Kushtëzuar për Kosovën, pikërisht këtë që dëshironin serbët por të shprehur prej tyre si "autonomi substanciale". Koha pra shkon ,por historia dhe kujtesa nuk harron. Dhe, pra jo rastësisht e kundërshtoi Thaçin dhe e mbrojti Berishën po ky ish ministër i tij, ashtu sikurse Berishën po e mbrojnë edhe ish eksponentët e lartë politik të ish- pushtetit PD-ist të cilët drejtonin agjencitë partiake të PD-së të karburanteve të cilat shkelën embargon ndërkombëtare të naftës kundër Serbisë.

Politika dhe shteti i Serbisë kanë bërë maksimumin për ndërkombëtarizimin e komunave me shumicë popullsie serbe në Kosovë Nëse Presidenti Thaçi kërkon korrigjimin e kufijve me qëllim bashkëngjitjen dhe bashkimin e trojeve shqiptare të Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës me Kosovën sipas vullnetit të shqiptarëve të këtyre trevave shqiptare, kjo përbën detyrë dhe akt patriotik dhe kombëtar, ndërsa e kundërta përbën pabesi dhe tradhti ndaj tyre. Së pari, ashtu sikurse propaganda, pushteti, politika dhe shteti i Serbisë ka bërë maksimumin për ndërkombëtarizimin e komunave me shumicë popullsie serbe në Kosovë, edhe Thaçi bën të njëjtën gjë për shqiptarët: e shtron dhe e bën çështje ndërkombëtare ekzistencën e problemit shqiptar në Luginën e Preshevës , problem i cili kërkon zgjidhje, ose si krijim të bashkësisë së komunave shqiptare atje ose bashkimin e tyre me Kosovën. Pikërisht këtë të cilën Thaçi po e kërkon sot, këtë unë e kam shkruar në Librin tim "TRIUMFI I KOMBIT" kur Kosova shpalli Pavarësinë në vitin 2008 ku i kërkoj politikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që serbët në Kosovë nuk duhet të kenë asgjë dhe asnjë të drejtë më tepër e më shumë sesa shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanovcit, pra të Kosovës Lindore. Pra, Lugina e Preshevës është Kosova Lindore, dhe pyesin se kush është patrioti në këtë rast, H. Thaçi, i cili kërkon Kosovën Lindore apo ata të cilët si rasti Sali Berishës (por jo vetëm i tij) i cili e kundërshton këtë ?! Kush bën papërgjegjshmërinë kombëtare këtu ai i cili kërkon bashkimin e trojeve shqiptare apo ai e ata të cilët nuk kërkojnë dhe janë kundër korrigjimit të kufijve, pra ai dhe ata të cilët janë kundër të drejtës historiko-kombëtare të bashkimit të trojeve shqiptare. Këtu duhet përshëndetur qëndrimi i Thaçit si pragmatist, realist dhe i guximshëm pasi ai nuk braktis dhe nuk i harron trojet shqiptare dhe as shqiptarët e Medvegjës, Preshevës e Bujanovcit të cilët luftuan për lirinë e Kosovës. Pra Thaçi nuk është si politika dhe politikanët e Tiranës e cila gjithmonë nuk ka bërë asgjë për Çamërinë, por pa harruar edhe atë që Shqipëria kurrë nuk ka bërë seriozisht gjë dhe as nuk ka hyrë në luftë asnjëherë as me Serbinë për Kosovën, edhe pse Kosova kishte mbi 100 vite që ka qenë në luftë me Serbinë. Politika e Tiranës nuk ka kryer asnjëherë detyrën dhe përgjegjësitë e saj si duhet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve të shtetit shqiptar dhe jo më të jetë interesuar ndonjëherë si duhet dhe seriozisht për Kosovën dhe për problemin gjithëkombëtar shqiptar, dhe prandaj nuk ka se çfarë Kosova të marrë si leksione nga Tirana, por përkundrazi, Prishtina duhet të jetë shumë e kujdesshme nga politikanët , këshilltarët e "këshillat" që i merr nga Tirana , sepse ata për interesa personale siç ka treguar historia nuk e kanë për asgjë që të pabesojnë, të spekulojnë dhe të veprojnë me shumë finesë e djallëzi kundër Kosovës, siç me të drejtë edhe Thaçi realisht i referohet në rastin konkret Berishës.

Për Kosovën, Berisha ka qenë vetëm për autonomi Nga Shqipëria, jo vetëm nga Berisha, por as nga paraardhësit e tij në historinë 100- vjeçare të shtetit shqiptar, politikës së Tiranës kurrë nuk i ka interesuar problemi kombëtar, ai i shqiptarëve dhe i trojeve shqiptare jashtë Shqipërisë. Dhe as nuk pritet as tani ndonjë gjë e madhe nga Shqipëria, nga politika e saj, politikë e cila historikisht ka qenë politikë interesash të ngushta ideologjike, politike e pushteti për përfitime personale, dhe po për këto qëllime e ka përdorur edhe Kosovën dhe shqiptarët në trojet e tyre etnike jashtë shtetit të Shqipërisë. Nëse ka popull në Evropë, i cili duhet të kërkojë dhe ka të drejtë për ndryshimin e kufijve , ai popull është populli shqiptar, dhe Shqipëria e Kosova, dy shtetet shqiptare të cilat edhe sot kufizohen nga të gjitha anët me troje shqiptare të grabitura padrejtësisht nga grekët, maqedonasit, serbët dhe malazezët. Pra problemi i padrejtë dhe i pazgjidhur shqiptar në Ballkan e mban Ballkanin në statusin e problemeve të pazgjidhura akoma. Po i pyes këta ziliqarë, egoistë dhe nihilist e interesaxhinj pseudokombëtarë se a mos jeni dakord që Lugina e Preshevës të qëndrojë nën Serbi dhe të pastrohet etnikisht nga politika dhe pushteti i Serbisë siç po veprohet edhe aktualisht me presione ekonomike, varfërie, papunësie,dhune policore dhe me demonstrime ushtarake, ashtu siç kanë bërë grekët me Çamërinë, apo doni që Presheva, Kosova Lindore, të Bashkohet me Kosovën ?! Lind pyetja shumë e thjeshtë dhe e qartë për t'i thënë Berishës dhe atyre të cilët nuk duan ndryshimin e kufijve, se cila është zgjidhja më e mirë , përfundimtare dhe më e duhura për shqiptarët e Kosovës Lindore, Bashkimi i tyre me Kosovën apo qëndrimi nën Serbi? Ku shqiptarët e Medvegjës, Bujanovcit e Preshevës do t'i kishin të garantuara liritë, pavarësinë dhe të drejtat njerëzore e kombëtare të tyre në shtetin e tyre shqiptar të Kosovës apo nën Serbi!? Kush nuk dëshiron që për interesa dhe për përfitime të ngushta pushteti personal dhe për motive xhelozie politike dhe egoizmi negativ bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën nuk bën gjë tjetër përveçse tradhtinë, pasi ata nuk duan as Bashkimin Kombëtar. Berisha është mjaft i diskredituar edhe në Shqipëri pasi për interesa personale pushteti ai kurrë nuk punoi për një shtet modern e ligjor në Shqipëri; ai ka bërë dëme kombëtare të mëdha, si me Marrëveshjet kufitare të detit me Greqinë, dhënien e lejeve për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë, sjelljen në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare të antishqiptarit Janullatos duke e humbur kështu Kisha Ortodokse Shqiptare pavarësinë e saj, ka pranuar e lejuar ngritjen e shkollave greke edhe atje ku ka 2-3 nxënës minoritarë grekë në një kohë kur nuk ka asnjë shkollë shqipe në Greqi e madje atje shqiptarët nuk guxojnë as ta deklarojnë kombësinë shqiptare të tyre, miratimin nga ish-pushteti i tij në heshtje shkuljen dhe rrënimin e sinjalistikës dhe të emërtesave në gjuhën shqipe të rrugëve dhe të fshatrave të Himarës etj.etj. Pa harruar edhe një fakt tjetër, atë se Berisha i bënte thirrje dhe madje edhe presion delegacionit kosovar në Rambuje që ata të mos e firmosnin Marrëveshjen e saj. Dhe çfarë do të thoshte kjo ? A nuk ishte një thirrje të cilën e dëshironte vetëm Serbia dhe Rusia. Nëse do ta dëgjonin Berishën, Delegacioni kosovar me në krye Thaçin nuk do të ishte mundësuar dhe as justifikuar ndërhyrja e NATO-s nën drejtimin e SHBA -së për çlirimin e Kosovës. Prandaj, Berisha bën mirë të heshtë, dhe po nuk heshti ai e ka kot pasi askënd më nuk e bindë se ai ka bërë ndonjë të mirë kombëtare gjatë sundimit politik të tij as për Shqipërinë dhe jo më për Kosovën, përveçse të kundërtën po. Ndryshimi mes Thaçit e Berishës është ky: Thaçi është serioz, i matur, tolerant, i drejtpërdrejtë, ndërsa Berisha sillet si demokrat hipokrit dhe patriot fals me retorika dhe mashtrime.

(Kosova Sot)