Territorializimi, asociacioni dhe hapja e 'Kutisë'' së Ahtisarit!

Territorializimi, asociacioni dhe hapja e 'Kutisë'' së Ahtisarit!
  • 12 August 2018 - 09:20

SHKRUAN: GURAKUÇ KUÇI

Shtetmëdhenjtë, të cilët kuptojnë rëndësinë strategjike, lëvizin gurët historikë, politikë dhe juridikë, që të dërgojnë vendin nga pozicioni i pafavorshëm negociues në favor të pozicionit strategjik negociues. Shtetmëdhenjtë, që shteti i tyre nuk është humbës, në negociata nuk pranojnë ku vendi i tyre nuk është të paktën i barabartë në kërkesa. Kosovës, një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, po kërcënohet t'i hapen shumë dritare të sanksionuara që të mos hapen asnjëherë me Kushtetutë dhe Pakon e Ahtisarit. Përkundër këtij kërcënimi që do duhej të shpallte panik tek shtetarët për shtetin, në efekt po ndodh e kundërta, ku kemi panik nga shtetarët për veten-individin. Realisht, shtetarët e vërtetë kurrë nuk i zë paniku, ata gjithmonë kanë të paktën një strategji, me të cilën veprojnë taktikisht. Por, kur janë ashtu siç do i quante Kanti "spitullaqë e pipiruqë" për të mbuluar dhe shpëtuar vetveten janë të gatshëm që shtetit t'i shkaktojnë fiasko politike, shtetërore dhe kombëtare, duke përdorur pika të dhimbshme nacionale, si Luginës së Preshevës (tutje vetëm Lugina). Duhet së pari të saktësojmë se cilat pjesë përfshinë sot Lugina (termi Luginë është term ushtarak), a po flasim për Luginën si pjesë territoriale apo për pjesën etnike ku jetojnë shqiptarë? Pastaj, çka përfshin 'korrigjimi' si term në rastin në fjalë për ndryshim territoresh? A zgjidhet vërtet problemi i shqiptarëve në atë pjesë? A përfshihen edhe populli me pronat e tyre të cilat mund të shtrihen edhe tek vendbanimet ku ka serbë apo etni tjera?

Kopaoniku përmban edhe një bazë ushtarake telekomanduese

Është shumë e rëndësishme të kihet parasysh se çka po jepet në këmbim, është banale të mendohet se lëre më të thuhet që nuk do të ketë këmbim, sepse po i bie ndarje e Serbisë jo më e Kosovës. Presheva, e cila ka dalje në Kumanovë të Maqedonisë, përveç me Kosovën, lidh më lehtë shqiptarët etnikisht. Por, Presheva dhe Bujanoci kanë shkëputje kufitare me Medvegjën dhe kjo e fundit ka fare pak banorë shqiptarë dhe pothuajse nuk ka gjasa të përfshihet në ndryshimin territorial. Në territorin e Preshevës kalon magjistralja Beograd-Nish-Shkup dhe aty afër edhe hekurudhat, që janë Korridori X i Evropës, pasi e lidh Evropën e Mesme me atë Jugore. Dhe këto bëjnë që Serbia të japë territor të Luginës vetëm deri tek korridori i dhjetë dhe të manipulojë me kilometra territorialë në pjesën e kontestuar tek Gjilani. Pozita gjeografike e Luginës që shtrihet në pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik, në vete përmban edhe rrjedhat ujore të Moravës dhe Vardarit, përderisa Medvegja ka rrjedhë ujore të lumit të Jabllanicës, degë e Moravës Jugore. Në anën tjetër, veriu i Kosovës përfshin vargmalet e Kopaonikut, me rëndësi strategjike, për të cilat kam shkruar më herët për përballjen NATO-Rusi, ÇakorrKopaonik, pasi Kopaoniku përmban edhe një bazë ushtarake telekomanduese, por ka edhe rëndësi ekonomike turistike me rreth 600 hektarë vargmale. Veriu përfshin edhe Liqenin e Ujmanit (Gazivodës) që rreth 70% e prodhimit të energjisë në Kosovë varet nga ky liqen. Dhe, veriu ka resurse natyrore si minierat e 'Trepçës'. Kështu këto lëvizje sa i japin një pikë Serbisë (Rusisë) nga Kopaoniku me demarkim, në anën tjetër, nga Lugina kufiri i Serbisë me Maqedoninë zvogëlohet dhe NATO ka aftësi të afrohet me bazën ruse ushtarake dhe të spiunazhit në Nish. Por përtej shkëmbimit klasik të territoreve mund të ketë një hile edhe më të madhe, në kontekstin e shtrirjes së Kosovës, ndarjen e vijës me Sanxhakun dhe Bosnjën!

Një autonomi gjithëpërfshirëse

Bashkësia Ndërkombëtare në çdo format që bien dakord palët në dialogun Kosovë-Serbi është në favorin e tyre dhe si të tillë janë të gatshëm, madje të ndihmojnë plane territoriale në mos edhe iniciues si të përmendura më lart. Andaj, mbetet në duart e Kosovës që të shfrytëzoj këto konjuktura nëpërmjet diplomacisë së mesme shumë-nivelesh. Kosova para vetes ka një prani të NATOs të paluajtshme në çdo lloj të marrëveshjes dhe para vetes ka opinionin pro pavarësisë të Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë. Andaj, në kuadër të këtyre konjukturave ndërkombëtare, Kosova duhet të kornizojë interesat e saj. Me kauzën e Luginës, po fshehën fiaskot që do i shkaktohen Kosovës, ku imponohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, si institucion paralel me diktim nga Serbia. Zbutja deri në mbyllje apo konflikt të çështjes së luftës mes Kosovës dhe Serbisë, që shmang përgjegjësinë e Serbisë. Gjithmonë ka mënyra e mënyra politike për bishtnime ligjore, e të imponohet kushtetutshmërish ky asociacion, si pushtet paralel që bosnjizon Kosovën. Kur jemi përpara këtyre çështjeve, atëherë decidivisht po hapet 'Kutia' e Ahtisarit! Rrethi i vijave të reja kufitare e pastron Serbinë nga çështjet e hapura si Lugina dhe Sanxhaku (këta të fundit po tentojnë të shfrytëzojnë Kosovën për çështjen e tyre), ku me dhënien e një pjese të vogël të Luginës, mbyllet çështja historike mbi territorin dhe të drejtat e popullit të aneksuar. Pastaj, me autonominë substanciale të veriut të Kosovës dhe serbizimin e saj de jure, si një akt fait accompli që është tani e rrethon me serbë nga Kosova dhe Bosnja përfundimisht Sanxhakun, pasi nga ana e Bosnjës fillon Republika Serpska, që potencialisht edhe mund ta hapë çështjen e RS. Andaj, ashtu si vitin e kaluar, që kryeministrja e Serbisë kishte deklaruar se veriut të Kosovës duhet t'i jepet autonomi substanciale dhe të bisedohet për çështjen e serbëve brenda komunave dhe fshatrave tjera të Kosovës, e bën asociacionin që të jetë një autonomi gjithëpërfshirëse e serbëve në Kosovë dhe monoetnike. 

Mosnjohja bëhet akt juridik

Në kuadër të kësaj, Kosova duhet të pikë-veprojë me strategji ku duhet të kërkojë dhe fusë në lojë çështjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe që të kufizohen të drejtat, përfaqësimi i tyre në Kuvend dhe institucione si element shkëmbimi me asociacionin dhe të lirohet nga barra të tjera kushtetues që nuk e lejojnë Kosovën të formojë ushtri pa kompromis nga Serbia. Këtu qëndron mundësia që ky asociacion të mos kërkojë komandë dhe decentralizim të ushtrisë së ardhshme. Dhe pas këtij procesi Kosova të ndryshojë sistemin dhe ligjin zgjedhor ku përfaqësimi me shumë zona zgjedhore amortizon mbipërfaqësimin serb dhe shfrytëzimin e serbëve të Kosovës nga Serbia. Ose ndryshe, asociacioni duhet të bëhet vërtet sipas një koncepti të një OJQ-je ku statuti i OJQ-ve është shabllon, ku nuk bëhet fjalë më për çështje shkëputje, referendumi, autonomie dhe gjëra që kanë cilësi shtetërore. Në kuadër të të gjitha këtyre levave të kërkohet njohja e padiskutueshme e shtetit të Kosovës (assesi këmbimi i mosnjohjes me ulëse sepse efekti i ulëses në OKB nuk e siguron shtetësinë e vërtetë, dhe efekti i ulëses humb ndikimin kur mosnjohja bëhet akt juridik edhe për shtetet dhe organizatat tjera), nga ana e Serbisë dhe gjithsesi çështja e viktimave të luftës, të zhdukurve, reparacioneve, shpëlarja me mbetjet e obligimeve nga ish-Jugosllavia, heqja e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë e çështje të tjera, që në përgjithësi duhet të jenë të vendosura si pika në strategji të Kosovës, e cila nuk ekziston. Këto duhet përmbledhur që me kujdes të shikohet çështja e Luginës. Andaj ato pritjet emocionale se do ketë këmbim territoresh dhe Lugina i kalon Kosovës si tërësi është një mashtrim i njerëzve të paskrupullt të cilët që nga paslufta asnjëherë nuk janë ndalur duke mashtruar dhe gënjyer qytetarët e Kosovës, ashtu si Serbia qytetarët serbë shtetas të Kosovës. Sidoqoftë, këto negociata na gjejnë të radhitur karshi shteteve të dështuara, me korrupsion enorm, ekonomi të dështuar, papunësi dhe përfaqësim diletant që e bëjnë automatikisht Kosovën humbëse, e cila edhe tani po mbahet falë sponsorëve të saj ndërkombëtar. Synimi i këtij artikulli, është më shumë që të kihet parasysh se çka po synohet dhe jo të ofrojë një zgjidhje me disa reshta dhe të vijë në shprehje kornizimin e një strategjie dhe jo sharlatanizëm medial.

 

(Kosova Sot)