S'ka ndryshim, as shkëmbim dhe as korrigjim të territorit të Kosovës

S'ka ndryshim, as shkëmbim dhe as korrigjim të territorit të Kosovës
  • 13 August 2018 - 08:12
SHKRUAN: HILMI SARAÇI

P ër veriun e Kosovës tani që sa kohë flitet dhe komentohet në forma të ndryshme si individuale, ashtu edhe institucionale. Tani ky problem ende ka mbetur i pazgjidhur. Përgjegjësinë më të madhe në këtë fushë e mbajnë institucionet tona shtetërore, por edhe ndërkombëtarët (UNMK-u dhe EULEX-i), të cilët sikur kanë qenë të shurdhët dhe tolerantë ndaj krimit të organizuar, kontrabandës, dukurive të tjera negative dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Kjo pjesë e vendit tani në kohët e fundit ka hyrë në një pikë më të nxehtë dhe të ndërlikuar me rastin e dialogut përfundimtar në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo sikur ka marrë "teposhtën", sidomos pas ndërhyrjes të Policisë Speciale të Kosovës para disa vitesh në pikat kufitare 1 dhe 31. Kjo ndërhyrje, edhe pse me vonesë, tregoi qartë se mund të jemi të aftë me një kujdes të shtuar, për të vepruar sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe për ta ruajtur kështu tërësinë territoriale të vendit që është cenuar dhe ende në vazhdimësi po cenohet. Kjo ndërhyrje pati jehonë të madhe në mbarë popullatën shqiptare. Mirëpo, marrëveshja dhjetë-pikëshe me KFOR-in pas ndërhyrjes, sa ishte me vend aq edhe e papërshtatshme për Policinë Speciale të Kosovës. Barrikadat e serbëve të rebeluar tregojnë se në këtë fushë ka vështirësi për qetësimin e situatës së krijuar, mirëpo është dashur një ndërhyjë në mënyrë profesionale dhe e guximshëm, sepse serbët të udhëhequr nga strukturat kriminale të instaluara nga Beogradi nuk dinë të ndalen pa një ndërhyrje që do të tregonte se ata nuk mund të bëjnë çka t'u bjerë ndërmend: të pengojnë kështu jetën dhe sigurinë e qytetarit tanë në këto pjesë të vendit...Ata vranë policin e njësisë speciale dhe sikur kjo vrasje makabre nuk po shkon drejt zbulimit të kriminelit. Këto tolerime nga Bashkësia Ndërkombëtare ( EULEX-i) dhe nga Qeveria e Kosovës për të mos ndërmarrë masa të duhura në kohë të duhur kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe strukturave kriminale (paralele) ka nxitur në kohët e fundit të flitet për ndarjen e Kosovës, shkëmbimin dhe korrigjimin e territoreve, respektivisht për një statut special. Në këtë fushë Rusia si zakonisht është pengesa kryesore, sepse ajo po i përkrah dhe po i"nërsen" këto iniciativa në veri të vendit për të destabilizuar këtë pjesë të vendit tonë dhe më gjerë, prandaj Bashkësia Ndërkombëtare duhet me kohë të angazhohet për një veprim të qartë dhe më të guximshëm për zgjidhjen e këtij problemi…

detë dhe propozimet e Hashim Thaçit të dëmshme për Kosovën Ideja për një status të veçantë për veriun mund të mos jetë ide direkte ndërkombëtarëve, por një përpjekje e liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të shpëtojnë nga problemi i pazgjidhshëm. Mirëpo, megjithatë, ka disa sjellje dhe veprime kundërproduktive në raport me statusin e Kosovës dhe stabilizimin e gjendjes edhe nga e EULEX-i, i cili në fakt është produkt i BEsë, thonë ekspertë të çështjeve politike dhe evropiane. Ata thonë se ekziston një marrëveshje "sekrete " ndërkombëtare e cila synon t'ia imponojë Prishtinës zgjidhjen për veriun. Nuk duhet të ketë autonomi tjetër për veriun, pos asaj që është paraparë për komunat në kuadër të Pakos të Ahtisarit. Ekziston vetëm një zgjidhje për situatën e fundit të krijuar në Kosovë: vendosja e veriut në kuadër të sistemit administrativ të Kosovës. Në këtë rast do të zgjidheshin problemet ekzistuese dhe do të fillojë jeta e lirë dhe e sigurt për të gjithë qytetarët…" Ne nuk duhet të dialogojmë për vendin tonë juridik e kushtetues, për territorin, për statusin e vendit. Kjo duhet të jetë e qartë për Beogradin. Me Beogradin zyrtar nuk duhet të diskutohet për punët e brendshme të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk duhet të lëshojë pe në këtë fushë; për ndarje, shkëmbin dhe korrigjim të territorit. Patjetër, që me rastin e procesit të negociatave me Serbinë,Kosova duhet të respektojë dhe duhet të bazohet në Kushtetutën e vet si dokumenti më i rëndësishëm juridik i Republikës së Kosovës. Pra, çdo "korrigjim i kufirit", i cili në fakt është ndryshim i kufirit, do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i tillë do të duhej të shqyrtohet në organin më të lartë ligjvënës të saj, i cili është Kuvendi i Kosovës." Në këtë fushë sikur Hashim Thaçi është duke i "mbështjellë" punët si kryenegociator në bisedimet me Serbinë-në dëm të Kosovës. Mirëpo, pas kritikave të shumta në adresë të Hashim Thaçit, ai tani është duke u përpjekur që të arsyetohet ndaj mospajtimeve të opozitës sidomos- LDK-së dhe Avdullah Hotit të cilin e fton që të zëvendësojë atë si kryenegociator në dialogun me Serbinë. Kjo do të ishte një" kamuflim" (fjalë boshe) , sepse nëse Thaçi e ka përnjëmend duhet të parashtrojë kërkesën Parlamentit i cili me dy të tretat votave do te merrte besimin që Avdullah Hoti të zgjidhet për kryenegociator në bisedime me Serbinë. Kjo është e vështirë që të ndodhë…

Angela Merkel, një udhëheqëse shteti e madhe Angela Merkel gjatë vizitës kohë më parë në Beograd, ashtu siç bëri kryediplomati i Qeverisë së saj në Prishtinë, do të përsërisë qëndrimin se integriteti territorial i Kosovës mbetet çështje e padiskutueshme për Gjermaninë . Edhe këto ditë Angela Merkel si një udhëheqëse e madhe e shtetit gjerman do të përsërit mendim se tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme- s'ka ndërrim, s'ka shkëmbim, as korrigjim të të territorit të Kosovës… Diplomatët perëndimorë dhe analistët në Beograd shprehin bindjen se kancelarja gjermane do t'u kërkojë autoriteteve serbe të heqin dorë nga Veriu i Kosovës. Kjo do të tregojë se Serbia nuk mund të vazhdojë veprimet pushtuese, hegjemoniste dhe shoviniste ndaj Kosovës. Në këtë fushë pritet nga Bashkësia Ndërkombëtare që ta marrin një hap të tillë dhe të tregojnë se tani Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i pranuar edhe ndërkombëtarisht. Serbët në veri veç e kanë autonominë e veçantë, status special , më tepër se shtetet e tjera për pakicat kombëtare, sepse me decentralizimin e tepruar të Ahtisarit serbët kanë fituar të drejta më tepër se pakicat e tjera. Kjo privilegj është një padrejtësi e llojit të veçantë. Serbët kudo që janë, me vetë faktin se kanë vendet e privilegjuara në Parlamentin e Kosovës për të vendosur për shumë çështje madhore për Kosovën, prandaj ne këtë (statusin special) nuk duhet ta propagandojmë, sepse me fajin tonë ajo mund të ndodhë. Institucionet tona dhe mediet duhet ta trajtojnë këtë çështje seriozisht, sepse Serbia po qe se e kupton se shqiptarët janë dakorduar për një status më të avancuar siç pretendohet në Asociacionin për komunat me shumicë serbe të cilin Hashim Thaçi e ka nënshkruar në Bruksel, por për këtë duhet të japë mendimin Gjykata Kushtetuese e Kosovës, mirëpo serbët janë duke "ngulur këmbë" për zbatimin e vendimit të nënshkruar nga Hashim Thaçi. Në këtë fushë Hashim Thaçi dhe përkrahësit e tij janë duke e rrezikuar tërësinë territoriale të Kosovës… Këto ditë LB në krye me Avni Klinakun dhe Valom Muratin kanë dalë në krah të Hashim Thaçit, duke u pajtuar që Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) të shkëmbehet me tri komuna me shumicë serbe në veri të vendit (Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani). Kjo do të ishte një gabim i llojit të veçantë për Kosovën. Pjesa në veri të lumit Ibër është një pjesë topogfrafiko-orografike kompakte e karakterizuar me mjaft pasuri nëntokësore dhe me një infrastrukturë të përdorshme për përpunimin e xeheve. Veriu do të mbetet një burim i çmuar për ekonominë e vendit, e cila edhe ashtu do të vazhdojë të lëngojë nga mungesa e investimeve të huaja. Veriu disponon me burime të bollshme ujore siç është Gazivoda -pakësimi i burimeve ujore në Kosovë përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu është fakt se veriu i vendit, në aspektin ushtarak, ka rëndësi të veçantë.Sulmet eventuale ushtarake serbe do të ishin të kufizuara në bazë të reliefit kodrinor-malor, ku rezistenca e Kosovës do të konsiderohej hipotetikisht e favorshme. Prandaj, ideja e Hashim Thaçit dhe subjektit politik LB në krye me Valon Muratin dhe Avni Klinakun sa është e paqëndrueshme është edhe e dëmshme për Kosovën…

(Kosova Sot)