Pranvera e Pragës ende përndjek Evropën

Pranvera e Pragës ende përndjek Evropën
  • 15 August 2018 - 08:20
Shkruan: TONY BARBER 

Etja njerëzore për të drejta politike, drejtësi dhe liri kombëtare, është e pashuar 

Mosmarrëveshja transatlantike minon NATO-n. BE-ja nuk ka një unitet, vullnet politik dhe ide të mira. Në disa kryeqytete, frenat e pushtetit qëndrojnë në duart e forcave të fshehta, manipuluese ose të demagogëve abuzive, të çmendura. Republika Çeke dhe Sllovakia nuk janë të imunizuara ndaj duhmës që përhapet nëpër Evropën qendrore dhe botën më të gjerë perëndimore Një tank i ushtrisë pushtuese në rrugët e Pragës, ky xhevahir i kryeqyteteve evropiane. Një lëvizje paqësore reforme politike u prish. Udhëheqësit e një kombi u gjetën nën presion nga Moska dhe u detyruan të mohonin idealet e tyre njerëzore. Pesëdhjetë vjet më parë në Çekosllovaki, gushti ishte çdo gjë tjetër përveç një muaji të qetë veror. Në mbrëmjen e 20 gushtit të vitit 1968, pothuajse një gjysmë milion ushtarë të Paktit të Varshavës shkelën Çekosllovakinë për ta shtypur Pranverën e Pragës - një përpjekje e udhëheqësve komunistë të reformuar, të udhëhequr nga Aleksandër Dubcek, për të sjellë ndryshime liberale në vendin e tyre. Disa trupa ishin nga Bullgaria, Gjermania Lindore, Hungaria dhe Polonia. Por, shumica ishin nga Bashkimi Sovjetik. Linja e Kremlinit ishte se pushtuesit po bënin "ndihmë vëllazërore" ndaj një aleati në "kampin socialist" në rrezik që të dorëzohej kundër revolucionit. Por, ndërsa ushtarët e rinj rusë morën kontrollin mbi Pragën dhe Bratislavën, ata u habitën të dëgjonin tallje dhe klithma proteste nga çekët dhe sllovakët e zakonshëm duke kënduar: "Ivan, kthehu në shtëpi". Për shumë qytetarë të rinj të Republikës Çeke dhe Sllovakisë, shtete të cilat u ndanë në vitin 1993, ngjarjet e trazuara të pranverës tetëmujore të Pragës i përkasin një epoke të largët, mezi të njohur. Kjo lëndë mësohet në mësimet e historisë në shkollë, por me sa duket ka më pak rëndësi për çekët dhe sllovakët sesa lufta e Vietnamit për amerikanët ose përvjetorët pothuajse revolucionarë të majit të vitit 1968 për francezët. 

Etja njerëzore për të drejtat politike Pranvera e Pragës duket larg, sepse ambienti gjeopolitik në të cilin ndodhi ka kohë që është zhdukur. Në vitin 1968 lufta e ftohtë ndau Evropën në dysh. Gjysma e saj lindore u dobësua nga komunizmi - një sistem shtypës, i zymtë i qeverisjes i importuar nga Moska në vitet 1940, duke zgjatur edhe për 21 vjet të tjera. Në ditët e sotme, shtetet Çekia dhe Sllovakia janë demokraci të pavarura, gjithnjë e më të begatë dhe anëtarë të NATO-s dhe BE-së. Megjithatë, ka ende mësime për t'u mësuar nga Pranvera e Pragës. E para është se ideologjitë doktrinare dhe praktikat politike, qofshin komunizmi i stilit të 1960-ës apo dogmat jotolerante të së djathtës dhe të majtës radikale të sotme, përmbajnë fara të rënies së tyre. Ato propozojnë zgjidhje joadekuate për problemet komplekse të shoqërive moderne. Ato keqtrajtojnë kritikët, tallen me ekspertët dhe degradojnë arsyet. Duke vepruar kështu, ato krijojnë paaftësi ekonomike, tension social dhe pakënaqësi politike. Mësimi i dytë është se etja njerëzore për të drejtat politike, drejtësi dhe liri kombëtare është e pashtershme. Kjo u shfaq në të gjithë epokën komuniste: Berlini Lindor në vitin 1953, Budapesti në vitin 1956, Praga në vitin 1968, Gdansku në vitin 1980 dhe shtetet baltike në vitet 1988-91. Patriotizmi i çekëve dhe sllovakëve është më qytetar sesa nacionalist. Por, rimëkëmbja e pavarësisë është një nga fitimet e tyre më të çmuara të vitit 1989. Mësimi i tretë është se lufta politike nuk duhet të zhvillohet, sikur që bëhet në pjesën më të madhe të botës së sotme, me gjuhë të ndyrë dhe primitive. Në vitin 1968, Dubcek mbante një buzëqeshje të përhershme në fytyrën e tij dhe ai festoi dinjitetin e individit. Ai mund të fajësohet për një besim naiv që komunizmi ishte i reformueshëm. Por, ai kishte qeshur i fundit kur u kthye dhe hasi në një mirëpritje prej heroi në sheshin Wenceslas pas triumfit të Revolucionit të Kadifenjtë në vitin 1989.

Çekët dhe sllovakët i përkasin Katërshes së Vishegradit Këto tri mësime janë të rëndësishme për shkak të rikthimit të peizazhit politik të perëndimit gjatë dekadës së kaluar. Liberalizimi është në tërheqje, sundimi i ligjit është nën kërcënim dhe populizmi kombëtar është në rritje. Mosmarrëveshja transatlantike minon NATO-n. BE-ja nuk ka një unitet, vullnet politik dhe ide të mira. Në disa kryeqytete, frenat e pushtetit qëndrojnë në duart e forcave të fshehta, manipuluese ose të demagogëve abuzive, të çmendura. Republika Çeke dhe Sllovakia nuk janë të imunizuara ndaj duhmës që përhapet nëpër Evropën qendrore dhe botën më të gjerë perëndimore. Demokracia çeke është e gjallë por e fragmentuar. Në zgjedhjet e tetorit të kaluar, një parti e djathtë ekstreme e lidhur me ruse hyri në parlament për herë të parë me 10.6 për qind të votave. Milos Zeman, presidenti çek, është më miqësor me Moskën sesa me Brukselin. Andrej Babis, kryeministër, është një biznesmen miliarder, stili populist i të cilit dhe ngatërrimet me ligjin i kujtojnë presidentin amerikan Donald Trump ose ish-liderin italian Silvio Berlusconi. Në Sllovaki, publiku shfaq tendencat më të theksuara pro-ruse, krahasuar me vendet e tjera në Evropën qendrore. Por, ishin vrasjet në shkurt të gazetarit hulumtues Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij që zbuluan diçka të kalbur në shtet. Krimi nxiti protesta publike dhe dorëheqjet e kryeministrit Robert Fico dhe ministrit të tij të brendshëm. Z. Fico nuk u largua nga zyra pa huazuar një fletë nga libri i Viktor Orbanit, kryeministrit të Hungarisë, duke lënë gjurmë të errëta në lidhje me ndikimin gjoja keqdashës në Sllovaki të George Sorosit, financier dhe filantropist i lindur në Hungari. Së bashku me Hungarinë dhe Poloninë, çekët dhe sllovakët i përkasin Katërshes së Vishegradit, një grupi të lirshëm rajonal. Në kryeqytetet e Evropës Perëndimore kjo katërshe është e dyshuar se kujdeset shumë pak për vlerat e BE-së. Për çekët dhe sllovakët, ky është një trend i rrezikshëm. Duke pasur parasysh madhësinë e vogël dhe vendndodhjen gjeografike të shteteve të tyre, ky duhet të jetë një interes thelbësor kombëtar për të dyja shtetet, që të mos dalin nga rrjedha kryesore evropiane. Ky, në fund të fundit, ishte ideali në zemër të Pranverës së Pragës.

(Kosova Sot)