Esat Pashë Toptanët e dytë e të ndytë, argatë besnikë të Serbisë

Esat Pashë Toptanët e dytë e të ndytë, argatë besnikë të Serbisë
  • 17 August 2018 - 07:40
SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI 

Duhet mbledhur mendjen e të harrohet sa më parë oferta e Hashimit, që të jepet Veriu i Kosovës, sepse ky do të ishte fatalitet, ngase humbja e kësaj pjese të territorit strategjik të saj do të përfshinte edhe minierën "Trepça", ku me humbjen e këtij gjiganti ekonomik populli do të vdiste nga uria dhe nga varfëria, si dhe nga eksodi sistematik në dhera të huaja si nomadë i braktisur. Kufijtë e Ballkanit do të ndryshojnë, por si? "Më vjen keq", që kryeministri i qeverisë së Shqipërisë londineze, Edi Rama, "ia paska dhënë besën bashkësisë ndërkombëtare, që të mos ndryshohen kufijtë në Ballkan". Kështu ka deklaruar për masmedia, Ditmir Bushati (ministër i Jashtëm i Shqipërisë). Me besë dhe pa besë të Edi Ramës, kufijtë e Ballkanit do të ndryshojnë, por jo sipas Ramës, as Hashimit, as Vuçiqit dhe as Milorad Dodikut. Kjo do të ndodhë, por varet se kur Amerika dhe Evropa do të dakordohen për mbajtjen e një KONFERENCE NDËRKOMBËTARE PËR BALLKANIN, në mënyrë që tua digjnin "letrat" e pokerit politik, korrupsionist dhe mafioz destabilizues të Ballkanit: Milorad Dodik ("Republika Srpska"), Aleksandar Vuçiq ( president i Serbisë), Hashim Thaçi (president i Kosovës), Edi Rama (kryeministër i Shqipërisë) etj. Kjo do të ishte përgjigjja më oportune dhe më realiste ndaj politikës mafioze të këtyre liderëve politikë, të cilët me veprimet e tyre të papërgjegjshme po e trazojnë Ballkanin, duke ushtruar strategjinë e frikësimit dhe të kërcënimit ndaj partnerëve ndërkombëtarë, se gjoja vetëm këta duhet ta "sundojnë" Ballkanin, duke mos ndryshuar kufijtë e tij. 

S'ka "korrigjim" të kufijve shqiptarë si po ua "kana" Vuçiqit, Hashimit dhe Ramës Kush ia fal Kosovën Veriore Serbisë do të hajë kakuret dhe hithra në Brojën e Hashim Thaçit. Kemi për të ngordhur si minjtë nga krundet e kontaminuara toksikologjike të Serbisë, sepse pa "Trepçën" Kosova ekonomikisht është e vdekur. Duhet të jesh 100% "kafshë politike" e Arsitotelit ose tradhtar me dëmkë-filoserb, që të thuash "le të ikën veriu i Kosovës", kur dihet se atje me shekuj kanë jetuar dhe ende jetojnë shqiptarë autoktonë, atdhetarë dhe patriotë, siç ishte heroi dhe bashkëthemeluesi i Qeverisë së Parë të Shqipërisë Etnike (28 Nëntor 1912), Isa Boletini, i cili Veriun e Kosovës e mbrojti nga të gjitha hordhitë invaduese anadollake dhe serbe. E, sot, kush është ai Hashim që po do t'ia fal Serbisë truallin, shtëpinë dhe varrin e Isa Boletinit së bashku me Veriun e Kosovës? Kjo tradhti nuk duhet lejuar, me asnjë çmim. Nuk falen e as nuk shiten tokat dhe varret e të parëve tanë, të cilët me shekuj kanë flijuar jetët e tyre, që neve të na i lënë trashëgim. Jo, mos e bëni atë tradhti, sikurse që e keni bërë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilat duhet kthyer me çdo kusht nën sovranitetin territorial dhe shtetëror të Shqipërisë Etnike, por JO, JO, kurrsesi, duke falur ose shitur Veriun e Kosovës së Shqipërisë Etnike, sepse kjo është pjesa më vitale dhe më strategjike e gjithë territorit të Shqipërisë Etnike (jo vetëm e Kosovës) si në kuptimin gjeopolitik, ashtu edhe në atë gjeoekonomik ("Trepça" me pasuritë dhe me rezervat e saj të shumta nëntokësore: ari, argjend, plumb, zink dhe bakër), pa të cilin Kosova do të mbetej vendi më i varfër dhe më i izoluar në Ballkan. Prandaj, larg duart nga politika e dështuar e Hashim Thaçit (president i Republikës së Kosovës) dhe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët pa pëlqimin e Amerikës dhe të BE-së po propogandojnë korrigjimin-ndryshimin e kufijve territorialë mes Kosovës dhe Serbisë sipas "formulës gjeometrike": Veriun e Kosovës Serbisë, kurse Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën Kosovës. -Çfarë trapi është ky, fal territor shqiptar, merr territor shqiptar?! Këtë "pazar, pa hanxhiun" në dobi të zgjerimit të territorit të Serbisë nuk duhet pranuar as Amerika e as BE-ja, sepse ky nuk është kurrfarë korrigjimi i kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, por vetëm një humbje e madhe territorit verior të Kosovës si në kuptimin gjeostrategjik, ashtu edhe në atë gjeoekonomik.

ordët e luftës", kriminelët dhe mafiozët milionerë të pasluftës, nuk janë ata që mund t'i zgjidhin problemet e Ballkanit Prandaj, kjo çështje e rëndësishme për bashkëpunimin, për fatin, për koekzistencën, për perspektivën dhe për ardhmërinë e përbashkët të popujve të Ballkanit, nuk do të duhej të lihej në "mëshirën" e liderëve politikë mafiozë, kriminelë dhe korrupsionist të shteteve të Ballkanit, ashtu siç ndodhi në vitet e 90-ta të shekullit XX, të cilët shkaktuan 3 luftëra gjenocidale, duke vrarë miliona njerëz civilë të pafajshëm dhe duke djegur Ballkanin (1990- 1999). Duke qenë se edhe pas përfundimit të luftërave në Ballkan më 1999 (në Kroaci, në Bosnjë, në Kosovë), ende kanë ngelur të hapura dhe për diskutim problemet mes Serbisë, BeH, Kosovës, Shqipërisë, Greqisë, të Qipros, të Malit të Zi dhe Maqedonisë për shkak të kufijve të tyre territorialë të kontestueshëm, që nga Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Ambasadorëve të Londrës (1912- 1913) dhe Konferenca e Paqes e Parisit (1919-1920). Prandaj, është e domosdoshme mbajtja e një Konference Ndërkombëtare për Ballkanin, ku do të merrnin pjesë të gjitha shtetet e Evropës, duke përfshirë edhe Rusinë, të cilat bashkërisht do të merrnin përsipër përgjegjësinë për rregullimin e marrëdhënieve mes shteteve dhe popujve të Ballkanit, që të jetojnë në paqe, të kenë bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë dhe të shëndoshë, ashtu sikurse vendet e Evropës demokratike. Në këtë mënyrë do të duhej të vepronte bashkësia ndërkombëtare, sepse integrimi i vendeve ballkanike në BE (Serbia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia), pa zgjidhjen paraprake të problemeve kontestuese ndërterritoriale, do të ishte gabim i madh dhe i pakorrigjueshëm për BE-në. Fundja, mbajtja e një KONFERENCE NDËRKOMBËTARE PËR BALLKANIN do të ishte në dobi të konsolidimit dhe të ruajtjes së bashkëpunimit multilateral, të pluralizmit ndëretnik, të sigurisë dhe të paqes në rajon si vlera të pacenueshme dhe të domosdoshme të ruajtjes së ekuilibrit të marrëdhënieve në pjesën Juglindore të Evropës. Duhet të nënvizojmë se jo vetëm liderët shqiptarë, por edhe liderët e tjerë politikë të Ballkanit nuk duhet të ngurrojnë, e për më tepër të frikësohen nga ideja e thirrjes së një KONFERENCE NDËRKOMBËTARE PËR BALLKANIN. Kjo është më se e domosdoshme, që si mekanizëm i diplomacisë preventive për parandalimin e shpërthimit të ndonjë konflikti të ri ndëretnik në Ballkan, ashtu sikurse ndodhi në vitet e 90-ta të shekullit, në mungesë të një ndërhyrjeje të tillë diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, procesi i debatimit të sigurisë, të paqes, të bashkëpunimit, të koekzistencës, të kohezionit dhe të ekuilibrit të marrëdhënieve ndërshtetërore të vendeve ballkanike në kuadrin e një KONFERENCE NDËRKOMBËTARE PËR BALLKANIN, domosdo do të ndikonte pozitivisht edhe në sfondin e përgjithshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, qoftë në kuptimin formal, qoftë në atë përmbajtjesor.

Model i një Konference Ndërkombëtare për Ballkanin të jetë KSBE-ja, përkatësisht OSBE-ja Nuk kemi arsye të frikësohemi nga mbajtja e një konference sipas modelit të Konferencës së Sigurisë dhe të Bashkëpunimit Evropian (KSBE), e cila sot njihet me akronimin OSBE, që do të thotë Organizata e Sigurisë dhe e Bashkëpunimit Evropian, e themeluar në kryeqytetin e Finlandës, më 1975, e cila brenda afatit 3-vjeçar (1972-1975) me plot sukses ia arriti që të kontribuonte në ruajtjen e sigurisë, të paqes, të bashkëpunimit dhe të stabilitetit të Evropës. Pra, sa nuk është bërë vonë, Amerika dhe BEja do të duhej që të organizonin një KONFERENCË NDËRKOMBËTARE PËR BALLKANIN (ashtu siç u bë dikur OSBE-ja për Evropën), që ta parandalonin çdo marrëveshje arbitrare dypalëshe të tandemit VuçiqThaçi, kinse për "korrigjimin e kufijve" mes Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot)