Ditëlindja e shtatëdhjetë e OKB-së

Ditëlindja e shtatëdhjetë e OKB-së
  • 27 August 2015 - 09:52

Shkruan: Jeffrey D. Sachs

Azia mbetet pak e përfaqësuar në Këshillin e Sigurimit

Duhet reformuar qeverisja e organizatës

Përfaqësimi joadekuat i Azisë paraqet një kërcënim serioz për ligjshmërinë e OKB-së, që vetëm sa do të shkojë e të rritet, kur regjioni më dinamik dhe më i populluar në botë shkon duke e rritur rëndësinë e rolit të vet global

Kombet e Bashkuara do ta festojnë përvjetorin e shtatëdhjetë, kur liderët botërorë do të takohen në muajin e ardhshëm në selinë në Nju-Jork. OKB-ja, pa dyshim që është një institucion me shumë vlera dhe ka qenë ‘shpikja’ më e rëndësishme politike në shekullin e njëzet, mirëpo edhe marrëveshja më e mirë në botë. Mirëpo, nëse OKB-ja do të vazhdojë për ta luajtur rolin unik dhe vital në botë në shekullin njëzetenjë, ajo duhet të përmirësohet në tri mënyra.

Fatmirësisht, ka shumë gjëra që mund t’i motivojnë liderët botërorë për të bërë gjithçka që është e nevojshme. Në fakt, Kombet e Bashkuara kanë dy fitore të mëdha, të shënuara së fundmi, dhe dy të tjera pritet të korren para fundit të këtij viti.

Triumfi i parë është marrëveshja nukleare me Iranin. Ndonëse nganjëherë keqinterpretohet si marrëveshje në mes SHBA-së dhe Iranit, kjo marrëveshje, në fakt, është në mes Iranit dhe Kombeve të Bashkuara, që janë përfaqësuar nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit (Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja) plus Gjermania. Një diplomat iranian, në përpjekje për ta shpjeguar atë se pse shteti i tij do ta nderojë këtë marrëveshje, e ka theksuar një gjë të rëndësishme: “Si mund të mendoni që Irani mund t’i tradhtojë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, që mund ta caktojnë fatin e shtetit tonë?”.

Programi i Zhvillimit të Mileniumit

Triumfi i dytë është përfundimi i suksesshëm, pas pesëmbëdhjetë vjetësh, i Qëllimit të Mileniumit për Zhvillim, që ka shënuar reduktimin më të madh të varfërisë që është bërë ndonjëherë. Dy sekretarë gjeneralë të OKB-së - Kofi Annan, që e kishte prezantuar programin në vitin 2000 dhe Ban Ki-moon, që e ka vazhduar punën e tij prej vitit 2007, kanë bërë një punë të madhe në realizimin e tij.

Qëllimet e Zhvillimit të Mileniumit kanë shënuar përparim të ndjeshëm në reduktimin e varfërisë, shëndetin publik, regjistrimin në shkolla, barazinë gjinore në edukim dhe në fusha tjera. Që prej vitit 1990 (data e referencës për këto qëllime), shkalla globale e varfërisë ekstreme është reduktuar më shumë se në gjysmë, që njëherësh ka qenë edhe pika kryesore e agjendës së këtij programi.

Të inspiruar nga ky sukses, shtetet anëtare të OKB-së janë të vendosur ta adaptojnë programin e Qëllimeve për Zhvillime të Qëndrueshme, që për qëllim ka përfundimin e varfërisë ekstreme, në të gjitha format e saj, kudo nëpër botë. Ky program mëton edhe zvogëlimin e pabarazive dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së ambientit deri në vitin 2030. Ky, triumfi i tretë i OKB-së për vitin 2015, do të mund të ndihmonte në arritjen e triumfit të katërt: Një marrëveshje globale për kontrollimin e klimës nën rrethanat e favorshme të krijuara nga Korniza e Konventës së OKB-së për Ndryshime Klimatike.

Vlera e saktë e paqes, reduktimit të varfërisë dhe bashkëpunimit për ruajtjen e ambientit, që mund të sigurohen nga OKB-ja nuk mund të llogaritet. Megjithatë, nëse i llogarisim me para, vlera e tyre mund të jetë trilionë dollarë, të paktën disa për qind e GDP-së vjetore të ekonomisë globale, që është 100 trilionë dollarë.

Fondet e pamjaftueshme

Megjithatë, shpenzimi në të gjitha trupat dhe aktivitetet e OKB-së – nga Sekretariati deri tek Këshilli i Sigurimit për operacione paqeruajtëse, përgjigje emergjente ndaj epidemive dhe operacione humanitare për katastrofa natyrore, në vitin 2013 ka qenë 45 miliardë dollarë, apo rreth 6 dollarë për çdo person në planet. Duke marrë parasysh rritjen e bashkëpunimit global, kjo shumë është tepër e vogël.

Duke marrë parasysh këtë, reforma e parë që unë do ta kisha propozuar është rritja e fondeve, ku shtetet me të hyra të larta do të duhej të kontribuonin me të paktën 40 dollarë për kokë banori, shtetet me të ardhura mesatare-të larta me 8 dollarë për kokë banori, shtetet me të ardhura mesatare-të ulëta me 2 dollarë për kokë banori dhe shtetet me të ardhura të ulëta me 1 dollarë për kokë banori. Të gjitha këto kontribute do t’i sillnin OKB-së rreth 75 miliardë dollarë në vit me të cilat do të fuqizohej kualiteti i programeve, duke filluar me këto që janë të nevojshme për arritjen e Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm. Pasi që bota të futet në shtegun e duhur për arritjen e Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm, nevoja për operacionet paqeruajtëse dhe operacionet emergjente do të shënonte rënie dhe katastrofat natyrore do të parandaloheshin në masë të madhe.

Kjo na çon tek ideja e dytë për reforma - të siguruarit që OKB-ja është e gatshme për një epokë të re të zhvillimit të qëndrueshëm. OKB-ja ka nevojë për forcim të ekspertizës në fusha të ndryshme si shëndetësia, sistemi i energjisë së ripërtërishme, dizajni urban, kontrolli i sëmundjeve, risitë teknologjike, partneriteti publiko-privat dhe bashkëpunimi kulturor. Disa programe të OKB-së duhet të bashkohen me njëra-tjetrën, e disa të tjera duhet të mbyllen, ndërsa disa programe tjera duhet të krijohen.

Reforma në qeverisjen e OKB-së

Reforma e tretë duhet ndërmarrë në qeverisjen e OKB-së, duke filluar me Këshillin e Sigurimit, që nuk po i përfaqëson më realitetet gjeopolitike globale. Në fakt, Evropa Perëndimore dhe Grupet e Tjera, tani i kanë tre nga pesë anëtarët e përhershëm (Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja).

Sistemi i rotacionit në Këshillin e Sigurimit nuk e zgjidh çështjen e balancës regjionale. Edhe me dy nga dhjetë ulëset me sistem rotacioni në Këshillin e Sigurimit, regjioni i Azisë dhe Paqësorit është shumë pak i përfaqësuar. Ky regjion përbën rreth 55 për qind të popullsisë në botë dhe 44 për qind të të hyrave vjetore, mirëpo ka vetëm 20 për qind (tri nga pesëmbëdhjetë) ulëse në Këshillin e Sigurimit.

Përfaqësimi joadekuat i Azisë paraqet një kërcënim serioz për ligjshmërinë e OKB-së, që vetëm sa do të shkojë e të rritet kur regjioni më dinamik dhe më i populluar në botë shkon duke e rritur rëndësinë e rolit të vetë global. Njëra nga mënyrat e mundshme për zgjidhjen e këtij problemi do të ishte duke shtuar të paktën katër ulëse për aziatikët: Një ulëse të përhershme për Indinë, një ulëse të përbashkët të Japonisë dhe Koresë Jugore, një tjetër për shtetet e grupit të njohur si Asociacioni i Komeve të Azisë Juglindore dhe një ulëse, me sistem rrotacioni, për shtetet e tjera të Azisë.

Tani, kur OKB-ja po futet në dekadën e tetë, ajo vazhdon të inspirojë humanizëm. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut vazhdon të jetë statut moral në mbarë botën dhe premtim për krijimin e kushteve më të mira për zhvillim global. Megjithatë, aftësia e OKB-së për t’u përballur me sfidat e mileniumit të ri kërkon që shtetet anëtare të jenë të përkushtuara që ta mbështesin organizatën me burime, mbështetje politike dhe reformat, që kërkohen nga epoka e re.

(Jeffrey D. Sachs është profesor i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe i Politikave Shëndetësore)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”