Çka do ta pyesja kryeprokurorin Aleksandër Lumezi po ta kisha përballë?

Çka do ta pyesja kryeprokurorin Aleksandër Lumezi po ta kisha përballë?
  • 21 August 2018 - 07:47
SHKRUAN: SALI HASANI 

Vitin e fundit janë bërë si të rëndomta letrat drejtuar presidentit, kryeministrit, ministrave dhe zyrtarëve tjerë të ndryshëm, duke iu sugjeruar dhe dhënë vërejtje për mënyrën e qeverisjes së Kosovës. Mirëpo, një njeri i spikatur dhe me pozitë të lartë shtetërore, me të cilin, pak kush dhe, gati askush nuk ka bërë një intervistë me të, është kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, nëse nuk gaboj. E di që Aleksandri është njeri i qetë, me një zë pak të shterur, është aq i butë saqë as buburrecat nuk i shkel. Aleksandri e kishte lexuar edhe Lahutën e Malësisë të Gjergj Fishtës, sepse nuk meriton të quhet intelektual as shqiptar ai që nuk e ka lexuar Fishtën. Nga tërë veprat e Fishtës, më së tepërmi i kishin pëlqyer dy vargje: "Por i urti kurrë nuk ngutet, prej burrnie e jo prej tute". Çudi në këto dy vargje, Aleksandri e kishte gjetur veten, por sa i përket vargut të parë jam i pajtimit se Aleksandri kurrë nuk ngutet, flet qetë e ngadalë, bash si burrë i odave tona, mirëpo sa i përket vargut të dytë, fare, ama fare nuk përket me Aleksandrin, sepse ky jo që nuk ngutet prej burrërie, por pikërisht prej tute. Njerëzit tanë kur ta gjejnë hallin, nuk kanë mëshirë, sepse në mes të natës, kur edhe policinë e kishte marrë gjumi, i hyjnë në shtëpi Lumezit dhe ia vjedhin telefonin. Mirëpo Lumezi i urtë, nuk e bëri të madhe këtë punë. Për një telefon nuk bëhet kiameti, por mund t`i ketë mbetur merak ndonjë bisedë ose foto, sesa për telefon, bile as që ish mërzit.

Qëlloi së fundi një prokuror dhe u hap 'Kutia e Pandorës' Një ditë, Enver Hasani ose baba (po çfarë babai ky kur rehat nuk e lënë fëmijët) kishe po e kënaqi, në pikë të ditës e akuzoi Lumezin se nuk e paska provimin e jurisprudencës! O more babë, po ti nuk je më në pushtet, nuk ke çka i bënë Lumezit, se ai ia bën qysh të dojë, e shkruan, e fshin, i mëshon gomë, sepse të mëdhenjtë, kur e kanë dërguar aty, i kanë thënë "ti Lumez rri urtë, se ne ia lidhim kryet kësaj pune" dhe ia lidhën, kurse ishkryetari i Gjykatës Shkretuese mbeti me gojë hapur. Po më kujtohet edhe mua një rasti i tillë, sa isha drejtor i një shkolle fillore në një fshat malor (do të thosha vrima e fundit e kavallit), kur një arsimtar m'i solli dëftesat e klasës së tetë për t'i nënshkruar dhe në njërën nga dëftesat, një note arsimtari i kishte rënë dy herë laps. Unë si axhami, e obligova arsimtarin që ta plotësojë një dëftesë tjetër, kurse baba po kërkon edhe njëherë ta obligojë Lumezin të hyjë në provim të jurisprudencës. Hajt babë hajt, u plake axhami! Po ta kisha kryeprokurorin Lumezi përballë, nuk do ta lëshoja rastin pa ia bërë disa pyetje. Me gjak e fituam lirinë. Dikush thotë se i kemi pasur 16 mijë luftëtarë të UÇK-së, kurse dikush 60 mijë. Dreqi me të birin nuk i bien në fije kësaj pune. E si ta vërtetojnë këtë? Prokuroria duhet të zhvillojë hetime, hajt bela hajt! Kah të sillen i gjuhen Aleksandërit. Po ky Aleksandri që nuk ngutet, jo prej burrnie, por bash prej tute, e di mirë që ne fabrika nuk kemi, industri jo, njerëzit nuk kanë ku të punojnë? Më mirë të marrin nga një rrogë, se sa hiq. Pse të ngutet e t'ua heq njerëzve bukën e gojës? Shihni pra se i urti kurrë nuk ngutet. Ka burra dhe intelektual Kosova, qëlloi së fundi një prokuror dhe u hap 'Kutia e Pandorës'. Po shumë i ranë në qafë Aleksandërit pse e punësoi djalin e vet diku në një gjykatë. O milet, kuptoni se aty ku ka rrjedh uji, rrjedh përsëri, sepse Aleksandri e ka marrë zanatin nga babai, edhe djali i Aleksandërit tani nga babai i tij. Mos po çuditeni që djali i Lumezit ka qenë më i miri. Pse, a mos po kujtoni që i biri i një bujku po del më i mirë? Po kështu kurrë nuk ka ndodhur! Njëfarë Zhuriani, apo Reshat Badallaj, fort bre po i bie në qafë drejtësisë, bile edhe presidentit po i thotë: O Hashim na bëre horë! Disa herë ky Zhuriani shkroi si Devollët importojnë krunde për derra në vend të miellit për njerëz në Kosovë! Edhe ky kërkon nga prokuroria që t'i hetojë këta Devollët. Po, Lumezi nuk hyn në qorr sokak, sepse ndoshta vetë jo, por bile babai i ka treguar se deri në vitin 1970 krejt me bukë kallamboqi jemi rritur, derisa Mareshal Tita na liroi të shkojnë të punojnë nëpër botë. Prej atëherë e dimë çka është buka e grurit. E tash del dikush e ankohet "jo krunde po na sjellin". Nuk ngutet bre Lumezi se, po i nguci Devollët, as 24 orë nuk rri në atë zyrë. Ja pra, i urti kurrë nuk ngutet, veç prej tute. Hiq nuk është mirënjohës ky populli ynë, edhe pse ia qon asfaltin para dere, prapë pyet "ku shkuan 53 milionë euro, pse nuk hetohet rasti"? O njerëz, Lumezi e di këta qeveritarët tanë duhet me i rrit rrogat, me pas pare me ble kollare të bukura, me pushu në vende të mira etj. Edhe me këtë punë me u marrë Lumezi a?

Po ku ka kohë kryeprokurori t'i lexojë 4 letra, me nga 2 rreshta? Kujt t'i teket në mëngjes, qohet e thotë diçka. Kush e shiti rrjetin e KEK-ut për dy km asfalt? Edhe këtë punë ia ngarkojnë Lumezit. E di Lumezi se ne Erdoganin e kemi vëlla dhe vëllai me vëllain nuk shtyhen për pak. Ndoshta Erdogani ka ndonjë vëlla, apo dhëndër dhe e mira kthehet me të mirë e vjen Erdogani i ndërton 500 xhami në Kosovë. Hiq nuk ka se çka merret Lumezi me këtë punë, as mos të ngutet, as të mos tutet. Shumë u bë zhurmë për njëfarë djali të ri, Astrit Dehari, po ja që tash nuk bën zë askush. Pse, a pak ka të rinj Kosova? Bile ai, edhe pak e paska pas me dalë doktor. Edhe kjo punë e madhe, doktorë sa të duash kemi, bile edhe duke shitur kunguj në pazar. Bile për këtë, prokurorin e avancuan dhe e bën prokuror special. Sillen e mbështillen disa njerëz, vërtet të dijshëm, e i mëshojnë drejtësisë. Po i thonë "drejtësi e kapur". Po kush e kapi? Dreqi a i biri tij? Po çfarë drejtësi e kapur? Presidenti ia dërgoi 4 letra Aleksandërit, me nga 2 rreshta, ku përveç të tjerave kërkon të zbardhet atentati ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova. Po ku ka kohë kryeprokurori t'i lexojë 4 letra, me nga 2 rreshta. Ky nuk ngutet. Kaluan 50 vjet e nuk dihet kush e vrau Gjon Kenedin në SHBA, e po ngutet Aleksandri për ta zbuluar kush bëri atentat ndaj ishpresidentit të Kosovës. Në fund, Zoti e mori presidentin e Kosovës, e pse tash ta bartë atë dert kryeprokurori i Shtetit? Aleksandër Lumezi me siguri e ka zyrën e bukur, të rrafshët, ku nuk rrëshqet si deputetët e Kuvendit të Kosovës, për me i ra shoqit me bërryl. As këtu Lumezi nuk ngutet për me rrëshqit, sepse nuk e humb njeriu bukën e gojës për njerëz pa dije dhe pa shkollë. Janë quar vampirë disa njerëz e po kujtojnë që veç. Lumezi është në Kosovë. Lumezi edhe po të mos flejë kurrë nuk mund t'i kryejë gjithë këto punë: Kush e vodhi '3 përqindëshin' e kush fondin "Vendlindja thërret", kush është pasuruar në mënyrë të paligjshme, kush i shiti fabrikat, kush i mori 8 milionë gjatë kohës së luftës e të tjera, kush e shkretoi PTK-në etj.? Kam edhe shumë pyetje e pikëpyetje tjera për kryeprokurorin, por po e përfundoj me kaq dhe me një këshillë për të (sipas vargjeve të Ali Asllanit): Mos u merr ti me këta vagabondë, shakllabanë, me këta batakçinj që për ditë Kosovës gjakun janë duke ia pi. Kjo kohë është e maskarenjve, por Kosova e shqiptarëve. 

(Kosova Sot)