Deri kur pushtetarët do ta mbajnë peng të ardhmen e Kosovës?!

Deri kur pushtetarët do ta mbajnë peng të ardhmen e Kosovës?!
  • 22 August 2018 - 08:12
SHKRUAN: BISLIM ALIU

P a dyshim në këtë kohë, të pakohë, populli gjendet në një gjendje të mjerueshme; politike, ekonomike, sociale, juridike, demokratike…dhe me këtë, në vend se t'i shtohet optimizmi sadopak popullit për një jetë më të mirë, atij gjithnjë po i shtohet pesimizmi se për Kosovën tonë do të bëhet më mirë dhe do të jetohet sadopak më mirë… Gjithsesi ky popull, më optimisti në Evropë, ka pasur një optimizëm të lartësuar, sidomos pas pavarësimit të shtetit, por në tërësi nuk doli ashtu… Ky optimizëm dhe kjo shpirtërore e pakrahasueshme e popullit tonë liridashës, tani dalëngadalë po humbet e po vyshket vazhdimisht. Dhe, këtë gjendje tejet të vështirë, a thua, deri kur ky popull duhet ta përballojë?!

Këta pushtetarë nuk kanë vullnet fare ta ndryshojnë këtë gjendje Politika kosovare nuk është në gjendje, por besa, as që ka vullnet ta ndryshojë duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Dhe, po të kishte vullnet të sinqertë sigurisht se ligji antimafia dhe dekriminalizimi do të duhej që të zbatohej. Por, pushtetarët tanë, nuk hezitojnë që të bëjnë ligje të këtilla, sepse disa pushtetarë, me mizën pas "veshi" frikohen se do të japin llogari për shumë padrejtësi që i bënë këtij populli varfanjak që 20 vjet?! Megjithatë, për këtë gjendje të mjerueshme të popullit, edhe opozita jonë e ka një "hise" të fajit. Sado që ajo është kundër krimit të organizuar e korrupsionit, por edhe kundër këtyre pushtetarëve, disi ata më tepër në formë teorike po kundërshtojnë, por që praktikisht, sikur edhe ata disi po hezitojnë që të bëhet një kthesë rrënjësore që kjo gjendje të përmirësohet? Kanë harruar gati plotësisht që pozita dhe opozita votat i kanë marrë nga populli dhe se ky popull vazhdimisht po pret prej tyre që kjo gjendje të sanohet dhe Kosova të ecë përpara. Por, jo dhe më kot ky popull i lodhur dhe i dërmuar po pret, sikur po pret "Godonë" dhe po pret e kot po pret…

Thaçi në vend se të angazhohet ta zbusë këtë gjendje amullie të popullit, ai me deklaratat e tij e shtoi pesimizmin e popullit në skajshmëri?! Me të vërtetë populli vazhdimisht po pyetet; a thua, deri kur këta pushtetarë do ta mbajnë peng të ardhmen e Kosovës? Dhe, ky mendim i tyre, ka hyrë thellë në shpirtëroren e tyre. Edhe ai optimizmi më i vogël i tyre, se "nesër do të bëhet më mirë", është humbur dhe është venitur tërësisht. Dhe, këtë optimizëm në vend se të shtohet, atë vetëm sa e ka rënduar edhe më tepër presidenti ynë Hashim Thaçi, i cili me deklaratat e tij; shkëmbim territoresh, rishikim të kufirit me Serbinë apo ndarje të Kosovës, tërësisht e ka rënduar të ardhmen e Kosovës?!... Këta politikanë, me sjelljet dhe veprimet e veta, jonjerëzore e joligjore, ndaj këtij populli, po e mbajnë peng të ardhmen e Kosovës. Pra, kjo gjendje e padurueshme është bërë kancer në shpirtin e popullit. E popullit i ka humbur "udha në oborr". Që 20 vjet mjerim, dëshpërim, papunësi, joligjor,jorealitet dhe kurrfarë prosperiteti,janë fakte reale se ky popull mjaft ka duruar dhe se më nuk është i gatshëm që këta pushtetarë t'i durojë më!. Andaj do prosperitet të përgjithshëm të këtij vendi dhe të këtij populli. Popull zgjohu prej gjumit të thellë dhe reago ashpër në mbrojtjen e këtij vendi. Ti je shtylla kryesore e këtij vendi dhe t'i do të pyetesh gjithmonë për Kosovën tonë të dashur. Ka kaluar koha e princërve e pashallarëve dhe e sheikëve kur kanë vendosur për shtetin. T'i vendos për shtetin sot e gjithmonë. Vetëm ty të besojmë…

(Kosova Sot)