Marrëveshja "Zajednica srpskih opstina"- POLITIKE mbi Planin e Ahtisarit dhe mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës!

 Marrëveshja
  • 28 August 2015 - 09:33

Shkruan: Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Barometri diplomatik

Përmes kësaj Marrëveshjeje Serbisë i hapet rruga të kthehet në Kosovë

Kjo Marrëveshje garanton jo vetëm autonomi speciale politike, por edhe territoriale  dhe shtetërore-përligjjen graduale-hap pas hapi të kthimit të sovranitetit kolonial shtetëror të Serbisë në Kosovë, por këtë "kafshët politike" të Aristotelit nuk duan ta kuptojnë, as ta vrasin mendjen, sepse për ta ruajtur pushtetin e tyre nepotist, despotik, oligarkik dhe totalitar neoliberal (natyrisht, duke u shtirur dhe propaganduar para popullit dhe para aleatëve dhe miqve ndërkombëtarë, se "janë djathtistë"), ata edhe kanë "aminuar" një Marrëveshje të tillë, që është "bombë me sahat" për pavarësinë dhe sovranitetin territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës

Pra, ta përfillim këtë vlerësim aksiomatik të nobelistit Albert Einstein, të mos çoroditemi, duke krijuar kulte individësh, heronjsh dhe idhujsh të paqenë; të mos kapemi si zvarranikë për brahima, për isa dhe për hashima..., por për Kombin dhe për Atdheun shqiptar, duke punuar ditë e natë për lirinë dhe për ribashkimin e tij. Kjo është detyra dhe borxhi i çdo patrioti, jo vrapimi pas liderëve politikë, kushdo qofshin ata, s'ka rëndësi fare, që  përfillin vetëm  interesat e tyre të ngushta nepotiste dhe latifundiste (familjare, miqësore, klanore, partiake, ideologjike, mëhallore dhe provincialiste, jo interesin e përgjithshëm të Kombit dhe të Atdheut), si dhe interesat  e huaja kolonialiste dhe neokolonialiste në dëm të interesit të përgjithshëm kombëtar, territorial dhe shtetëror të Shqipërisë Etnike.

- E pranuam, nuk e pranuam, kjo Marrëveshje është vetëm në interesin nacional dhe shtetëror kolonialist dhe neokolonialist të Serbisë, jo të Kosovës, në asnjë mënyrë, sepse, tanimë, që nga  17 shkurti i vitit 2008, kjo është e pavarësuar dhe ka Kushtetutën e vet, nuk i duhet kurrfarë Marrëveshje  shtesë e dakorduar me Beogradin për avancimin e statusit ekzistues të pavarësisë dhe të sovranitetit të saj.

 "ZSO-ja" është e papranueshme, sepse sjell "Republikën Serbe" në Kosovën e Shqipërisë Etnike!

-Pa asnjë dyshim, Marrëveshja e Komunave Serbe është  me përmbajtje politike, jokulturore, as humanitare e as joqeveritare, siç pohojnë disa dashamirë të politikës serbomadhe të Beogradit. Kjo Marrëveshje garanton  jo vetëm autonomi speciale politike, por edhe territoriale  dhe shtetërore - përligjjen graduale - hap pas hapi të kthimit të sovranitetit kolonial shtetëror të Serbisë në Kosovë, por këtë "kafshët politike" të Aristotelit nuk duan ta kuptojnë, as ta vrasin mendjen, sepse  për ta ruajtur pushtetin e tyre nepotist, despotik, oligarkik dhe totalitar neoliberal (natyrisht, duke u shtirur dhe propaganduar para popullit dhe para aleatëve dhe miqve ndërkombëtarë, se "janë djathtistë"), ata edhe kanë "aminuar" një Marrëveshje të  tillë, që është "bombë me sahat" për pavarësinë dhe sovranitetin territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës.

Pse "ZSO" mbi Planin e Marti Ahtisarit?!

Marrëveshje më e leverdishme dhe më dobiprurëse për interesin e minoritet serb në Kosovë, është Plani i Marti Ahtisarit, sipas të cilit edhe fshatrat-enklavat dhe eksklavat serbe të Kosovës janë shndërruar në komuna serbe, që nuk plotësojnë asnjë kusht dhe asnjë kriter ligjor dhe politik elementar, që të kenë cilësinë e komunave. Mirëpo, minoriteti serb këtë e ka dhuratë nga Plani i Ahtisarit dhe nga "grupi i kontaktit" shqipfolës i Kosovës, që pa asnjë vërejtje pranoi këtë Plan për "decentralizimin" territorial të Kosovës (para se kjo të bëhej shtet  i pavarur) me vija ndarëse etnike, në emër të multietnikës dhe të pluralizmit demokratik, që rezervoi të drejtën ligjore dhe kushtetuese që minoriteti serb, të formonte kantonet autonome politike dhe territoriale me kryeqendër  Mitrovicën   Veriore.

Pse tani, edhe një Marrëveshje plus (+) Planit të Marti Ahtisarit për formimin e Zajednicës së minoritetit serb në Kosovë?! –Madje, e firmosur me garancinë e BE-së, që do të thotë të faktorit ndërkombëtar?!

Pse favorizohet Marrëveshja e Beogradit, jo Kushtetuta e Kosovës, e hartuar  në bazë të Planit të Marti Ahtisarit?!

Kjo do të thotë se tani ka ndryshuar "moti" (klima  dhe idili politik), dikush nga faktorët ndërkombëtarë, si duket, "është gabuar" në "llogaritjen algjebrike" të njohjes së pavarësisë së Kosovës, pa marrjen paraprake të "pëlqimit" të Serbisë pushtuese kolonialiste (1912-1999).

Tandemi  politik zyrtar Isa Mustafa (kryeministër) dhe Hashim Thaçi (zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm) të Republikës së Kosovës, me  Marrëveshjen e  arritur  për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë, të dakorduar me palën serbe-kryeministrin e  qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  nën monitorimin e Federica Mogherinit (Përfaqësuese e lartë për  siguri dhe për politikë të jashtme të BE-së), bërë në Bruksel, më 25 gusht 2015, ia hapën rrugën legale  dhe paqësore Serbisë, që pa asnjë "therë në këmbë"( pa dhënë asnjë llogari për kryerjen e gjenocidit në Kosovë(1989-1999), si dhe pa njohjen paraprake të shtetit të ri të pavarur të Kosovës),  të kthehet në Kosovën shqiptare, të larë me gjak dhe me qindra e mijëra viktima shqiptare si shkak dhe pasojë e agresionit dhe e gjenocidit paramilitar, militar dhe policor çetniko-fashist të regjimit të Serbisë së Slobodan Miosheviqit (1989-1999).

Fitore për Serbinë e Vuçiqit dhe të Nikoliqit, jo për Kosovën e pavarur!

Fitore historike për forcimin e Serbisë në Kosovë, dhe për PËRSHPEJTIMIN e hyrjes së saj në Bashkimin Evropian (BE), jo "forcim" i Republikës së Kosovës derisa Beogradi prerazi nuk e njeh Republikën e Kosovës.

Kësaj fitoreje serbe, i gëzohen dhe i duartrokisin vetëm ata që duan ta legjitimojnë, ta rikthejnë dhe ta forcojnë  Republikën e Serbisë në Kosovën e pavarur shqiptare, si dhe t'ia hapin dyert drejt aderimit të saj në BE.

Ja, kjo është "fitorja historike, politike dhe diplomatike" e palës negociuese shqiptare me palën serbe në Bruksel, e kryesuar nga tandemi Mustafa-Thaçi, të cilët nën trysninë e Beogradit agresiv dhe të faktorëve evropianë ndërkombëtarë, përuruan "autostradën"- Beograd-Nish-Podujevë-Prishtinë, që Serbia me trenat, me autobusët dhe me aeroplanët e stolisur me flamurin dhe me stemën shtetërore (SSSS) të etnonacionalizmit dhe të shovinizmit çetniko-fashist barbar anticivilizues, antievropian dhe antishqiptar, sërish, të kthehet lirshëm në vendin e krimeve gjenocidale të saj.

-Ja, ky "është forcimi i Republikës së Kosovës", siç ka deklaruar  në gjendje të "dehur" politike kryediplomati i Kosovës, Hashim Thaçi!

-Ja, ky "është efekti dhe rëndësia historike" e Marrëveshjes së ZSO-së, të nënshkruar nga Thaçi-Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Serbisë!

- Ja, ky "është progresi dhe normalizimi i marrëdhënieve" Kosovë-Serbi, sepse një Marrëveshje të tillë e ka shpikur dhe realizuar vetë Vuçiqi së bashku me presidentin e tij, Tomsilav Nikoliq, që do të thotë se është vetëm në interesin nacional dhe shtetëror të Serbisë, ashtu siç  thuhet edhe në Kushtetutën e Serbisë:"Kosova është Serbi" (2006).

Kjo është arsyeja kryesore, pse Vuçiqi ka pranuar, që t'i  nënshkruante ato pesë (5) Marrëveshjet serbo-kosovare me palën bashkëbiseduese, të kryesuar nga tandemi tragjik politik dhe diplomatik,Thaçi-Mustafa.

Ndryshe, po të ishte Marrëveshja në interesin nacional dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, pala serbe me Vuçiqin në krye, kurrë nuk do të jepte pëlqimin, as nënshkrimin e saj për të, ashtu sikurse që nuk e dha, as në Konferencën e  Rambujesë (mars 1999), sepse ajo nuk ishte në interesin kolonial dhe hegjemonist të Serbisë agresore të Slobodan Milosheviqit, por në favorin e Kosovës së përgjakur nga  terrori, nga gjenocidi dhe nga agresioni pushtues i Serbisë policore, paramilitare dhe militare (1989-1999).

Në vend se  tandemi Isa-Thaçi të turpërohej  para popullit se, ishte i shtrënguar nga Beogradi dhe nga  aleatët e tij evropianë,  të  nënshkruante marrëveshjet e tilla me Beogradin në Bruksel, më 25 gusht 2015, (si Isa, si Hashimi),  kthehen në Prishtinë si  "fitimtarë",  duke u mburrur se gjoja Marrëveshjet e lidhura me palën serbe në Bruksel, "janë historike", e "forcojnë  Republikën e Kosovës" dhe "janë e ardhmja" e fëmijëve tanë dhe "perspektiva  e Kosovës"...etj.!!!

Çfarë mashtrimi dhe çfarë dezinformimi?!

Përkundrazi, këto janë vetëm flluska politiko-propagandistike  të tandemit qeveritar Isa-Thaçi për t'u justifikuar para popullit dhe, për ta mashtruar atë, se gjoja Marrëveshjet e theksuara "janë në të mirë" të  interesit të përgjithshëm të tij dhe të Kosovës.

Mirëpo, kjo nuk  është fare e vërtetë, sepse me Marrëveshjen "Zajednica srpskih opstina" ka fituar vetëm Beogradi dhe minoriteti serb në Kosovë, jo as shqiptarët e as Republika e Kosovës, sepse Kosova ka ligjet dhe Kushtetutën e saj (15 qershor 2008), që garantojnë statusin e saj sovran dhe të pavarur. Si rrjedhim  kjo Marrëveshje vetëm se e dëmton sovranitetin   territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008).

Kjo Marrëveshje është  Platformë strategjiko-politike  afatgjatë serbomadhe, që  i hap rrugën e sigurt  Serbisë të kthehet në Kosovë, ose të formojë një minishtet të ri serb në Kosovë sipas modelit të "Republika Srpska" në Bosnjë, as më pak e as më shumë.

Ndryshe, sikur kjo Marrëveshje të kishte qenë në favorin  e fuqizimit dhe të njohjes së shtetësisë dhe të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq nuk do të pranonte ta nënshkruante atë, e as serbët në Mitrovicën e ndarë Veriore nuk do të dilnin nëpër rrugë për ta përshëndetur arritjen e saj në Bruksel, më 25 gusht 2015. Por, do të ndodhte e kundërta, do të dilnin në protesta, jo vetëm "doshlakët" kolonë serbë në Kosovë, por të gjithë serbët në Beograd, në Kragujevc, në Nish, në Krushevc, në Kralevë, në Kurshumli, në Novi-Sad etj.

Historia e derisotme e marrëdhënieve serbo-shqiptare  ka provuar se, serbomëdhenjtë e Beogradit zyrtar arrijnë gjuhë të përbashkët politike dhe diplomatike me përfaqësuesit  e Tiranës zyrtare, vetëm në ato raste kur  merren vendime historike dhe politike në dëm të interesave kombëtare dhe shtetërore të Shqipërisë Etnike, duke përfshirë edhe Kosovën si pjesë të saj të pandashme.

Mirëpo, kjo politikë antishqiptare serbomadhe, tradhtarëve dhe kolaboracionistëve filosllavë nuk u ka penguar asnjëherë, gjatë tërë historisë së derisotme të Shqipërisë.

Këtë e provon edhe rasti më drastik antikombëtar dhe antishtetëror  i ndërhyrjes së "7000-8000" forcave puçiste zogolliste së bashku me forcat terroriste mercenare  ushtarake ruso-serbe të Serbisë së kryeministrit Nikola Pashiq në përmbysjen e qeverisë demokratike të Shqipërisë me Fan S. Nolin kryeministër (1924).

Sa më sipër, po përsëris (ngaqë për këtë problem politik serbo-shqiptar kemi shkruar që nga përfundimi i luftës në Kosovë), sikur Marrëveshja e trojkës Vuçiq-Isa-Thaçi, të kishte qenë vetëm 1% në favorin e interesit nacional dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, Beogradi  nuk do ta miratonte kurrë, por do ta refuzonte sikurse Marrëveshjen e Rambujesë (mars 1999), e cila ishte në favorin e Kosovës.