Refugjatëve duhet t’ua sigurojmë një strehë

Refugjatëve duhet t’ua sigurojmë një strehë
  • 28 August 2015 - 09:45

Shkruan: John Lloyd

BE-ja përballet me sfida në krizën e imigrantëve

Kjo valë e madhe e refugjatëve ka shkaktuar tensione politike

Disa vende kanë qenë shumë më bujare se disa vende të tjera. Gjermania dallohet që ka marrë 43 për qind të të gjithë migruesve të këtij viti, mirëpo Qeveria gjermane ka paralajmëruar që nuk mund të vazhdojë me këtë trend përgjithmonë

Bashkimi Evropian ka përjetuar tri tronditje sistematike, gjatë pesë viteve të fundit. Tronditja më ekzistenciale është kriza e euros, ndërsa më tinëzarja është pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Mirëpo, më e rënda në aspektin emocional dhe më sfiduesja është vala e fundit e migrimit nga jugu dhe lindja, me njerëz që ikin nga varfëria, shtypja dhe lufta.

Edhe kriza e euros sikurse veprimet e Rusisë në Ukrainë e cenojnë zhvillimin e BE-së. Valuta e përbashkët, për qëllim ka pasur hapjen e rrugës për politikë të përbashkët, që do të ishte një hap i madh drejt arritjes së Shtetit Evropian, që më vonë kishte dalë të jetë një hap shumë i madh.

Sfida ruse ka qenë një kundërpërgjigje për atë që presidenti Vladimir Putin insiston ta quaj projekt perandorak për dorëzimin dhe shtypjen e Rusisë. Si kundërpërgjigje, ai ka aneksuar Krimenë në Ukrainë dhe ka mbështetur rebelët pro-rusë, që janë duke zhvilluar luftë të nivelit të ultë në regjionin lindor të Ukrainës, në Donbas. Armëpushimi, për momentin, duket të jetë shumë i brishtë dhe afër përfundimit.

Kriza e imigrantëve është më ndryshe. Numri i madh i imigrantëve është vështirë të ekzagjerohet. Refugjatët po largohen nga luftërat në Siri e Libi, shtypja në Eritre dhe varfëria në shtetet e Saharës. Ata po udhëtojnë drejt Evropës nëpërmjet Mesdheut, duke zbarkuar kryesisht në dy vende, që nuk janë të pajisura mirë, për të qenë në gjendje t’iu ndihmojnë: në Greqi dhe Itali, meqë këto dy vende po vuajnë nga papunësia dhe ekonomitë e brishta. Rreth 70.000 imigrantë kanë zbarkuar vetëm në Itali gjatë këtij vitit dhe shumica e tyre kërkojnë kushte më të mira, në një treg më të përshtatshëm të punës. Ishulli grek, Kosi, që gjendet në afërsi të Turqisë, nga ku shumë imigrantë nisen drejt vendeve të tjera të Evropës, është mbushur në masë të madhe, duke bërë autoritetet lokale ta kenë shumë të vështirë të përballen me këtë numër të madh.

Ndërtimi i murit në kufirin Hungari - Serbi

Kjo valë e madhe e refugjatëve ka shkaktuar tensione politike përgjatë kontinentit. Matteo Salvini, lideri i partisë së djathtë ekstreme Lega në Itali, që ka përfituar simpatizues si rrjedhojë e krizës, i është vërsulur qasjes së Vatikanit në lidhje me imigrantët. Teksa ka reaguar ndaj fjalimit të Papa Françekut, që ka thënë se dëbimi i imigrantëve është krim, ai ka thënë: “Krim? Jo, është detyrë!”.

Barriera të reja duket se janë vendosur gjithkah. Vala e migruesve në Hungari, që vijnë nga Serbia fqinje, është kundërpërgjigjur nëpërmjet ndërtimit të një rrethoje të dyfishtë, njëra e ndërtuar me tel e tjetra me mur të lart, përgjatë gjithë kufirit në mes dy shteteve. Janos Lazar, shef i stafit të kryeministrit hungarez, Victor Orban, më herët gjatë kësaj jave ka thënë: “Kërkesat për pranim në territor, nga njerëzit që më pas kërkojnë të përfitojnë nga sistemi i azilit në BE janë në rritje, edhe agresiviteti është duke u rritur”.

Migruesit janë agresivë në përpjekjet e tyre për t’u futur brenda, sepse asgjë tjetër nuk mund t’iu ndihmojë. Britanikët kanë paguar për rrethoja për t’i mbajtur jashtë migruesit që gjenden në Kalai, që mundohen të futen në Britani nëpërmjet Kanalit dhe kamionëve dhe trenave. Më herët, gjatë kësaj jave, ministrat e brendshëm të Francës dhe Britanisë e kanë paralajmëruar një qendër për kontrollim të përbashkët në Kalai të Francës.

Pjesë e marrëveshjes është edhe sigurimi i akomodimit më të përshtatshëm, që po shihet si një përpjekje e britanikëve për t’i joshur migruesit që të qëndrojnë në Francë e të mos mundohen që të dalin në Britani.

Edhe SHBA-ja refuzon imigrantët

Imigrimi është toksik në Bashkimin Evropian, mirëpo nuk ka monopol në këtë çështje. Shtetet e Bashkuara historikisht njihen si vendi mirëpritës për të varfrit dhe të shtypurit, tani duket se kanë lëvizur nga ai qëndrim. Mbështetësit republikanë të sotëm, me shumicë, besojnë që imigrantët janë barrë për vendin e tyre, ndërsa as demokratët nuk e mohojnë këtë gjë.

Politikanët, përveç atyre që e pranojnë rolin e tribunave anti-imigrimit, janë zënë në mes të migruesve të dëshpëruar dhe pakënaqësisë së qytetarëve të tyre. Disa vende kanë qenë shumë më bujarë se disa vende të tjera. Gjermania dallohet që ka marrë 43 për qind të të gjithë migruesve të këtij viti, mirëpo Qeveria gjermane ka paralajmëruar që nuk mund të vazhdojë me këtë trend përgjithmonë.

Evropa nuk do të bëhet më mikpritëse sesa që është. Përkundrazi, ka shumë mundësi që ajo të bëhet më pak mikpritëse sesa që është sot. Burrat e gratë, që vijnë nga zonat e konfliktit, nuk do të bëhen më pak të përkushtuar për ta kërkuar një të ardhme më të mirë. Dhe, grupet ekstremiste nuk do të ndalojnë së përpjekuri për ta destabilizuar Evropën nëpërmjet valëve të migrimit.

Andaj, shpresa që kriza e migruesve do të shuhet, apo do të mbahet në këtë gjendje pafundësisht, është një shpresë e pavend. Guri do të forcohet!

Duhet një zgjidhje më radikale

Këto rrethana na bëjnë të mendojmë për zgjidhje më të gjera e më radikale. Ekonomisti i Oksfordit dhe specialisti i çështjeve afrikane, Paul Collier, së fundmi ka propozuar ndërtimin e më shumë kampeve, bashkë me sigurimin e punës për imigrantët. Ideja e tij është në drejtimin e duhur.

Kombet e Bashkuara duhet ta rrisin punën e mirë, që po bëhet nga Komisioni për Refugjatë. Ky institucion duhet të identifikojë zona të mëdha, ku imigrantët mund të jetojnë dhe të punojnë, duke e ruajtur kombësinë. E, kur t’iu jepet leja e qëndrimit, pa afat, këta imigrantë do ta kenë mundësinë që ta marrin nënshtetësinë e vendeve ku vendosen. Këto zona do të ishin, me shumë gjasë, boshe dhe jofitimprurëse, mirëpo qëllimi i OKB-së duhet të jetë që ato të jenë të përshtatshme për jetesë.

Propozimi ka shumë probleme e gabime: ky propozim është po konsiderohet si i mundshëm vetëm, sepse vazhdimi i kësaj gjendje është i pamundshëm. Ky është një lloj plani i vështirë për t’u realizuar, mirëpo është plan që do t’i bashkonte kombet për ta ofruar ndihmën e nevojshme.

(John Lloyd është bashkëthemelues i Institutit ‘Reuters’ për Studime në Gazetari në Universitetin e Oksfordit, ku është edhe zyrtar i lartë për kërkime shkencore. Lloyd ka shkruar edhe disa libra, përfshirë këtu edhe “Çka po i bën media politikës së sotshme”. Ai është edhe redaktor në ‘Financial Times’.)