Me shumë gjasë nuk do ta mposhtë Clinton-in

Me shumë gjasë nuk do ta mposhtë Clinton-in
  • 30 August 2015 - 10:49

Shkruan Dana Milbank: Kandidatura e Biden-it do të shërbejë i “kalë gjahu”

Demokratët duhet të zgjerojnë listën e kandidatëve

Termi ‘kalë gjahu’ daton qysh para 500 vjetësh, nga koha kur gjuetarët ishin fshehur prapa kuajve për t’iu afruar presë së tyre. Në politikë, ky term i referohet kandidatit që e tërheq vëmendjen nga një kandidat tjetër, duke i dhënë mundësi të tretit që të përfitojë nga kjo situatë

 

 

Joe Biden, edhe nëse vendos që të kandidojë për president, me shumë gjasë nuk do ta mposhtë Hillary Clinton-in. Në të kaluarën ai nuk ishte dukur si kandidat potencial për president, ndërsa edhe tani nuk është se ka ndonjë shteg të sigurt se i do ta fitojë nominimin e Partisë Demokratike. Megjithatë, ai duhet të kandidojë.

Ai është një kalë gjahu, kandidimi i të cilit do ta dridhte garën, duke i ulur barrierat për kandidatët tjerë, që mund të jenë në pozicion më të mirë të veprimit, e që ende nuk kanë vendosur që t’i bashkohen garës. Kjo gjë do t’i shtonte edhe më shumë dramë garës në Partinë Demokratike: Gara do të mund të nxirrte ndonjë kandidat më të mirë se Clinton-i ose do t’i jepte një shtytje më të madhe Clinton-it drejt marrjes së nominimit, me opsionin e dytë që është dukshëm më i mundshëm.

Termi ‘kalë gjahu’ daton qysh para 500 vjetësh, nga koha kur gjuetarët ishin fshehur prapa kuajve për t’iu afruar presë së tyre. Në politikë, ky term i referohet kandidatit që e tërheq vëmendjen nga një kandidat tjetër, duke i dhënë mundësi të tretit që të përfitojë nga kjo situatë. Për t’i ndryshuar metaforat, futja e Biden-it në garë do t’i bindte aspiruesit e tjerë që ‘uji është i qetë’, duke ua hequr frikën që një kandidim i mundshëm do të mund t’ua përfundonte karrierën.

 

 Ndryshimi i kalkulimeve

Si rrjedhojë, futja e Biden-it në garë për nominim do ta bënte garën më atraktive për një mori demokratësh, shumica prej të cilëve kanë deklaruar që nuk do të kandidojnë e disa madje e kanë mbështetur Clinton-in. Që të gjithë kanë shumë pak gjasa dhe shumica do të kishin dështuar, tmerrësisht madje. Mirëpo, një kandidim i Biden-it, të paktën, do t’i ndryshonte kalkulimet e tyre.

Të nominuarit e mëhershëm Al Gore ose John Kerry do të mund t’i futeshin garës, duke e vërtetuar teorinë e Mo Udall-it që kishte thënë se ambiciet presidenciale mund të kurohen vetëm nëpërmjet lëngut balsamues. Mike Bloomberg do të mund t’i ribashkohej partisë dhe do t’i kishte futur në përdorim miliardat e tij. Elizabeth Warren, Sherrod Brown dhe Bill de Blasio do të mundë t’i rishqyrtonin mundësitë e tyre për kandidim.

Kandidatët e rinj si puna e sekretarit për zhvillim urban, Julian Castro apo senatorit Cory Booker do të mund të kishin sjellë shumëllojshmëri racore dhe etnike në garë, gjë të cilën do të mund ta bënte edhe ish guvernatori i Masaçusetsit, Deval Patrick. Të gjithë votuesit potencialë, që janë të ngazëllyer nga fakti që Clinton-i do ta bëjë historinë si femra e parë që do të futej në Shtëpinë e Bardhë në cilësinë e presidentes, do të mund të rreshtoheshin prapa Amy Klobuchar-it apo Kirsten Gillibrand-it.

Në mesin e guvernatorëve, që do të mund t’i rishqyrtonin mundësitë e tyre janë guvernatori i Kolorados, John Hickenlooper, ai i Nju-Jorkut, Andrew Cuomo, ish-guvernatorët e Virxhinias, Tim Kaine dhe Mark Warner dhe ish-guvernatori i Montanës, Brian Schweitzer.

 

A ka kohë për ardhjet e reja?

Është pak vonë për ardhjet e reja, megjithatë nuk është tepër vonë: një analizë e bërë nga ‘CBS News’ ka treguar që nga afro 770 mbledhësit e mëdhenj të fondeve për Obama-n në vitin 2012, vetëm 51 janë përkushtuar që të mbledhin para për Clinton-in. Gjithashtu, kandidatët e rinj do të ishin tamam në kohë sa i përket sezonit të debateve, që fillon më 13 tetor në Nevada, për t’u ndjekur nga debatet tjera në nëntor, dhjetor e janar, me dy të tjera në shkurt e mars.

Për më tepër, po vërehet një lloj dëshire e zjarrtë për alternativa në mesin e demokratëve, gjë që është dëshmuar edhe nga numri i madh i përkrahësve të Bernie Sanders-in, i cili është një socialist që është afro 74-vjeçar.

Demokratët janë të kënaqur me Clinton-in: në sondazhin e fundit të bërë nga ‘The Washington Post’/‘ABC News’, 72 për qind e votuesve demokratë kanë thënë që janë të kënaqur me mundësitë që kanë për t’i zgjedhur kandidatët, ndërsa 24 për qind kanë qenë shumë të kënaqur. Megjithatë, kjo gjë ka qenë edhe më mirë në të kaluarën, meqë në vitin 2007, 83 për qind e demokratëve kanë qenë të kënaqur dhe 33 për qind kanë qenë shumë të kënaqur.

Gjithsesi, kënaqësia e votuesve me të do të mund të venitej për shkak të vazhdimit të problemeve me serverin e e-mail-eve të saj. Ajo pritet të dëshmojë më 22 tetor para komitetit në lidhje Benghazin, që ka gjeneruar shumicën e çështjeve në lidhje me këtë temë. Departamenti i Shtetit pritet t’i nxjerrë emailet e saj tjera gjatë pjesës së mbetur të vitit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e emaileve të saj pritet që të analizohen, për të parë nëse ka pasur informacione të klasifikuara. Clinton në fillim kishte thënë që nuk e kishte përdorur emailin e saj privat për të dërguar apo për të pranuar emaile të klasifikuara, megjithatë këtë deklaratë më vonë e ka ndryshuar duke thënë që në asnjërën prej emaileve të saj nuk kishte shkruar ‘e klasifikuar’.

Edhe nëse ajo nuk ka bërë ndonjë gjë ilegale, potenciali për ta dëmtuar Clinton-in vazhdon të jetë i lartë. Mirëpo, ekziston një gjë që do të mund ta largonte vëmendjen nga saga e e-mail-eve dhe do të injektonte energji në garën presidenciale të Partisë Demokratike: Natyrisht, një kalë gjahu.

 

(Dana Milbank është kolumnist në ‘The Washington Post’)