Si e durojnë shqiptarët regjimin kriminal të politikës dhe të drejtësisë?!

Si e durojnë shqiptarët regjimin kriminal të politikës dhe të drejtësisë?!
  • 12 September 2018 - 08:10
SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI 

Pas vetërënies së komunizmit në Shqipëri, komunistët e "vërtetë", pra ata më servilë dhe më të paturp, ata më bastardët, u shndërruan në demokratë. Këta dhe pinjollët e tyre e kapën dhe e privatizuan edhe pluralizmin, edhe demokracinë, edhe politikën, edhe pushtetin, edhe shtetin, edhe biznesin, edhe pasurinë, edhe drejtësinë, dhe për pasojë bënë të mundur instalimin e një regjimi politik e juridik korruptiv e të kriminalizuar të atyre përmasave saqë edhe ndërkombëtarët: SHBA, BE dhe VETTINGu i imponuar prej tyre e kanë të vështirë për ta çmontuar këtë sistem degjenerativ krimi e korrupsioni. Dhe më në fund me gjithë këtë angazhim ndërkombëtar për të mirën e shqiptarëve, shqiptarët nuk reagojnë, por rrinë indiferent dhe as nuk lëvizin, nuk protestojnë kundër këtij sistemi, por vetëm durojnë, rrinë dhe presin nga të tjerët dhe madje gjejnë edhe rrugën më të shkurtër për t'u shpëtuar padrejtësive të sistemit: atë të eksodit, të largimit nga atdheu.

Vjedhja dhe hajdutëria
Kjo gjendje dhe ky realitet i rëndë që ka precipituar si i tillë ku nuk ka ku të shkojë më keq e më poshtë u bë edhe me "miratimin" në heshtje edhe të Perëndimit, te cilit nuk i interesonte shumë demokracia në Shqipëri. Nuk është e vërtetë se ata, pra europerëndimorët, gjatë këtij tranzicioni ndjenë dhembshuri për ato se çfarë kishin vuajtur e pësuar shqiptarët nën regjimin komunist. Nuk mund ta shfajësojnë veten e tyre perëndimorët vetëm me "këshilla" e vërejtje për politikën shqiptare për mosrealizim standardesh demokratike, për mossundim të ligjit, për mosintegrimin e shqiptarëve në Evropë, pasi janë ata perëndimorët të cilët ua krehën bishtin, i njohën, dialogonin e komunikonin diplomatikisht, moderatorikisht dhe "demokratikisht" me ishkomunistët e pasuesit e tyre në pushtet e në politikë, me politikanët dhe me këtë farë elite politike shqiptare gënjeshtare, hipokrite, mashtruese dhe të korruptuar e të kriminalizuar. Po të këmbëngulnin seriozisht perëndimorët dhe demokracitë e politika e tyre, nuk do të ishte tejzgjatur kaq pafundësisht ky farë i ashtuquajturi tranzicion traumatik në Shqipëri, nuk do të kishte pasur asnjë ditë jetë ky sistem politik dhe juridik i kriminalizuar në Shqipëri. Kjo për faktin se perëndimi e di shumë mirë se në duart e kujt ra demokracia, politika dhe shteti shqiptar pas vetërënies së komunizmit. Kjo ndodhi pasi perëndimit këto vite tranzicioni në Shqipëri, atyre u ka interesuar vetëm stabilokracia në Shqipëri , edhe po qe se ky stabilitet vendosej e sundohej nga krimi e korrupsioni, nga autokratët dhe nga hajnia e papërgjegjshmëria e politikanëve shqiptarë, nga vjedhja dhe hajdutëria, nga papërgjegjshmëria dhe amoraliteti politik, pra nga regjimi politik pluralist i kriminalizuar dhe i korruptuar. 

Fizionomia kriminale e politikës
Nuk patën shqiptarët përkrahje të vërtetë dhe serioze nga Perëndimi dhe vetëm kur perëndimorët u bindën se në çfarë gjendje të mjerueshme e të rëndë sociale, politike, demokratike dhe sidomos kriminale dhe padrejtësie erdhi dhe u përkeqësua vazhdimisht Shqipëria, e cila nuk kishte rrugëdalje nga politika shqiptare e krimit dhe e korrupsionit, atëherë, por me shumë vonesë ndërhyri Perëndimi për miratimin e VETTING-ut, si i vetmi mjet për ta çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nga kthetrat e kësaj politike dhe të kësaj drejtësie të kriminalizuar e të korruptuar, hajdute dhe të papërgjegjshme. Pra, ky regjim politik e juridik kriminal e korruptiv i tranzicionit në Shqipëri vetëm sa ua shtoi stresin, vuajtjet dhe padrejtësitë shqiptarëve. Fatkeqësisht po kjo ndodhi edhe në shtetin e Kosovës si kopje e njëjtë politike, juridike, krimi dhe korrupsioni ashtu si në Shqipëri dhe po ashtu edhe shqiptarët në Kosovë kanë pasuar e vuajnë po të njëjtat pasoja. Shqiptarët vuajnë dhe e pësojnë pra akoma edhe sot prej padrejtësive. Padrejtësitë në Shqipëri e Kosovë janë gjithfarëshe si padrejtësi politike, ekonomike, sociale, administrative, intelektuale, pronësore, juridike, arsimore, shëndetësore etj., pra vuajnë prej regjimit politik antipopullor e kriminal. Pa marrë parasysh se cili krah politik e klanor vjen dhe qeveris Shqipërinë apo edhe Kosovën, fizionomia kriminale e politikës dhe keqfunksionimi i shtetit vetëm sa janë perfeksionuar vazhdimisht. Prej këtyre padrejtësive stresante dhe depresive, prej këtyre padrejtësive të pabarazive dhe prej krimit e korrupsionit gjithfarësh, shqiptarët largohen nga atdheu në rastin më të parë që u krijohet mundësia. Problemi më i madh që diskutohet sot ndër shqiptarët është si të largohen nga Shqipëria, sepse e kanë humbur shpresën në Shqipëri. Eksod ka edhe në vende të tjera të Afrikës e Lindjes së Mesme, por atje problemi i eksodit ka të bëjë me konfliktet dhe me luftërat civile, ndërsa në Evropë janë shqiptarët ata të cilët largohen nga atdheu vetëm prej keqpolitikës dhe prej pushtetit e qeverisjeve injorante, të korruptuara dhe të kriminalizuara, të cilat u shkaktojnë shqiptarëve padrejtësi, papunësi, varfëri, vjedhje dhe korrupsion, duke grabitur pushtet, pasuri e para dhe që e mbajnë të pazhvilluar ekonomikisht vendin, si dhe nuk punojnë për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, të mirëqenies e të sigurisë. Pra, duke u ndalur vetëm në këtë aspekt: të largimit të shqiptarëve nga atdheu, ky fakt më jep të drejtën e emërtimit të këtij titulli të këtij shkrimi se përse duhet ta durojnë shqiptarët këtë regjim kriminal të politikës dhe të drejtësisë, si pasojë e të cilit, e këtij regjimi tipik të tillë antipopullor, kriminal dhe korruptiv dhe prej një drejtësie të tillë po të kriminalizuar e të korruptuar qytetarët shqiptarë detyrohen ta braktisin akoma edhe sot atdheun, madje deri në një masë të tillë sa që ua kalon edhe vendeve, të cilat janë përfshirë në konflikte e luftëra civile.

(Kosova Sot)