Rrjedhje nga "kazani politik" i Thaçit dhe Vuçiqit

Rrjedhje nga
  • 12 September 2018 - 08:12
SHKRUAN: MR.SC.YMRET RESHITI

Vizita e Vuçiqit në Kosovës ishte vizitë tepër simbolike për Ballkanin dhe Evropën. Ishte prelud politik para "finales së madhe" për fatkeqësi të reja për kosovarët. Historia na ka mësuar se çdo ardhje e zyrtarëve të lartë serbë në Kosovë me simbolika e fjalime epike - shoviniste kanë pasuar me kërcënime për tragjedi të reja për shqiptarët. Jo rastësisht zgjedhën lokalitetet ku nuk banojnë njerëz dhe si për koincidencë fillojnë me fjalën "GAZI" për të shpalosur projektet e tyre luftënxitëse. Dikur Millosheviqi zgjodhi Gazimestanin për ta mbajtur fjalimin e tij "epik" që solli përgjakjen e popujve jo serb të Ballkanit. Tani presidenti Vuçiq, si ish-ministër i Millosheviqit, e zgjodhi Gazivodën për t'iu drejtuar serbëve anë e këndë Kosovës me fjalimin e tij epik dhe shovinistë. Vuçiqi nuk harroi që të evokojë nostalgji për shefin e tij Millosheviçin, duke treguar se i mbetet besnikë qëllimit të shefit të tij sa i përket Kosovës, veçse ky ka ndryshuar metodat. Qytetarët shqiptarë mbetën të vetmuar në shqetësimin e tyre, kur dikush nga Serbia erdh në shtëpinë e tyre dhe iu kërconi paqen, lirinë dhe sigurinë, bile, pa iu dridh qerpiku. Vizita e Vuçiqit në Kosovës tha shumë të pa thëna, të cilat nuk u thanë deri më tash, dhe zbuloi shumë të panjohura rreth idesë për "korrigjim kufijsh". Ka mbetur që të mësojmë vetëm të "papriturat" që do të mund të na sjellë ideja e "korrigjimit të kufijve", të cilat do t'i mbajmë mend vetëm nëse ia arrijmë të mos shpërfytyrohemi si shtet!

Autorësia e idesë
Të gjitha pyetjet e ngritura rreth idesë për "korrigjim kufijsh", të cilat për javë të tëra mbetën pezull, pa marrë përgjigjën e Thaçit, tani morën përgjigje nga Vuçiqi. Thaçi e trumbetonte si ide të tij personale "korrigjimin e kufijve" përmes së cilës psikikisht na terrorizonte se është e vetmja "ide shpëtimtare për Kosovën". Vuçiqi bëri hapin gjigant pse guxoi ta "tradhtojë" mikun e tij, Thaçin, kur tha se: "Gjermania dhe shqiptarët nuk po më lejojnë që të realizojë idetë e mia" për korrigjim kufijsh". Vuçiq veç sa na vërtetoi dyshimet tona mbi autorësinë e idesë për " korrigjim kufijsh" se kjo ide kurrë nuk ka qenë e Thaçit. Me këtë pohim Vuçiqi hodhi dritë mbi të vërtetën se ideja për "korrigjim kufijsh" është pronë autoriale e Vuçiqit dhe Putinit", ndërsa Thaçi është vetëm "plagjiat" dhe argat. Këtë ide për korrigjim kufijsh Thaçi ka mundur të dëgjojë vetëm në bisedë sekrete me Vuçiqin dhe jo ma herët. Se çka në të vërtetë nënkupton "korrigjimi i kufijve" asnjëherë nuk na sqaroi presidenti Thaçi, duke e lënë enigmatike dhe me shumë hamendësime njohurin për këtë ide. Por Vuçiqi nuk ngurroi të na njohë me kuptimin se çka do të thotë "korrigjim kufijsh", sikur krijon përshtypjen se ka ardhur edhe për të na dhënë të gjitha përgjigjet që nuk po i jep presidenti ynë, Thaçi. Sipas tij, kjo nuk është asgjë tjetër veç një dëshirë e tij kamotshme për shkëmbim territoresh, të cilën në Serbi e promovoi para ca muajve në "dialogun monoton serbe për Kosovën". Ky shkëmbim do të përfshinte bashkimin me Serbinë të 4 komunave me shumicë serbe në veri, të cilat 90 % janë të banuara me serbë etnikë dhe bashkëngjitjen e disa fshatrave të Luginës së Preshevës me Kosovën. Bile, për të bërë më të qartë këtë pretendim e tij, itinerari i vizitës së Vuçiqit ishte simbolik, përmes të cilit ai vizatonte kufijtë e territorit të Kosovës që do t'i bashkëngjiteshin Serbisë. Me u shpreh popullorçe, ai erdh për t'i shënjuar "mezhdat" e kufijve të territorit të Kosovës që Serbia do ta marrë me marrëveshjen me Thaçin.

Presidenti ynë na ka ofenduar rëndë inteligjencën tonë si qytetarë
Për javë të tëra Thaçi akuzoi opozitën, analistë e pavarur, shoqërinë civile dhe 90 % të qytetarëve të Kosovës si pro serbë dhe pro rusë, të cilët kinse po dëshirojnë ta ndajnë Kosovën gjersa ai po angazhohet për "bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën "! Gjarprit i ra lëkura. Tani kush po del të jetë më pro serbët dhe pro rusët që po kërkon ndarjen e Kosovës ma shumë se vetë Thaçi me grupin e tij mercenar. Ca analistë të "pavarur" portalista, të paguar nga Thaçi për promovim të idesë së tij dhe një TV që është shndërruar në megafon të Thaçit, nuk përfaqësojnë asgjë më shumë se një zë qyqar të braktisur nga arsyeja, nga populli dhe nga miqtë ndërkombëtarë. Të vetmit që e mbështesin këtë zë qyqar janë Serbia, Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Kuba, Etiopia dhe Dobrica Qosiqi. Presidenti ynë na gënjeu duke prezantuar si "ide të veten" një ide serbo-ruse, ndërkohë që kërkon që t'i besojmë se kjo ide është e dobishme për të ardhmen tonë. Presidenti ynë na gënjeu duke prezantuar shkëmbimin e territoreve të Kosovës me Serbinë si ide për "bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën", pa dhënë asgjë Kosova. Presidenti ynë na ka ofenduar rëndë inteligjencën tonë si qytetarë, ndërkohë që kërkon që t'i besojmë se kjo ide është e dobishme për të ardhmen tonë. A mund t'ia besojmë këtij presidenti të ardhmen tonë? A duhet t'ia besojmë këtij presidenti udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë, meqë në këto "bisedime finale" është në pyetje e ardhmja jonë?! 

Përzgjedhja e negociatorit
Në fjalimin e tij epik shovinist, Vuçiqi nuk harroi të na përkujtojë refrenin e famshëm të zyrtarëve të lartë serbë: "Kurrë nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës". Veçse kësaj here shkoi edhe më larg, kur tha se nuk "takohem me Fatmir Limën në bisedime". Kjo na lë për të nënkuptuar se Vuçiqi do të jetë gjithmonë i gatshëm të bisedojë vetëm me mikun e tij, Hashim Thaçin", sepse sipas tij Thaçi është "politikan më i mirë se ai". Një deklarim i tillë i Vuçiqit i ka dhënë avantazh diplomacisë kosovare për kërkuar nga Bashkimi Evropian lehtësime në integrimet evropiane, duke denoncuar Serbinë se është kundër dialogut për normalizim të raporteve me Kosovën. Kohë më parë, Vuçiqi e ka urryer presidentin Thaçi, si ndryshoi aq shumë saqë për të Thaçi është njeriu ma i vlefshëm i Kosovës për të biseduar? Këtë tani e kuptuam edhe ne, pa pasur nevojë të na tregojë as Thaçi. Fatbardhësisht për ne, pati rrjedhje në "kazanin politik" të tandemit Thaçi -Vuçiq. 

(Kosova Sot)