Si mund të bëhet i besueshëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli?

Si mund të bëhet i besueshëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli?
  • 13 September 2018 - 08:29
SHKRUAN: ENVER BYTYÇI

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ishte dje për vizitë në Tiranë. Ai u takua me disa personalitete të Shqipërisë dhe përsëriti kudo tezën se "Kosova është shtet i pavarur e sovran, askush nuk mund ta dëmtojë atë, askush nuk mund ta ndajë Kosovën, askush nuk mund të ndërtojë Republika Srpska në të, nëse ne populli i Kosovës, përfaqësuesit politik, jemi bashkë, pozitë e opozitë". Kjo ishte deklarata e tij më kuptimplote pas takimit me ish-kryeministrin e Shqipërisë Dr. Sali Berisha. Një deklaratë për t'u përshëndetur! E vërteta është së zoti Veseli gjithnjë gjatë debatit me presidentin e Kosovës ka mbajtur një qëndrim së paku ndryshe, herë-herë edhe me nuance të kundërta. E vërteta është gjithashtu se linja e qëndrimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës ka shkuar në një akord me kritikët e zotit Thaçi. Edhe deklarata e djeshme duhet lexuar si e tillë. Po pse zoti Veseli nuk po krijon ende kohezionin e tij?! Pse nuk po mund t'i bashkojë të gjithë faktorët politikë në pozitë e në opozitë për t'iu kundërvënë hapur dhe fort përpjekjeve të zotit Hashim Thaçi për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë?!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës është në vështirësi
Arsyetimet janë të shumta, hamendësimet akoma më shumë. Por një analizë e thjeshtë e ndodhive, deklarimeve, taktizimeve të bën të mendosh se kryetari i Kuvendit të Kosovës është në vështirësi. Nuk mund të besohet që ai nuk i kupton lëvizjet taktike të shefit të tij, Hashim Thaçi. Çdokush në Kosovë e di tashmë se zyra e presidentit prodhoi idenë brenda kosovare për rishikimin e kufijve dhe humbjen e territoreve. Më pas u ndoq taktika e shkëmbimit, rregullimit ose korrigjimit të këtyre kufijve. Aksionet e presidentit të Kosovës ishin kombëtare e ndërkombëtare në funksion të idesë së Aleksandër Vuçiq për ndryshimin e kufijve. Madje me lutje, thirrje e kërcënime për atë se "pse shqiptarët dhe të huajt nuk e kuptojnë idenë e zotit Thaçi dhe zotit Vuçiq"!!! Kur zoti Thaçi u hakërrehet më të mëdhenjve të Evropës, deri zonjës Merkel, për kundërshtitë e saj në zbatimin e idesë Thaçi-Vuçiq-Rama për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, çfarë do të ndodhë nëse i kundërvihet hapur atij Kadri Veseli?! Tërmet! Në një rast të tillë presidenti do të aktivizonte gjithë municionin e tij politik korruptues te deputetët dhe politikanët e partisë që ai ka themeluar dhe të partive tjera opozitare ose jo, me qëllim që ta çonte Kadri Veselin në gijotinën politike. Prandaj Kadri Veseli është në vështirësi. Nëse ai po flet me sinqeritet dhe për këtë nuk kam ndonjë arsye madhore të dyshoj, unë mendoj se zoti Veseli i ka dhënë shumë gojës kundër idesë së zotit Thaçi për ndryshimin e kufijve.

Fabrikimi i presidentit
Por që kryetari i parlamentit të Kosovës, kryeministri gjithashtu, po ashtu kreu i Grupit Negociator, zoti Limaj, të besohen dhe të krijojnë kohezionin e kërkuar, pra unitetin e politikës së Kosovës, duhet të deklarohen qartë së fundmi për një çështje serioze, atë të Luginës së Preshevës. Aksioni politik i zotit Thaçi për ta përfshirë Luginën e Preshevës dhe politikanët e saj në projektin për ndryshimin e kufijve të Kosovës ka krijuar një ngërç të madh. Së pari ka përçarë faktorin politik, ashtu të përçarë, në Luginë. I ka dhënë mundësi autoriteteve të Beogradit që të shtojnë presionin për shpopullimin këtij territori nga shqiptarët. Ka vënë nën terror shqiptarët që jetojnë në fshatra dhe zona me popullsi të përzier me serbët. Ky aksion politik i personalizuar nga presidenti i Kosovës është në funksion të idesë "Marrim Preshevën, (nja pesë fshatra të saj) dhe japim veriun e Kosovës"! Sepse askush në këtë botë, as ufot në planetin Mars, nuk besojnë në formulën që përpiqet ta shesë zoti Thaçi se "Ne nuk lëshojmë territore, por Luginën do ta marrim"! Edhe mashtruesit hipnotizues e kanë një kufi, ndërsa Hashim Thaçi nuk ndalet në këtë ves! Zoti Veseli dhe të tjerët duhet të deklarohen, të mbajnë qëndrim ndaj çdo skenari dhe aventure që fabrikon presidenti i Republikës së Kosovës dhe jam i sigurt se do ta bashkojë faktorin shqiptar në këtë vend për dialogun me Serbinë me parametrat që ai i pohon vetë. Në fund të fundit deklarimi i zotit Thaçi është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në të cilën thuhet se "Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve". Ndryshe do të jetë vështirë për konsensus e unitet, do të jetë vështirë për Kosovën dhe territorin e saj, do të jetë vështirë dhe për vetë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin! 

(Kosova Sot)