JA NJË SHEMBULL, SI JANË PËRGATITUR DHE SI KANË VEPRUAR AGJENTËT (SPIUNËT)

JA NJË SHEMBULL, SI JANË PËRGATITUR DHE SI KANË VEPRUAR AGJENTËT (SPIUNËT)
  • 16 September 2018 - 13:12

Ibrahim Kelmendi:

Sa patriotike do të kishte qenë, tani, ta zëmë edhe Sabri Novosella dhe agjentë tjerë të shërbimeve inteligjente (fshehta), të rrëfenin kështu si Isuf Emrullahu (alias „Manush Kelmendi“, krye personazhi i romanit të Nasho Jogaçit „Mërgata e qyqeve“), për mënyrën se si janë rekrutuar e stërvitur dhe cilën veprimtari e kanë ushtruar.

Ishte interesante ndodhia, pothuajse rastësore, pas botimit të romanit tim ATENTATET, në vitin 2007. Më pyet bashkëveprimtari veteran Malush Ademaj (nga Katuni i Ri i Komunës së Pejës), nëse do të pranoja të takohesha me kushëririn e tij, Demë Demaj, i cili përpara ka qenë kryepolic në Prishtinë. Meqë më tha se Dema kishte dëshirë të bisedonte për romanin, konkretisht për të rrëfyer një ndodhi që ai kishte përjetuar, lidhur me njërin nga personazhët e romanit, pranova, sepse mu duk interesante. Në kohën kur caktuam ndejën e përbashkët, Malushi kishte marrë me vete edhe një mik të tij, meqë edhe ai ishte kurreshtar të dëgjonte.

Në atë ndejë Dema (dez)informoj [parafrazim]:

„Në dhjetor 1979 shefi i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Jugosllavisë [siç e kanë riemërtuar UDB-në pas përmbysjes se Rankoviçit] në Prishtinë, në ndërkohë i nderi Ibush Kllokoqi*, më pat urdhëruar të përgatisja ekipin e policëve për arrestim të Sabri Novosellës, në mëngjesin e hershëm të ditës pasuese. Angazhova ekip prej 12 policëve, morëm masat paraprake gjatë nate dhe rreth orës 4 të mëngjesit po bëheshim gati të hynim në shtëpinë e Sabri Novosellës për ta arrestuar. Duke qenë të shtëpia e Sabriut, tashmë e rrethuar, në pritje të Ibushit dhe kolegut të tij me mbiemër Krasniqi, sapo ata arritën, Ibushi me ndau anash dhe me tha: 'Ne dy po hyjmë të parët brenda, pastaj do t'ju sinjalizojmë kur do të hyni ju.' Meqë nuk mu duk profesionale, siç i bënin arrestimet e ngjashme, shpreha habi dhe e pyeta: 'Përse kështu, nuk po frikësoheni?!' Ai më urdhëroi të hesht dhe të mos u tregoja policëve që i komandoja. Qëndrimi i Ibushit me kolegun e tij në shtëpi të Sabriut zgjati rreth 10 minuta. Atëherë dëgjova të ndizej automobili, me të cilin kishin ardhur Ibushi. Ishte qetësi e madhe dhe u ndie zhurma e tij, edhe pse ishte në anën tjetër të shtëpisë. UDBashi Krasniqi doli nga hyrja kryesore, nga edhe ishte hy brenda, dhe na dha sinjalin që të shkonim. Hymë brenda katër policë. Krasniqi na urdhëroi të ishin të përmbajtur, të mos trazonim Nanën e Sabriut, meqë po flinte. Kur pamë dhomat me radhë, nuk e gjetëm Sabriun. Shkova edhe në dhomë të gjumit. Aty gjeta gruan e Sabriut, e ulur në shtrat, në pjesën ku kishte fjetur. E pyeta ku ishte Sabriu. M'u përgjigj se nuk ka qenë atë natë aty. E pyeta se kush kishte fjet në shtrat pranë saj, meqë shtroja e krevatit ishte ende e ngrohtë. Me tha nana kishte fjetur aty, por kishte kaluar në ndërkohë në shtratin e saj. Kur e kundërshtova, duke i thënë se nana po flinte në dhomë të saj, ajo zuri të belbëzonte. Në atë rast ndërhyri Krasniqi, duke më thënë që të mos pyesja më, por të shkruaja në raport se nuk e kishim gjetur Sabriun në shtëpi, që do të thotë duhej të gënjenim. Kështu u aktrua ai aksion për arrestim të Sabriut. Pastaj, mora vesh që Ibush Kllokoqi, prej aty e kishte dërguar Sabriun në drejtim të kufirit me Shqipërinë, që të aktrohej edhe arratisja e tij në Shqipëri, çka edhe ka ndodhur...“

Demë Demaj pati shpreh gatishmëri të gjente edhe kolegë policë të atij aksioni, për të dëshmuar, nëse do të kërkohej.

Pasi pata publikuar këtë dëshmi, pata lexuar një reagim të motrës së Sabriut dhe një reagim edhe të Sabriut. Por unë e pata lut Sabriun të bënte padi kundër meje dhe kundër Demës, për shpifje, nëse nuk ishte e vërtet dëshmia e Demës. Dëshiroja që rasti të fillonte të hetohej e të dekonspirohej, meqë ka qenë rast tepër serioz, me pasoja të rënda. Pos tjerave, edhe Heroi Jusuf Gërvalla ishte viktimë e simulimeve UDBeske të Ibush Kllokoqit, Sabri Novosellës dhe kolegëve të tyre që janë marrë me ato komplote...

Fatkeqësisht, asnjë televizion, as gazetë e portal nuk shfaqi interesim për ta intervistuar Demë Demajn. Ndoshta kjo është edhe një dëshmi konkrete, në cilat përmasa i ka kap BIA e Serbisë mediat „tona“ elektronika dhe të shkruara, që të mos zbulohen e zbërthehet komplotet e shërbimeve të atëhershme...

Ndërsa shqetësuese është heshtja kolektive e strukturave të spiunazhit, e eprorëve që kanë rekrutuar spiunë dhe e spiunëve që janë rekrutuar, me stimulime karrieriste, financiare, por edhe me dhunë fizike e shantazhe, siç duhet të ketë ndodhur me ndonjë të burgosur politik, që gjatë torturave duhet të ketë pranuar të angazhohet për të spiunuar, nga frika se nuk do t’i mbijetonin torturat. Mendoj, atyre që do të reflektonin, duke rrëfyer se si, ke dhe përse e kanë rekrutuar, njëherit edhe çfarë kanë vepruar, do t'u rriteshin vlerat, do të respektoheshin më shumë. Njësoj vlen edhe për spiunët, viktima të atij sistemi. Të gjithë do të çliroheshin nga ajo barrë e rëndë që e bajnë përditë me vete.
Nuk do dije të konstatohet, eprorët dhe spiunët e ati sistemi ishin hallka e dytë e asaj federate monstrume. Hallka e parë ishte Lidhja Komuniste, që ushtronte pushtet monist, ku ishin kuadro udhëheqës Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Rrahman Morina, Azem Vllasi, Ibrahim Rugova, Azem Shkreli..., por ishin anëtarë të zellshëm edhe Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Milazim Krasniqi...
Apo jo?

____________
* Krye-UDBashi Ibush Kllokoqi është vra në Prishtinë me 6 gusht 1999. Vrasje duhet të jetë bërë nga pjesëtarët e SHIK-ut, Nazim Bllaca me kolegë, të shpërdoruar nga kUmandant Azem Syla...
Duhet të ketë qenë e vetëkuptue, nëse Z. Sabri Novosella i është gëzuar vrasjes se Ibush Kllokoqit, - siç kam dëgjuar se edhe ka qeras miq të tij, - sepse duhet të jetë çliruar nga ankthi mos ndoshta Ibushi nuk do ta merrte me vete atë fshehtësi në varr dhe Sabriu do të demaskohej e diskreditohej për të gjallë...

 

 

(Kosova Sot)