Vuçiqi, me nxitje të Putinit, do që Kosova të shndërrohet në Siri

Vuçiqi, me nxitje të Putinit, do që Kosova të shndërrohet në Siri
  • 18 September 2018 - 08:13
SHKRUAN: PROF.DR. HAKIF BAJRAMI

Për ta zbutur anatemën bizantine, Car Dushani (1346-1355) do të provojë që Murat Khanit t` ia japë vajzën për harem. Sulltani diti ta shfrytëzojë mirë luftën civile në Bizant dhe mizoritë e princave, kralëve e Car Dushanit të vetëm. Princ Lazari nuk ka lidhje me shprehjen "car", por është një princ pijanec, i varur nga fobia për intriga, sepse pikërisht në kohën e tij u bë e njohur se Car Dushani e ka helmuar babanë e tij për fron, ashtu si e verbuan Rastkon vëllezërit dhe pastaj e bën "Shën Savë", e shumë vrasje të tjera mizore që metastazuan. Duhet të sheshohet se me ardhjen e Osmanlinjve në Nish më 1375, të gjithë arbanasit në jug të këtij qyteti arbanas, do ta zbulojnë lirshëm identitetin e tyre josllavë, dhe aty do ta jetojnë deri më 1878, kur filloi kryqëzata e dytë antishqiptare, ngjarje kjo që me çështjen e muhaxherëve e krijoi domosdosmërisht Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Pra, MUHAXHERËT ishin ata që kërkuan bashkim kombëtar dhe shtet laik evropian, sepse ishin përzënë nga Sanxhaku i Nishit, nga trojet e tyre denbabaden, si racë dhe kulturë evropiane. Mu për këtë, populli do të këndojë atëbotë më 1878: "Baba mret ma fale Gjakovën, ma shite Nishin e Kushumlinë, ma shite Bosnjën e Rumelinë, do me shitë Plavë e Gusinë", përmes Ali Pashë Mazharrit.  

Maskimi nën përrallat mesjetare
Populli mendonte se me ruajtjen e Gjakovës (Jakovës) ruhet Shqipëria e Sulejman Vokshit, Shkodra e Vaso Pashës, që vëllazërisht ia ofruan fronin shtetëror Ymer Prizrenit, Abdyl Farshëri etj. Lidhur me këtë, Vuçiqi me një përmendje të Nikolaj Velimiroviqit është zbuluar se çka synon dhe si do ta realizojë synimin. E këtë synim e dinë vetëm ata që në hollësi e njohin politikën tredimensionale serbiane të kishës, shtetit dhe institucioneve "shkencore-arsimore", të maskuara me përralla mesjetare me kolorit promiskuiteti , eutanazi priftore dhe neofashizëm hitlerian, e sojit Vuçiq-Daçiq. Vizita e Aleksandar Vuçiqit e ka një të "panjohur" të madhe për t` u zgjuar politika shqiptare, evropiane dhe SHBA. Është fjala se Vuçiqi erdhi në Kosovë JO me bekimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe "Kontra Obavestajna Sluzba" të dyja të komprometuara pse nuk i shfarosen shqiptarët deri më 28. VI. 1999. Ky fakt duhet ta detyrojë establishmenin politik shqiptar të mendojë mirë, sepse Bollton nuk do të ndalet, do ta kthejë nëse mundet "pozitën e Kosovës në vitin 2005". Për ta shporrur këtë projekt, kam pasur dëshirë që Aleksandar Vuçiqi të vijë në Kosovë, (pasi që nuk vendosim ne) me tërë grigjën e popave, sepse aty ku kanë mbajtur liturgji këta belaxhinj (popat) si Nikollaj Velimiroviqi e me radhë, aty kurrë nuk kanë pushur shigjetat, topat dhe thikat e përgjakura ndaj të tjerëve, por në fund çdo gjë ka mbaruar me katastrofë të tyre. Vuçiqi, në fakt ai do që Kosova me nxitje të Putinit, të shndërrohet në Siri, dhe për këtë skenar po ia "shet" nga dy-tre miga me defekte, derisa ta vërë në kënetë.  

Nuk guxojmë t`i koritim miqtë dhe traditën tonë të dëlirë popullore- kombëtare
Mu për këtë propozoj që një delegacion shqiptar të shkojë në Uashington dhe ta sqarojnë metamorfozën serbe, sepse Berlini, Londra dhe Parisi, se nuk ka korrigjim e as ndryshim të kufijve. Ky deklarim serbian ndodh edhe për një synim, qëllim që verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të paktën të lëkundet, relativizohet. Keni mendtë politikanë shqiptarë, mjaft më me politikë: njëri thumbit e tjetri patkoit. Sëpata duhet t` u presë në një vend, duke u konsultuar me ekspertë. Përndryshe, këtë popull duhet ta rreshtoni të mos urrejë asnjë popull tjetër e ju të mos lejoni atë kurrë të bëni çka kanë bërë pushtetarët serbë ndaj neve. Kombi shqiptar nuk do t'ju falë kurrë nëse lejoni hakmarrje. Kjo është rruga e Gjergj KastriotitSkënderbeut, Ymer Prizrenit, Haxhi Zekës, Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Emin Durakut, Shtjefen Gjeçovit, Qemal Stafës, At Nikoll Markut, Adem Demaçit, Nënë Shën Terezës, Adem Jasharit, Zahir Pajazitit e Adrian Krasniqit, rrugë kjo që e duan miqtë tanë në SHBA dhe në BE. S'ka rreshtim tjetër. Të gjitha rreshtimet e tjera, qoftë edhe me "korrigjim" kufijsh, janë thikë pas shpine çështjes shqiptare. Nuk guxojmë t` i koritim miqtë dhe traditën tonë të dëlirë popullore- kombëtare. 

(Kosova Sot)