"Rruga e Kombit", apo e gjobës së kombit

  • 19 September 2018 - 08:06
SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI 

Si ta kuptojmë pushtetin dhe Qeverinë e Shqipërisë sot kur Kosova ballafaqohet me një problem të madh me rëndësi gjithëkombëtare, me problemin e kufirit me Serbinë dhe me atë të Kosovës Lindore, problem i cili është bërë edhe si një agjendë evropiane dhe më gjerë, e ndërsa Shqipëria përkundër kësaj gjen preokupimin dhe kohën duke vendosur një taksë ndarjeje Shqipëri-Kosovë që njihet tashmë si taksa e "Rrugës së Kombit"?! Serbia me gjithë gjendjen dhe krizën që e ka mbërthyer dhe, pavarësisht kësaj, ajo investon qindra milionë euro për zhvillimin e komunave me shumicë popullsie serbe në Kosovë, pra i ndihmon ata, ndërsa Shqipëria jo vetëm se nuk e ndihmon Kosovën, por përkundrazi i vë pengesa, vendos atë që tashmë quhet me të drejtë gjobë te madhe për qytetarët dhe për biznesin kosovar, për ata shqiptarë të cilët vizitojnë dhe vijnë të pushojnë në Shqipëri. Po kështu politika e Tiranës kundërshton edhe Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën kur ajo nuk ka bërë asgjë, asnjë ndihmë dhe jo më investim për komunat shqiptare të Luginës së Preshevës. 

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste nuk është ndërtuar as edhe një kilometër e kësaj rruge
Pra, në çfarë roli mund t'i besohet dhe që mund të luajë si qeveria, por edhe opozita në Shqipëri për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për integrimin e serbëve të Kosovës Veriore në Shtetin e Pavarur të Kosovës, për liritë dhe të drejtat kombëtare apo edhe për Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, kjo si e drejtë kombëtare e tyre e deklaruar erdhe me referendum, por që politika pozitë-opozitë në Shqipëri është kundër saj?! "Patriotizmi "politik djathtist PD-ist, kundërshtimi dikur "antikorrupsion" majtist politik PSist për ndërtimin e Rrugës së Kombit, buja dhe zhurma e madhe për dhe kundra ndërtimit të "Rrugës së Kombit", e cila ka një emërtesë patriotike dhe kombëtare, por në të vërtetë me këtë rrugë u spekulua shumë, u vodh dhe u abuzua shumë rreth 200- 230 milion euro. Një rrugë që kushtoi shumë shtrenjtë e që nuk ka përfunduar akoma dhe as që nuk dihet se kur do të përfundojë, rrugë e cila nuk ofron shërbimin e duhur dhe nuk plotëson as standardet. Kjo rrugë që u ndërtua për dhe në emër të kombit, që reklamohej si rrugë politike e Berishës dhe e Partisë Demokratike, e qeverisë së Partisë Demokratike, por e ndërtuar jo me paratë e tyre, por me paranë publike, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por që edhe u vodh dhe u abuzua aq shumë me të. Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste nuk është ndërtuar as edhe një kilometër e kësaj rruge. Tashmë Partia Socialiste, qeverisja e saj, duke mos gjetur e siguruar para për ndërtimin e kësaj rruge, pas "vuajtjesh e mundimesh", "përkushtimi" e "shqetësimesh" të mëdha për të gjetur para e fonde për Rrugën e Kombit, që prej një viti më në fund shpiku dhe gjeti zgjidhjen, jo si ish-pushteti i mëparshëm, i cili e rropi dhe e vodhi popullin shqiptar, paranë publike për këtë rrugë, por Partia dhe qeverisja socialiste tashmë kanë vendosur tarifën apo taksën e lartë për shqiptarët e Kosovës, të cilët duhet të paguajnë për "mirëmbajtjen" e kësaj rruge, por realisht kjo taksë është një gjobë që u vihet qytetarëve të Kosovës, të cilët vijnë dhe e vizitojnë Shqipërinë, madje duhet për të paguar për një shërbim që kjo rrugë nuk u ofron atyre, sepse kjo rrugë as nuk i plotëson standardet dhe as nuk ka përfunduar, por edhe që është një taksë shumë, shumë e lartë. Konsensusi korruptiv antikombëtar Ky provokim dhe ky antikosovarizëm i Qeverisë shqiptare mund të marrë me të drejtë edhe një si kundërpërgjigje reciprociteti nga Kosova, e cila edhe ajo pse të mos vendosë taksë për rrugën, për autostradën e saj për qytetarët e Shqipërisë dhe për bizneset nga Shqipëria që operojnë në Kosovë, veprim ky që imponohet nga Tirana dhe që provokon dhe nxit një distancim çintegrues dhe largesë kombëtare mes dy shteteve shqiptare. Kjo taksë e Qeverisë "Rama" është trau i ri ndarjes politike, tregtare dhe ekonomike të kombit, mes Shqipërisë dhe Kosovës, si trau i korrupsionit dhe si barrierë e pengesë për komunikimin, afrimin dhe bashkimin e kombit. Pyesim se përse hesht edhe opozita dhe pse ajo mjaftohet me një kundërshtim të cekët e vetëm sa për dukje, përse opozita "patriotike" e PD nuk kundërshton dhe nuk deklarohet se kur të vijë në pushtet do ta heqë "Gjobën e Kombit" për "Rrugën e Kombit". Apo u arrit ujdia, marrëveshja e konsensusi politik, korruptiv e antikombëtar i politikës së Tiranës që "mos më heto për vjedhjen që kemi bërë me paratë e "Rrugës së Kombit" në emër të kombit dhe tani vazhdoni ju që të gjobisni e të grabisni qytetarët dhe shqiptarët e Kosovës me tarifën, taksën apo me gjobën e rrugës me emër të kombit".

(Kosova Sot)