Ku ka rënë Kosova!

Ku ka rënë Kosova!
  • 26 September 2018 - 07:40

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Lufta çlirimtare në Kosovë është bërë nga UÇK-ja dhe atë e ka organizuar tërësisht LPK-ja. Askush tjetër nuk e ka themeluar dhe as organizuar UÇK-në. Janë thjesht gënjeshtra. Themelimi i UÇK-së, përkatësisht të radhëve, ka filluar shumë herët. Kjo ka filluar në vitet 1987 dhe ka vazhduar deri në çlirimin e vendit. Është pikërisht LPK-ja që e ka organizuar dhe themeluar UÇK-në. Në vitin 1998 është bashkuar edhe UNIKOMB-i, LKÇK-ja etj. Qeveria e Kosovës dhe ushtarët e FARKut asnjë veprim në drejtim të UÇK-së nuk e kanë bërë. Ushtarët e FARK-ut që e kanë lënë uniformën e tillë dhe veshën uniformën e UÇK-së dhe së bashku me ushtarët dhe nën flamurin e UÇK-së e hapën frontin në Koshare janë veteranë.

Tërë ministrat e Bukoshit ishin armiq të UÇK-së
Të tjerët, çdo nivel i Qeverisë së Bukoshit, janë vetëm njerëz që kanë penguar dhe luftuar luftën çlirimtare të Kosovës. Nuk mund të gjendet asnjë në këtë qeveri, deri në fund, që iu bashkua luftës. E tërë qeveria e Bukoshit ka qenë e angazhua kundër. Tërë ministrat e Bukoshit ishin armiq të UÇK-së. Ata bënë çmos me punë dhe me propagandë për të zhdukur. Kjo qeveri nuk i la në mars dhe prill të vitit 1998, deri në mars 1999, kur e kundërshtuan qeverinë e tillë, ushtarët dhe oficerët që i kishte nën kontroll të futen në radhët e luftës çlirimtare të UÇK-së. Kjo është gjendja reale. Në luftën çlirimtare të Kosovës nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka kontribuuar asnjë oficer, me përjashtim të disave që u vunë në anën e UÇK-së. Ata janë 10 apo 15 veta. Ndërsa, ka të tillë që u vranë në rrethana të panjohura dhe u shpallën heronj nga z. Hashim. Ky është kulmi.

Armiqtë e UÇK-së
Ose ka të tjerë si Bukoshi e Mustafa, si kryeministër e ministër të Qeverisë së atëhershme, që ishin tërësisht dezertorë, ndërsa tash Qeveria e Kosovës iu dha nga 70 mijë euro për shërim jashtë vendit. Marri!. Kosova po del si vend i vetëm që ish-dezertorëve, armiqve të UÇK-së dhe të popullit shqiptar, që i shpall heronj dhe i respekton. Ndërsa, patriotët e vërtetë lihen anash. Në vend të tyre është mbushur Qeveria me anëtarë të familjeve të spiunëve ose ata vetë kanë qenë spiunë. Të vjen turp kur i shikon prokurorët dhe gjyqtarët nga vijnë dhe çfarë kanë bërë para luftës. Aq më rëndë kur të merren dhe shikohen ministrat dhe zëvendësministrat, udhëheqësit e ndryshëm, të cilët thjesht ishin edhe të deklaruar me vullnetin e vet si jo shqiptarë dhe armiq të UÇK-së. Tash janë zëvendëskryeministra dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, veprimtarët e radhëve të luftës çlirimtare, si të LPK-së, ashtu edhe të UÇK-së, lihen anash dhe ndiqen, madje edhe persekutohen. Ata luftohen. Natyrisht se kjo po reflektohet ashpër në shtet. Injorimi i luftëtarëve të lirisë krijon taban dhe rrezikim permanent për shtet. Me atë punë janë krijuar situata të dëmshme dhe kriminale. Vendi kështu po shkatërrohet.


(Kosova Sot)