Një hap tjetër i madh kah zhvillimi

Një hap tjetër i madh kah zhvillimi
  • 01 September 2015 - 15:16

Forcohet bindja se të gjithë ne jemi qytetarë globalë

Propozim-agjenda, rreth së cilës është arritur marrëveshja në fillim të këtij muaji, përmban 17 qëllime, duke përfshirë dhënien fund të varfërisë në të gjitha format e saj, arritjen e sigurisë së ushqimit, promovimin e një bujqësie të qëndrueshme, ofrimin e edukimit kualitativ për të gjithë, sigurimin e qasjes ndaj energjisë dhe ujit të pastër, si dhe miratimin e masave urgjente për t’i luftuar ndryshimet klimatike

Shkruan: Javier Solana

Muajin që vjen, bota do ta arrijë një moment historik sa u përket përpjekjeve për zhvillim global. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do t’i miratojë Qëllimet e Qëndrueshme Zhvillimore (SGD), një tërësi ambicioze të objektivave globale, për të cilat pritet që të përmirësojnë jetën e miliona njerëzve deri në vitin 2030.

Fakti që SDG do të miratohet në përvjetorin e 70-të të OKB-së nuk mund të ishte më domethënës. Edhe pse e kaluara e OKB-së gjatë këtyre shtatë dekadave nuk ka qenë e përkryer, me shumë raste të reagimeve jo adekuate, suksesi i saj në drejtimin e botës kah ndjekja e objektivave të përbashkëta, sikur që është zhvillimi, ka qenë impresiv.

Në vitin 2000, OKB-ja e miratoi një agjendë zhvillimore, të mbështetur nga të ashtuquajturat Qëllime Zhvillimore të Mileniumit (MDG) dhe të udhëhequr nga parimi se askush nuk duhet që t’i vuajë pasojat e një varfërie ekstreme. Asokohe, ishin të paktë ata njerëz që besonin se këto qëllime do të mund të arriheshin deri në afatin e caktuar, vitin 2015. Por, përkundër faktit se varfëria nuk është eliminuar, ka pasur një progres të rëndësishëm dhe janë arritur disa fitore të mëdha.

Që nga viti 1990 (viti i referencës për matjen e përmirësimit), numri i njerëzve që jetojnë në një varfëri ekstreme (me më pak se 1.25 dollarë në ditë) ka rënë për 33%, nga 1.9 miliardë, në 836 milionë në mbarë botën, ku pjesa më e madhe e këtij progresi ishte arritur pas miratimit të MDG-ve. Numri i njerëzve që kanë qasje ndaj ujit të pastër, të pijes, është rritur për 15%. Vdekshmëria e foshnjave është zvogëluar më shumë sesa përgjysmë dhe mortaliteti i nënës është zvogëluar për 45%.

Roli i vendeve të zhvilluara

Ngjashëm me këtë, përqindja e fëmijëve që vijojnë shkollën fillore është rritur nga 83% në 91%  që nga viti 2000. Numri i rasteve të reja të infektimit me HIV/AIDS ka rënë për 40%. Dhe, asistenca zyrtare zhvillimore nga vendet e zhvilluara është rritur për 66%.

Këto të dhëna tregojnë se me objektiva mirë të caktuara dhe me veprime reale, është e mundur që të bëhen ndryshime të mëdha. Kjo ide ishte instrumentale në dizajnimin e agjendës post zhvillimore të viteve pas 2015-s. SDG-të, të miratuara falë suksesit të MDG-së, kanë shtuar një dimension të ri: qëndrueshmërinë. Liderët botërorë tani e dinë se, përpjekjet zhvillimore sot nuk duhet ta shkatërrojnë të ardhmen për gjeneratat e reja.

Dimensioni i qëndrueshmërisë sjell me vete një universalitet, i cili kishte munguar te MDG-të. Vendet e zhvilluara nuk janë më vetëm mundësuese të progresit, duke ndarë një përqindje të GDP-së së tyre për mbështetjen e përpjekjeve të vendeve në zhvillim për zvogëlimin e varfërisë, përmirësimin e shëndetit, dhe rritjen e standardit jetësor. Në vend të kësaj, ato duhet të përqendrohen dhe të jenë pjesëmarrës aktivë në përpjekjet për t’i arritur qëllimet e dakorduara, në disa raste edhe duke i modifikuar politikat e tyre vendore.

Në këtë aspekt, SDG-të më me qartësi reflektojnë bindjen, që mbizotëron në OKB, se që të gjithë ne jemi qytetarë globalë. Kjo bindje qëndron prapa themelimit të ligjit humanitar ndërkombëtar dhe gjykatave mbinacionale, për adresimin e shkeljeve të këtij ligji. Dhe, ky ligj solli “përgjegjësinë për mbrojtje”, e cila kërkon që bashkësia ndërkombëtare ta mbrojë një popull nga mizoritë masive, në rastet kur qeveria e tyre dështon ta bëjë një gjë të tillë.

Këtu arrijmë te dinjiteti personal. Pa marrë parasysh se kush jeni dhe ku keni lindur, ju i keni të drejtat elementare për t’u mbrojtur nga krimet brutale, sikur që është gjenocidi, apo vuajtjet e tepruara nga varfëria ekstreme. Edhe gjeneratat e ardhshme kanë nevojë për dinjitet personal – duke përfshirë edhe atë që vjen nga një ambient i pastër dhe i shëndetshëm. Sekretari gjeneral i OKB-së, Ban Ki-Moon, ka vënë theksin te dinjiteti personal në diskutimin që çoi deri te miratimi i SDG-ve, bile duke kërkuar nga papa Françesk që t’i adresohej Asamblesë së përgjithshme në këtë temë, gjatë takimit të ardhshëm.

Agjenda për zhvillim

Pra, çka gjendet saktësisht në agjendën e ardhshme zhvillimore? Propozim-agjenda, rreth së cilës është arritur marrëveshja në fillim të këtij muaji, përmban 17 qëllime, duke përfshirë dhënien fund të varfërisë në të gjitha format e saj, arritjen e sigurisë së ushqimit, promovimin e një bujqësie të qëndrueshme, ofrimin e edukimit kualitativ për të gjithë, sigurimin e qasjes ndaj energjisë dhe ujit të pastër, si dhe miratimin e masave urgjente për t’i luftuar ndryshimet klimatike – të mbështetura nga 169 objektiva.

Plotësimi i kësaj agjende ambicioze do të kërkojë mekanizma realë dhe efektivë të vlerësimit, të cilët ndihmojnë në gjetjen e politikave më të mira dhe që mbajnë gjallë përpjekjet e vendeve. Sipas draft-agjendës, procedurat e monitorimit do të udhëhiqen nga vendet individuale, kështu që çdo qeveri mund t’i bëjë ato në bazë të prioriteteve kombëtare.

Por, i mbetet bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar që të gjitha qeveritë të caktojnë qëllime specifike dhe afate për realizimin e tyre. Pa mekanizma të fortë të llogaridhënies, SDG-të nuk do të jenë asgjë më shumë sesa mekanizma për rritjen e vetëdijes, duke nënshtruar në mënyrë efektive shëndetin, dinjitetin dhe prosperitetin e tërë njerëzimit ndaj interesave afatshkurtra kombëtare. Samiti i ardhshëm SDG, i cili do të bashkojë përqendrimin më të lartë të krerëve të shteteve dhe të qeverive në historinë e OKB-së, paraqet mundësinë ideale për themelimin e mekanizmave të tillë.

SDG-të janë tepër ambicioze. Me një përkushtim të qëndrueshëm nga të gjitha vendet, të zhvilluara dhe në zhvillim, bota mund të sigurojë se do ta shënojë një hap tjetër të madh përpara në vitin 2030.

(Javier Solana është president i Qendrës ESADE për ekonomi globale dhe gjeopolitikë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”