A është Qeveria e tashme përgjegjëse për të gjitha të këqijat që po i ndodhin Kosovës!!!?

A është Qeveria e tashme përgjegjëse për të gjitha të këqijat që po i ndodhin Kosovës!!!?
  • 02 September 2015 - 10:46

Shkruan: Halim Hyseni

Marrëveshja e Brukselit

Me themelimin e “Zajednicës”, Kosova do të jetë protektorat i Serbisë

Me nënshkrimin e bërë nga kryeministri Isa Mustafa dhe me aminin e ndërkombëtarëve dhe miqve tanë në Bruksel janë legalizuar kufijtë e konturave të Serbisë së Madhe, të projektuara nga shkencëtarët serbë të Akademisë Serbe dhe të futura në programe ideologjike dhe fashiste të kriminelit Slobodan Milosheviq, Sheshelit, agjitpropëve dhe të epigoneve Vuçiq dhe Daçiq

Ndodhi ajo që nuk është dashur të ndodhë! Shkëlqimi i Kosovës i fundviteve të ’90 ka rënë përtokë.

Përgjegjës për këtë është keqqeverisja, udhëheqja skajshmërisht transaksionale, joetike dhe jotransformuese. Është nëpërkëmbur skajshmërisht dinjiteti kombëtar dhe interesi nacional i Kosovës! Thirrja në miqësi me SHBA-në edhe Brukselin, stratagjemë dhe paravan për të mbuluar mëkatet dhe dështimet.

Serbia triumfalisht do të kthehet në Kosovë

Interesat e shtetit nuk mund t’i mbrojnë ata që interesin personal, familjar dhe provincial e vendosin mbi interesat e Kosovës dhe të kombit.

Doli i vërtetë paralajmërimi se bisedat teknike me Serbinë janë një ogur i zi për Kosovën!

Ajo që e kam pas paralajmëruar me një shkrim të publikuar në gazetën “Kosova Sot“ para disa viteve se në bisedat e quajtura teknike me Serbinë, Serbia triumfalisht do të do të kthehet në Kosovë, me nënshkrimin e bërë nga kryeministri Isa Mustafa dhe me aminin ndërkombëtarëve dhe miqve tanë në Bruksel, për fatin e keq timin dhe të popullit të Kosovës u vërtetua, por më keq se sa që unë e kam paramenduar sepse me këtë Marrëveshje janë legalizuar kufijtë e konturave të Serbisë së Madhe të projektuara nga shkencëtarët serbë të SANU-s( lexo: Akademisë Serbe të Shkencës dhe të Arteve) dhe të futura në programe ideologjike dhe fashiste të kriminelit Slobodan Milosheviqit, Sheshelit, agjitpropëve dhe të epigoneve Vuçiq dhe Daçiq. Ç’është e vërteta, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, (për të cilin kam pasur shumë respekt që nga viti 1992, kur ky ishte prorektor student dhe i cili ishte në ballë të protestave së bashku me Legjendën e gjallë të atdhetarisë dhe të trimërisë  Adem Demaçin, të ndjerin Abdyl Ramajn dhe disa udhëheqës të atëhershëm të arsimit të organizuara të shqiptarëve për kthim të nxënësve dhe të studentëve në objektet shkollore nga ishin dëbuar nga Vuçiq dhe Daçiq, të cilin respekt tani për herë të parë e deklaroj se jo që nuk e kam, por kur dëgjoj emrin e tij ndiej neveri dhe shqetësim) le të deklarojnë çfarë të donë, le të thirren sa të donë në transparencë dhe llogaridhënie, duke premtuar se Kosova me këtë Marrëveshje është fuqizuar, se Serbia e ka pranuar Kosovën dhe të gjepurave të tjera këta dhe të gjithë tjerët që u besojnë fjalëve të këtilla ose janë shumë injorantë, ose tepër të pasinqertë, duke besuar se këtij populli të varfër dhe krenar do t’ua shesin macen në thes.

Ç’është e vërteta, po befasohem edhe me pikëpamjet e disa analistëve, gazetarëve, politikanëve, por edhe liderëve të partive politike të cilit flasin për” autonomi territoriale”, për “ mini-shtet në shtet”, për “ autonomi kulturore“. Asnjë nga këto nuk qëndrojnë. Gjithashtu , po çuditem me disa shkrime se “Zajednica” nuk është problem, por është problem gjuha e përdorur e politikaneve, unë do të thosha parakëve – primitivëve, të cilit kanë arritur në këto poste të larta qeverisëse dhe të udhëheqjes ekstermisht transaksionale (për fat të keq jo të udhëheqjes transformuese dhe etike) dhe joetike, me premtime mashtruese, me falsifikime, me veprime të kundërligjshme dhe jodemokratike, duke i blerë votat nga njerëzit e varfër për të krijuar institucione amorfe, mediokre, despotike imorale dhe amorale që janë pa kredibilitet ndërkombëtar, të kapur me krim të organizuar, andaj dhe janë të shantazhuar nga faktori ndërkombëtar dhe do të përdoren vetëm derisa konjukturat ndërkombëtare t’i realizojnë synimet e tyre, duke mbështetur forcat dhe shtetet që potencialisht intelektualist janë me një shkallë më të lartë dhe më të afër aspiratave të tyre shtetërore. Këta do të përfundojnë herët a vonë ashtu siç e meritojnë në analet e errëta të historisë kombëtare. Gjithashtu dua t’ua them se strategjema e tyre e thirrjes në miqësi me SHBA-në dhe Brukselin nuk pi ujë, sepse populli duhet ta dijë se miqësia ndërmjet shtetesh bazohet në interesat nacionale të tyre e jo në emocione dhe në raporte tradicionale. Serbia tani i ka krijuar avantazhet duke përdorë armët e veta gjithnjë më të fuqishme diplomatike gënjeshtrën, premto e mos realizo, shitu se engjëll, edhe pse ka qenë është dhe do të mbetet satanike dhe djallëzore. Gjithashtu këta në çdo takim që kanë shkuar kanë shkuar të përgatitur, të vendosur, me plot gënjeshtra, insinuata, falsifikime, trillime etj. Tanët kanë shkuar me duar në xhepa, ashtu siç thoshte Isa Mustafa, kur ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, dhe kur humbi me plot meritë, edhe pse mallkonte votuesit duke u thënë se “ ... Zoti ju vraftë nëse nuk më votoni mua”.

Kryetarët serbë për instruksione në Beograd

Kosova, nga dita kur është nënshkruar Marrëveshja (është shume e ngjashme me atë të Kongresit të Berlinit, të Londrës dhe të Versajes) në aspektin teorik dhe legal nuk është Republikë, por është Protektorat i Republikës së Serbisë. Me themelimin e “Zajednicës”, Kosova edhe faktikisht edhe praktikisht do të jetë Protektorat i Serbisë, andaj populli këtë duhet ta di dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta pranojë. Po e bëri këtë, ky popull, atëherë ky do të merr përgjegjësi për “uljen këmbëkryq të Serbisë hyjnore në Kosovën e tyre hyjnore”.

Ende pa u bërë Kosova praktikisht dhe faktikisht Protektorat i Serbisë, antishqiptari Gjuriq, i ftoi kryetarët e komunave serbe që kësaj të hëne të shkojnë në Beograd, për t’u treguar procedurat se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet të bëjnë që të realizohet edhe praktikisht faze e parë e bërjes praktike dhe faktike të Kosovës PROTEKTORAT i Serbisë. Këto procedura do t’i ndjekin edhe ministrat serbë të Listës Serbe, të cilët marrin paga shumë të larta nga taksapaguesit e varfër shqiptarë. Objektivisht dhe realisht ministrat serbe në Qeverinë e Kosovës” janë virtualisht ministra të Qeverisë së Serbisë. Këta këtë e deklarojnë edhe publikisht e thonë se punojnë dhe angazhohen për interesat e shteti të Serbisë e jo të Kosovës, sepse nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, andaj dhe në prezencën e kryeministrit Isë tallen dhe përqeshin Pavarësinë e Kosovës se nuk i kanë pesë euro për ta blerë Flamurin e Kosovës në hyrje të Kuvendit Komunal.

Isë, me qëllim që të zbusë revoltën e shkaktuar në opinionin me nënshkrimin e aktit që nuk ka pasur as të drejtë ta nënshkruajë në Bruksel, del në opinion duke deklaruar se FSK-së do t’i shtohen të gjitha kompetencat e Forcave të Armatosura të Kosovës. Nga gabimi shkon në gabimin tjetër, sepse heq dorë nga krijimi i Forcave  të Armatosura të Kosovës, meqë nuk e kanë mbështetjen e Ministrave të Serbisë në Qeverinë e Kosovës.

 Me themelimin e “Zajednicës”, Serbia do të përfundon vetëm fazën e parë të stratagjemës së vet.

Pse shndërrimi i Kosovës në Protektorat të Republikës së Serbisë është strategjemë?

Shndërrimi i Kosovës në Protektorat të Republikës të Serbisë është strategjemë. Ky nuk është qëllimi përfundimtar i Serbisë. Serbia dëshiron ta ndaj Kosovën sipas kutit dhe të interesit të saj. Kjo i ka hartat e sajuara të publikuara që në vitet e ’80 të shekullit të kaluar. Kjo është e vetëdijshme se shqiptarët nuk do ta pranojnë për një kohë të gjatë diskriminimin mbi baza etnike, kur 3% sundon 97%. Ajo pas formimit të ‘Zajednicës’ do të mbështesë “Zajednicën” në aspektin ekonomik, politik, arsimor, shëndetësor, në aspektin e sigurisë etj. Në këtë komuna do të kthehen vrasësit dhe përdhunuesit e grave shqiptare, askush nga ata ende nuk është dënuar. Në këto vendbanime shqiptarët do të jenë të përçmuar, të pasigurt, të shantazhuar. Kalimi nëpër këto vendbanime komuna nuk do të jetë sigurt. Do të inskenohen incidente ashtu siç janë inskenuar gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar. Vetë do të vandalizojnë varrezat e tyre duke u përshkruar shqiptarëve, do të inskenojnë dhunimet e vajzave të reja, të grave dhe të plakave duke ua përshkruar shqiptarëve ashtu siç kanë bërë në vitet e përmendura dhe gjatë luftës së viteve 1998-99 (rasti në restorantin “Panda”). Gazetarët dhe shtypi serb do të përhapë dezinformata, gënjeshtra, duke nxitur konflikte ndëretnike. Të gjitha këto do të përjetohen rëndë nga popullsia shqiptare. Do të fillojë përsëri konflikti i bazuar në identitet etnike, i cili përsëri pas ca vitesh do nxitë gjakderdhje të re dhe të panevojshme. Kjo do të ndodhe sepse drejtësia për krimet serbe mbi shqiptarë nuk ka përfunduar. Serbët e trimëruar nga pandëshkimi, do të inkurajohen që të bëjnë po ata masakra që i kanë bërë në: Reçak, Izbicë, Likoshan, Prekaz, Çirez, Poklek, Çikatovë, Rahovec, Krushë, Orllan, Podujevë, Makoc, Suharekë, Gjakovë, Mitrovicë Rogovë, Meje, e qindra e qindra vendbanime të tjera. Pas gjakderdhjes së sërishme Serbia, sërish do ta humbë luftën, por ajo sërish do të fitojë në paqe, sepse në mbështetje të Bashkësisë Ndërkombëtare do ta merr 30 % të territorit të Kosovës. Me dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve, të cilin është duke bërë edhe tani nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, Serbia do të realizojë projektin e Serbisë Madhe pa shqiptarë në toka shqiptare ashtu siç ka bërë në shekullin VI&VII, kur si barbarë kanë ardhur nga Karpatet (Lexo veprat e Edit Durhamit), siç kanë bërë në Kohën e mbretit Dushan, siç kanë bërë në vitet e 1878, 1912, në vitin 1919, në vitin 1945, në vitet 1945-1966; në vitet 1981- 1996, në vitet 1998-1999 dhe në vitin 2000 kur nën udhëheqjen e Olevir Ivanoviqit dhe Rojeve të urës u vranë mbi 20 shqiptarë dhe u dëbuan nga pjesa e veriut të qytetit të Mitrovicës u dëbuan mbi 20. 000 shqiptarë. Kjo Serbi deri më tani i ka hartuar 27 programe për vrasjen dhe likuidimin e shqiptarëve. Sikur në Bruksel bisedat të kishin filluar për këto projekte dhe sikur ekipi i shqiptarëve të kishin  kërkuar që Serbia publikisht të distancohet nga këto projekte, sikur këtu të kishin kërkuar që dhunuesit e 20 grave të shqiptarëve të dalin para drejtësisë, sikur të kishin kërkuar që para drejtësisë të dalin urdhërdhënësit e masakrave në Izbicë, Reçak, Prekaz, Likoshan, Çirez, Poklek,Çikatovë, Podujevë, Mitrovcë, Rahovece dhe rrethinat e tij, Suharekë dhe rrethinat e sajë, Gjakove, Meje, Rogovë, Krushë, Makoc, Orllan, Podujevë, Gjilan dhe qindra e qindra vendbanime tjera, sikur të kishin kërkuar dëmshpërblimin nga djegiet, granatimet, nga vjedhjet fondit pensional, vjedhjet dhe dëmtimet familjare, sikur të kishin kërkuar që të hapen dosjet dhe të t’u kthehen eshtrat familjarëve të pagjetur, nuk do të nënshkruhej kjo marrëveshje kështu siç është nënshkruar.

Marrëveshja në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

Këto fakte dëshmojnë se Marrëveshja e nënshkruar në Bruksel është në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare, sepse mbështet supremacionin e një grupi etnik prej 3 % mbi një grup mazhoritar etnik mbi 97%, duke e favorizuar dhe privilegjuar të parin dhe duke diskriminuar të dytin mbi baza racore. Pabarazia e këtillë nuk i kontribuon paqes pozitive dhe të qëndrueshme, sepse nxit dhe stimulon konfliktet e bazuara në identitet etnike ashtu siç edhe ka ndodhur në vitet e ’90 të shekullit të kaluar në të cilat konflikte kanë humbur jetën rreth 2 milionë fëmijë dhe 6 milionë kanë mbetur për jetë me dëmtime në botë. Veprimet e këtilla nuk i bëjnë nder as Brukselit e as miqve tanë të cilit me mbështetje të kësaj marrëveshjeje dëshirojnë të na trullosin dhe të na shesin macen në thes, për interesa dhe qëllime të cilat ato dhe ata i dinë.

Është koha dhe momenti i fundit që ky proces i tkurrjes së hapësirës etnike të shqiptarëve të ndalet, duke e përfshirë këtu edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, i cili sipas shkencëtarëve të konfirmuar shqiptarë Isufi dhe Bulliqi është bërë në dëm të Kosovës, me çka Kosovës i janë shkaktuar dëme të pallogaritshme dhe të pariparueshme, dhe se territori i Kosovës me këtë Marrëveshje është tkurrur për 8229.3 hektarë. Këto fakte të pamohueshme në mënyrë të natyrshme kërkojnë që kjo Qeveri duke anashkaluar interesat e qytetarëve të Kosovës ka humbur legjitimitetin që të flasë në emër të qytetarëve të Kosovës, sepse ka shkelur betimin e dhënë në Kuvendin e Kosovës, duke atakuar barazinë e qytetarëve, si dhe duke mos e ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës.

Kam obligim qytetar që të qartësojë pozicionin tim. Kërkesa ime është kërkesë e një qytetari të thjeshtë, që nuk aderon në asnjë parti politike dhe që nuk ka e as që ka pasur ndonjë mbështetje politike e as që është nën ndikimin e ndonjë subjekti politik. Ky shkrim është angazhim qytetar dhe intelektual që merr përgjegjësi personale morale dhe juridike mbi vete për çdo gjë që është thënë në këtë shkrim. Dëshiroj dhe gjykoj që kjo rënie e shkëlqimit të luftës, sakrificës dhe martirizimit të pjesës më të mirë të këtij populli të ndalet duke mos e pranuar pozicionin me të cilën Kosova dhe shumica e qytetarëve të Kosovës janë vendosur me nënshkrimin e dy marrëveshjeve në Bruksel dhe në Vjenë. Këtë shkrim dua të përfundoj me mendimin e Franklinit, i cili thotë se:”... sikur të poshtrit t’i dinin dobitë e drejtësisë, do të bëheshin të drejtë dhe të përulur”. Uroj që të gjitha ata që kanë kontribuar që Kosova të gjendet në këtë pozitë të udhëhiqen me parimin e drejtësisë, humanizmit dhe të filantropisë, sepse vetëm mbi këto parime mund të vendoset paqja pozitive dhe e qëndrueshme, siç e quan themeluesi i pedagogjisë/ edukologjisë Johan Galtung.