Mos i votoni marrëveshjet fatkeqe për vendin!

Mos i votoni marrëveshjet fatkeqe për vendin!
  • 03 September 2015 - 10:04

Shkruan: Florim Zeqa     

Thirrje deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

''Zajednica'' lë jashtë kontrollit të shtetit rreth 30 për qind të territorit të vendit

Kuvendi i Republikës së Kosovës për të shpëtuar humbjen e territorit dhe pengimin e cenimit të sovranitetit nga "Zajednica" duhet t'i hedhë poshtë marrëveshjet antishtetërore dhe antikombëtare të nënshkruara në Bruksel dhe në Vjenë nga liderët e shantazhuar politikë, të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve të vendit dhe servilë ndaj ndërkombëtarëve

Përderisa në shumicën e rasteve simbolet e shtetit (flamuri, stema, himni...) përcaktojnë identitetin nacional, kulturor dhe historik, në rastin e Kosovës ndodhi e kundërta. Jo vetëm që flamuri nuk e përcakton identitetin e popullatës shumicë (shqiptare), nuk përkon as me identitetin historik apo kulturor të Kosovës ndër shekuj.

Ky ishte plani ndërkombëtar i hartuar nga Marty Ahtisari, apo kompromisi i "dhimbshëm" siç e quanin liderët e atëhershëm (Hashim Thaçi, etj.), jashtë të cilit Kosova nuk do të pranojë asgjë tjetër...!!!

Krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe apo ''Zajednica'', e cila do të lërë jashtë kontrollit të plotë të institucioneve të shtetit të Kosovës rreth 30 për qind të territorit të vendit, paraqet shkeljen më flagrante të sovranitetit të shtetit dhe të vet Planit të Ahtisarit, në të cilin as që ishte paraparë një krijesë e tillë artificiale.

Toka e Kosovës u falet fqinjëve

Të mos flasim për demarkacionin e kufirit i filluar me Maqedoninë, i cili  Kosovës i kushtoi me humbjen e 2500 hektarëve tokë, të cilët iu falën shtetit sllavo-maqedonas,...i vazhduar edhe më keq me Malin e Zi, i cili shënon tkurrjen drastike të territorit, me ç'rast këtij shteti sipas marrëveshjes së Vjenës do t'i falen hiq më pak se 12 mijë hektarë tokë!

Siç shihet nuk janë në pyetje dhjetëra e as qindra metra, por është në pyetje një territor tepër i gjerë për Kosovën e vogël. Humbja e më se 14 mijë e 500 hektarëve e cenon në mënyrë të dukshme territorin e vendit tonë,...e ndryshon edhe në aspektin gjeografik hartën e Kosovës.

Në këtë rast Kuvendi i Republikës së Kosovës për të shpëtuar humbjen e territorit dhe pengimin e cenimit të sovranitetit nga "Zajednica" duhet t'i hedhë poshtë marrëveshjet antishtetërore dhe antikombëtare të nënshkruara në Bruksel dhe Vjenë nga liderët e shantazhuar politikë, të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve të vendit dhe servilë ndaj ndërkombëtarëve.

Nëse kjo nuk ndodh nga Kuvendi, atëherë Gjykata Kushtetuese është e obliguar që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit. Në rast se edhe Gjykata Kushtetuese i dorëzohet shantazhit politik të liderëve shtetërorë të korruptuar, atëherë çdo gjë mbetet në dorën e popullit, ngase Kosova s'ka territor të tepërt për t'i falur askujt!

Këto demarkacione fatkeqe për vendin, jo vetëm që e vënë në pikëpyetje  ekzistencën e shtetit,...rrënojnë tërësinë territoriale të vendit dhe rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve!

E gjithë kjo që po ndodh para syve tanë, para opinionit vendor dhe ndërkombëtar,...nuk guxon të kalojë kështu në heshtje! Nëse ndryshon kushtetuta shkaku i "Zajednicës" do të ndryshojë edhe pamjen e flamurit për shkak të ndryshimit të kufijve mbi të cilët është njohur pavarësia e shtetit nga më se 110 shtete, gjë e cila do të reflektonte negativisht në imazhin e vendit kundrejt shteteve që kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues të saj! Para këtij ndryshimi antikushtetues të kufijve nuk duhet të rrimë duarkryq. Në radhë të parë janë të zgjedhurit e popullit-deputetët që duhet të ndërmarrin hapat ligjorë kundër rrënimit të rendit kushtetues në vend.

Në veçanti deputetët e subjektit shtetndërtues - LDK-së, nuk guxojnë të bien pre e shantazhit politik të liderit të tyre të korruptuar dhe shantazhuar njëkohësisht, por të dalin fuqishëm në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe sovranitetit të shtetit. Të mos e votojnë ratifikimin e dy marrëveshjeve të fundit në Bruksel dhe Vjenë, të mos votojnë ndryshimet kushtetuese për krijimin e "Zajednicës" dhe as faljen e 14 mijë e 500 hektarëve toke të Kosovës shteteve fqinje (Maqedoni-Mali i Zi).

 Të ndërpritet kumbaria e re serbo-shqiptare

Ju deputetë shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa dallime partiake, pozitë dhe opozitë vihuni në shërbim të mbrojtjes së interesave të shtetit, atdheut tuaj dhe qytetarëve të vendit. Mos u bëni pjesë e politikave shkatërrimtare të shtetit për të cilin u derdh shumë gjak, u bënë sakrifica të panumërta të brezave të tërë.

Deputetë shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në damarët tuaj rrjedh gjak shqiptari, mos lejoni të shkelet mbi amanetin e shumë brezave, mbi gjakun e dhjetëra mijëra dëshmorëve dhe martirëve, mos shkelni mbi gjakun e rreth 1700 të të pagjeturve, mos shkelni mbi nderin e 20 mijë nënave dhe motrave tona të dhunuara nga barbarët serbë.

Jo për të shfaqur patriotizmin folklorik, por për të freskuar memorien e tyre i ftoj të gjithë deputetët shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës të dëgjojnë këngën e rapsodëve popullorë për Hoxhë Breznicën, e cila fillon dhe mbaron me thirrje kushtruese; "Kush e nin paj veten shqiptar hasmin shka ma se nxanë kumar,...kush lakmon paj hala në shka, o ai flliqan ma ktu ven ska,...kush perzinë ma me të bijt e shkins, le të ja mësyn ma mirë drejt Serbisë" (origjinali vll. Qetaj 2011).

Deputetë shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me vendimin tuaj të drejtë (kundër dy marrëveshjeve të fundit në Bruksel e Vjenë), jo vetëm që  mbroni amanetin e dëshmorëve, mbroni copëtimin e trojeve etnike shqiptare, mbroni Republikën e Kosovës, mbroni ardhmërinë e bashkatdhetarëve tuaj në shtetin e Kosovës, duke mbrojtur jetën e qytetarëve tuaj, mbroni dhe parandaloni njëkohësisht konflikte dhe luftëra të reja ndëretnike në Ballkan.

Andaj bëhuni mbrojtës të sovranitetit të shtetit, bëhuni ndërtues të paqes dhe sigurisë afatgjate në këtë pjesë të gadishullit ballkanik.

Në të kundërtën, ju deputetë shqiptarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me votën "pro" marrëveshjeve fatkeqe për vendin, me (pa) dashjen tuaj do të shndërroheni në shkaktar të trazirave dhe gjakderdhjeve të shpejta në trojet dardane, ngase populli nuk do të pranojë për asnjë çmim humbjen e tokave të veta, kthimin prapa të trashëgimisë stërgjyshore nën kthetrat e pushtuesve sllavë.

Deputetë, mos lejoni të bjerë mbi ju mallkimi i një populli të tërë!