Kush po thërret pa ia nda, me u vra vëlla me vëlla...?!

Kush po thërret pa ia nda, me u vra vëlla me vëlla...?!
  • 03 September 2015 - 10:10

Shkruan: Riza Greiçevci

Kosovës i duhen buka, ligji, paqja, demokracia...

Dikush po i jeo injeksion të vdekurit m'u shërua?!

Është qesharake kot të shpresosh së populli i Kosovës do të dalë në protestë të dhunshme, të gjakosë rini, fëmijë, gra, pleq, të harrojë hallet me papunësinë, varfërinë, sundimin  e ligjit, hyrjen n’Evropë, në NATO, liberalizimin e vizave...

Po flitet: As në varr s’i ka shti kush! Shqip lindën, shqip jetuan, por i shanë, i mashtruan, i shkërmoqën, i përbuzën...Trupin e tyre të sakatuar, si një stërvinë e hodhën në një gropë të thellë: Moralin! Demokracinë! Dinjitetin! Vëllazërinë! S’i deshën ma! Janë ata që po thërrasin popullin me dalë në rrugë, me derdh gjak e m e hapur plagë, me nxirë imazhin e shtetit, të Republikës dhe të Kosovës në arenë ndërkombëtare. Janë të mashtruarit, humbësit, rrejnë  se nuk duan vëllazërinë, demokracinë, shtetin, Republikën e Kosovës, Evropën, s’e duan as Amerikën, NATO-n, medet, s’e duan as ardhmërinë e fëmijëve të Kosovës. Ata duan: Pushtet! Hyqymet! Vetëm kaq! Ata e hedhin Kosovën në zjarr për shtet e pushtet!

Ata që përditë po thërrasin qytetarët për protestë, të dhunshme, për gjakderdhje, për destabilizim të institucional e qytetar, askush s’e do dashurinë, moralin, besën, të vërtetën, drejtësinë, ardhmërinë e shtetit të Kosovës. Interesant: Ata që kërkojnë vota me gurë e hekur e gjak e zjarr nga dhuna nëpër rrugë, ata, që ende s’e njohin, as lirinë, as UÇK-në, as shtetin, as flamurin e tij, as Parlamentin, as Republikën e Kosovës, por më shumë u besojnë deklaratave çetnike të Vuçiçit, Daçiçit, se sa përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës, e s’u besojnë as anëtarëve të partive të tyre politike. Mohuesit. Ata që i rrëzoi dhe i shtriu hundë e buzë vota e lirë e popullit, sot, kinse për “sherr” të nënshkrimeve jokushtetuese, antiligjore, në Bruksel,“azganët e tillë” po grumbullojnë gurë, vezë, hekur, zjarr për të marrë pushtetin me dhunë! E pse? Dihet: Me protestë, me dhunë, me gurë e vezë, më lehtë mund të përfitojnë vota nga qytetarët, e sipas moralit të tyre, punë e madhe pse qytetarët përgjaken, lëndohen... Epo, shohim e bëjmë!

Qesharake të shpresosh së populli i Kosovës  do të dalë në protestë të dhunshme, të gjakosë tokën e Kosovës...

E, sytë e disa analistëve, publicistëve, analfabetëve, intelektualëve me diploma të blera me lekë, të tillët, sot serbisht e shohin Kosovën, serbisht e njohin ligjin, drejtësinë... Serbisht po i konsiderojnë bisedimet në Bruksel. Edhe përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel i shohin, i ndjejnë, u thonë: serbë! Sipas logjikës së errët, sipas analfabetizmit që kanë, përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel, paskan nënshkruar robërinë, paskan shitur veriun, Kosovën, e paskan pranuar, ruana o Zot, për serbët e veriut autonomi, paskan lejuar që Serbia të rikthehet në Kosovë, sic! Asgjë të mirë  të m barë, demokratike për të mirën e Kosovës, të qytetarëve, nuk presin as fëmijët tuaj, as Kosova, as Evropa, as Amerika, as sot, as nesër. Ju, shqip flisni, e dimë, por serbisht mendoni, serbisht gjykoni, serbisht shpresoni, serbisht e shihni Kosovën, serbisht e doni popullin, serbisht e doni shtetin e Kosovës, serbisht e doni Republikën e Kosovës, Evropën, Amerikën... Kush jeni ju që me dhunë kërkoni ta merrni pushtetin? A mos jeni ju ata që iu rrëzoi dhe iu shtriu për tokë, vota e lirë e popullit në zgjedhjet e kaluara? Aha, ju jeni ata? Dijeni, të jeni të bindur, është qesharake, absurde, turp, kot shpresoni se populli i Republikës së Kosovës do të dalë në protestë të dhunshme, të gjakosë tokën e Kosovës dhe të harrojë hallet me papunësinë, varfërinë, udhën në Evropë, NATO-n, hyrjen në UNESK-o, në OKB, liberalizimin e vizave, për një ardhmëri më të mirë për Kosovën!   

Kush po thërret pa nda, për m’u vra vëlla me vëlla...?!

Zoti Ynë! Me lejo edhe një minutë jete të mos me ikën, pa i thënë  popullit tim: Shekuj ke bëre luftë me dreqin e birin e dreqit! Pa bukë! Pa liri! Pa drejtësi! Pa shtet! Me fe të përçarë! Me atdhe të ndarë! I huaj në dheun e Ilirisë. Historia u thotë brezave: Qëndrove, populli im! Krenar para Zotit! Para Tokës! S’e shkele, s’e poshtërove, s’e  shite besën! Erzin! S’e ligështove plisin! Fisin! Pragun! Gjakun! I varfër, por krenar! I shtypur, por luftëtar! E,sot? Ani se dheun e Kosovës e qulle me gjak! Ani se lirinë e shtetin e pavarësinë  i fitove me luftë çlirimtare! Ani pse ende s’t’u kanë përtharë plagët e shpirtit, plagët  trupit! Ani pse mbushe me eshtra gjithandej edhe dheun e Car Dushanit! Ani pse ende je i papunë! I hollë për nga ekonomia! Heu, sot, ai dikush, kërkushi, mjerani, qyqari, analfabeti, i shkreti, s’të lë rehat me halle tua! Të pengon! Të poshtëron! Të fajëson! Të ligështon! Të mashtron! Haj medet, haj, populli im: Sot kur e ke lirinë, pavarësinë! Sot kur e ke shtetin, Republikën! Evropën, Amerikën, botën! Sot të thërret ai kërkushi për të dalë në rrugë, me derdhur dhunë mbi fëmijët tu, populli im, mbi vëllezërit tu, mbi shtetin e Parlamentin tënd, me u vra e plagos vëlla me vëlla, me derdhur gjakun, me ligështua pragun, me hap plagë, me u la me marre, Zot ruana,  ndofta, me hap edhe varre...Me derdhur gjakun sot në liri?

Me mbështjellë Kosovën me  dhunë, me zjarr, me gurë, me hekur, me plagë, sot në paqe? Kush po thërret, populli im, m’u vra vëlla me vëlla, Zoti, fëmijët tanë, Evropa, Amerika, bota, me na pa, haj medet, kush janë ata? Pështyj, injoroi, shporri, mallkoi, hidhi para gjyqit të drejtësisë, para gjyqit të Evropës, hidhi para gjyqit të botës! Për tradhti të lirisë Për dhunë! Për vrasje! Për mashtrim! Injoroi! Mallkoi,

Populli im, Kosova sot s’ka nevojë për dhunë, as për gurë, as për gjakderdhje, as për mëri, as për urrejtje, as për vëllavrasje, nuk kemi nevojë, as ne, as Evropa, as bota! Le të rrojë populli! Liria! Paqja! Dashuria!