Imoraliteti politik dhe hipokrizia e Isa Mustafës e ndihmojnë Hashim Thaçin!

Imoraliteti politik dhe hipokrizia e Isa Mustafës e ndihmojnë Hashim Thaçin!
  • 15 October 2018 - 08:32

SHKRUAN: FLORIM ZEQA
 

Duke dëgjuar e lexuar deklarimet e liderit të LDK-së lidhur me dialogun dhe idenë e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë, njeriu i zakontë mund edhe të besojë verbërisht në përsiatjet e liderit të LDK-së dhe ishkryeministrit të vendit, Isa Mustafa! Mirëpo, për të gjithë ata që i kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet politike në dekadën e fundit, postimet e Isa Mustafës në 'Facebook' janë shprehje e imoralitetit politik dhe egos së pakufishme për pushtet. E kuptojmë dëshirën e Isa Mustafës për ta harruar të kaluarën e tij politike, gjegjësisht të qenët pionier i Titos, anëtar i devotshëm i LKJ-së dhe zyrtar besnik i Millosheviqit në qeverinë e Rrahman Morinës e deri të koalicioni me Hashim Thaçin! Me siguri Isa Mustafa do të dëshironte që të harroheshin edhe shumë ngjarje e ndodhi tjera, por faktet e shkruara dhe filmuara janë të pamëshirshme. Fillimisht kur Mustafa flet për dialogun, po citoj: "LDK-ja nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin dialogut, sepse nuk i beson. Ne e themi qartë se nuk ikim nga përgjegjësia jonë për vendin, por rrjedhimisht nuk ndajmë përgjegjësi me ata që u treguan të papërgjegjshëm. As nuk bëjmë marrëveshje me njerëz, të cilëve nuk iu besojmë".

Shtrembërimi i realitetit Këtu menjëherë Isa Mustafa bie ndesh me të kaluarën e tij, pasi ishte vetë ai që kishte lidhë koalicion me të pabesët për të kënaqur egon e tij për pushtet,...bie ndesh me pozicionin e tij karshi dialogut, pasi ishte vetë ai në krye të dialogut me Serbinë në Bruksel gjersa ishte në postin e kryeministrit! Në këtë kontekst, Isa Mustafa asnjëherë në postimet e tij nuk e përmend faktin se ishte vetë ai që nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe në Bruksel (AKS). Përderisa Hashim Thaçi ishte nënshkruesi i parë i një marrëveshje kornizë për Asociacionin me 19 prill 2013 me Ivica Daçiqin, Isa Mustafa është nënshkruesi i dytë i të njëjtës marrëveshje me 25 gusht 2015 me Aleksandar Vuçiqin, e cila garanton kompetencat ekzekutive të Asociacionit, për të cilën gjë kishte reaguar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila e bën fajtor Isa Mustafën për shkeljen e hiq më pak se 23 neneve të Kushtetutës së vendit! Sikurse për dialogun, ashtu edhe për pozicionin e Hashim Thaçit, deklaratat e Isa Mustafës bien ndesh me realitetin, siç është deklarata e para disa ditëve, po citoj; "Duke lexuar opinione të ndryshme fitohet përshtypja se po bëhet garë se kush po i thotë më shumë e më fort Presidentit se e ka keq me përhapjen kokëfortë të teorive të tij shumë konfuze, por të rrezikshme, për korrigjim të kufirit me Serbinë, si zgjidhje e marrëveshjes përfundimtare. Që e ka keq dhe gabim? E ka! Por shtrohet pyetja se kush ia dha shansin që ta ketë keq. Qeveria dhe askush tjetër". Edhe përmes deklaratës së mësipërme Isa Mustafa mundohet të shtrembërojë realitetin, duke akuzuar të tjerët për pozicionin, gjegjësisht ngritjen në postet më të larta shtetërore të Hashim Thaçit! Ngase nuk është qeveria aktuale, por është Isa Mustafa ai mban përgjegjësi pse Thaçi u bë kryeministër, sikurse që mbanë përgjegjësi edhe kur Thaçi u bë president, ngaqë me ndihmën e tij ai u fuqizua dhe tash sillet si despot i egër dhe në mënyrë fare të papërgjegjshme karshi qytetarëve të vendit. Loja e dyfishtë e Isa Mustafës, jo vetëm se nuk do ta ndihmojë atë në rikthimin e pushtetit, partinë që ai drejton (LDK-në) do ta dëmtojë e lëndojë akoma më tepër si subjekt serioz në skenën politike.

Pa reforma nuk ka ndryshim në skenën politike Pa reformim të skenës politike, jo vetëm që nuk do të ndodhë ndryshimi, do të kemi vetëm vazhdimësi, rikonfigurim dhe riciklim të figurave politike. Popullata e lodhur nga mashtrimet dhe gënjeshtrat nuk ju beson më politikanëve të korruptuar dhe tejinkriminuar, të cilët kur është në pyetje pushteti i harrojnë të gjitha mëritë dhe inatet personale. Shembullin më të keq të kësaj situate prapë na jep Isa Mustafa, i cili gjersa ishte në opozitë e shante e akuzonte Hashim Thaçin për kapje dhe uzurpim të shtetit, kurse menjëherë pas lidhjes së kurorës qeverisëse i bie në përqafim Thaçit,...dhe ja përsëri pas humbjes së pushtetit, është prapë i njëjti që e shanë dhe akuzon të njëjtin person për dialogun dhe iniciativat e tij kryeneqe! Mirëpo, njëri nga postimet më skandaloze të Isa Mustafës në rrjetin social (Facebook) ishte ai i datës 5 tetor 2018, nga i cili shkoqita këto në vijim, po citoj: "Nga ky muaj kemi filluar të intensifikojmë punën me organizatat vendore të LDK-së,...po bëhemi gati ta rimarrim qeverisjen e vendit, duke ofruar zgjidhje evropiane për proceset që na presin,...në gjitha sondazhet e këtij viti, po ashtu, flasin se kemi besimin më të madh të qytetarëve. Por kjo nuk e mbron LDKnë nga marrëveshjet e fshehta dhe manipulimet që mund ti bëjë PDK në zgjedhjet e ardhshme"."Intensifimi i punës me organizatat vendore të LDK-së", nënkupton anashkalimin e plotë të degëve dhe strukturave të saj në Diasporë nga ana e liderit diktatorial të LDK-së. Ndërsa sa u përket marrëveshjeve të fshehta dhe manipulimeve të PDKsë, ato nuk e kanë shkatërruar LDKnë, aq sa e kanë shkatërruar marrëveshjet e fshehta dhe private të liderit të saj me Hashim Thaçin. Andaj, çdo tentim ikje nga e realiteti dhe e vërteta e hidhur është shprehje e imoralitetit politik dhe hipokrizi e skajshme e liderit të LDK-së, i cili mund të jetë çkado tjetër, por jo asnjëherë lider shpirtëror i subjektit më të vjetër në hapësirën politike shqiptare. Vetëm tërheqja e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të partisë dhe kërkimfalja ndaj qytetarëve për dëmin që i shkaktoi vendit me lidhjen e kurorës së panatyrshme me PDK-në në vitin 2014 (kur Kosova ishte në prag të ndryshimit historik) do ta ndihmonte LDK-në rrugëtimin e saj politik, për çka do të krijohej edhe një standard i ri politik në vendin tonë. Në asnjë rrethanë politike ndryshim pozitiv për vendin nuk do të sjellin ata që ishin dhe janë akoma suporti më i madh i Hashim Thaçit, përkatësisht ata që ngritën duart lart për votimin e Thaçit president dhe marrëveshjeve fatkeqe për vendin të nënshkruara nga ai. Ndryshimi substancial dhe pozitiv i vendit nuk arrihet me 30 % të votave, përkatësisht me 40 % të daljes së votuesve në zgjedhje. Pavarësisht faktit se kur do të mbahen zgjedhjet rezultati do të jetë përafërsisht i njëjtë. Pak ka rëndësi cili subjekt do të dalë i parë, i dyti apo treti, pasi konstalacioni i forcave politike prapë do të mbetet i njëjtë.

(Kosova Sot)