Presidenti premtoi rritje historike në shpenzimet e mbrojtjes, dhe e realizoi këtë premtim

Presidenti premtoi rritje historike në shpenzimet e mbrojtjes, dhe e realizoi këtë premtim
  • 15 October 2018 - 08:34
Shkruan: Marc Thiessen

Trump mbajti premtimin e tij për ta zhvendosur ambasadën e SHBA-së në Izrael nga Tel- Avivi në Jerusalem, diçka që tre paraardhësit e tij të mëhershëm premtuan, por dështuan ta realizonin

Donald Trump mund të mbahet mend një ditë, si presidenti më i ndershëm në historinë moderne amerikane. Mos më keqkuptoni, Trump rrenë gjatë tërë kohës. Ai tha se ka realizuar shkurtimin më të madh tatimor dhe reformat më të mëdha në historinë amerikane (derisa ato janë të tetat me radhë, për nga madhësia) dhe se "ekonomia jonë është më e fortë sesa që ka qenë ndonjëherë në historinë e vendit tonë" (gjë që mund të bëhet e vërtetë një ditë, por ende nuk është). Pjesërisht, kjo është filozofi njujorkeze - çdo gjë është më e madhja dhe më e mira. Por, kur flitet për barometrin e vërtetë të vërtetësisë së presidentit - mbajtjen e premtimeve të tij - Trump është model i ndershmërisë. Në të mirë dhe në të keq, prej se e ka marrë postin, Trump ka bërë saktësisht atë që ka thënë se do ta bëjë. Trump mbajti premtimin e tij për ta zhvendosur ambasadën e SHBA-së në Izrael nga Tel- Avivi në Jerusalem, diçka që tre paraardhësit e tij të mëhershëm premtuan, por dështuan ta realizonin. Ai premtoi të "shkatërrojë dhe shtypë ISIS-in", dhe dy vjet më vonë ai është në prag të eliminimit të Kalifatit fizik të Shtetit Islamik. Ai premtoi se do të vendoste një ndalim shkuarje në SHBA për shtetasit e vendeve që, sipas tij, janë duke paraqitur një kërcënim terrorist dhe, pas disa fillimeve të rreme, versioni përfundimtar i ndalimit të tij u mbështet nga Gjykata Supreme. Ai premtoi të ndëshkonte Sirinë nëse përdorte armë kimike kundër popullit të saj dhe, ndryshe nga paraardhësi i tij në post, ai e realizoi këtë kërcënim - jo një herë, por dy herë.

Premtimi për gjyqtarë të rinj Trump premtoi të emërojë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe tani Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh gjenden në gjykatën e lartë. Trump gjithashtu u zotua të mbushë gjykatat federale të apelit me gjyqtarë të rinj, konservatorë, dhe deri më tani Senati ka konfirmuar 26 - më shumë se çdo president i kohëve të fundit në këtë moment në administratën e tij. Trump premtoi të kalojë reformat historike të taksave dhe nënshkroi rishikimin e parë të madh të kodit tatimor në tre dekada. Ai u zotua për një rregullim të pashembullt rregullator, me një politikë të rreptë për të eliminuar dy rregullore ekzistuese për çdo rregullore të re. Në vend të kësaj, në vitin e tij të parë ai eliminoi 22 rregullore ekzistuese për çdo rregull të ri, arriti 8.1 miliardë dollarë në kursimet rregullatore të jetës dhe është në rrugën e duhur për të arritur një shtesë prej 9.8 miliardë dollarë këtë vit. Gjatë fushatës, ai u tha votuesve afrikano-amerikanë: "Çfarë keni për të humbur? ... Do ta rregulloj situatën, do të sjell përsëri punë, do ta kthejmë shpirtin". Gjatë mandatit të tij, papunësia afrikano-amerikane arriti nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, dhe reforma e tij e taksave përfshiu një dispozitë të vogël të vërejtur që krijonte "Zonat e Mundësisë" për të ripërtërirë qytetet në vështirësi dhe komunitetet e brendshme në qytete. Trump premtoi të anulojë Planin e ish presidentit Barack Obama, të Energjisë së pastër; të tërhiqej nga marrëveshja e klimës të miratuar Paris; të miratojë tubacionet 'Keystone XL' dhe 'Dakota Access' dhe ta hapë kampin 'Arctic National Wildlife Refuge' për eksplorim. Ai i përmbushi të gjitha ato premtime. Për tregtinë, ai mbajti premtimin e tij për t'u tërhequr nga Partneriteti Trans-Pacifik dhe për të vendosur tarifa për çelikun dhe aluminin. Ai gjithashtu u angazhua për rinegociimin e NAFTA-s dhe Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të SHBA-së dhe Koresë - dhe së fundmi nënshkroi marrëveshje të reja me Meksikën, Kanadanë dhe Korenë e Jugut. Ai u angazhua për vendosjen e tarifave në Kinë për ta detyruar atë të hapte tregjet e saj dhe të ndalonte vjedhjen e pronës intelektuale - dhe po ndjek atë përkushtim. Çfarëdo që mund të mendoni rreth politikave tregtare të Trumpit, ai po bën pikërisht atë që ai tha.

Rekord në mbajtjen e premtimeve presidenciale Presidenti premtoi rritje historike në shpenzimet e mbrojtjes, dhe e realizoi këtë premtim. Ai premtoi të sillte punë prodhuese dhe punët prodhuese po rriten me ritmin më të shpejtë në më shumë se dy dekada. Ai u zotua të nënshkruante legjislacionin "E drejta për të provuar" për t'u dhënë amerikanëve që vdisnin qasje në trajtimet eksperimentale dhe bëri këtë. Ai premtoi ta luftonte epideminë e opiumit dhe së shpejti do të nënshkruajë një ligj të gjerë dypartiak në këtë drejtim. Aty ku Trump nuk ka arritur të mbajë premtimet, të tilla si ndërtimi i murit ose shfuqizimi i Obamacare-s, kjo nuk ka qenë për mungesë përpjekjesh. Vetëm në disa raste të rralla ai ka kthyer prapa në një premtim të fushatës - siç është kur ai pranoi se ishte gabim të premtonte një tërheqje të plotë të forcave amerikane nga Afganistani dhe ndryshoi kursin. Më vjen mirë që ai bëri këtë. Kur Trump thotë se do të bëjë diçka, mund t'i bini vule asaj. Po, ai i jep vetes liri në lidhje me komentimin e të së vërtetës. Por, ndryshe nga paraardhësi i tij, ai nuk e ka kaluar nënshkrimin e tij legjislativ mbi bazën e një gënjeshtre ("Nëse e pëlqeni planin tuaj të kujdesit shëndetësor, ju mund ta mbani atë") - gjë që është më e keqe se sa të thotë në mënyrë të rreme se shkurtimi aktual tatimor është më i madhi ndonjëherë. Fakti është, në dy vitet e tij të para, Trump ka përpiluar një rekord të shquar të mbajtjes së premtimeve presidenciale. Ai ndoshta do të thoshte se është më i miri në histori - gjë që mund ose nuk mund të jetë si e vërtetë. Është shumë herët për ta thënë këtë.

(Kosova Sot)