Amerika vazhdon ta udhëheqë botën

Amerika vazhdon ta udhëheqë botën
  • 04 September 2015 - 10:20

Shkruan: Simon Johnson

Raportimet për vdekjen e fuqisë amerikane janë të pavërteta

Kinezët po plaken para se të bëhen të pasur

Kina nuk do të shuhet (siç ka ndodhur me Bashkimin Sovjetik) dhe një stagnim i ngjashëm me atë të Japonisë, duket larg të qenit i mundshëm. Mirëpo, Kina po plaket me një ritëm të shpejtë dhe mund të bëhet e vjetër para se të bëhet e pasur

Raportimet për vdekjen e fuqisë amerikane shpeshherë janë ekzagjeruar. Në vitet e 1950-a thuhet që Bashkimi Sovjetik e kishte kaluar SHBA-në, ndërsa sot Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më. Në vitet e 1980-a, Japonia konsiderohej se ishte në rrugë të duhur për ta kaluar SHBA-në, ndërsa sot, pas dy dekadash të stagnimit të Japonisë, askush nuk e merr këtë skenar seriozisht. Ndërsa, në vitet e 1990-a, unioni monetar ishte konsideruar si një projekt i përkryer për ta shndërruar Evropën në forcën dominuese globale, ndërsa sot ekonomia evropiane është ndër temat më të diskutuara, mirëpo jo për të mirë.

Tani i ka ardhur radha Kinës. Deri së fundmi, Kina, për shumë njerëz, pritej ta merrte lidershipin global, ndërsa për disa të tjerë ajo veçse e kishte marrë këtë rol. Sot, dyshimet për përparimin afatgjatë të ekonomisë kineze po i trembin tregjet e aksione në mbarë botën, përfshirë këtu edhe SHBA-në.

Çështjet e Kinës dhe politikat e saj ekonomike, përfshirë këtu edhe mënyrën e menaxhimit të ratave të këmbimit, duhet marrë seriozisht. Mirëpo, Kina nuk e udhëheq botën dhe nuk duket se do ta bëjë një gjë të tillë në një të ardhme të afërt. Potenciali për lidership global vazhdon të jetë tek, besoni ose jo, SHBA-ja.

Rasti më i mirë për ta marrë seriozisht Kinën si fuqi botërore është bërë në librin bestseller të Arvind Subramanian-it, ‘Eklipsi: Jeta në hijen e Dominimit Ekonomik të Kinës’, që ishte publikuar në vitin 2011.

Eksperienca e Kinës

Dikush mund të shpresojë që Qeveria e Indisë do ta shikojë me kujdes mënyrën se si Kina ka arritur ta rrisë eksportin e të mirave materiale. Kina, në fakt, ishte integruar në zinxhirët globalë të furnizimit, duke prodhuar gjëra për kompanitë e ndryshme nëpër botë, në një shkallë, që më herët ka qenë e paimagjinueshme, ndërsa menaxherët kinezë janë mësuar se si të bëjnë produkte më cilësore.

Mirëpo, pjesët tjera të eksperiencës së Kinës nuk i kanë shërbyer kaq mirë, nëpër kohë. Kina kishte grumbulluar teprica të mëdha në fillim të viteve të 2000-a dhe kishte akumuluar rezerva të huaja, përfshirë këtu edhe vlerën e të paktën tri trilionë dollarëve. Përkundër faktit që kjo duket mbresëlënëse në letër, rezervat kaq të mëdha janë, në esencë, të panevojshme. Nëse Kina do t’i shiste asetet e saj në SHBA, dollari do të dobësohej dhe kompanitë amerikane do ta kishin më të lehtë eksportimin dhe të konkurronin kundër importit.

Mirëpo, shqetësimet e amerikanëve për faktin se po tejkalohen nuk janë të reja. Shqetësime ka pasur edhe në fund të viteve të 1980-a kur një kompani japoneze e kishte blerë Qendrën ‘Rockefeller’ në Nju-Jork. Në retrospektivë, kjo ka qenë njëra nga ngjarjet më të mëdha të shekullit të njëzetë. Ngjashëm, amerikanët me shumë gjasë amerikanët do të shikojnë prapa, për ta parë akumulimin e Kinës dhe do t’i ngritin supet.

Beteja e valutave

Një çështje më e madhe është politika kineze për ratat e këmbimit. Për një kohë të gjatë, Kina e kishte parandaluar mbivlerësimin e valutës së saj, gjë e cila ka qenë politikë e qëlluar, e konfirmuar edhe nga vetë Subramanian. Mirëpo, në fillim të viteve të 2000-a, Kina kishte shkuar shumë larg. Për arsye që ende vazhdojnë të debatohen, renminbi ishte nënvlerësuar në masë të madhe, eksporti ishte shumë më i lartë sesa importi dhe tepricat e kishin tejkaluar 10 përqindëshin e GDP-së. Në vend se ta lejonin renminbin në atë gjendje dhe gradualisht ta reduktonin varësinë në eksport, autoritetet kineze kishin preferuar që të akumulonin rezerva të huaja.

Tani Kina duhet ta gjejë një mënyrë të përshtatshme për të arritur zhvillim të qëndrueshëm, pasi që kërkesa në pjesën tjetër të botës është e ulët. Një rikthim në valutën e zhvlerësuar do të provokonte një kundërpërgjigje ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe kundërpërgjigjen nga Kongresi Amerikan. Mirëpo, orientimi i përnjëhershëm në rritjen e përqendruar vetëm brenda kufijve, nuk është një gjë e lehtë. Kina nuk do të shuhet (siç ka ndodhur me Bashkimin Sovjetik) dhe një stagnim i ngjashëm me atë të Japonisë, duket larg të qenit i mundshëm. Mirëpo, Kina po plaket me një ritëm të shpejtë dhe mund të bëhet e vjetër para se të bëhet e pasur.

Tregtia e lirë përtej oqeanit

Për çdo dekadë, njerëz të rëndësishëm e parashikojnë përfundimin e fuqisë amerikane. Ka arsye për t’u brengosur, sidomos kur disa politikanë amerikanë refuzojnë ta njohin natyrën e rolit global të Amerikës. Për shembull, SHBA-ja e kishte ndërtuar tregtinë botërore dhe sistemin monetar para shtatëdhjetë vitesh, ndërsa sot Republikanët në Kongres refuzojnë t’i mbështesin ndryshimet në FMN, përfshirë këtu edhe reformat e ndjeshme, që mbështeten nga pothuajse të gjitha shtetet e tjera.

Megjithatë, është pikërisht SHBA-ja ajo që për momentin po përpiqet për një tregti të lirë përtej Paqësorit dhe për reduktim të barrierave për tregti me Evropën. Nëse Amerika i kupton mirë rregullat, për t’i favorizuar më pas qytetarët e rëndomtë para korporatave të mëdha, iniciativat e saj tregtare do të japin kontribut të madh në zhvillimin global dhe në përparimin e saj.

Sa i përket politikave monetare, çështja më brengosëse për vitin e ardhshëm është se kur dhe për sa do t’i rrisin ratat e interesit zyrtarët e Rezervave Federale. Kur zyrtarët monetarë të SHBA-së mblidhen për takimin e tyre të fshehtë, ata do t’i marrin parasysh dimensionet relevante të ekonomisë globale. Mirëpo, Komiteti Federal i Tregut të Hapur do t’i lëvizë ratat e interesit bazuar në leximin kolektiv të rrethanave ekonomike të SHBA-së. Edhe një herë, pjesa tjetër e botës do të reflektojë në bazë të të bëmave të SHBA-së.

(Simon Johnson ka qenë ekonomist kryesor në FMN dhe është profesor i ekonomisë në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”