Kriminelët nuk e luftojnë krimin

Kriminelët nuk e luftojnë krimin
  • 23 October 2018 - 08:16

Shkruan: Muhamet Kelmendi

Në kuadër të ditës për dhunën në familje dhe përdhunimeve gjatë luftës, në takim ku ishte veç z. Thaçi edhe njeriu që po akuzohet për shumë krime, Aleksandër Lumezi, u diskutua për dhunën dhe përdhunimet, si dhe rehabilitimi i tyre. Turpi i kësaj dëgjohej kur kërkonin zbardhjen e dhunës serbe gjatë luftës, apo të përdhunimeve dhe të dhunës së bërë pas luftës, në familje dhe në shoqëri. Është anomali të diskutohet në takime kjo, në një anë dhe, në anën tjetër, të lejohen subjektet e dyshimta dhe mos të punohet në ndjekjen e krimit. Me dhjetëra takime ka pasur midis pushtetit të Kosovës dhe të shtetit serb, po asnjëherë nuk është kërkuar përgjegjësia penale dhe dëmshpërblimi. U takua Thaçi me Daçiqin, Mustafa me Vuçiqin.Thaçi me Vuçiqin e shumë Vuçiqa të tjerë, po kjo mbeti anash. Pse? Që kjo dhunë të ndëshkohet dhe të marrë rrugën e mbarë, përkatësisht që të ndalet dhuna, duhet të japin shembuj vetë organet e shtetit. Kjo e nënkupton:

1. Presidenti i vendit duhet të ndalet vetë nga veprimet e keqpërdorimit të pozitës dhe nëpërmjet kësaj edhe të njerëzve të vendosur nga ai,

2. Të kërkohet nga shteti serb përgjegjësi politike dhe morale, dënim penal dhe edhe shërbim të dëmit për 20 mijë femrat shqiptare të përdhunuara nga kriminelët serbë,

3. Të shkarkohet urgjentisht nga AKI-ja personi i dyshimtë dhe shumë i akuzuar, Shpend Maxhuni,

4. Të shkarkohet nga detyra e prokurorit të vendit Aleksandër Lumezi dhe Lumezat e tjerë që gjenden aty,

5. Të ndalet domosdo ndikimi në organet e drejtësisë nga politika dhe kryesisht nga shtyllat e larta të pushtetit,

6. Të nxirren ligjet adekuate për zhvillimin e procedurës së spastrimit të organeve të shtetit nga njerëzit me të kaluar antikombëtare dhe kriminale. Natyrisht se çështja e ndërtimit të shtetit ligjor nuk bëhet kur organet kryesore të pushtetit udhëhiqen nga veglat e ndryshme, kuptohet të pushtetit të kaluar apo të tashëm, e të cilët për interesa vetjake a të udhëheqësve informal të tyre, po e shkatërrojnë sistemin e drejtësisë. Z.Thaçi dhe kushdo tjetër, në Qeveri a në Kuvend, duhet të dijë se kurrë shteti ligjor nuk ndërtohet nga njerëzit e dyshimtë, me të kaluar proshoveniste dhe të tashme kriminale. VETTING-u është arma dhe mjeti që e çliron Kosovën nga tërë baza antishtetërore që e kanë kapur vendin. Këtu mendoj: 1. Në spastrimin e organeve nga njerëzit e ish-regjimit apo nga njerëzit që vijnë nga ata që i kanë shërbyer okupatorit serbomadh, 2. Të largohen edhe njerëzit e korruptuar, të papërgatitur dhe me moral jo shtetëror, të cilët po kryejnë vepra kriminale dhe 3. Të spastrohet domosdo vendi dhe ekonomia e saj nga mafia oligarkike që e ka kapur ekonominë e vendit. Vetëm kështu mund të ecet në ndërtimin e shtetit ligjor. Ky shtet në këto elemente dhe me këta kriminelë kurrë nuk stabilizohet dhe nuk ndërtohet juridikisht. Duhet punë.

 

(Kosova Sot)