Migrimi përtej gjendjes së krizës

Migrimi përtej gjendjes së krizës
  • 05 September 2015 - 09:58

Shkruan: Ana Palacio

BE-së i nevojitet ‘kurajë kolektive’ përballë sfidave të reja

Kontinenti evropian përballet me probleme në të gjitha skajet e tij

Kushtet e rrezikshme të udhëtimit të migruesve përbëjnë një krizë serioze humanitare. Që prej fillimit të këtij viti, rreth 2.500 njerëz kanë vdekur duke bërë përpjekje që ta kalonin Detin Mesdhe, e lëre më 71 trupat e pajetë, që janë gjetur të braktisur në pjesën e pasme të një kamioni në Austri. Mijëra të tjerë kanë mbetur në kampe të ndryshme, me shumë pak ose fare mbështetje

Gjashtë shtatë viteve të fundit, Evropa ka qenë në krizë, pothuajse pandërprerë. Nga Ukraina në Greqi, ngjarjet e ndryshme e kanë fërfëlluar kontinentin nga tigani në zjarr, e nga zjarri në tigan, përsëri e përsëri, me shumë samite e deklarata, që janë mbajtur e thënë për problemet e Evropës. Tani është kriza e imigrantëve, një krizë që nuk duket se do të zgjidhet në të ardhmen e afërt, ajo që po e tërheq vëmendjen më të madhe të Bashkimit Evropian. Mirëpo, nëse Evropa mëton që të kundërpërgjigjet efektshëm, ajo duhet të del nga kjo gjendje krize për t’i kuptuar më mirë gjërat me të cilat po përballet dhe si rrjedhojë të ballafaqohet më suksesshëm me sfidat e ndryshme.

Është i padiskutueshëm fakti që migrimi e meriton vëmendjen e BE-së. Jo vetëm që futja e migruesve në Evropë po thyen rekorde të reja çdo muaj, mirëpo edhe pikat hyrëse të imigrantëve po ndryshojnë. Ndërsa, dallimet në mes të azilkërkuesve, refugjatëve, personave të zhvendosur dhe migruesve ekonomikë, çdo ditë e më shumë po bëhen të paqarta, duke e vështirësuar edhe më shumë dallimin e këtyre kategorive.

Kushtet e rrezikshme të udhëtimit të migruesve përbëjnë një krizë serioze humanitare. Që prej fillimit të këtij viti, rreth 2.500 njerëz kanë vdekur duke bërë përpjekje që ta kalonin Detin Mesdhe, e lëre më 71 trupat e pajetë, që janë gjetur të braktisur në pjesën e pasme të një kamioni në Austri. Mijëra të tjerë kanë mbetur në kampe të ndryshme, me shumë pak ose fare mbështetje.

Rritja e dhunës

Për t’i përkeqësuar edhe më tej gjërat, ne kemi qenë dëshmitarë të dhunës së ndërlidhur me migrimin përgjatë gjithë Evropës, duke filluar nga një sulm i paramenduar në një strehimore refugjatësh në Gjermani, deri tek brutaliteti i zyrtarëve policorë ndaj imigrantëve në Maqedoni e Hungari. Porti i Kalait në Francë është bërë pikë kontrolluese e krizës, ku imigrantët mundohen që me forcë të futen nëpër kamionë e nëpër trena, për të shkuar në drejtim të Britanisë së Madhe.

Situata bërtet me të madhe fjalën ‘emergjencë’ dhe ka provokuar një përgjigje nga BE-ja. Zyrtarët e BE-së e kanë trefishuar buxhetin e operimit, që është i dizajnuar për fuqizimin e kufijve; është lansuar një operim i gjerë kundër trafikantëve në Detin Mesdhe dhe janë ndare fonde shtesë për shtetet anëtare, që janë prekur më së shumti nga vala e migruesve.

Kemi parë edhe veprime individuale nga disa shtete anëtare, sidomos nga Gjermania, që, përkundër faktit që kanë pranuar rreth 800.000 azilkërkues gjatë këtij viti, e ka pezulluar implementimin e Rregullores së BE-së, që do të çonte në dëbimin e mijëra refugjatëve sirianë.

Mirëpo këto masa, ndonëse ndihmojnë shumë, janë larg të qenit adekuate. Në fakt, këto masa janë shembujt më të mirë të politikëbërjës në gjendje krize, që favorizojnë masat ndaluese para zgjidhjeve reale. Duke i lejuar liderët e BE-së ta shmangin të kuptuarit e natyrës afatgjate të sfidës së migruesve, kjo qasje e dobëson motivimin e tyre për të ndërmarrë veprime kolektive. Në fakt, hezitimi për bashkëpunim është vërejtur shumë edhe në mbledhjen e muajit të kaluar të Këshillit për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme pranë BE-së, ku përfaqësuesit patën dështuar që ta nxirrnin një marrëveshje për shpërndarjen e 40.000 refugjatëve që Këshilli Evropian ishte pajtuar t’i pranonte në muajin qershor.

Ikin nga vatrat e luftërave

Një fakt që duhet ta kuptojmë është që presioni i migrimit është këtu dhe do të jetë edhe për një kohë. Fundja, faktorët, të cilët po i detyrojnë qindra-mijëra njerëz që ta rrezikojnë edhe jetën e vetë vetëm për të mbërritur në Evropë nuk janë as afër të zgjidhen. Iraku dhe Siria vazhdojnë të jenë të zhytur në dhunë e kaos, Eritrea vazhdon të jetë e shtypur nga regjimi dhe Libia tashmë është një shtet në kolaps. Kur kësaj ia shtojmë faktin që në një pjesë të madhe të Afrikës kemi të bëjmë me mungesë të dukshme të qeverisjes së mirëfilltë, është e vështirë të paramendohet se si do të ngadalësohet apo ndryshohet trendi i migrimit.

Shansi për një jetë më të mirë, ose të paktën për një jetë, është një shans që mendohet si i domosdoshëm për njerëzit e bllokuar në këto zona. Andaj, pa marrë parasysh se sa të fuqishëm janë kufijtë e jashtëm të BE-së, ndonëse është e nevojshme të krijohen kushte më të mira dhe mbikëqyrje më e lartë, numri i madh i migruesve gjithmonë do t’i tejkalojë masat e marra, duke rrezikuar kështu hapjen e shteteve ndaj njëra-tjetrës, që është një faktor fundamental për unifikimin e Evropës, duke marrë parasysh edhe marrëveshjen për garantimin e lëvizjes së lirë në mes të 26 shteteve anëtare të BE-së.

Nëse Evropa mëton që ta përshtat sfidën e migruesve dhe mëton ta dizajnojë një zgjidhje reale dhe produktive, gjë për të cilën presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte thënë se nevojitet ‘kurajë kolektive’, BE-ja duhet t’i ketë në cak shkaktarët rrënjësor, që edhe e kanë shkaktuar valën e tanishme të migrimit. Për të qenë më specifike më duhet të them që BE-ja duhet t’i mbështes reformat e qeverisjes, zhvillimin ekonomik dhe duhet të sigurojë siguri themelore për njerëzit në shtetet nga ku vijnë këta imigrantë.

BE-ja duhet të hapë kufijtë

Në të njëjtën kohë, duhet bërë përpjekje edhe fuqizimin e mjeteve ndaluese në afërsi të kufijve të Evropës, gjë që mund të arrihet nëpërmjet partneritetit me burimet kryesore dhe shtetet që shërbejnë sit transit. Kanalet ligjore për migrim duhet të hapen për të gjithë ata që meritojnë mbrojtje nga ligjet ndërkombëtare apo që kanë aftësi, që do të mund t’i hynin në punë shoqërive evropiane. Për migruesit të cilët mbërrijnë në territorin e BE-së, e që nuk kanë aftësi që do të mund t’i hynin në punë Evropës apo që nuk meritojnë mbrojtje (për shkak se shtetet e tyre ofrojnë siguri të mjaftueshme) duhet të themelohen regjime të riatdhesimit. Të gjitha këto kërkojnë një përditësim të kategorizimeve të tanishme ligjore të migruesve si dhe ndarje të barrës përbrenda Bashkimit Evropian, gjë që për momentin është duke munguar.

BE-ja nuk mund t’ia lejojë vetes që nëpërmjet aplikimit të masave të marra në gjendje paniku të pres që kriza të zgjidhet vetvetiu. Ajo për të cilën kemi nevojë është shqyrtimi i kujdesshëm i mënyrës më të mirë për arritjen e balancës në mes të drejtave njerëzore dhe çështjeve të sigurisë, mirëqenies së brendshme sociale me obligimet e ligjit ndërkombëtar dhe obligimet e shteteve anëtare ndaj njëra-tjetrës me obligimet e tyre ndaj qytetarëve të vetë. Vetëm atëherë liderët do të arrinin ta krijonin një strategji, që është e domosdoshme për zgjidhjen përfundimtare të krizës së migruesve dhe në fakt, edhe për vetë ekzistencën e BE-së.

(Ana Palacio ka qenë ministre e punëve të jashtme në Spanjë dhe zëvendës-presidente në Bankën Botërore, ajo tani është anëtare e Këshillit Shtetëror në Spanjë dhe profesoreshë në Universitetin ‘Georgetown’)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”