Serbia ka shkelur konventat e Gjenevës (1949) - Opinione - Kosova Sot
Serbia ka shkelur konventat e Gjenevës (1949)

Serbia ka shkelur konventat e Gjenevës (1949)

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Pa marrë parasysh aspiratat dhe pretendimet hegjemoniste dhe territoriale të Serbisë, që Kosovën edhe më tej ta mbajë nën kthetrat e përgjakshme të sundimit kolonial 100- vjeçar (gjatë operacioneve luftarake kundër popullsisë civile dhe njësiteve guerile të UÇK-së) kjo ka qenë e detyruar t'i respektonte dispozitat e Konventave të Gjenevës, të sanksionuara në kuadrin e sistemit juridik të së drejtës ndërkombëtare të luftës P avarësisht nga fakti se kohët e fundit janë intensifikuar angazhimi dhe përpjekjet diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare (OKB-ja, BE-ja, NATO-ja , Grupi i Kontaktit, OSBE-ja), që përmes sanksioneve ekonomiko-financiare ndërkombëtare, duke mos përjashtuar edhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, ta detyrojnë Serbinë të heqë dorë nga agresioni dhe terrori gjenocidal mbi shqiptarët në Kosovë, duke qenë se makineria ushtarakopolicore e paramilitare po vazhdon me të njëjtin intensitet vrasje, plagosje, përndjekje, arrestime…,bombardime (duke përdorur të gjitha llojet e armëve) të popullsisë civile shqiptare në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, si dhe në rajonin e Drenicës dhe të Klinës. Këto skena të përditshme të dramës së përgjakshme të popullit shqiptar në Kosovë, i provon edhe Raporti zyrtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Kosovës (publikuar më 24 gusht 1998), sipas të cilit brenda kohës shkurt-gusht 1998 nga forcat policore, paramilitare dhe militare serbe "janë vrarë 612, janë plagosur mbi 300, të zhdukur 800, mbahen peng 400, mbi 150 janë arrestuar e burgosur dhe kundër shumicës prej tyre është ngritur padia penale. Ndërkaq, mbi 382 mijë shqiptarë të tjerë, si pasojë e agresionit të armatosur serb kanë braktisur vatrat e tyre. Janë shkatërruar mbi 400 vendbanime dhe mbi 14 mijë shtëpi. Ndërsa sipas raportit të fundit të KMLDNJ-së, bërë në fund të muajit shtator 1998, del se shifra e të vrarëve shqiptarë ka arritur mbi 1500 sish. E vlen të nënvizojmë se 49% të vrarëve dhe të plagosurve janë fëmijë, gra e pleq, përqindje kjo, që dëshmon se viktima të operacioneve luftarake të forcave serbe, kanë qenë kryesisht popullsia civile shqiptare, që është në kolizion flagrant me parimet dhe me rregullat e së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare të luftës. Si për nga forma, ashtu edhe për nga dimensionet, veprat monstruoze të regjimit kolonial serb ndaj shqiptarëve përbëjnë krim të rëndë penal dhe cenim të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare të luftës dhe të drejtave e parimeve kryesore njerëzore e humanitare, të sanksionuara në konventat dhe në traktatet ndërkombëtare. Sipas së drejtës ndërkombëtare të luftës (ashtu si parashikojnë konventat ndërkombëtare, të miratuara në fund të shekullit XIX dhe XX), përdorimi i forcës së armatosur dhe i aksioneve të tjera, lejohet vetëm ndërmjet forcave të armatosura të palëve ndërluftuese, kurrsesi kundër popullatës civile, luftëtarëve të plagosur dhe të sëmurëve, siç po vepron pushteti kolonial serb kundër shqiptarëve në Kosovë, që nga muaji shkurt 1998. Veprimet johumane dhe anticivilizuese të Serbisë agresore ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe popullatës civile shqiptare, janë në kundërshtim dhe të dënueshme sipas Konventës së Gjenevës për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte (1949), pikërisht në bazë nenit 27 të Konventës së Katërt të Gjenevës, të Rregullores së Hagës, neni 22 (1907) dhe Protokollit Numër 1 të Konventës së Gjenevës (1974), ku, ndër të tjera, thuhet: "Janë të ndalueshme masat e reprezalieve kundër personave dhe objekteve të mbrojtura me konventa ndërkombëtare dhe me këtë Protokoll". Përgjegjësi dhe krime ndërkombëtare përbëjnë edhe plaçkitjet e pasurive të tundshme dhe të patundshme Reprezaliet, format dhe metodat e egra të TERRORIT GJENOCIDAL SERB mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë, janë të barasvlershme me ato në Bosnjë dhe në Kroaci (Vukovar e gjetkë), që kanë të njëjtin qëllim-SHFAROSJEN dhe SPASTRIMIN ETNIK të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone. Dënimi i këtillë kolektiv i shqiptarëve nga regjimi kolonial militarist i Sllobodan MiIosheviqit (që nuk mund të justifikohet me psikopatologjinë e krimit kolektiv) është rreptësishtë i ndaluar me nenet 33 e 34 të Konventës së Katërt të Gjenevës, me nenin 50 të Rregullores së Hagës, me nenin 1 të Konventës së Mosparashkrimit të Krimeve të Luftës dhe të Krimeve Kundër Njerëzimit (1968) dhe me nenet 1,2 dhe 3 të Konventës së Ndalimit dhe të Dënimit të Krimit të Gjenocidit (1948). Gjithashtu, përgjegjësi dhe krime ndërkombëtare përbëjnë edhe plaçkitjet e pasurive të tundshme dhe të patundshme të shqiptarëve në Kosovë (në zonat e luftës dhe jashtë tyre) nga ushtarët, nga paramilitarët dhe nga policia vrastare serbe, të cilat janë të ndaluara sipas nenit 47 të Rregullores së Hagës dhe sipas nenit 33 të Konventës së Tretë të Hjenevës dhe sipas nenit 17 të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (1948). Po ashtu, edhe rrënimi dhe shkatërrimi i mijëra shtëpive dhe i vendbanimeve shqiptare nga bombardimet e forcave militare serbe, janë të dënueshme sipas nenit 25 të Rregullores së Hagës (1907). Pa marrë parasysh aspiratat dhe pretendimet hegjemoniste dhe territoriale të Serbisë, që Kosovën edhe më tej ta mbajë nën kthetrat e përgjakshme të sundimit kolonial 100-vjeçar (gjatë operacioneve luftarake kundër popullsisë civile dhe njësiteve guerile të UÇK-së) kjo ka qenë e detyruar t'i repsektonte dispozitat e Konventave të Gjenevës, të sanksionuara në kuadrin e sistemit juridik të së drejtës ndërkombëtare të luftës. Shembujt e sipërtheksuar të veprimeve kriminale të soldateskës serbe ndaj popullit të pambrojtur shqiptar në Kosovë, provojnë sheshit se pushteti i egër kolonial policor dhe militarist i Sllobodan Milosheviqit, i ka shkelur pa precedencë Konventat e Gjenevës (1949), dhe ka kryer krime të gjenocidit. Për këto krime të luftës pikësëpari mban përgjegjësi penale ndërkombëtare, planifikuesi dhe urdhërdhënësi i tyre, kryetari i Serbisë, Sllobodan Milosheviqi. E vlen të theksojmë se burim i të gjitha këtyre krimeve, masakrave dhe reprezalieve të ushtrisë, të policisë dhe të falangave paramilitare vrastare serbe, të kryera mbi popullsinë civile shqiptare dhe ndaj ushtarëve të UÇK-së, është kolonialzmi gjenocidal serb në Kosovë (1912- 1998). Injorimi i problemit kolonial serb Mirëpo, pikërisht ky segment i politikës pushtuese të regjimit militarist të Sllobodan Milosheviqit ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës, nuk është marrë në konsideratë (qoftë tërthorazi) në objektivat e politikës së brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës (1990), as nuk është trajtuar qoftë në formë sipërfaqësore(rezultateve) nga presidenti Ibrahim Rugova në takimet e tij të nivelit të lartë diplomatik me shtetarët e Evropës së Bashkuar e as me ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht për shkak të injorimit të problemit kolonial serb, që është ndërlidhur në mënyrë shkakësore me të drejtën e vetëvendosjes, bashkësia ndërkombëtare ende ngurron që elementi kolonial të çështjes së Kosovës ta marrë si bazë juridike ligjore për ta caktuar përgjegjësinë dhe pozitën juridike ndërkombëtare të Serbisë si force sunduese koloniale në Kosovë dhe në territoret e tjera të Shqipërisë veriore dhe lindore etnike, të kolonizuara nga Serbia dhe nga Mali i Zi që nga tetori i vitit 1912. Agresori serb të ndëshkohet sipas Kartës së OKBsë, (Kreu VII, nenet 41 e 42)! Për shkak të agresionit të drejtpërdrejtë kundër Republikës së Kosovës, Serbia militariste e Sllobodan Milosheviqit, urgjentisht duhet të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare, në bazë të neneve 41 e 42 (Kreu VII) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse me këtë rast, përpos ushtrimit të gjenocidit dhe të agresionit shtetëror serb mbi popullatën e pambrojtur civile shqiptare (që shkaktoi qindra e mijëra vrasje, plagosje, ekzekutime, kidnapime të fëmijëve, të grave, të pleqve, të rinjve, si dhe mijëra arratisje brenda dhe jashtë kufirit të Kosovës mbi 100 mijë shqiptarë), rrezikohet paqja dhe siguria jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, dhe më gjerë. Pra, OKB-ja për të marrë në mbrojtje (për ta shpëtuar) popullin e pambrojtur të Kosovës, i cili së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në krye është duke zhvilluar luftë vetëmbrojtëse dhe të drejtë kundër agresorit serb, duhet të marrë këto masa ndëshkuese: " Këshilli i Sigurimit mund të caktojë masa që duhet marrë, pa përfshirë përdorimin e forcave të armatosura, për zbatimin e vendimeve të tij, dhe u bën thirrje anëtarëve të Kombeve të Bashkuara që t'i zbatojnë këto masa. Në to përfshihen ndërprerja e plotë ose e pjesshme e marrëdhënieve ekonomike, e komunikacioneve hekurudhore, detare, ajrore, postare, telegrafike e radiofonike, e ndërlidhjeve, si dhe prerja e marrëdhënieve diplomatike". (Neni 41 i Kartës. - Shih: Karta e Kombeve të Bashkuara dhe Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare,"8 Nëntor", Tiranë, 1987,f. 38 dhe 39). Mirëpo, duke qenë se këto masa të parashikuara në nenin 41 të Kartës së theksuar, Sllobodan Milosheviqi deri tani i ka injoruar në mënyrë të paskrupullt, duke shkelur edhe Konventat e Gjenevës (1949), parimet dhe nenet e Kartës së OKB-si dhe të gjitha parimet e rregullat e së drejtës ndërkombëtare të luftës dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare ( këtë e provojnë edhe masakrat dhe gjenocidi i paparë i makinerisë ushtarako-policore e paramilitare serbe mbi popullatën civile shqiptare, të painvolvuar në operacionet ndërluftuese, gjatë gjashtëmujorit të pare të vitit 1998). Prandaj, është koha e fundit që kundër militarizmit dhe agresionit luftarak dhe gjenocidal i së ashtuquajturës RF Jugosllave të zbatohet në veçanti neni 42 i Kartës së OKBsë: "… të ndërmarrë veprime me anë të forcave ushtarake ajrore, detare ose tokësore, sipas nevojës për ruajtjen ose rivendosjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare. Në këto veprime përfshihen demonstrime force, bllokada dhe veprime të tjera, që kryhen me anë të forcave ushtarake ajrore, detare ose tokësore të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara". (Po aty, f. 37). Duke qenë se respektimi i parimeve dhe i objektivave të Kartës së Kombeve të Bashkuara, GARANTON MBROJTJEN DHE SIGURINË KOLEKTIVE të Republikës së Kosovës (1990), si dhe sigurinë e paqen në rajon, Kombet e Bashkuara janë të obliguara që: 1) Pushtuesin kolonial serb ta shpallin agresor; 2) Serbisë agresore t'i parashtrohet kërkesa ultimative, që urgjentisht t'i pezullojë të gjitha veprimet luftarake ushtarakopolicore dhe paramilitare nga territori i okupuar i Republikës së Kosovës; 4)Të ndërmarrë aksione të ashpra ushtarake kundër agresorit serb, sepse vetëm në këtë mënyrë, do të mund ta detyronte Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale, që të hiqte dorë nga përshkallëzimi i agresionit luftarak mbi popullatën civile shqiptare dhe në përgjithësi nga sundimi i saj kolonial njëshekullor në Kosovë, përkatësisht në territoret e Shqipërisë Lindore (Anamorava). (Dr. Mehdi Hyseni, shih:"Dituria Islame", viti XIII, nr. 104, korrik, gusht, shtator, Prishtinë, 1998, f. 34-35).

(Kosova Sot)

14 orë e 53 minuta më parë
15/11/18