Analfabeti Rexhep Hoti nuk merr vesh në histori

Analfabeti Rexhep Hoti nuk merr vesh në histori
  • 13 November 2018 - 08:02

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Me Turqinë në të kaluarën nuk ka pasur bashkëjetesë kombi shqiptar - por pushtim të egër dhe shkatërrimtar. Në deklaratën e z. Rexhep Hotit, pas vizitës së tij si zv. ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, në Ankara, deklaron: "(...) me Turqinë e kanë shqiptarët të kaluarën e përbashkët, të tashmen dhe të ardhmen (...). Lidhur me këtë deklaratë aspak të vërtetë dhe tërësisht fëmijërore nuk ka gjë tjetër të veçantë pos faktit se shqiptarët ishin populli i pushtuar dhe jetoi për 500 vjet nën sundim të egër të Perandorisë Osmane pa asnjë të drejtë. Ja faktet. Nga viti 1478, kur Kruja u pushtua nga Perandoria Osmane e deri në vitin 1912, kur në Vlorë u shpall Pavarësia Kombëtare e Shqiptarëve nuk kemi gjë tjetër në viset tona, veç eksploatim, dhunë dhe dëbim të pjesëtarëve shqiptarë nga tokat stërgjyshore për në viset e ndryshme të Perandorisë Osmane, në Azi, në Afrikë...!. Janë me dhjetëra kryengritje të armatosura dhe veprimtari çlirimtare që bëri kombi shqiptar dhe të cilat u shtypën me gjak.

Me dhjetëra shkolla shqipe qenë mbyllur me dhunë nga Stambolli

Vetëm në 100 vjetët e fundit të pushtimit janë të njohura me dhjetëra kryengritje të armatosura kundër okupatorit. Po përmend luftërat në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të udhëhequra nga heroi i kombit Sylejman Vokshi, Mic Sokoli dhe veprimtarët e shquar si Avdyl Frashëri etj. Edhe në vitet 1904 -1912 janë një varg kryengritjesh çlirimtare në Jug të Shqipërisë të udhëhequr nga Qerqiz Topulli, sikundër dhe aktiviteti i shquar për alfabetin e gjuhës shqipe, të cilën Stambolli bëri çmos të ndalojë në formën e tashme. Me dhjetëra shkolla shqipe qenë mbyllur me dhunë nga Stambolli. Rilindasit e kombit shqiptar u ndoqën dhe shumë prej tyre edhe u burgosën dhe u keqtrajtuan. Edhe para Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor 1912 kemi një varg kryengritjesh të armatosura kundër Stambollit. Është e domosdoshme të përmendim luftën e Grykës së Kaçanikut të udhëhequr nga Idriz Seferi, Isa Boletini e Hasan Prishtina. Ankaraja kurrë nuk e pranoi shtetin shqiptar. 

Gjatë pushtimit otoman dhunimet dhe përdhunimet janë të larta

Po çka të thuhet për bashkëjetesën të cilën Ankara në vitin 1937 e lidhi marrëveshjen me Beogradin për serbizimin e Kosovës duke lejuar dhunën ndaj shqiptarëve nga Serbia me qëllim të dëbimit të kombit shqiptar në drejtim të Turqisë. Po sa dha ndihma Turqia në forcimin e Shqipërisë, të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare? Përveç xhamive, asnjë ndihmë nuk del. I dhashë disa fakte për të treguar se nuk kemi pasur bashkëjetesë, nuk kemi dhe as që do të këtë. Ka vetëm bashkëpunim dhe atë duhet kultivuar. Jo bashkëjetesë dhe as bashkim në kuadër të ndonjë ideje, sepse ne jemi popull tjetër, kundruall popullit turk. Kemi kulturë dhe histori tjetër, gjuhë dhe elemente krejtësisht të ndryshme kombëtare. Po Turqia i ka borxh të madh kombit shqiptar. Ka borxh, sepse nuk e lejoi shtetin e lirë dhe sovran në kohën e LSHP-së në vitin 1878. I dha territore shqiptare Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Ishte Perandoria Osmane që i dha Serbisë Kosovën Veriore deri te Nishi. Ishte Stambolli që dha Plavën e Gucinë, Hotin e Grudën, Ulqinin etj.,Malit të Zi dhe shumë vise të tjera i dha Greqisë. Gjatë pushtimit otoman dhunimet dhe përdhunimet janë të larta. Kemi me mijëra nëna dhe motra, vajza tona të përdhunuara. Ia kalon dhunimit të viteve 1998/99 të 20 mijë femrave shqiptare të përdhunuara nga fashistët serbomëdhenj. Në këto kushte nuk ka bashkëjetesë. Ajo gjendje tregon se ishte pushtim, madje pushtim me elemente shkombëtarizuese. Në fund të fundit, asnjë shtet nuk e pushton shtetin tjetër për ta zhvilluar, por për ta pasur koloni dhe shfrytëzim të tij. Kjo është logjika e pushtimit. Po, natyrisht se ka mundësi për të pasur miqësi? Kjo mbetet të shihet!

 

(Kosova Sot)