Duhet RI-VETTING, VETTING për VETTING-un

Duhet RI-VETTING, VETTING për VETTING-un
  • 15 November 2018 - 07:53

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI

Aq thellë është zhytur në krim dhe në korrupsion drejtësia shqiptare, saqë do të kishte qenë mirë një vendimmarrje politike konsensuale, gjithëpërfshirëse , ku të miratohej në Parlament një ligj, i cili do të përjashtonte nga detyra e prokurorit dhe e gjyqtarit të gjithë gjyqtarët e prokurorët në Shqipëri por edhe në Kosovë, e jo vetëm ata, por të përjashtohen nga politika edhe të gjithë politikanët e ndotur me hajni, korrupsion, drogë, tradhti dhe me rekorde të tjera kriminale të cilët i njohin shumë mirë drejtësia, publiku dhe ndërkombëtarët. Nuk e di se si i lejon dhe toleron shoqëria shqiptare personazhet e larta të politikës e të pushtetit, të cilët për korrupsionin e tyre, atyre edhe u është refuzuar hyrja në SHBA? Rrallë, tepër, tepër rrallë mund të gjendet ndonjë gjyqtar e prokuror i pastër dhe i pazhytur në paligjshmëri dhe në korrupsion. 

Ndëshkues dhe i ashpër për vendimmarrjet

Asnjëri ndoshta prej tyre nuk mund të mos jetë i pandikuar nga politika, i paemëruar prej saj, dhe pa lidhje politiko-nepotike , farefisnore e klanorokrahinore dhe korruptive. VETTING-u kështu sikurse po vepron e ka shumë të vështirë për të hulumtuar e për të zbuluar pasuritë e fituara paligjshmërisht me krim dhe me korrupsion nga gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë. Kjo vërtetohet nga fakti se VETTING-u ka konfirmuar në detyre mjaft gjyqtarë, të cilët janë madje edhe krerë të sistemit të drejtësisë: i kësaj drejtësie, e cila e ka rrënuar shtetin dhe shoqërinë; drejtësi antikombëtare prej së cilës shqiptarët kanë marrë arratinë; drejtësi e vetëgjyqësisë, e cila me vendimmarrjet e saj i ka çuar në konflikt qytetarët shqiptarë; drejtësi që i ka çuar shqiptarët në vetëgjyqësi; drejtësi që i ka çuar shqiptarët në Gjykatën e Strasburgut, fakt ky i cili ka diskredituar edhe imazhin e Shtetit shqiptar ,por edhe që i ka ngarkuar Shqipërisë një barrë financiare tepër të rëndë, dhe po vazhdoi me këto ritme ndoshta do ta filimentojë edhe buxhetin e shtetit. Dhe të gjitha këto vijnë prej këtij sistemi gjyqësor, pra prej këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe prej këtyre politikanëve. VETTING-u duhet të jetë i thellë dhe njëkohësisht edhe ndëshkues i ashpër për vendimmarrjet, autorët e atyre vendimmarrjeve të cilët kanë shkaktuar dëme kriminale të pallogaritshme qytetarëve shqiptarë, pasurive kombëtare dhe shtetit shqiptar. 

Nuk duhen dy standarde

VETTING-u nuk duhet të ndalet vetëm në largimin nga detyra gjyqtarët e prokurorët, por duhet edhe t'i dërgojë ata para drejtësisë; pasi shteti ligjor është i barabartë për të gjithë ku paligjshmëria, vjedhja, abuzimi dhe krimi e fshehja e pasurive të fituara duke shfrytëzuar postin dhe detyrën, shpërdorimi i detyrës dhe abuzimi me ligjin duhet të ndëshkohen penalisht. Pra, nuk duhen dy standarde, pra duhet ndëshkimi ligjor edhe për gjyqtarët e prokurorët ,pra duhet RI-VETTING. Të gjitha ato dëme që u kanë ardhur shqiptarëve dhe shtetit shqiptar qoftë kriminale dhe financiare duhet t'i shlyejnë me burg, por edhe financiarisht gjyqtarët e prokurorët shqiptarë. Prandaj duhet bërë edhe një RI-VETTING për ata të cilët edhe janë konfirmuar në detyre. Duhet të shikohen të gjitha ankesat qytetare të cilët ankohen për vendimmarrjet e gjyqtarëve, sepse VETTING-u edhe duhet të shprehet për vendimmarrjet kriminale e korruptive, pasi VETTING-u do të ishte i mangët po qe se nuk krijohen premisat dhe kushtet për të fituar kompensimet dhe të drejtat e qytetarëve të shituara dhe të grabitura nga drejtësia dhe politika shqiptare.

 

(Kosova Sot)