A kemi kulturë politike e njerëzore për debate?

A kemi kulturë politike e njerëzore për debate?
  • 16 November 2018 - 08:03

SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Debatet tona në televizione, në Parlament dhe, besa, edhe në shtypin e përditshëm, i përcjell me vëmendje të madhe. Dhe, për një çast mundohem të jem pjesë e atij debati dhe dialogu. Megjithatë, shumë herë [bile për të keq po e them] zhgënjehem dhe besa shpirtërisht lëndohem pas disa debateve të prezantuara në televizionet tona. Aq vrazhdë dhe aq me papërgjegjësi sillen disa individë ndaj të tjerëve, saqë irritohem dhe besa ndonjëherë edhe e fik televizorin nga vrazhdësia ndërnjerëzore dhe kultura politike dhe nuk mund ta përcjell më. Aq panjerëzishëm sillen në mes vete, saqë gërditem nga banaliteti i tepruar! Deri kur këtë banalitet do ta shohim në televizionet tona? Kjo, sigurisht, nuk më ndodh vetëm mua, por sigurisht ndoshta edhe të tjerëve. Mungon kultura e debateve Shpeshherë debatet tona politike kanë kaluar si në lojëra fëmijësh, pa kurrfarë koncepti moral. Dhe, ndonjëri fare as nuk skuqet për marritë që flet, për qëndrimin jo korrekt që ka ndaj bashkëbiseduesit tjetër, vetëm pse është në ndonjë parti tjetër. Shumë herë fjalori që përdoret është aq i vrazhdë dhe aq mospërfillës saqë të irriton shpirtërisht. Dhe, aq me guxim të tepruar sillet thuajse e tërë Kosova është e tij dhe vetëm ai është i planifikuar që ta udhëheqë këtë vend dhe mund të flasë çfarë të dojë!... Pyes a thua ku e merr ndonjëri atë guxim dhe atë drejtësi që të flasë ashtu dhe kush ia ka dhënë atë të drejtë që të paraqitet në atë mënyrë? Dhe, a thua vallë ekziston ndonjë ligj që do ta sanksiononte këtë mënyrë arrogante?! Dhe, ku na çon kjo sjellje e keqe dhe e papërgjegjësi në debatet tona dhe a ka kush që këto "allishverishe" t'i pengojë dhe t'i drejtojë në rrugë të drejtë? Kështu siç po mbahen ndonjëherë debatet tona [flas për disa, e jo për të gjitha] kanë kaluar në monotoni. Dhe, që është edhe më keq, këta burra të botës kanë harruar se gjenden në televizion dhe se ato debate i dëgjojnë të moshuarit, fëmijët, gratë dhe a thua si ndihen ata pas debatit? Disa prej tyre mendojnë se vetëm me arrogancë mund të shkojnë përpara. Vetëm me arrogancë mundohen ta tregojnë patriotizmin e vet ose të partisë së cilës i takon. E, ai bërtet, çirret dhe skajshmërisht e fyen rivalin e ndonjë partie tjetër. Ne, vëlla, a jemi të Kosovës apo të ndonjë vendi tjetër. E, po që se jemi të gjithë kosovarë, hajde e bëhuni burra e flisni për planin tuaj zhvillimor, për vende të lira dhe tregojuni qytetarëve se si do të ecën përpara Kosova. E kurrsesi me fjalor primitiv e arrogancë nënçmuese?! Sigurisht, në këto debate, më së shumti po e rrisin zërin ata individë [parti] që nuk kanë plan zhvillimor për Kosovën. Dhe, në vend që të merren me programin strategjik, ata çirren dhe e fyejnë kolegun nga partia tjetër. Kjo nuk ka kuptim, as politik, as njerëzor, as juridik, por as fare demokratik! T'i lëmë fyerjet dhe të merremi më tepër me punë praktike Populli i Kosovës është ngopur me premtime boshe. Skajshmërisht është i ngopur. Këto "premtime" në shumicën e rasteve janë bërë bajate. Duhet premtuar vetëm ato që mund të realizohen. Prej premtimeve të mëdha zor se do të dalim në "selamet". Disa, sigurisht, mendojnë se me premtime të mëdha mund ta përvetësojnë qytetarin. Jo ashtu nuk përvetësohet qytetari. Qytetari i Kosovës është i kulturuar dhe ai me vëmendje të madhe po i përcjell këto debate. Zaten, disa debate që po shfaqen në televizion janë bërë si të thuash sikur kur shkon njeriu në pazar [treg] për të blerë diçka, e askush askënd nuk e dëgjon se çka po flet. Pra, shkon zhurmë e piskamë, thuajse jemi në lojëra të bejsbollit! Mendoj se këto debate që po organizohen është një punë e mirë duke shpresuar se do të mësojmë diçka prej tyre. Ama, ato duhet mirë të organizohen. Dhe, ndoshta dikujt duhet thënë troç; Nuk duhet dhe nuk mundeni të flisni çfarëdo dhe të fyhet personaliteti i asnjërit. Secila parti dhe secili individ i asaj partie e ka autoritetin e vet. Dhe, të ruhet ai autoritet i secilit individ dhe i secilës parti. Fundi i fundit, të gjithë kemi dashur pluralizëm dhe sistem shumë partiak. Pra, të ruhet autoriteti i ndërsjellë. Ama nuk duhet të flitet va e pa va. Tevona dihet mirëfilli, të gjitha këto parti janë tonat. Dhe, asnjëra nuk është e huaj. Të këtij lloçi janë. Të Kosovës martire janë. E, pra, pse po fyhemi dhe po jemi mospërfillës ndaj njëri-tjetrit. Gjithsesi duhet të jemi më tolerantë dhe ta përkrahim gjithmonë idenë e mirë dhe përparimtare, e cila shkon në dobi të vendit dhe që Kosova të ecë vetëm përpara. Dihet mirëfilli dhe asnjëherë nuk duhet harruar se mjaft kemi vuajtur. Që 150 vjet jemi larë me gjakun e patriotëve dhe me gjakun e dëshmorëve që e dhanë jetën për këtë tokë dhe për Kosovën mëmë. Kosova është jona. E të gjithëve është. Askush nuk ka hise më shumë as më pak. E të gjithëve është dhe askush nuk është mbi ligjin. Tua shtrijmë dorën njerëzve përparimtarë dhe të dijshëm dhe të na udhëheqin në fitore të reja. Këtë e do Kosova. Ndaj, duhet të jemi të bashkuar dhe pa përjashtim t'ua shtrijmë dorën njerëzve përparimtarë. Vetëm ata duhet të na udhëheqin. Pra, njerëzve të mençur dhe të dijshëm. Ata që kanë ide dhe që mendojnë bindshëm për përparimin e vendit. Vetëm ata duhet të përkrahen. Ata duhet të çmohen, të nderohen dhe fundi i fundit, vetëm ata edhe duhet votuar sa herë të dalim në votime. Pra, njerëzit e devotshëm e të sakrificës. Që sakrifikojnë për të mirën e vendit. Ata e kanë udhën e hapur. Ata duhet ta qeverisin Kosovën. Dhe, me gëzim po i presim. Dhe me kënaqësi ua kemi rezervuar vendin që të na qeverisin. E, me vullnet të shtuar e me gëzim të madh po i presim këta burra të dheut… Por, vallë, edhe sa kohë duhet pritur?!...

(Kosova Sot)