Pëllumb Xhufi polemizon për Mid’hat Frashërin: Pse edhe një ‘historian leshi’ si unë, s’mund t’i bashkohet hipokrizisë…

Pëllumb Xhufi polemizon për Mid’hat Frashërin: Pse edhe një ‘historian leshi’ si unë, s’mund t’i bashkohet hipokrizisë…
  • 18 November 2018 - 10:34

Si për të prishur atmosferën e ceremonisë për përcjelljen e eshtrave të Mid’hat Beut, që dukej se po ecte paqësisht mes ngazëllimit të mezipërmbajtur të djathtistëve dhe hutimit prej bonjaku të majtistëve, ia befi me një “postim” kontrapedal Adrian Ndreca.

Dikur kam thënë për të se është tipi që çdo nënë do ta dëshironte për dhëndër: simpatik, i kultivuar, delikat e paqësor. Në fakt, është i tillë vetëm në dukje, sepse në realitet Ndreca është një skifter i vërtetë, është Nemesis, perëndia e hakmarrjes dora vetë. Jeta e virtytshme, që e kalon mes refectorium, dormitorium e auditorium të një universiteti katolik në Romë, duket se nuk po arrin ta zbusë mërinë e vjetër të Akilit tonë. Edhe këtë herë, e ka me “komunistët”, d.m.th. padallimisht me të gjithë ata që dalin jashtë radarëve të tij botëkuptimorë, të cilët, pretendon ai, paskan rrudhur buzët për kthimin e eshtrave të Midhat Frashërit. Cili “komunist” ia paska prishur qejfin Ndrecës? Ndonjë nga ata me pushtet, Edi Rama, Ilir Meta, Gramoz Ruçi… apo, apo Artan Shkreli. Mendja ma thotë se nuk ka arsye pse të jetë i zëmëruar me ta, aq më pak me Artanin, të kudondodhurin “magister elegantiarum” të Kryeministrit, i cili, siç flitet, ka deklaruar se nuk vdes pa ngritur në mes të Tiranës, për qejf të tij dhe të Ndrecës, edhe bustin e Patër Anton Harapit, paçka se për këtë betejë të paautorizuar i kanë hequr veshin edhe nga Vatikani. Atëherë, me kë e ka inatin z. Ndreca, me gazetarët? Me historianët? Këta, heshtën dhe si shpeshherë i gëlltitën të vërtetat e sëkëlldisura, me përjashtim të historianit të ri, Dr. M. Kasmi, që me taktin që kërkonte momenti, e kujtoi edhe ndonjë “cen” të Frashërlliut. Heshta edhe unë, që zakonisht nuk e mbaj dot gjuhën kur gjykoj se teprohet, siç u teprua, madje me okë, në rastin e ceremonisë për Midhat Frashërin. Nuk fola, sepse jam ndër ata që mendojnë se çdo shqiptar, që është ndjerë i tillë, e ka të drejtën, të paktën, të prehet në vendin e tij, qoftë ai Ahmet Zogu, Eqerem Bej Vlora apo Mid’hat Frashëri. Shqiptarët e kohëve të demokracisë s’kanë pse turbullohen për vendosjen në një varr të thjeshtë të eshtrave të ndonjë shqiptari syrgjyn. Në fund të fundit, kanë duruar pa bëzajtur “gjëma” akoma më të mëdha. Kanë duruar, për shembull, vendosjen në vorreza faraonike, të ngritura me bollëk në tokën shqiptare, të eshtrave të “ushtrisë së Vorio-Epirit”. Natyrisht, kur është fjala për Mid’hat Frashërin, edhe unë, për ta thënë konfucianisht, kam dhjetë mendime të mira, por kam edhe dhjetë mendime të këqija. Ndaj, edhe nuk iu përgjigja disa ftesave për t’u shprehur për të, pasi do detyrohesha t’i thosha edhe të parat, edhe të dytat. Një historian, qoftë ky edhe një historian si unë (“historian leshi”, më quajti dikur një “politikan stofe”), nuk mund t’i bashkohej hipokrizisë së përgjithshme që shoqëroi ceremonitë për Mid’hat Frashërin. Ndaj gjykova se nuk ishte ky rasti për të folur apo për të përfolur një personalitet aq kompleks. Latinët na mësojnë se për një njeri që varroset, duhet folur vetëm mirë: “sepellituris nihil nisi bene”. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të flas kur individë, si Adrian Ndreca, shkelin brutalisht mbi këtë pakt heshtjeje që mrekullisht u respektua nga të gjithë, për të derdhur vrerin e frustrimeve të veta.

 

(Kosova Sot)