Lamtumirë greminë e tradhtisë, mirëmëngjesi Kosovë e besnikërisë

Lamtumirë greminë e tradhtisë, mirëmëngjesi Kosovë e besnikërisë
  • 19 November 2018 - 07:55

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI 

Në pritje të rivarrosjes së heroit të Kosovës, ILIR(HALIT) KONUSHEVCI (që do të bëhet më 27 nëntor 2018 në Prishtinë nën patronazhin e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj), i cili jetën ia fali Kosovës dhe bashkimit të saj me SHQIPËRINË ETNIKE, por gjakun e tij, KOSOVA kurrë nuk do t'ia falë tradhtisë vrastare terroriste! Kush e vrau drejtësinë në Shqipëri dhe në Kosovë? Pse qe 20 vjet nuk foli drejtësia as në Kosovë e as në Shqipëri? Pse, nga kush dhe, për ç'arsye në Tropojën dhe në Tiranën e Shqipërisë demokratike u vranë barbarisht tre heronjtë e UÇK-së së Kosovës, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, më 9 maj 1998, si dhe Ahmet Krasniqi, më 21 shtator 1998? - Kur, edhe sa dekada, do të flasë DREJTËSIA e Shqipërisë për zbardhjen e këtyre tri akteve monstruoze antinjerëzore, antihumane dhe antikombëtare shqiptare?!

ILIR KONUSHEVCI, mirë se vjen në Kosovën e lirë, trime dhe besnike të Azem Bejtës, të Hasan Prishtinës, të Isa Boletinit, të Adem Demaçit dhe të Adem Jasharit të Shqipërisë Etnike!

Saktësisht, më 27 nëntor 2018, Ilir (Halit) Konushevci, me nderimet më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj, do të rivarroset në varrezat e dëshmorëve të kombit në Prishtinë. Po këtë vit, më 9 maj 2018 u bënë 20 vjet qëkur Iliri dhe Hazir Malaj ranë dëshmorë në krye të detyrës nga plumbat e tradhtisë tinëzare dhe terroriste të pabesë proserbiane në fshatin Miliskaj të Tropojës. Mirëpo, që dy dekada vrasjen e tyre mizore e heshti Shqipëria londineze demokratike, duke mos zbardhur ligjërisht këtë atentat terrorist kundër këtyre dy pjesëtarëve, përkatësisht të këtyre dy heronjve të UÇK-së, të cilët së bashku krah për krah flijuan jetët e tyre për lirinë, për pavarësinë dhe për bashkimin e Kosovës me SHQIPËRINË ETNIKE. Edhe sot, pas 20 vjetësh, dhembja jonë ka ngelur plagë e rëndë, e hapur dhe e pashërueshme në mendjet dhe në zemrat tona, sepse kurrnjëherë nuk kemi ëndërruar e as nuk kemi besuar, që do të vijë një ditë, kur birin tonë të shtrenjtë-dëshmorin e UÇK-së dhe heroin e Kosovës, ta zhvarrosim nga varrezat e Tiranës. Ky akt i papritur dhe i paimagjinuar shtoi edhe më shumë dhembjen tonë të madhe 20-vjeçare, sepse kjo rivarrosje në Prishtinë, thjesht është e imponuar nga PADREJTËSIA E SISTEMIT TË DREJTËSISË SË SHTETIT TË SHQIPËRISË, ngase për 20 vjet rresht nuk bëri asgjë për të ndriçuar vrasjen makabër të Ilir Konushevcit dhe të Dr. Hazir Malës (9 maj 1998). Kjo padrejtësi shtetërore ndaj këtyre dy heronjve të Kosovës pati për pasojë zhvarrosjen e Ilir Konushevcit dhe të Ahmet Krasniqit nga varrezat e Tiranës. Kjo është përgjigjja e drejtpërdrejtë PADREJTËSISË së Shqipërisë ( e cila, derisa të mos i zbardhë këto krime terroriste, do të jetë nën hijen e hipotekës së përgjegjësisë së drejtpërdrejtë për vrasjen e tyre qoftë sipas ligjeve të brendshme, qoftë sipas atyre evropiane e ndërkombëtare humanitare), që vrau për së dyti Ilir Konushevcin, Dr. Hazir Malën dhe Ahmet Krasniqin, ngase institucionet dhe gjykatat me kompetencë të Shqipërisë nuk vepruan në përputhje me ligjet e brendshme, me Kushtetutën dhe me ligjet evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, sepse për 20 vjet rresht (1998-2018) kriminelët terroristë, organizatorët, shtytësit dhe urdhëruesit e tyre, deri më sot, ende nuk i nxorën në bankën e zezë , që t'u jepnin dënimin e merituar sipas veprës së kryer penale. Kjo është PADREJTËSIA e pajustifikueshme dhe TURPI më i madh i institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë, e cila po do të hyjë në BE, por pa i zbardhur dhe pa i dënuar krimet e terrorizmit të brendshëm sikurse që janë rastet e vrasjes së heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Malaj dhe Ahmet Krasniqi (1998). Edhe pse DREJTËSIA E SHQIPËRISË nuk "foli" qe 2 dekada të plota, kjo nuk do të thotë se bijtë e popullit tonë liridashës-heronjtë e Kosovës, Ilir Konushevci, Hazir Malaj dhe Ahmet Krasniqi, do të harrohen si "gjakhumbur", sepse masakrimi dhe ekzekutimi i tyre atavist barbarik proserbian nga mafia politike terroriste individuale dhe nga "dora e padukshme" e terrorizmit shtetëror, nuk do të amnistohen nga tradhtia, sepse ata janë gjaku ynë, të cilin Kosova nuk do ta falë kurrë. Kjo është e vërtet si dielli se Iliri së bashku me Hazirin jetën e tyre ia falën lirisë së Kosovës, por GJAKUN E TYRE, KOSOVA KURRË NUK DO T'IA FALË TRADHTISË as sot, as nesër e as kurrë, por do të kërkojë ndëshkimin e tyre sipas "meritës", duke përdorur të gjitha mjetet juridike ligjore, ashtu sikurse kundër çetnikëve barbarë fashistë të Serbisë gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, qëe dogjën Kosovën dhe vranë mbi 12 mijë shqiptarë: foshnja, fëmijë, të rinj dhe pleq e gra. (1989-1999).

Bir i madh i Kosovës

Iliri, biri ynë i shtrenjtë dhe i pavdekshëm, që në lulen e rinisë, jetën ia fale lirisë së Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë Etnike, edhe sot, edhe nesër dhe, përjetësisht, do të jetosh në FAQET E BARDHA TË HISTORISË DHE TË KOMBIT TË SHQIPËRISË SË BASHKUAR ETNIKE, në kujtimet dhe në zemrat tona dhe të të gjithë brezave të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike. Ilir, biri ynë i dashur, MIRË SE VJEN NË KOSOVËN komandantit legjendarheroit Adem Jashari, më 27 nëntor 2018, ku e gjithë familja jote dhe bashkëluftëtarët t'u UÇK-së, miq e dashamirë të njohur dhe të panjohur dhe, i gjithë populli liridashës i KOSOVËS KRESHNIKE po të presin me kurora lulesh të kuqe të lirisë, të mbledhur tok në Prishtinënë vendlindjen tënde të dashur dardane, që për herën e fundit të përshëndeten me TY për në paqen e përhershme. Ilir, BIR i madh i KOSOVËS, i lehtë të qoftë dheu i SHQIPËRISË ETNIKE, që ia fale jetën së bashku me vëllain tënd të pushkës, të penës e të humanizmit , Dr. Hazir Malaj, duke rënë heroikisht nën flamurin e UÇK-së për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, si dy flakadanë, që kurrë nuk do të shuheni sa të ketë shqiptarë në KOSOVË dhe në SHQIPËRINË E BASHKUAR ETNIKE. Ilir Konushevci, Hazir Malaj dhe Ahmet Krasniqi, ju jeni krenaria dhe lavdia e përjetshme e kombit shqiptar dhe e Kosovës, i lehtë u qoftë dheu i Shqipërisë Etnike. Poshtë tradhtia dhe pabesia! Rroftë Kombi Shqiptar i Bashkuar dhe Shqipëria Etnike për bashkimin e së cilës luftuan dhe u therorizuan heroikisht ILIRI, HAZIRI DHE AHMETI!

 

 

(Kosova Sot)