Pakicat nacionale- shkak i konflikteve

Pakicat nacionale- shkak i konflikteve
  • 19 November 2018 - 07:59

SHKRUAN: MUHAMET KELMENDI

Në Podgoricë u mbajt Konferenca mbi të drejtat e pakicave nacionale dhe me një teori joshkencore u kapën çështjet e pakicave për gjoja studim. Çështja e parë dhe konfliktuoze ishte dhe mbetet natyra dhe përkufizimi i pakicave nacionale! Me pakicë kuptohet një grumbull njerëzish të një etnie që jeton në shtetin tjetër, e jo në shtetin e vet etnik. Ky përkufizim hyn në punë dhe ka domethënie për disa shtete dhe për disa shtete të tjera nuk po ka asnjë rëndësi. E çuditshme është se vetëm në dy shtete pakicat mbrohen me norma kushtetuese. Në shtete të tjera fare nuk ka asnjë normë ose nuk njihen pakicat. Kosova dhe Shqipëria kanë shkuar shumë përpara në përkufizimin e të drejtave të pakicave nacionale. Madje, në Kosove ka diskriminim ndaj shumicës në llogari të pakicave.

Në Maqedoni diskriminimi është në punësim, në shkollim, në administratë dhe në organet e policisë

Diskriminimi shihet në organizimin e komunave serbe, në administratë, nëpër shkolla e në gjykata. Në veri të Kosovës kemi thjesht pushtetin serb, që kontrollohet nga Beogradi dhe që organet janë tipike nacional-fashiste. Kjo ka vazhduar edhe në Kuvend me vendet e rezervuara dhe në Qeveri të Kosovës e në investime. Kosovës po i kushton ky organizim mbi 100 milionë euro në vit. Me ato paguhet administrata nëpër komuna, shkollat dhe ndihmat sociale, të ardhurat për minoritetin serb etj. E këta fare nuk kontribuojnë në buxhet. Vetëm energjia elektrike që paguhet nga Prishtina në vite është mbi 30 milionë euro. Në Shqipëri janë të garantuara të drejtat me norma ligjore, ndërsa në vendet e tjera, fare nuk ka norma juridike, të karakterit kushtetues që mbrojnë pakicat. Në Maqedoni njihen shqiptarët si pakicë nacionale, ndonëse afër gjysma e popullit është shqiptare. Diskriminimi është në punësim, në shkollim, në administratë dhe në organet e policisë. As edhe 2% nuk janë shqiptarët të përfaqësuar në SHIM a në ushtrinë e Maqedonisë. Kemi kështu një padrejtësi tipike shoviniste dhe e mbështetur në urrejtje nacionale, me elemente të racizmit. Në Serbi nuk kanë pakicat, sidomos ajo shqiptare, asnjë të drejtë. Atje diskriminohet pakica shqiptare në punësim, në administratë, në kulturë e në shkollim etj. As edhe librat shqip nuk u lejohen.

As kthimi tek varret e të parëve në Çamëri nuk u lejohet

Më mirë nuk është as gjendja në Mal të Zi. Atje në Podgoricë, nga një përfaqësues i minoritetit shqiptar në qeverinë e Malit të Zi, u tha: "(...) ne i kemi mbrojtur të drejtat e pakicave me ligj (...)". Kjo deklaratë është thjesht qesharake. Në Malin e Zi nuk ka shkollim përfundimtar në gjuhen shqipe. Vetëm tri shkolla fillore janë në Ulqin. Një shkolle është në Plavë dhe me kaq përfundojnë të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Në Greqi s'kanë asnjë të drejtë shqiptarët. Atje janë dhunuar e terrorizuar me qindra e mijëra shqiptarë. As kthimi tek varret e të parëve në Çamëri nuk u lejohet. Thjesht, nuk kanë të drejtë të deklarohen si shqiptarë dhe ndiqen intensivisht. Këto përkufizime dhe ndalime të të drejtave nacionale kanë qenë në Ballkan çdo herë shkak i konflikteve. Kështu u bë lufta ne vendet e ndryshme në Ballkan. Janë vrarë e masakruar me qindra e mijëra veta. U bënë luftërat në Kosovë, në Maqedoni, në Serbi, e në shumë vende të tjera të Ballkanit. Kjo gjendje me të drejtat gjoja që janë nëpër shtete nuk zgjidhet. Çështja është shumë e rëndë në Serbi, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Greqi. Në Greqi s'ka fare liri dhe të drejta. Shqiptarët nuk njihen si popull dhe as si pakicë nacionale. Ata konsiderohen grekë dhe çdo gjë shqiptare luftohet. Kjo është shumë e dëmshme dhe shumë e rrezikshme Paqja kështu nuk sigurohet.

 

(Kosova Sot)