Zjarri që po e farkëton Evropën

Zjarri që po e farkëton Evropën
  • 03 October 2015 - 10:32

Shkruan: Carl Bildt

BE-ja, e çorientuar para sfidave të shumta

Më shumë refugjatë ka në Stamboll sesa në të gjitha vendet e BE-së të bëra bashkë

Meqë jemi të statistikat, BE-ja mund t’i akomodojë një milion ose edhe më tepër refugjatë. Kjo shifër është vetëm 0.2 për qind e popullsisë së përgjithshme të BE-së dhe është dukshëm më e vogël sesa numri i njerëzve që shtetet anëtare do të duhet t’i pranojnë në dekadat e ardhshme për ta rimbushur fuqinë e plakur punëtore

Në vitin 2003, kur Bashkimi Evropian kishte nxjerrë strategjinë e parë të sigurisë, qytetarët e kontinentit po jetonin në një botë që dukej shumë e sigurt. Në fakt, fjalia e parë e këtij dokumenti theksonte që “Evropa kurrë nuk ka qenë më e suksesshme, e sigurt dhe e lirë se tani”. Politika e jashtme e BE-së në fqinjësi ishte përqendruar në krijimin e një ‘rrethi të miqve’, nga Maroku në Rusi e Detin e Zi. 

Sot, botëkuptimi është krejtësisht i ndryshëm. Liderët e kontinentit po kanë shumë vështirësi për ta gjetur një përgjigje për botën që, sipas fjalëve të një dokumenti të vonshëm “është bërë më e rrezikshme, më e përçarë dhe më e çorientuar”. BE-ja e ka gjetur veten e rrethuar nga një rreth zjarresh, e jo miqsh, me qindra-mijëra njerëz që i kalojnë kufijtë e BE-së për të ikur nga shtypja e terrorizmi.  

Në lindje, intervenimi i Rusisë në Ukrainë i ka larguar nga shtëpitë e tyre rreth dy milionë njerëz, numër ky më i madh se ai i të zhvendosurve si pasojë e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, që kishte ngjarë para dy dekadash. Në anën tjetër, dhuna në Siri dhe mungesa e rendit në Afrikën Veriore kanë rezultuar në një rritje të shpejtë të numrit të refugjatëve, duke ngjallur frikën e një krize tjetër në BE.

Sfida e refugjatëve

Për të qenë më i saktë, kjo sfidë nuk është vetëm e Evropës. Shumica e refugjatëve, që janë larguar nga Siria jetojnë në kampe në Jordani, Liban dhe Turqi. Në fakt, të paktën dhjetë qytete në Turqi kanë më shumë refugjatë sesa banorë autoktonë, ndërsa më shumë refugjatë ka në Stamboll sesa në të gjitha vendet e BE-së të bëra bashkë.

Meqë jemi të statistikat, BE-ja mund t’i akomodojë një milion ose edhe më tepër refugjatë. Kjo shifër është vetëm 0.2 për qind e popullsisë së përgjithshme të BE-së dhe është dukshëm më e vogël sesa numri i njerëzve që shtetet anëtare do të duhet t’i pranojnë në dekadat e ardhshme për ta rimbushur fuqinë e plakur punëtore.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë që do të jetë e lehtë. Të dhënat demografike nuk e kapin realitetin e sistemeve të azilit që janë buzë kolapsit apo të ekonomive që kanë probleme të sigurojnë strehë dhe punësim. Sfida më e madhe për shumicën e liderëve të BE-së do të jetë menaxhimi i reagimeve të brendshme politike, pasi që forcat ksenofobe dhe nacionaliste mëtojnë të përfitojnë nga ndjenja anti-imigrantëve.

Përçarjet politike

Në fakt, në nivel të BE-së, përçarja dhe debati në mes të qeverive kombëtare ka dalë në sipërfaqe, pasi që liderët nuk kanë arritur ta gjejnë një gjuhë të përbashkët për shpërndarjen e refugjatëve në mes të shteteve anëtare. Në fund, vendimi është marrë me votë të shumicës, për dallim nga herët e kaluara, kur është votuar nëpërmjet një sistemi shumë më të dëshiruar, ndonëse këtë herë shumica ka qenë e madhe, ku vetëm katër nga 28 shtetet anëtare kanë qenë kundër.

Deri në krizën e fundit, diskutimet për BE-në kanë qenë të dominuara nga përçarjet në mes të kreditorëve veriorë dhe huamarrësve jugorë. Sot, tema më e nxehtë është ndarja në mes të shteteve perëndimore që i mirëpresin refugjatët dhe atyre lindore që nuk duan t’ia dinë për ta.

Mirëpo, përkundër mosmarrëveshjeve dhe tensioneve, e vërteta mund të jetë që kemi një marrëveshje pothuajse unanime që zgjidhja duhet të jetë evropiane. Të gjithë pajtohen që sfidat e shkaktuara nga mungesa e rendit në botë mund të zgjidhen më së miri nëse veprohet në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Në fakt, disa nga idetë e propozuara – sistemi i përbashkët i azilit dhe skema për ndarjen e përgjegjësive dhe barrës – është një shenjë për transferimin e sovranitetit tek BE-ja, në një zonë që deri vonë është parë si qendër e funksionimit kombëtar.

Menaxhimi i krizës së euros

Gjykuar nga sondazhet e opinionit të gjerë publik, evropianët e vlerësojnë mënyrën se si BE-ja e ka menaxhuar krizën e euros si të suksesshme. Besimi në BE-në është rritur nga 48 në 58 për qind në tri vitet e fundit, pas një periudhe të rënies, ndërsa skepticizmi për projektin evropian ka rënë nga 46 në 36 për qind në këtë periudhë.

Skema ka filluar të bëhet e njohur tashmë: një krizë e re, takim i ri në Bruksel, një përgjigje e ngatërruar në fillim, debate e përçarje e pastaj një përgjigje graduale përparuese, e shkaktuar nga të kuptuarit e asaj se nuk ka tjetër alternativë.

Në mosmarrëveshjet e sotshme qëndrojnë rrënjët e një unioni më të fuqishëm. Njerëzit nuk e shohin më BE-në si një përpjekje utopike e abstrakte për krijimin e një unioni të përbashkët. Çdo ditë e më shumë BE-ja po shihet si mekanizëm praktik e esencial për një grup të vogël shtetesh, të cilat duhet të punojnë së bashku për t’i kaluar me sukses sfidat e tyre të përbashkëta.

Banorët e BE-së po zgjohen në një botë që është më e rrezikshme, më e përçarë dhe më e çorientuar. Mirëpo, ky zgjim në këtë realitet me më shumë gjasë do t’i bashkojë ata, e jo t’i ndajë.

(Carl Bildt ka qenë ministër i Punëve të jashtme i Suedisë në periudhën 2006-2014 dhe kryeministër i vendit në periudhën 1991-1994, kur edhe është negociuar anëtarësimi i Suedisë në BE)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”