Pse po dështon BE-ja në Kosovë?

Pse po dështon BE-ja në Kosovë?
  • 04 October 2015 - 09:09

Shkruan: Ismail  KASTRATI

Qytetari i lodhur i Republikës së re

Kosova po vuan gabimet e liderëve të saj

Krejt këto probleme janë produkt i kësaj oligarkie të krijuar pas luftës, e cila është e korruptuar edhe në procesin e shpërndarjes së ndihmave nga ndërkombëtarët (së bashku me shumë ndërkombëtarë!), nga procesi i privatizimit të pronës shoqërore dhe publike, nga tenderomania, nga klientelizmi dhe krimi ekonomik

 

 

Qytetari i Kosovës është i lodhur dhe i hutuar me deklarata të pamatura dhe të “mëdha” të strukturave përgjegjëse të Kosovës, që në vazhdimësi po i përsërisin, për integrimet euroatlantike, procesin e dialogut me Serbinë, luftimin e korrupsionit e krimit ekonomik dhe me premtimet për zhvillim dinamik të ekonomisë dhe rritje të punësimit. Preokupimi i vazhdueshëm lidershipit kosovar për realizimin e detyrave që derivojnë nga obligimet e sugjeruara nga miqtë ndërkombëtare, ka lënë në plan të dytë detyrat më vitale që lehtësojnë përditshmërinë e qytetarit të Kosovës. “Vlerësojmë rrugën evropiane që po ndjek Kosova”, “Kosova ka perspektivë evropiane”, “Kosova ka përparuar shumë në procese eurointegruese, ka përmirësime substanciale për sa u përket përmbushjeve të kushteve për liberalizim të vizave”. 

 

Për diploma u rinegociua

Zyrtarët tanë marrin “mbështetje” kudo që pranohen nga homologët e tyre për liberalizim të vizave, “... e përkrahim procesin e liberalizimit të vizave..., por kërkohet që të plotësohen vetëm edhe ca kritere... të luftohen korrupsioni e krimi ekonomik më seriozisht, të rritet siguria, të ndërpritet invazioni i azilkërkuesve nga Kosova...” Pavarësisht nga ky fjalor i zgjedhur diplomatik, përherë me dykuptimësi, kaluan muaj, madje edhe disa vjet, duke i dëgjuar të njëjtat fjalë kurtuazie, por liberalizim të vizave nuk ka dhe nuk do të ketë as edhe për një kohë. Fjalë miradije dhe përshëndetje të arritjeve historike kemi dëgjuar dhe dëgjojmë edhe tash, për sukseset e arritura në dialogun me Serbinë, “të lehtësuar nga Brukseli”.  “E përshëndesim procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Politika kosovare dhe udhëheqja e përgjegjshme e vizionare e Kosovës po tregon pjekuri politike në ecjen përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Përshëndesim arritjen e marrëveshjes (së parë, të dytë...), që çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”. Edhe pas nënshkrimit të marrëveshjeve “historike” në vitin 2013 dhe kësaj të vitit 2015, shumë nga pikat e marrëveshjeve nuk janë zbatuar dhe për to po rinegociohet  (për diplomat, për librat kadastrorë, për targat e automjeteve, nuk janë shuar strukturat paralele etj.). Për diploma u rinegociua edhe një herë, edhe sa herë do të negociohet!? Çka fitoi Kosova?

 

Ku shkuan miliardat që bashkësia ndërkombëtare (shumica nga BE-ja) ia dha Kosovës?

Gjyqësia dhe prokuroria monoetnike, zgjedhja e drejtorit të policisë për komunat veriore, që duhet të jetë serb, ndërkaq së fundi u nënshkrua marrëveshja për Bashkësinë e komunave vetëm për serbët, me kompetenca të diskutueshme, që prekin në Kushtetutën e Kosovës, ndonëse  në vazhdimësi flitet për një shtet multietnik dhe të qytetarëve. Përderisa shumica e marrëveshjeve as që kanë filluar të zbatohen, nënshkruhen marrëveshje të reja dhe historia përsëritet, “se u arrit një marrëveshje historike”. Të gjitha këto “arritje”, Brukseli i trajton të suksesshme dhe  mbyll tregimin. Kosova gjithashtu i konsideron historike, ndërkaq, Serbia, ende pa u tharë boja e nënshkrimeve, projekton bojkotimin e zbatimit të tyre. Shtrohet pyetja: Cilat janë ato arritje të prekshme në favor të qytetarit të Kosovës nga marrëveshjet e nënshkruara, sa i është përmirësuar pozita ekonomike dhe sociale dhe sa  i është lehtësuar qarkullimi nëpër Serbi dhe në pjesën veriore të Kosovës? Çka ka përfituar qytetari i Kosovës diç konkrete dhe të prekshme nga kjo mesele? Pse, pas gjithë këtyre të arritjeve, shfaqet kjo zbehje e besimit te politika zyrtare e strukturave qeverisëse dhe pse ky zhgënjim i shpërfaqur? Pse kjo humbje e shpresës për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt dhe pse kjo ikje masive nga Kosova? Kosovës shpesh me të drejtë i përsëriten pyetjet: “Ku shkuan miliardat që bashkësia ndërkombëtare (shumica nga BE-ja) ia dha Kosovës?” “Ku përfunduan miliardat e derdhura në Kosovë”. “Ku kanë shkuar këto mjete”? “Me gjithë ndihmat më të mëdha të dhëna ndonjëherë, në ndonjë mision të ngjashëm, bashkësia ndërkombëtare dështoi në Kosovë”. Këto deklarata të ndërkombëtarëve kanë edhe një dozë të shantazhit, sepse ato para janë “shpenzuar” në Kosovë. Përderisa miliardat u shpenzuan në emër të popullit të Kosovës, dhe në favor të mirëqenies së kosovarëve, Kosova prore mbeti e pazhvilluar, me gjendje të rëndë socioekonomike, me papunësi gati si në kohën e pasluftës, me shëndetësi të mjerueshme, me arsim që prodhon diploma, por nuk siguron dije, ndërkaq në këtë kohë dikush u pasurua jashtë mase.

 

Liberalizim të vizave nuk ka dhe nuk pritet që shpejt të ketë

Krejt këto probleme janë produkt i kësaj oligarkie të krijuar pas luftës, e cila është e korruptuar edhe në procesin e shpërndarjes së ndihmave nga ndërkombëtarët (së bashku me shumë ndërkombëtarë!), nga procesi i privatizimit të pronës shoqërore dhe publike, nga tenderomania, klientelizmi dhe krimi ekonomik. Liberalizim të vizave nuk ka dhe nuk pritet që shpejt të ketë, MSA-ja po zvarritet, në Vjenë Kosova mori dy projekte të vogla dhe një që nuk dihet pse ka konkurruar, kur është duke u kryer nga paratë e taksapaguesve kosovarë (autostrada për Shkup). Ndërkaq, Serbia e fitoi kandidaturën për anëtarësim në BE dhe 13 projekte në samitin Ballkanik të Vjenës..  “Kosova po vuan gabimet e liderëve të saj, por edhe sindromën e nënshtrimit pa kushte ndaj faktorit ndërkombëtar, që duhet thënë se ka qasje shumë të dobëta këshillimi me politikanët kosovarë”.  Ndërkaq, pas gjithë këtyre arritjeve “historike”, dëgjojmë pallavra se “Serbia de fakto e njeh Kosovën”, “Do ta padisim Serbinë për gjenocid ndaj popullsisë civile të Kosovës...!”