Refugjatët dhe realiteti evropian

Refugjatët dhe realiteti evropian
  • 05 October 2015 - 10:13

Shkruan: Joschka Fischer

Shtetet e BE-së kthehen në një strehimore gjigante

Evropa nuk mund të izolohet nga konfliktet

Në qendër qëndron konflikti fundamental mbi të ardhmen e Evropës: kthimi në shtet-kombet përbrenda kontinentit ose vazhdimi drejt një komuniteti me vlera të përbashkëta

Deri para disa javësh, evropianët besonin që po jetonin në një botë të izoluar nga konfliktet. Përnjëherësh, lajmet dhe fotografitë e imigrantëve të mbytur në ujëra kishin filluar të shfaqeshin, duke ofruar kështu pamje të tmerrshme, mirëpo tragjedia, që ngjante në Itali, Greqi e Maltë, dukej e largët.

Lufta Civile në Siri, që po ngjan tash e disa vjet, dukej edhe më e largët. Presidenti sirian, Bashar al-Assad, i kishte sulmuar kryengritësit me gaz helmues, për t’i vazhduar më pas sulmet me gozhda dhe copëza të metalit. Ndërsa, ata që kishin arritur të iknin nga vrasësit e Assad-it e kishin gjetur veten të konfrontuar nga terrori i Shtetit Islamik. Qindra-mijëra njerëz ishin vrarë dhe miliona sirianë i kishin lëshuar shtëpitë e tyre, duke u bartur për të jetuar në kampe të refugjatëve në Jordani, Liban ose Turqi për vite tët tëra, pa shpresë për përmirësim.

Atëherë, në një moment të caktuar gjatë kësaj vere, kur edhe shpresa e fundit për kthim në Siri ishte zhdukur dhe një alternativë ndaj Assad-it dhe Shtetit Islamik nuk dukej më reale, këta njerëz patën filluar të niseshin drejt Evropës, që dukej të premtonte një të ardhme paqësore dhe një jetë në liri e siguri. Refugjatët vijnë nëpërmjet Turqisë, Greqisë dhe shteteve të Ballkanit apo nëpërmjet Mesdheut, duke u munduar të iknin nga kaosi i ngjashëm në Eritre, Libi, Somali dhe Sudan.

 Evropa e papërgatitur

Në muajin gusht, mijëra refugjatë në stacionin e trenit Keleti në Budapest kishin mbetur të ngujuar, pasi që Qeveria e Hungarisë, qëllimisht, e kishte lejuar situatën që të eskalonte. Si rrjedhojë, mijëra burra, gra e fëmijë, madje edhe njerëz me aftësi të kufizuara, kishin filluar që të shkonin në drejtim të kufirit austriak. Ky ka qenë momenti kur Evropa, duke parë masën e madhe të refugjatëve, nuk kishin mundur ta injoronin situatën e krijuar. Evropa tani më në fund konfrontohej me një realitet, në të cilin ajo dukej të ishte strehimore.

Evropa ka qenë e papërgatitur. Bashkimi Evropian ka pasur mungesë të dukshme të mjeteve civile, diplomatike dhe ushtarake për ta reduktuar, e lëre më për ta zgjidhur krizën dhe konfliktet që zhvilloheshin në vendet fqinje. Dhe, pasi që imigrantët që ia kishin mësyrë Evropës kishin filluar të futeshin në kontinentin e vjetër, politika e përbashkët e azilit të BE-së kishte dështuar, pasi që e ashtuquajtura marrëveshje e Dublinit 3 nuk ofronte mekanizëm efektiv për t’i shpërndarë refugjatët në mes të shteteve anëtare, pas futjes së tyre fillestare në kufijtë e BE-së. Thirrja e kryeministrit italian, Matteo Renzi, për solidaritet evropian kishte rënë në vesh të shurdhër.

Vendimi i guximshëm i Merkel-it

Kur mijëra refugjatë kishin mbërritur në Budapest, në rrugën e tyre drejt Gjermanisë dhe Skandinavisë, ishte shkaktuar një krizë humanitare dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ishte detyruar të zgjidhte: ose t’i pranonte refugjatët ose të rrezikonte eskalimin e krizës në Budapest. Gjermania, me shumë gjasë, nuk do të kishte mundur të qëndronte e heshtur për dy ditët në vijim.

Merkel-i kishte marrë vendimin e guximshëm dhe të duhur për t’i lënë refugjatët për t’u futur në Gjermani. Për këtë arsye, ajo meriton respekt dhe mbështetje të plotë.

Mirëpo Merkel-i nuk ka qenë e vetme në përqafimin e vlerave njerëzore në një moment të tillë shumë domethënës. Grupet e shoqërisë civile në Gjermani, Austria dhe kudo tjetër ishin mobilizuar në masë të madhe, baskë me autoritetet publike, për t’u përballë me sfidën që ishte shkaktuar nga numri i madh i refugjatëve. Evropa, me mbështetjen e këtyre koalicioneve duhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’u siguruar që refugjatët do të integrohen me sukses.

 “Vera e refugjatëve” do ta ndryshojë Gjermaninë dhe Evropën. BE-ja do të jetë në gjendje t’i adresojë sfidat vetëm nëse vepron si e bashkuar dhe në shpirtin e solidaritetit evropian. Mirëpo, nëse uniteti nuk është gjëja më e rëndësishme e përgjigjes evropiane, atëherë nga kjo krizë do ta pësojnë të gjitha palët, sidomos refugjatët.

E para dhe më e rëndësishmja është krijimi i një sistemi efektiv për sigurimin e kufijve të jashtëm të Evropës dhe kjo gjë duhet ndodhur sa më shpejt që është e mundur. Kjo përfshin një procedurë të përbashkët për gjykimin e pretendimeve të azilkërkuesve dhe një mekanizëm të përshtatshëm për shpërndarjen e refugjatëve në mënyrë të barabartë në mes të shteteve të BE-së. Për më tepër, nëse BE-ja mëton t’i ruaj vlerat e saj themelore, përfshirë këtu edhe largimin e kufijve të brendshëm, ajo duhet të përqendrohet në stabilizimin e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe fqinjëve të saj në Evropën Lindore me para, përkushtim dhe fuqi të fortë e të butë. Një qasje e unifikuar është shumë e rëndësishme.

Rusia të mbahet larg

Mirëpo Evropa duhet t’i shmang lëvizjet e gabuara të politikës reale, që do t’i tradhtonin vlerat e saj themelore në vendet e tjera. Për shembull, do të ishte një gabim shumë i madh nëse do të hiqeshin sanksionet e Rusisë, duke shitur interesat e Ukrainës, vetëm pse besohet që asistenca e Moskës në Siri është e nevojshme. Bashkëpunimi me Rusinë, ndonëse është shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm, nuk guxon të vjen në këmbim të pasojave për palën e tretë dhe interesave perëndimore për unitet. Përpjekjet për t’i kompensuar gabimet e të kaluarës nuk duhet ngjarë fare, kur si pasojë kanë gabime edhe më të mëdha.

Për të qenë më i saktë, ekziston rreziku që kriza e refugjatëve t’i forcojë partitë nacionaliste në shtetet anëtare të BE-së. Mirëpo, fuqizimi i këtyre partive kishte filluar shumë kohë para verës së këtij viti dhe nuk ka nisur si rezultat i krizës së refugjatëve. Në qendër qëndron konflikti fundamental mbi të ardhmen e Evropës: kthimi në shtet-kombet përbrenda kontinentit ose vazhdimi drejt një komuniteti me vlera të përbashkëta. Evropianët e bindur duhet t’i mbledhin gjithë forcat e tyre për të vepruar në sfidat e së ardhmes.

(Joschka Fischer ka qenë ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendës-kancelar i Gjermanisë në periudhën 1998-2005, që është shënuar me mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për intervenimin e NATO-s, në luftën e Kosovës në vitin 1999)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”